Kripë e lashtë
Astrit Lulushi
Mund të jetë çmenduri të mendosh, por është e vërtetë, një oqean që daton mbi 400 milionë vjet më parë, aktualisht ndodhet nën Virxhinia Perëndimore dhe Malet Apalachian.
Oqeani Iapetus shtrihet nën malet Apalachian në lindje të Shteteve të Bashkuara, dhe i paraprin oqeanit Atlantik. Emri Iapetus vjen nga perëndia e vdekjes Iapet, i cili është bir i Uranit dhe Gaias, vëllai i Kronit dhe babai i Atlasit dhe Prometeut. Në greqishten e lashtë nuk shpjegohet se nga vjen fjala; në shqip ‘Iapet’ do të thotë ‘shpim’ ose ‘shpues’.
Shkencëtarët thonë se Oqeani Iapetus ekzistonte në epokën e vonë neoproterozoike dhe në epokën e hershme të Paleozoikut të shkallës kohore gjeologjike (midis 600 dhe 400 milion vjet më parë).
Forcat gjeologjike u zhvendosën dhe e çuan oqeanin nën tokë nën malet Apalachian. Ky oqean është një arsye kryesore pse Virxhinia Perëndimore ishte shumë e njohur për kripën në vitet 1700 dhe 1800.
Një familje në Virxhinia Perëndimore ende nxjerr ujë nga ky oqean i lashtë për kripën e saj. Nancy Burns dhe Lewis Payne, motër e vëlla, janë prodhues të kripës së gjeneratës së 7-të, dhe zotërojnë kompaninë Dickinson Salt-Works.
Sipas West Virginia Tourism, ata e nxerrin kripën tërësisht natyrale në fermën 200-vjeçare të familjes së tyre në Malden në kontenë Kanawha.
Comments