top of page

KOSOVA NUK ËSHTË OMFALI ...


SHPENDI TOPOLLAJ:


KOSOVA NUK ËSHTË OMFALI MITOLOGJIK ZOTI ESCOBAR

  

   E humbi durimin më në fund edhe zoti Gabriel Escobar dhe foli hapur kundër qëndrimit mëse të drejtë të qeverisë Kurti, duke i dalë në mbrojtje Serbisë, njësoj sikur të ishte ministri i Jashtëm e saj. Larg çdo diplomacie, të gjithë e dëgjuam sesi e akuzoi atë për mungesë koherence në marrëdhëniet me partnerët, duke mos iu bindur detyrimit për t`i dëgjuar ata për çdo hap që hedh në politikën e saj të brendshme dhe për mos zbatim të angazhimeve të marra, veçanërisht për krijimin e asociacionit dhe heqjes së dinarit. Zoti Eskobar shkoi edhe më tej në pretencën e tij, duke deklaruar se kjo qeveri e Kosovës i ka çuar në pikën më të keqe marrëdhëniet me SHBA dhe për pasojë duhet të presë verdiktin. Dhe po aq hapur, ai nuk harroi të shtonte çudinë tjetër se qenkan serbët e Aleksandar Vuçiçit ata që po ecin në rrugë të mbarë dhe duhen përshëndetur nga ndërkombëtarët. Ai ka shërbyer si diplomat në disa vende të ish Jugosllavisë, si në Serbi, Bosnje e Herzegovinë dhe Mal të Zi, dhe nga gjashtë gjuhët e huaja, flet rrjedhshëm edhe serbishten. Kështu që nuk mund të thuash se nuk i ka informacionet e duhura për atë që përfaqëson politika serbe, jo vetëm ndaj SHBA, por sidomos ndaj Kosovës.

Por çudia më e madhe është sesi nuk po del dikush t`i thotë atij se ky qëndrim miturak, për ta joshur Beogradin dhe për ta larguar nga Putini, nuk gënjen askënd në atë vend që te SHBA dhe Perëndimi në përgjithësi, sheh armikun e saj të betuar. Dhe kjo çudi shkon akoma më tej, kur shohim se edhe qeveria jonë ose të paktën ministria e Punëve të Jashtme, nuk merr mundimin të bëjë një deklaratë në mbështetje të Kosovës, ku ta sqarojë të “pasqaruarin” Escobar se askush më shumë se ne shqiptarët dhe veçanërisht populli dhe qeveria e Kosovës nuk e do dhe mbështet Perëndimin e sidomos SHBA të cilave u detyron ndihmën e madhe në sigurimin e lirisë dhe pavarësisë së saj. O sot o kurrë, Kosova dhe qeveria e saj kanë nevojë për përkrahjen tonë. Pse strukeni ju politikanët tanë, “trima” për t`u kacafytur me njëri - tjetrin për karrige dhe pula të lagura para të huajve? Se të dalë tani dikush dhe të shfrytëzojë rastin që për hir të interesave të çastit, të kërkojë që ta trajtojë Kosovën dhe dinjitetin e saj si koloni ose si mallin e babait, as më shumë dhe as më pak, por është jo vetëm e pamoralshme, por edhe e dëmshme për të ardhmen e atij shteti të ri.

Kur SHBA me Presidentin e nderuar Klinton në krye, bashkë me forcat e NATO - s, me një humanizëm të pashoq, ju gjendën në krah popullit kosovar dhe dhanë kontributin e tyre të çmuar për ta shpëtuar nga mizoria e krimeve çnjerëzore të ushtrisë barbare të Sllobodan Millosheviçit, askush nuk kishte dëgjuar për zotin Escobar. Kështu që ai nuk ka asnjë të drejtë që me anë presionesh, dhe masash shtrënguese ta detyrojë qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin e zgjedhur me votën e lirë të popullit të tij, që të bëjë lëshime, se gjoja këtu qenka Omfali  mitologjik i Delfit, nga stabiliteti i së cilës, u siguronka paqja në rajon e cila nga ana e saj na qenka vendimtare për mospërhapjen e agresionit rus në Evropë. Deklarata e zotit Escobar është në pajtim të plotë me atë të Vuçiçit para pak kohe, kur gënjente dynjanë se Serbia po rrezikohet nga një sulm i Kosovës.

Mjaft me këto budallëqe që nuk i beson askush me tru në kokë. Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe diplomatët e vendeve tona aleate e dinë mirë se asnjë lidhje dhe asnjë ndikim nuk ka Kosova me atë që po ngjet si në Ukrainë ashtu edhe në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, ku për nga tmerret, po përsëriten historitë si në kohën e kryqëzatave, duke filluar nga ajo e Papa Urbanit të dytë, në vitin 1095 deri në në vitin 1291 kur ra Aka. Atje po vriten mijra e mijra të pafajshëm, e kryesisht gra e fëmijë dhe po shkatërrohen qytetërime e kultura të tëra, deri me shkolla, kopshte, çerdhe e spitale, në luftra që po zgjaten e zgjaten pambarim, dhe mjaftohet me ca hartime. Mefshtësia dhe apatia deri në indiferentizëm e qeverive dhe organizmave ndërkombëtare, ku nuk përjashtohet nga përgjegjësia OKB - ja, është ajo që u hap rrugë këtyre luftrave dhe jo asociacioni i serbëve në Kosovë. Lëreni Kosovën dhe popullin e saj të vuajtur në punën e vet zoti Escobar. Lëreni qeverinë e saj me zotin Kurti të punojnë të qetë. Ndofta do të ishte më mirë që askush të mos ndërhynte në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, se këmbëngulja për ato bisedimet butaforike, më keq po e acaron situatën të cilën mjeshtërisht dhe pandershmërisht po e shfrytëzon dinaku Vuçiç.

Nga ana tjetër, Kosova, pse jo edhe Shqipëria, ua kanë plotësuar dhe janë gati t`ua plotësojnë kërkesat tuaja të karakterit ushtarako - strategjik dhe kjo besoj se është garancia më e madhe e sinqeritetit tonë ndaj jush dhe aleatëve të tjerë. Prandaj, mos bini në kurthin e politikës serbe, se ata këtë kërkojnë: të cënojnë marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin e SHBA - në, pra ta dobësojnë atë, të mos ketë njohje të reja, të mbesë pa përkrahje ajo, të vihet ekonomikisht në vështirësi, të ketë mospajtime të popullit dhe humbje të besimit te qeveria e vet, me qëllim që nesër ta kenë më të lehtë aneksimin e saj. Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë! Prandaj duhet kujtuar se koha për “Argumentum baculinum” e romakëve të vjetër, pra “Argument shkopi” ka kaluar dhe ajo nuk mashtron dhe nuk tremb më njeri.   

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page