top of page

Krijimi i kapitalit mbas 1990-tës


Fahri Dahri, studiues

PJESA E II

Krijimi i kapitalit mbas 1990-tës

Adam Smithi sheh një marrëdhënie dallimi midis interesit të individit dhe të interesit të shoqërisë, dhe vë re se mbajtja e individit në brendësi të një bashkësie sigurohet nga mekanizmat e këmbimit: këmbimi lejon lojën e përbashkët të kërkesës dhe ofertës. Trajtimi që u bëhet mekanizmave të tregut është me vlerë edhe sot (¹).

• Në një shoqëri të dalë nga një rend ekonomiko-shoqëror, ku ligjet e konkurencës dhe kërkesë - ofertës nuk vepronin, marrëdhëniet mes individit dhe shoqërisë, sigurisht e lejojnë që këmbimi të bëjë lojën e përbashkët të kërkesës dhe ofertës, por fusha e veprimit ishte e pafavorshme për shkak të mungesës së kushteve për të hyrë në treg oferta. Mungesa e ofertës, favorizoi klasën politike të para dhe pas nëntëdhjetës, të zotërojnë tregjet me mallra e materiale të importit, gjë që lulëzoi mbizotërimi i monopoleve në disa duar.

Para vitit 1991, mekanizmat e ligjeve të kapitalit nuk vepronin në fushën ekonomike (të prodhimit dhe tregut), për ne ishin shfaqje borgjeze dhe mikroborgjeze. Nuk ishin pjesë e moralit tonë shoqëror. Në këtë fazë u gjend qenia dhe ndërgjegja shqiptare, në lidhje me moralin dhe përvojat ekonomiko- politike, kur kapërcyem “ylberin” politik.

E vërteta është se ky mentalitet qendronte vetëm tek afro 90 përqind e popullsisë; ndërsa pjesa e njerëzve të përfshirë në politikë, shfrytëzoi çdo aset pasuror dhe moral duke marrë rrolin e kapitalistit, dmth u bënë pronarë me kapitalin shtetëror, jo me kapitalin e tyre. Siguruan të ardhura nëpërmjet rrugëve të padrejta, informale duke u pasuruan mbi bazat e kapitalit të të gjithë shoqërisë. Krahas përvetësimit të kapitalit ekzistues, që ishte shtetëror, u ndërrtuan edhe legjislacione, ku klauzolat krijonin hapësira për informalitete në ekonomi, siç u veprua së pari me Reformën Agrare.

Reforma agrare gjatë këtyre afro tre dekadave, është përdorur me sukses nga politika në fushatat elektorale. U përdorën mashtrime, grabitje dhe vjedhje në forma të ndryshme. Mes tyre, tepër të habitshme dhe “bajate”, ishin fenomenet e ndodhura në Bankën Qendrore Kombëtare. Lëvizje e parave jashtë rregullave dhe normave, spekullime me interesat për kredimarrësit; mos regjistrim të prerjeve të reja monetare; nuk veprohej sipas ligjeve nxjerrja jashtë përdorimit e parave të dëmtuara, të cilat rifuteshin në qarkullim. Nga individë të caktuar, u përdorën paratë e bankës në tregun informal të këmbimit valutor. U sajuan luhatje të shpeshta me kurset e këmbimit të valutave, duke përvehtësuar djersën, mundin dhe sakrificat sublime të moshave të reja në emigracion.

Veprime të tilla informale, favorizuan në krijimin e akumulimit fillestar, ku u përfshinë jo vetëm qendrimet ndaj Tokës bujqësore, apo Sistemit Bankar, por kudo në çdo qelizë të mjeteve të jetesës shoqërore, mashtrime, grabitje në forma të ndryshme të pasurisë shtetërore. Më të dukshme ishin qendrimet ndaj ambjenteve të të gjitha pasurive të paluejtshme, të luajtëshme dhe mjeteve monetare të ndërmarrjeve shtetërore, makinerive, paisjeve, etj. të cilat u lanë qëllimisht jashtë kontrollit, më pas ato dolën në treg si objekte apo mallra për tu shitur por tasmë ato trahtoheshin objekte, apo mallra të çvlerësuara.

Të gjitha këto, përfshi edhe të ardhurat nga “firmat piramidale”, trafiqet materiale dhe njerëzore, favorizuan individë të “zgjedhur” dhe grupe individësh pranë politikës, të grumbullonin para informale me të cilat blinin mallra me çmime të ulta, i shitën ato dhe siguruan para plus.

Sipas gazetës Telegraf të datës 06 prill 2018, në fund të muajit shkurt të vitit 2018 shuma e kredive me probleme kapte shifrat 560 milionë euro. Këto ndërhyrje të qëllimshme vazhdojnë të jenë më të thelluara dhe me ndikime të ndjeshme, duke shkaktuar humbje në ekonomi. Spas shtypit të ditës, vetëm me deeurozimin, masë e marrë nga Banka Kombëtare, dëmi llogaritej në 140 milionë euro, etj.

Pikërisht manovrimet e vendosura, duke praktikuar përdorimin e formulës Para-Mall-Para (P-M-P), lindën akumulimin fillestar informal, i cili u rrit, u zhvillua dhe vazhdon të jetë në veprim. Ky fenomen ekonomik tek ne, krijoi polarizimin e tejskajshëm të nivelit ekonomik në mbarë shoqërinë shqiptare.

Shumica e Shoqërive Anonime (SHA), me Përgjegjësi të Kufizuar, bisnese në fusha të ndryshme, kryesisht të ndërrtimit, të bërjes së rrugëve dhe jo vetëm, arritën të krijojnë kapitale dhe pasuri të vendosura me “Paratë e Krimit” (siç shprehen aktualisht në vazhdimësi Partitë tona Politike). Sot janë bërë shqetësuese edhe për vetë politikën që me vetëdije u krijoi kushtet për një terren informal. Arritja në këtë stad të “frikshëm” të kapitalit të siguruar me akumulimin fillestar nëpërmjet informalitetit, ka krijuar shqetësime serioze edhe për vetë politikën, sa që, këtë fryt të politikëbërjes së saj, detyrohet ta përrçmojë duke e quajtur “Oligarkët e krimit”.

Sipas Marksit “paraja është vetë mall, një send i jashtëm, i cili mund të bëhet pronë private e çdo njeriu. Fuqia shoqërore bëhet kështu fuqi private e personit privat".

Shoqëria antike e denonconte atë si monedhë që prish tërë rendin ekonomik dhe moral të jetës së saj”. (Kapitali-Vëllimi i parë, faqe 183-184).

Le të kujtojmë edhe mendimin e Sofokliut, i cili në “Antigona” shkruan:

”Se nga gjërat që gjeti njeriu,

shpikja e parasë është më e keqe.

Kjo rrënon qytete, kjo shkreton shtëpira,

Kjo dhe një të miri mëndjen ja merr

dhe e shtyn të bëjë punëra të liga”.

Ndërsa shoqëria moderne….. e ka tërhequr dhe vazhdon ta tërheqë prej flokësh Plutonin nga shtresat e nëntokës, e përshëndet arin si mishërimin e shndritshëm të parimit të saj më të thellë të jetës”.

Krijimi i kapitalit pas 1990-tës

në vendin tonë.

Ndërrimi i rendit ekonomiko- shoqëror që ndodhi tek ne, në fillimet e viteve nëntëdhjetë, e gjeti sektorin e bujqësisë pa pronar. Gjatë viteve të qeverisjeve socialiste, toka ishte shtetëzuar dhe administrohej nga shteti. U krijuan ndërmarje të ndryshme shtetërore dhe kooperativave bujqësore, ato organizoheshin, administroheshin dhe drejtoheshin me ligjet e ekonomisë socialiste që, siç dihet mungonte konkurenca, inisiativa e lirë, nuk vepronte ligji rregullues i tregut, kërkesa dhe oferta. Kjo ishte situata në të cilën ndodhej sistemi tërësor i sektorit të bujqësisë. Pikërisht nga situata e përrgaditut, përfituesi i vetëm u bë klasa politike. Ajo nxorri ligje që favorizuan ngritjen e një klase pronarësh të tokave, e cila do i shërbente klasës politike në dy drejtime, në radhë të parë politik dhe më pas atë ekonomik. Në opinionin publik lindën shprehjet: "ish pronarët" dhe "pronarët e rinj".

Mos realizimi i vendosjes së pronësisë ndaj gjithë llojeve të tokave, ka sjellë dhe sjell dëme të pallogaritshme, të cilat pengojnë në kryerjen e investimeve nga investitorë të ndryshëm vendas dhe të huaj. Ligjet e miratura për përkatësinë e pronësisë së tokave, ishin ligje të cilat nuk mundësonin zgjidhjen njëherë e mirë të të drejtave të pronarëve të vërtetë. Fakt i vërtetuar gjatë 30 viteve.

Nuk është as e panjohur dhe as e pakuptueshme rëndësia e zhvillimit të sektorit të bujqësisë tek ne. Sipas gazetës “Dita”, dt. 10 maj 2018:“Sektori bujqësor, i cili zë më shumë se 40% të punësimit dhe një të katërtën në PBB, ajo kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë e ekzistencës primitive, për shkak të mungesës së paisjeve moderne, të pasigurisë e të drejtave të paqarta të pronësisë dhe ngastrat e vogla të tokës”, thuhet në vlerësimin e CIA për 2017.

Politika, nga kjo gjendje, ka përfituar politikisht me premtime të vazhdueshme elektorale dhe me tjetërsime pronash, mënyrë efektive në lindjen dhe zhvillimin e korrupsionit aktiv-pasiv, me shtrirje horizontalisht dhe vertikalisht në shumë institucione shtetërore.

Negativiteti i veprimeve që kryhen në vendin tonë, shprehet edhe nga institucione të huaja, që na bëhen me dije në gazetën “Dita”, dt. 10.05.2018, ku lexohet: “CIA vëren se kodet komplekse të taksave dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik (tipik për këtë vend), zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pazgjidhura të pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja”.

Klasa politike, krahas përfitimeve politike dhe ekonomike të arritura nga sektori i bujqësisë, ndihmoi edhe me anë të ligjeve në mundësitë e krijimit të kapitalit fillestar nëpërmjet privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore. Veç grabitjeve, vjedhjeve dhe shkatërrimeve që u lejuan në pronat shtetërore, u veprua qëllimsht në mos venien në funksionimi të tyre, duke goditur njëkohësisht si prodhimin vendas dhe çvlerësimin e aseteve. Me këto veprime përfituan subjekte të caktuara, persona dhe grupnjerë pranë politikës, për blerje me çmime të papërfillshme. Kështu filloi të lindi një klasë pronarësh me kapital fillestar të siguruar në rrugë informale (Akumulimi fillestar).

Pronarët e kapitalit fillestar informal, si efekt i mjeteve të kufizuara financiare, nuk mund të kryenin investime në fusha të rëndësishme të prodhimit. Me sipëmarrjet e tyre ata u drejtuan tek ato aktivitete që mund të siguronin mjetet fiananciare për kryerjen e investimeve. Ishte ky fakt që aktivitetet e tyre i shtrinë në fushën e ndërrtimit, duke patur garancitë e politikës e cila u siguronte sheshet dhe lejet e ndërrtimit, kundrejt përfitimeve të ndërsjellta. Burimet e financimit të sipërmarrjeve ishin të ndryshme, ndër të cilat permendim: a) Kapitali fillestar informal, i cili u trajtua shkurtimisht. b) Kredi të buta bankare, sipas afërsisë me politikën. Më pas u trajtuan si kredi të këqia, gjoja nga pamundësia e kthimit. c) Forma e kleringut (mall me mall) me pronarë kryesisht informalë të trojeve. Dhënie trualli të konvertuar me sipërfaqe banimi, dyqane, depo, magazina etj. ç) Parapagim nga blerësit për sipërfaqe ndërrtimi, kundrejt favorizimit në ulje të çmimit të shitjes. d) U përdorën për blerje sipërfaqe ndërtimi edhe paratë e sjella nga emigrantët, kjo sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë.

ç) Tërheje e investirorëve të huaj, nëpërmjet njohjeve personale si të emigrantëve dhe të personelit të ish ambasadave para nëntëdhjetës, etj. Asgjë nuk është e thënë të mbetet e palëvizur, kështu bashkë me vitet, u rritën kapitalet, u fuqizuan dhe bisnesmenët. Ndërmorën të tjera sipërmarrje, siç janë ato të ndërtimit të rrugëve, jo pak tërheqin vemendjen fusha e mediave, artit, sporteve, etj. të cilat sponsorizohen të diktuara me ligje të caktuara. Fshehja e të ardhurave, pagesat tepër të larta drejtuesve dhe administratës në kompanitë e mëha si dhe pagesat me zarf, jashtë listëpagesave të punonjësve nga biznesmenët, krijonë humbje vlerash të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, si dhe polarizojnë nivelet mes strukturave të ndryshme shoqërtore. Dhjetë vitet e fundit shtrirje kanë marrë edhe dhëniet (lëshimet) e konçesioneve shoqërive apo bisnesmenëve të pronave ende shtetërore, kështu janë edhe dhëniet me qera të shërbimeve publike, autostradat, ndërtesat, doganat, është menduar edhe për institucionin e tatimeve.

Të gjitha këto transaksione komerciale, të mbështetura nga klasa politike, në pushtet ose afër tij, shoqërohen me përfitime personale të ndërsjellta, të cilat fuqizojnë ekonomikisht në mënyrë informale të dyja palët, por jo buxhetin e shtetit.

Brenda një kohe tremujore, sipas “nxitjes” së Bankës Qendrore për deeurozimin, euro është zhvlerësuar kundrejt lekut me mbi 4%, veprim ky që sipas Qendrës Shqiptare të Eksporteve (Albexport) dhe Albanian Food Industry (AFI), do ti mungojnë në qarkullim ekonomisë shqiptare rreth 14 miliardë lekë më pak. Ndërsa buxheti i shtetit do të humbasë rreth 25 %, ose 26 mlionë euro më pak gjatë vitit. Në tërësi dëmet nga këto “lojra” me “mallin para”, mund të kapin shifrat mbi 50 milionë €.

A- Koha për rishikimin e Rishpërndarjes së vlerës së shtuar.

Duhet përqëndruar pak edhe tek rishpërndarja e fitimit. Dihet se fitimet e realizuara në përfundim të procesit të prodhimit apo shërbimit, me sistemin e sotëm ekonomik, janë përfitime, mbasi shlyhen detyrimet ndaj shtetit, vetëm të bisnesmenit (kapitalistit) qoftë individ, grup njerëzish apo kompani. Në organet tona tatimore janë të rregjistruara si persona fizik, juridik, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëri anomime. Me ligjet që veprojnë në ekonominë e tregut, për rishpërndarjen e të ardhurave, ndeshemi në një anshmëri po thuaj të ligjëruar dhe si të moralshme. Fitimi i realizuar i mbetet subjekteve ekonomike të rregjistruara, ndërsa fuqia punëtore, nëpunësit e administratës, janë të ligjëruar me kontrata pune për tu trajtuar me pagat e caktuara për punën që kryejnë. Fuqia punëtore nuk ka përfituar nga vlera e shtuar prej shitjes së produktit të realizuar, frut edhe si efekt i punës së domosdoshme të saj.

Nuk do trajtojmë këtu rishpërndarjen e fitimit duke praktikuar raporte të pranuara ndërmjet subjektit juridik dhe fuqisë punëtore, sepse kërkohet një studim përmbysës i mënyrës së shpërndarjes së të ardhura të krijuara nga kapitali dhe puna. Por koha e ka sjellë si kërkesë të domosdoshme për tu studjuar dhe zbatuar. Idea këtu përqëndrohet tek njohja e ligjëshme për përfitim nga krijimi i çdo vlere të shtuar edhe për punën e kapitalit variabël (V)- (shpenzimet e punës).

Ide e cila është një e drejtë e mohuar, por tepër e vështirë për tu aplikuar nga poseduesit e kapitalit kostant (C).

Me një mendim të shpejtë dhe të thjeshtë, ideja mund të gjej një zbatim të përafërt nga raporti ndërmjet kapitalit konstant (C) dhe kapitalit variabël (V). Nëse vlera e kapitalit konstant që hidhet në një proces prodhimi është 100.000 Euro dhe shpërblimi i fuqisë punëtore të shprehura në para është 45.000 Euro, me një raport të thjeshtë, lidhur me ndarjen e fitimit ose mbivlerës së krijuar nga C+V, e supozouar 29.000 Euro; në një periudhë të caktuar, rezulton raporti: 69% me 31%. Sipas këtij raporti pronari do të përfitojë jo më 100% të fitimit, por 69% ose 20.000 Euro; ndërsa fuqia punëtore do të ndajë 31% të fitimit, ose 9.000 Euro nga zero që është sot.

Ashtu si pronari ka të drejtën e rritjes së aksioneve nëpërmjet fitimit përkatës edhe fuqia punëtore duhet ligjëruar në pjesëmarrje me aksionet e saj, pa përjashtuar edhe të drejtën e transferimit të aksioneve në aktivitete të tjera brenda apo jashtë kompanisë, shoqërisë apo firmës ku kontribuon.


B.- Koha për të caktuar tavan për normën e fitimit.

Për të frenuar rritjet kapërcyese dhe marramëndëse të pasurive të kompanive, shoqërive apo firmave, krahas ligjërimit të pjemarrjes së fuqisë punëtore në rishpërndarjen e vlerës së shtuar, është kërkesë e kohës edhe rishikimi i vendosjes së tavanit në normën e fitimit. Përcaktimi i saj duhet të variojë nga 15 deri në 20 %, në vartësi të përparësive të kërkesave ekonomio-sociale të shoqërisë. Kufizimi do të ndikojë në uljen e çmimeve të mallrave apo shërbimeve me përfitim mbarë shoqëror, jo vetëm në rritjen e mirëqenies por dhe në qarkullimi më të shpejtë të shitjes së mallrave.Me vendosjen e ndryshimit në mënyrën e rishpërndarjes së të ardhurave (pjesmarrja e fuqisë punëtore në rishpërndarjen e vlerës së shtuar dhe caktimi ligjor i tavanit në normën e fititmit), sigurohet zbutja e polarizimeve të krijuara mes kapitalit dhe shpenzimeve të punës; frenohet fenomeni i grumbullimit të kapitalit në disa duart, që aktualisht përbëjnë 5% deri në 10 % të popullsisë. Fenomeni nuk është vetëm shqiptar, por ndjellkeqës në ecurinë e mëtejshme të mekanizmave në ekonominë e tregut.

Vijon:

Ekspert Ekonomie Fahri Dahri

30 Maj 2021.-

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page