Kosova në vitin e Lirisë!


Nga Këze (Kozeta) Zylo

Kosova në vitin e Lirisë!


Ndërsa avioni po ulej si një pëllumb i bardhë në tokën shiqptare, në Prishtinë, nga dritarja e tij dukeshin në horizont, shkronjat me gërma të mëdha shtypi që përmbanin urimin:

“Mirë se erdhët nështetin e Kosovës”!

Lotët filluan të më binin curka, curka mbi supe, edhe kur oficeri i shërbimit përsëriti urimin: “Mirë se erdhët në Kosovë”!

Oh, faleminderit shumë i them, jame shumë e emocionuar sepse vi për herë të pare këtu.

-O,o,o, paske të drejtë motër me qa…!

Në fakt kaq shumë i dhëmbi loti im, vëllaut prej Kosove, sa dhe në pashaportë ka harruar të stamposë vulën e shtetit më të ri në botë, edhe pse këte vulë e doja më shumë se të gjitha vulat e shteteve të tjera në gjithë globin…!

Dalim nga salla e aeroportit, dhe në oborr pashë grumbullim të madh njerëzish, që qëndronin në këmbë dhe që prisnin të afërmit e tyre, në atë vapë koriku. Për momentin aq u hutova, sa nuk e di, nuk e di, por m’u duk si demonstratë, miting, që më jepnin një rrënqethje të dridhshme kur e kujtoja…!

Por papritur zëri i ëmbël si një cucurrimë zogu në degë lirie, i znj.Hatixhe Ismajli, profesoreshë e lëndëve të mësuesisë në Universitet në Prishtinë, ma mblodhi mendjen dhe na përqafoi me mall të djegur si mua dhe motrën e saj, Eleonorën.

Bashkëshorti i saj, prof. Hisen Ismajli, zv/dekan i Universitetit të Ekonomikut, priste përpara me taksinë, e cila filloi të ecte pa u ndalur, së bashku me vargun e gjatë të makinave të tjera. Shoferi na kërkonte herë pas here të falur për pluhurin, rrugët e prishura nga betejat për Liri, por mua ai pluhur Kosove më dukej si një guvertë e argjendtë, që se kishja hedhur kurrë mbi trupin tim…!

Unë vazhdoja të fotografoja, të pyesja, e të pyesja papushim, Tinën, e cila nuk u lodh kurrë me ne, së bashku me bashkëshortin e saj fisnik, doja të dija nëse kishte pasur përpjekje me serbët në vendet ku po kalonim…për memorialet, e shumë të tjera, pyetjet nuk kishin të sosur, ndoshta dhe i kam lodhur…

Të nesermen qysh në agim, nga dritarja e shtëpisë së një zonje të mirënjohur në Diasporë, dhe Kosovë, e përshëndeta Kosovën: Mirëmëngjesi Prishtinë, e përshëndeta me gjithë forcën e shpirtit tim, sa m’u duk sikur jehona zërash më ktheheshin mbrapsht, përsëritnin përshëndetjen time, duke më uruar përsëri e përsëri: “Mirë se erdhe motra jonë”!


Takimi me Presidentin Sejdiu


Së bashku me znj.Leunora Abdullai, presidente e shoqatës së gruas, “Zëri Ynë”,

ku vjet festuam me madhështi Pavarësinë e Kosovës, në festën e grave, në Staten Island, NY, ishim të ftuara në Presidencë, në Prishtinë.

Takimi me Presidentin e shtetit më të ri në botë, z.Fatmir Sejdiu, ishte një takim i përzemërt, miqësor, një takim që i shprehnim mirënjohjen dhe dashurinë e pakufishme për Kosovën, popullin e saj, dhe burrin e madh të Kombit shqiptar, Ibrahim Rugovën.

Mbi oxhakun përballë zyrës, shndrisnin dy simbolet e Kombit shqiptar: Ibrahim Rugova dhe Nënë Tereza!

Presidenti Sejdiu rrezatonte një kulturë të lartë komunikimi, të impononte një respekt të veçantë. Ai erdhi si president pas vdekjes së Rugovës, dhe është një vazhdues i denjë i rrugës së tij.

Familja e tij i ka dhënë shumë luftës për Kosovën e lirë, dhe vetë z.Sejdiu ishte një nga miqtë e ngushtë të Rugovës.

Ai çmoi lart punën dhe patriotizmin e Diasporës, duke e vlerësuar në maksimum kontributin e saj. Diaspora tha z.Sejdiu është një urë lidhëse me Mëmëdheun dhe shquhet për punën e paepur që ka bërë për Pavarësinë e Kosovës. Populli kosovar dhe shteti i Kosovës nuk do jua harrojnë kurrë, cfarë ka bërë Diaspora së bashku me përfaqësuesit e saj.

Me mjaft interes foli dhe për gjuhën shqipe, si dhe për mësimin që duhet të bëjnë prindërit për t’jua mësuar fëmijëve të tyre. Mesojuni fëmijëve që lindin në emigrim gjuhën shqipe, gjuhën e nënës, pasi kështu dhe vetëm kështu ata nuk do të harrojnë origjinën e të parëve tanë, vazhdoi z.Sejdiu. Ndërsa znj. Shqipe Mjekiqi, Këshilltare politike për Integrim Evropian e cila ishte në takimin me Presidentin, dëgjonte me vëmendje, dhe me një buzëqeshje shoqëronte bisedën.

Në fund të takimit Presidenti na dhuroi librin e tij, njëkohësisht dhe për shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Po kështu me kënaqësi pranoi dhe librat tanë, ku për Kosovën ka kapituj të veçantë.


Para kompleksit Adem Jashari


Takimi me z.Skënder Korca një intelektual i mirënjohur nga Gjilani, e bëri dhe më të lehtë dhe informuese vizitën tonë në Kosovë.

Ai me bujarinë e tij të theksuar, së bashku me z.Engjell Koliqi, kanë hedhur themelet e një universiteti në Stuble, dhe ne ju shprehim mirënjohjen e thellë për këtë punë, dhe njëkohësisht për atë preokupim që z.Korça tregoi për të na çuar në vendet historike.

Vizita e parë që kishim planifikuar ishte Kompleksi “Adem Jashari”.

O Zot, ç’pamje heroike të shfaqet para syve, si lis i papërkulur qëndron heroi Adem Jashari përpara shtëpisë së tij, aty ku ra heroikisht!

Pulsimi i zemrës rritet fuqishëm dhe të pushton një ndjenjë, si rrallë herë!

Aty prek me dorë heroizmin e vërtetë, abstraktja të kthehet në konkrete. Aty të përshëndet hijerëndë dhe krenar, ai që i dha Kosovës 42 vetë nga familja e tij!

Qëndrojmë përpara varreve, një heshtje dhe kotka lotësh të mblidhen në grykë, ndërsa dy ushtarë të përhershëm bëjnë roje duke nderuar heronjtë që derdhën gjakun lumë për Lirinë e shtrenjtë.

Pasi vendosim buqeta me lule, ciceroni Rifat Bejta, një mësues mjat i apasionuar na tregoi me detaje luftën epope të legjendarit Jashari. Ndërkohë në fushat me hektarë të tërë, pronë e Jasharëve nipi i mbetur gjallë nga lufta, koloneli ushtarak korrte grurin me kombajnë, dhe të gjitha të ardhurat nga kjo tokë kalonin për të vobektit.

Kudo qe te hidhje sytë, do të ndesheshe me objekte lufte, oda të mëdhaja miqsh me oxhaqe, por që kishin parë shumë gjak, vrima plumbash, furrë buke që gatuhej për familjen e madhe të Jasharëve, etj…

Lart në kodër në vijë ajrore dukej pika ku kishin qëndruar serbët për të vezhguar gjithë veprimet heroike të Jasharëve, ndërsa përballë ishte bunkieri ku Adem Jashari ishte fshehur për vite me radhë nga shkjau!

Duke u ngjitur në kështjellën e tyre, brenda ishte dhoma shpuar nga plumbat, ku më parë mblidheshin komandantët e UCK-s për organizimin e Luftës kundër serbëve!

Kompleksi “Adem Jashari” është një vend pelegrinazhi për luftën e Kosovës, është një legjendë e gjallë, në një vend me qiell të lirë Kosove.

Në këtë kompleks takuam dhe ushtarakë të KFORIT, si A.Ryon nga Austria i cili ishte tepër krenar që shërbenin për Kosovën dhe popullin e saj.


O Zambaku i Prizrenit


Prizreni është një qytet antik, me ura të gurta dhe male të larta, ndërsa në kalldrëmet ecnin njerëzit fisnikë me vajza të bukura e djelmosha shtatlartë!

Çuditërisht edhe pse ishte verë e nxehtë, fëshfërima e pemëve dhe çezmat plot ujë të qytetit, të jepnin një ndjesi sikur kishje kohë që kishje jetuar në këtë vend magjik.

Shumë turistë, emigrantë kishin ardhur në këtë qytet të bukur, që vetëtinte nga rregulli dhe pastërtia, si një nuse e bukur me kurorë.

Aty te duket sikur gjen nje strehe shpirtërore, ndërsa kalldrëmet shekullore, sikur të japin një delikatesë në ecje…!

Mikpritja e njerëzve se ç’kishte diçka të veçantë, ndoshta atë tradicionalen, që fatkeqësisht shumë qytete ose fshatra po e humbasin.

Në restorantin e qytetit, në qendër të Prizrenit u takuam dhe me familjen Bardhi, miq prej Gjakove, të cilët kishin ardhur enkas për të na takuar.

Dr.Besnik Bardhi erdhi së bashku me gruan e tij, dr.Shqipen, fëmijët: Besnikun, Medlinen, Betimin dhe Poemën e vogël.

Eshtë e çuditshme se si lidhesh ndonjëherë me njerëz që s’i ke takuar kurrë, por ja që me ta ngelesh miq të përhershëm…

Me këtë familje më kishte lidhur një shkrimi im me titull: “Lamtumirë princesha myslimane, Benazir Bhuto” dhe vajza e tij Madlene, e cila ka emrin në nder të ish sekretares së shtetit amerikan M.Ollbrajt. Madlene Bardhi lindi në ditën që u bombardua Serbia…, për rrjedhojë Liria po trokiste së shpejti në portat e Kosovës.

U takuam sikur të ishim njohur prej vitesh, ndërsa Madlenës i thashë ulu në prehërin tim tani, për ta bërë më konkret shkrimin që ja kishja kushtuar asaj: “Një ëngjëll prej Kosove m’u ul në prehërin tim”!

Ajo me një inteligjencë dhe shkathtësi shprehu mirënjohjen për shkrimin dhe dashurinë që ne u takuam së bashku. Madlene është një nxënëse e shkëlqyer, po rritet në një familje intelektualësh mjekësh dhe me tradita te shquara patriotike. Dr.Bardhi ka një kontribut të madh në Gjakovë, për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës.

E kështu biseda midis miqsh prej Kosove e bënte dhe më të ngrohtë atmosferën e krijuar prej tyre.

Tërë kohën që ishja duke ecur nëpër kalldrëmet e Prizrenit, apo duke vënë buzën në çezmat aq të bukura të qytetit, më dukej sikur dëgjoja kudo këngën e magjishme:

“O Zambaku i Prizrenit”, të kompozitorit të shquar Akil Koçi që ka krijuar këtë këngë hyjnore për Prizrenin e bukur…


Lidhja e Prizrenit


Qyteti antik i Prizrenit nuk mund të vizitohet me një ditë, është e pamundur, të futesh brenda asaj bote, mistike, të dukshme, antike, moderne, të gjitha këto në një harmoni perfekte.

Perpara shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit një pamje madhështore të shfaqet para syve, një vend ku kanë kuvenduar burrat e mençur të Kombit.

Ciceroni Parim Kosova, me një kulturë të gjerë historike dhe shkencore shpjegoi për Lidhjen e Prizrenit, për këtë faqe të ndritur të historisë shqiptare.

Shikoja malin përballë, dhe imagjinata ime tretej në malin lirik të Trebeshinës sime, që është aq afër me vendin e Frashëllinjve, atje nga u nisën vëllezërit Frashëri për të kuvenduar me burrat këtu në Prizren.

Edhe pse Muzeumi ishte mbyllur me 1947 nga komunistët jugosllavë ai u hap përsëri më 1968 vetëm si muze. Pjesa përballë u rihap më 1978 dhe ishte e okupuar.

Ndërsa më 27 Mars 1999 rezidenca qeveritare e Lidhjes së Prizrenit u dogj dhe duke u ngjitur lart në katin e dytë, të dukej sikur ngjisje shkallët e historisë.

Në dhomat karakteristike muze, shikoje veshjet e bukura të Përmetit, vendin për të cilin kam një nostalgji të veçantë, ndoshta prej gjyshes sime fisnike…

Lidhja e Prizrenit tronditi botën, sa dhe NY Times më 2 Nentor 1880 shkruajti për vendimet e saj historike. Tavolina qendrore e Abdyl Frashërit dukej sikur akoma ju bënte thirrje burrave të Kombit të rrinin të bashkuar, që kurrë të mos përçaheshin, kurrë të mos shiteshin!

U largova nga ky qytet me melodinë e kengës së bukur: “O Zambaku i Prizrenit”, kënduar nga Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës.


Me Dom Lush Gjergjin ne Kishën Katolike


Takimi me priftin katolik Dom Lush Gjergjin ishte shumë emocionant!

Ai me një mirësjellje të dukshme dhe komunikim shumë të ngrohtë, fal kulturës së tij të gjerë, na uroi mirëseardhjen në kishën katolike të Prizrenit.

Dom Lush Gjergj me krenari tregoi se babai i Nënë Terezës ishte pagëzuar në këtë kishë ndersa lagjia quhej, e Bojaxhinjve.

Për arsye të përndjekjeve otomane i vranë gjyshin Nënë Terezës dhe familja bojaxhiu shkoi në mërgim për t’u marr me tregëti. Babai i Nënë Terezës merrte pjesë në bandën frymore: “Zana e Malit” të cilët me pjesë të luajtura nga kjo bandë pritën Pavarësinë e Shqipërisë, në vitin, 1912.

Në Shkup vazhdoi ai, kisha dëgjuar për bujarinë e bojaxhinjve të cilët kishin dhjetë shtëpi, kurse nëntë prej tyre i kishin në shërbim të të varfërve. Serbët e helmuan dhe ai pati hemorragji derisa vdiq.

Prizreni tha Dom Lush Gjergji është qyteti i artit, i Lidhjes së Prizrenit, i lidhjes shpirtërore, ku për herë të parë i mblodhi, Ipeshkvi i parë i Prizrenit, më 1548.

Unë kam këtu 5-6 muaj që mundohem të jap shërbimin tim, është një vend që janë disa komunitete, por dashuria dhe respekti reciprok, nuk e dëmtojnë aspak miqësinë midis tyre.

Tezën e doktoraturës e kishte mbrojtur me temën: “Roli i gruas shqiptare

Midis të tjerave nga ky libër ai shkëputi këtë pjesë:

“Burri i thotë gruas: - unë jam koka jote!

-Kush e mohon i thote gruaja, edhe unë jam qafa jote, që e kthej ku të dua unë”.

Shpesh vazhdoi ai pyes njerëzit në biseda e sipër, se ku janë të këqinjtë shqiptarë, të cilët unë personalisht nuk i gjej askund.

Shoh që po bashkohen kokat dhe zemrat shqiptare. Ai tha se sukseset e cdo shqiptari janë dhe të miat, ne jemi një popull vital, me ardhmëri, një popull që lindi nënën e jetës, nënë Terezën, e cila luftoi kundër mjerimit. T’i sherbesh popullit, do të thotë të jesh mbret. Ai foli gjithashtu me një dashuri dhe krenari të ligjshme për Ibrahim Rugovën, të cilin e kishte mik që nga vitet 80-te.

Po kështu me një respekt të veçantë përshkroi miqësinë me Presidentin Sejdiu, si një burr i mençur, patriot dhe vazhdues i denjë i Rugovës. Ndërsa për Ibrahim Rugovën tha se luftoi për Kombin, ai është simbol i bashkimit dhe përparimit.


Ikonat e gazetarisë shqiptare në Kosovë


Ftesa për intervistë nga gazetarja Vera Pelaj, dhe takimi me të në radion “Blue Sky”, do të me linte mbresa të pashlyeshme si një vajzë e brishtë dhe tepër e thjeshtë. Ajo me një mirësjellje të natyrshme na fton të ulemi në lulishten pranë ndërtesës që ndodhet në qendër të Prishtinës.

Vera Pelaj është një gazetare me vizion, e cila vazhdimisht fliste për të ardhmen e Kosovës, punërat e shumta që kishin përpara për të kryer.

Ajo ka intervistuar disa personalitete të shquara, në fushën e letërsisë dhe të politikës, çka ja kanë rritur dhe më shume autoritetin si gazetare.

Ndërsa një tjeter ikonë e gazetarisë do të vinte paprimtas të më uronte mirëseardhjen, ajo ishte znj.Radije Hoxha.

Takimin me të e kishja marr qysh herët me poezinë e saj mbresëlënëse dhe shkruar me aromë dorëzonje! Ja c’pikturon ajo për dashurinë:

Në kopështin tënd/Ah, sa me qejf do të vija tek ty/ Të ngjitem pak në degët e tua/ Të këpus një mollë, një ftua, një qershi/ Pa më parë e sharë asnjeri…!

Dija të vështronte me sy të thellë, sy që rrezatonin po aq mendim në to, në nje kaltërsi të dukshme, qiell që përshkruan më së miri shpirtin e saj të dlirë e të kthjellët.

Shpirti i saj delikat, femëror është në harmoni të plotë me kulturën dhe botën e pasur shpirtërore. Gazetarja i drejtonte emisionet për tërë natën, ku e gjithë diaspora kishte mundësi të dëgjonte dhe të diskutonte me të ftuarin e saj në studio. Ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në studion “Radio Kosova”. Në fund të emisionit më dhuroi një CD një dhuratë nga më të cmuarat për bisedën tonë, shoqëruar me këngë të Nexhmije Pagarushes, F.Ndocit, A.Bitrit…etj.

Më vonë në tavolinën tonë që rrethohej nga gonxhe trëndafili të kuq dhe të bardhë, erdhi gazetarja veterane, znj.Flora Durmishi, ku te gjitha u ulem si motra shqiptare në lulishten “Blue sky”, gjithe aromë trëndafili.

Edhe pse zhegu i vapës, digjte, copat e akullit në gotat e ujit, sikur e freskonin paksa trupin tonë, në atë mjedis me ngjyra ylberi, ashtu siç dinë të rregullojnë gratë kosovare.

Ajo që do më bënte më shumë përshtypje ishte mënyra e komunikimit, çka rrezatohej tek kolegët e saj, që ndalonin dhe e përshëndesnin vazhdimisht.

Kurrë nuk jam ndjerë aq ngrohtë dhe aq pranë sa me këto tri zonja prej Prishtine! Se c’kishin dicka të veçantë, një ngrohtësi motërzore! Sa shumë nevojë kemi për këtë ngrohtësi, ndoshta tani do ta ndjejmë dhe më shumë, në Kosovën e lirë dhe të pavarur!


Shkurt, 2009

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif