top of page

Kosta Nake: DARKË PËR FIKEN



Tefiku kishte një vëlla më të vogël, Refikun. Tefikun fshati e thërriste Fike, Refikun e thërriste Refo. Erdhi dita dhe Refua u martua, po nusja s'ndenji as gjashtë muaj dhe u kthye në shtëpinë e prindërve se Refua nuk bënte fëmijë. Atëherë nusja e dytë solli një çupë me vete, Myrdetin që fshati e thërriste Dete. Ishte katër-pesë vjeç kur e solli e ëma, po vitet rrjedhin si lumi dhe, kur të shikosh, u bë për t'u martuar. Ishte e bukur dhe fati i doli në Korçë. Po fati i buzëqeshi edhe Fikes. Beharit, kur vinte e shtuna, mbushte Fikja një shportë me vezë, hidhte edhe dy pula në sup dhe nisej në këmbë për në Korçë, ngjiste Moravën që nga Grapshi, kapërcente qafën te Guri i Capit dhe varej poshtë nga ana tjetër. Pa u errur mirë, te porta e shtëpisë së Detes dëgjohej trokitja e dorezës së hekurt.

"Erdha unë, çupa e xhaxhait," - thoshte Fikja në vend të përshëndetjes dhe dorëzonte ngarkesën. Të nesërmen që me natë merrte shportën me vezë dhe pulat dhe dilte në pazar.

"Hajde, Mirupafshim, çupa e xhaxhait. Më rrofsh!"

I shiste prodhimet e kotecit dhe nisej për t'u kthyer në këmbë në fshat nga rruga e malit.

Hatri i vjehrrit, Detja e priste me se të kishte. Po Fikja kurrë nuk kujtohej të sillte nja dy vezë për familjen e Detes, se për pulë e për gjel, as bëhej llaf.

Një mbrëmje korriku Fikja zbriti në Korçë me një alamet gjeli dhe me shportën e përhershme të vezëve. Atë natë Fikja nuk u besoi syve kur Detja i shtroi për darkë një byrjan me mish pule që të shkrinte në gojë. Ia vuri përpara kurrizin dhe një kopan bashkë me këllkun. Le pastaj kur solli një tepsi me pengjir që të lëshonte goja lëng vetëm duke e parë prerjet ngjyrë kaki.

Ra Fikja e fjeti si mbret.

U ngrit i çlodhur dhe tërë humor.

"Dete, nxirrmi ato gjërat, se do ikë xhaxhai."

"Xhaxha Fike, ato gjërat i hëngre mbrëmë!"

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page