
Kovaçi
Nga Fatmir Terziu
Një zot e di ku ndodhet kovaçi,
në rrethoren e trungut që prodhoi qymyrin ndjej erën,
sytë më degdisen tek rasti,
një filiz ka nënshkruar kontratë me ferrën,
ku struket një tufëz bari
e shpërfillur nga goja e një kafshe,
ndoshta nga malli,
shoh se si pemët lidhin fjongo
në trungje të prera ku mali,
qethet sikur del në korzo,
aty ku pleqëron fshati,
mbas lugut,
tymi i cigareve si shenja halli,
ka nxirë moshën e trungut,
krihet në horizont vetmia,
heshtja është e pështjellë në boshllëkun e fjalës,
një nëpërkë është rrethrotulluar tek hardhia,
majë së cilës kanë ngritur folenë zogjtë e radhës,
ende kovaçi s'ka dalë nga shtëpia,
të lajmëroj ikjen e natës,
aty (ri)zgjohet risia,
dhe koha arratiset,
duke temperuar dashurinë e lumtur,
patkojve të kuajve që sillnin nuset,
poshtë kadifeve që mbajnë vezët e lëna nga ndonjë flutur,
e kështu gjithçka lar(v)ushet,
në rrathët e këtij trungu të prerë bukur,
një zot e di ku ndodhet kovaçi,
hija lëviz e shastisur nga një vrimë plumbi,
dita është punë fati,
qëkur tokës plori i humbi,
e njeriu i saj rendi nga asfalti,
tokën gjithëfarësoj pushtimi e mundi,
thonë: braktisja e një fshati,
është lufta më e madhe që po ndodh së fundi,
dhe në kohë lufte një zot e di ku ndodhet kovaçi,
në Fjalorin e trashë emri i tij ekziston ende,
shkruhet: është një lloj zanati,
por duart e tij nuk prodhojnë më sende,
nuk i do më fshati,
syri i ka ngrirë në një sëpatë të latuar,
ushtron peshën e saj në një gozhdë nga inati,
pse është kaq e harruar,
kur bie terri dëgjohen zhurmëra të tjera,
në rrethoren e trungut që prodhoi qymyrin shoh kohën,
për kovaçin ka dhimbje të reja,
kështu askush më trungut nuk ia njeh moshën,
nga zhurma që prodhon motoseka,
kur malin e bën rrafsh me tokën,
pyetja gulçon nga dera,
një zot e di pse kovaçi e mban me dorë kokën…
…nga celulari vjen mesazhi me fjalë,
kovaçi është shtruar në një spital!

Comments