top of page

Kosova ishte koloni e Serbisë


Barometri diplomatik

Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Kosova ishte koloni e Serbisë, sot e pavarur dhe sovrane, e drejta ndërkombëtare ndalon çdo lloj varësie koloniale me Serbinë !

*** Nëse OKB-ja, do të pranonte, që Spanja dhe Protugalia, të themelonin ndonjë asociacion të tyre me prapavijë politike të neokolonializmit të perandorive të tyre të dikurshme në vendet e Amerikës Latine, atëherë edhe Serbia si ish-fuqi kolonialiste në Ballkan, “ka të drejtë” ta formojë Asociacionin njëetnik neokolonial serb në Veriun e Kosovës !?

Mirëpo, një gjë e tillë “retroaktive” politike nuk ka ndodhur askund në bashkësinë ndërkombëtare (as gjatë luftës së ftohtë më 1948, me krizën e Berlinit e as në vitet e mëpastajme deri më 1990). Këtë, do të duhej ta mbanin parasysh kolonialistët dhe neokolonialistët serbë në Beograd.

Pra, pas Luftës së Dytë Botërore (1939-1945) në sistemin e marrëdhënieve politike ndërkombëtare, nuk është “regjistruar” ndonjë shembull, që ndonjë shtet kolonialist (siç është Serbia), të ketë kërkuar rikthimin e pushtetit të tij kolonial mbi ish-kolonitë e tij qoftë në Afrikë, në Azi apo në Amerikën Latine, pasi ato kanë fituar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e tyre mbi bazën e luftës antikoloniale dhe të së drejtës së vetëvendosjes, ashtu siç e fitoi Kosova me luftën e saj antikoloniale kundër Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, më 24 prill – 10 qershor 1999, duke falënderuar UÇK-së, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova nuk është problem minoritar serb !

Këtë e kemi pohuar me dhjetra e qindra herë, që nga vitet e ’90 të shekullit XX, para se Serbia e Slobodan Milosheviqit ta ripushtonte Kosovën më 1989, por vetëm KOLONIAL, dhe si i tillë, duhet të zgjidhet, ashtu si thonë rregullat, parimt e dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, jo si thotë Kushtetuta e Serbisë ( e Vojsilav Koshtunicës, e Aleksnadër Vuçiqit dhe e Ivica Daçiqit ) në Preambulën e saj dhe në Nenin 148, se gjoja “Kosova është krahinë e Serbisë”(2006).

Vështruar në retrospektivën historike dhe politike derisa Kosova ishte koloni e Serbisë jo më pak e 100 vjet,sot, pas dekolonizimit të saj, Beogradi nuk ka kurrfarë të drejte, që të rikolonizojë veriun e Kosovës (qoftë me kolonë të vjetër apo me kolonë të rinj serbë), duke kërkuar formimin e Asociacionit njëetnik të komunave serbe në Kosovë, me qëllim të destabilizimit të gjithë sistemit politik , demokratik, multietnik dhe pluralist në Kosovë.

Prandaj, sot, kur Kosova ka dalë nga sistemi kolonial 100-vjeçar i Serbisë (1912-1999), në rrethanat e reja, të krijuara faktike, politike, juridike dhe kushtetuese, kjo nuk është e detyruar që, ligjërisht, as me kushtetutë e as me të drejtën ndërkombëtare e as me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, duke qenë se prapavija e tij ka karakter gjeopolitik, gjeostrategjik dhe gjeoekonomik NEOKOLONIALIST serbomadh për ta federalizuar Republikën e Kosovës, duke i shtuar një Republikë të Re Serbe, e cila do të kërkonte bashkimin e menjëhershëm me Serbinë dhe me Republikën Serbe të Bosnjës. Kjo lidhje tripalëshe, do të thoshte krijimin e Serbisë së Madhe (Velika Srbija). Ky është objektivi thelbësor i formimit të Asociacionit njëetnik serb në Kosovë, jo mbrojtja e interesave dhe e të drejtave të minoritet serb në Kosovë. Kjo është gënjeshtër dhe mashtrim i opinionit publik të brendshëm dhe të jashtëm, në mënyrë që Serbia përmes këtij asociacioni ta rikthente sovranitetin e saj kolonial në Kosovë, si këtu e 100 vjet më parë (1912-1999).

Referendumi i domodoshëm

Për të dalë nga kriza momentale politike dhe diplomatike përballë politikës ndërkombëtare, as qeveria e as kuvendi i Kosovës (duke u bazuar në ligjet, në Kushtetutën, si dhe në të drejtën ndërkombëtare) nuk duhet të pranojnë themelin e Asociacionit njëetnik serb në Kosovë, pavarësisht kompetencave dhe modelit të tij të kamufluar politik dhe propagandistik serbomadh.

Nëse palët e involvuara në këtë çështje të Asociacionit njëetnik serb, nuk do të pajtoheshin me vendimet e qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, atëherë Kuvendi si organi më i lartë legjislativ, do të duhej të shpallte REFERENDUMIN ku të gjithë qytetarët e Kosovës, do të votinin në mënyrë demokratike, duke i thënë PO ose JO themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë .

Kjo çështje, do të duhej të përmbyllej sa më parë të jetë e mundur me REFRENDUM, sepse kjo është forma më demokratike, më e ligjshme, më e drejtë e më paqësore, që do të përjashtonte galvanizimin dhe polarimin e forcave politike dhe propagandistike për ose kundër krijimit të “SZO-së” në territorin e Kosovës.

Formimi i Asociacionit serb në Kosovë, është përzierje flagrante e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës !

Sepse, pikësëpari shkel integritetin territorial dhe sovran të Kosovës!

Prandaj, as qeveria e as kuvendi i Kosovës nuk duhet pranuar, që Serbia t’ua imponojë formimin e asociacionit njëetnik në Kosovë, por duhet kërkuar penalizimin ndëkombëtar nga OKB-ja, sepse kjo është përzierje direkte e Serbisë në punë të brendshme të Republikës së Kosovës.

Duke qenë se, tanimë Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i shkolonizuar në saje të luftës së drejtë çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale fitimtare të UÇK-së dhe të bombardimit të NATO-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye (24 mars -10 qershor 1999) nuk ka bazë juridike të së drejtës ndërkombëtare, që Serbia të formojë Asociacion njëetnik serb në Kosovë !

Pikërisht në këtë datë të shenjtë historike ka marrë fund përgjithmonë sundimi i egër kolonial dhe gjenocidal i Serbisë në Kosovë. Këtë realitet duhet ta pranojë Serbia, ndryshe mund të përballet me pasoja të rënda izoluese nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

8 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page