(Përsiatje rreth veprës: “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë
dhe derivati i origjinës “, të Prof. Dr. Fatmir Terziut, Mjeshtër i Madh.)
Shkruar nga Kozma Gjergji
Në krijimtarinë e shumanshme të Fatmir Terziut mendoj se vepra: “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës”, përbën një nga kolonat kryesore. Njëkohësisht është një kualitet i ri e kontribut tejet i rëndësishëm në fushën studimore të etnokulturës shqiptare.
I them këto i nxitur përveç nga jehona e suksesit, nga përjetimet, mbresat, njohuritë e kënaqësitë intelektuale që përftova gjatë leximit të librit, i cili tani vonë më ra në dorë.
Nuk e prisja të ishte një punë kaq vëllimore e cilësore, që gjithërrokë krejt etnokulturën e popullsisë të Gollobordës, jo dhe aq të njohur e eksploruar. Pasi e përfundon, të vjen vetiu pyetja, se ç'motiv e ka shtytur Autorin për këtë ndërmarrje mjaft të vështirë e delikate, që për t'u realizuar kërkon angazhim institucioni me ekspedita e studiues të specializuar?!
Dhe përgjigjen e jep vet Etnologu: “Misioni i këtij studimi është të paraqesë fate të mbyllura në errësirë, të zbulojë perdet e errëta e të dhurojë sadopak dritë mbi shumë gjëra që janë treguar, por që janë tretur e nuk flasin më dot nga dheu i të parëve që folën netëve të gjata të dimrave.” Dhe se: “Prej kohësh më ka shqetësuar një detyrim moral për një krahinë që e meriton atë. Për një krahinë që për mëse katër vjet i përkushtova rininë time në fushën e edukimit të brezit të ri. Për një krahinë që auditoreve shqiptare, rrugicave dhe ecejakeve të jetës të dëgjoja një emër disi me nofkë: Golloborda, por që më bënte krenar kur e dëgjoja atë emër.”
Rrallë më ka ndodhur që punime si ky me natyrë shkencore e teorike të më tërheqin e shijojn si krijim artistik. Kjo mbase nga mënyra e kompozimit të lëndës, por mbi të gjitha nga tregimi i hulumtimeve me stil elegant dhe me gjuhën e bukur të shkrimtarit.
Aty përjeton faqe pas faqe haren e zbulimit dhe kënaqësinë e të papriturës për kaq e kaq gjëra të rralla e karakteristike, që përbëjnë tharmin e shpirtit të njerëzve, tokës, qiellit të Gollobordës. Autori i gjurmon ethshëm ato gjer në thellësi të shekujve, dhe i shikon të ndërlidhura ngushtësisht në marrje e dhënie me vendasit e fqinjët ballkanas. Ai të përgjasohet me atë arkeologun ngulmues e pasionantë që çvarros objekte e gjetje të çmuara, i pastron me kujdes nga dherat e keqkuptimeve e gllabëruese dhe na shfaq para syve një qytetërim mahnitës.
Sigurisht janë kërkime e hulumtime sa të ndërlikuara aq delikate, të cilat i kërkojnë Autorit të jap përgjigje edhe prej historiani, gjeografi, muzikologu, etnografi, ndërtuesi… Ndërkohë, siç kuptohet lehtë, i është dashur të bëjë dhe restauratorin, duke rikrijuar, plotësuar e u dhënë shkëlqim sa e sa hallkave të këputura e zhdukura nga koha dhe harresa.
Të gjithë kapitujt e veprës arrijnë kulme, por unë do veçoja sidomos atë ku përshkruhen legjendat, mitet, rrëfenjat, historitë, kultet dhe emërtimet domethënëse, të cilat janë një thesar i vërtete diamantesh që i shtohen kulturës kombëtare.
Të sugjestionojnë e trondisin shkrepëtimat poetike të gjëmave e gëzimeve, imazhet e delikatesës dhe madhështisë, thellësia, gjerësia dhe yllësytë vezulluese të dashurisë, miqësisë, bujarisë, urtësisë, përvojës shekullore, talentit dhe etjes së vazhdueshme për liri e përparim.
Ja një prej tyre fare shkurt sa për ilustrim: Tregohej se në “Korvrid”(Kodër-gjak) ishte derdhur gjaku deri në gju. Pas kësaj vinin gjithnjë aty, mbi një dardhë të vogël dhe vajtonin dy kukuvajka. Mirëpo banorët i shihnin si ndjellakeqe dhe reagonin egër: “Mos vajtoni shumë. Vajtofshi kokat tuaja! “
Në një variant tjetër po kjo legjendë është e ndryshme: Këtu, në një betejë, vendasve iu vranë dy djem që do martoheshin atë vit. Kur e morën vesh të fejuarat e tyre shkulën flokët duke vajtuar me të madhe. Por trimat nuk vajtoheshin në atë mënyrë në atë trevë, dhe më të moshuarat nuk e duruan dot këtë shkelje të zakoneve. Ato i mallkuan dhe të dyja të fejuarat u kthyen në kukuvajka. Dhe, kështu ndonëse ato u zhdukën, vajtueset e trimave në “Korvrid” nuk u shuan.
Po ia lë lexuesit t'i zbulojë vet mrekullitë në të tjerat që vijojnë tek “Guri i lotit”, ”Tre lisat”, Dardha e bekuar”, ”Zogu i jargavanit”, ”Guri i Xhemos”, ”Ara Raven”, ”Radec”, ”Kodra e Shutecit”, ”Krasta”, ”Smilen”, ”Kallogjeri”, ”Dragolicë”, ”Turku i Bellovidës”, ”72 ditë”, etj.
I ndal këtu mendimet i bindur plotësisht, se për këtë monument të përkryer të fjalës, Fatmir Terziut i janë e do t'i jenë shumë mirënjohës e falënderues jo vetëm gollobordasit, por mbarë kultura shqiptare e më gjerë.
Më pëlqen ta përmbyll me një pasazh nga analiza e shkëlqyer në pasthënie, shkruar nga personaliteti tjetër i shquar, Prof. Dr. Eshref Ymeri: “Kjo vepër, në gjykimin tim, është një gur themeli në truallin e etnokulturës shqiptare dhe një shëmbull mjaft domethënës për etnokulturologët shqiptarë se si duhet punuar për të nxjerrë nga harresa objektet e lashtësisë pellazgoilire.”
Z. Terziu, po me gjithanshmërinë krijuese, por, edhe me thellësinë e meditimit të vet, meriton një glorifikim sikur ky e z. Eshrefi. Begatimi nga ai i kultures dhe i artit shqiptarë, zor se ka një të ngjajshëm. Respekt juve, e shëndet e suksese z. Terziu.