Korifeu i letrarëve françeskanë


PROF. DR. ZEF MIRDITA (1936 – 2016)

Mendime per Françeskanët: At Gjergj Fishta O.F.M.

Korifeu i letrarëve françeskanë, por jo vetem i tyre por edhe i letersisë shqiptare në përgjithësi është pa dyshim At Fishta.

At Gjergj Fishta është kolos i mendimit dhe i letërsisë shqipe, që me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale, politike e letrare - ka sintetizuar historinë e popullit Shqiptar.

Ky françeskan ka qenë apostull i atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion, por një jetë intensive. Gjatë jetës së frytshme të tij, ai e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”, ishte drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër, kryetar i Kongresit të Alfabetit, anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, udhëheqës i dërgatave shqiptare në Paris dhe Washington, deputet dhe nënkryetar parlamenti, përfaqësues i Shqipërisë në konferencat ballkanike.

At Fishta meshtar dhe letrar. Veprimtaria e tij e gjithanshme u shpërblye me dekorata nga Austria, Turqia, Papa Pio XI, Greqia, Urdhëri Françeskan, ndërsa Akademia Italiane e zgjodhi për anëtar. Mirëpo, përderisa të huajt e dekoruan, ndërsa emrin dhe veprat e tij i studiuan në katedrat e tyre albanologjike dhe ballkanologjike, ky vigan, në Shqipëri, gjatë regjimit komunist u ndalua për plotë 50 vjetë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe eshtrat ia zhvarrosën dhe ia hudhën në bërllog. Këtë ia bënë atij që Shqipërinë e kishte koncipuar dhe dashur si një atdhe të vërtetë të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga ndasia religjioze dhe përkatësia regjionale. Atij që gjithnjë e ka theksuar nevojën e unitetit kombëtar dhe vëllazërisë, ide kjo që e përshkon kryeveprën e tij, Lahutën e Malcis.

Lajtmotivi i këtij vigani ka qenë: Për Fe dhe Atdhe.

Sa i përket vlerës estetiko-letrare të veprës së Fishtës, ajo është e shumëfishtë, qoftë për nga përmbajtja, gjuha, stili, rrjellshmëria e fjalës, ngrohtësia, ngjyra dhe porosia. Ai me shikimin realistik të vetin nuk e idealizon shqiptarin, por e përshkruan ashtu si është, me të gjitha të metat dhe virtytet, me meritat dhe fajet.

Në veprën e tij vërehet edhe nota edukative, sepse ai e qorton shqiptarin që të lirohet nga fatalizmi, pjellë e mentalitetit oriental dhe e udhëzon kah rruga e qytetërimit europian, ku shqiptari edhe e ka vendin, gjeografikisht dhe historikisht. Gjithashtu e udhëzon që t’i tejkalojë ndasitë regjionale dhe fetare, ndërkaq të përqafojë ndjenjën nacionale, krenarinë dhe vetëbesimin.

Satira e tij është karakteristike për një shkodran.

Me fjalë tjera, ai me të i ka luftuar pseudointelektualët, pseudoeuropianët, pseudoshqiptarët.

Habitë fakti i aktualitetit të kësaj satire edhe sot e kësaj dite. Një njeri i tillë pra, është zhvarrosur dhe për plot 50 vjetë është njollosur, përbuzur, përdhosur dhe ndaluar, mirëpo pa sukses. Ai nuk ka mundur të dëbohet nga zemra dhe nga ndjenjat e popullit.

Të flitet për At Gjergj Fishtën, e sidomos me rastin e përkujtimit të 60 vjetorit të vdekjes së tij, nuk është as lehtë, e nuk është as e thjeshtë. Sado që është nderë e madhe, më e madhe është përgjegjësia.

Them kështu, sepse kemi të bëjmë me një kolos të mendimit dhe të letrave shqiptare. Kemi të bëjmë me një figurë madhështore, e cila me tërë veprimtarinë e vet - meshtarake, intelektuale, politike dhe letrare - e ka sintetizuar tërë historinë e popullit shqiptar. Kemi të bëjmë me një apostull të atdhetarizmit të sinçertë dhe të pastër, për të cilin shqiptarizmi nuk ka qenë profesion i çastit apo i rastit, por ka qenë një jetë intensive, e përshkuar me të gjitha ngjarjet më vendimtare për fatin e kombit shqiptar.

U lind më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë, në Zadrimë. Prindërit e pagëzuan me emrin Zef, të cilin sipas rregullës së Urdhërit Françeskan, do ta zëvendësojë me emrin Gjergj. Mësimet e para i mori nga poeti arbëresh, At Leonard De Martini. Me të parë zotësinë e Zefit të vogël, poeti e mori në seminarin françeskan, në Troshan, ku edhe e kreu shkollën e mesme. Më 1886 u nis për në Bosnje, ku, në Sutjeskë, Livno dhe Kreševo, i kreu studimet filozofike dhe teologjike. Aty u njoftua me At Grga Martiæ-in dhe me Silvije Strahimir Kranjèeviæ-in, të dy këta poetë të mëdhenjë kroatë. Këtij të fundit, madje ia përkushtoi një vjershë të shkruar më 12 dhjetor 1892. Më 1893 kthehet në Shkodër, ku më 1894 shugurohet meshtar.

Brenda një kohe, njëkohësisht e ushtroi detyrën e arsimtarit në Troshan dhe famullitarit në Gomsiqe të Mirditës.

Së bashku me abatin e Mirditës, Imzot Preng Doçin, Don Ndoc Nikën dhe At Pashk Bardhin e themeloi Shoqërinë Letrare “Bashkimi”. Më 1902 u emërua drejtor i gjimnazit françeskan në Shkodër. Me ardhjen e tij, gjuha italiane, që ishte gjuhë ligjërimi, u zëvendësua me gjuhën Shqipe. Më 1908 është kryetar i Kongresit të Alfabetit, në Monastir (Bitoli i sotëm), në të cilin u vendos që alfabeti latin të merret për alfabet i gjuhës Shqipe.



Më 1916 është anëtar i Komisisë Letrare Shqiptare, e cila ka pasë për detyrë standardizimin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Më 1919 është sekretar gjeneral i dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, në krye të së cilës dërgatë ishte ipeshkvi i Lezhës, Imzot Luigj Bumçi. Nga Parisi, në krye të dërgatës shqiptare shkon në Washington, për ta mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë, nga orekset okupuese të serbëve, malaziasve dhe grekëve.

Më 1921 zgjedhet për deputet të grupit të Shkodrës, në Parlamentin e Tiranës, dhe menjëherë zgjedhet nënkryetar i tij dhe kryetar i Komisionit për çështjet Financiare.

Ishte përfaqësues i Shqipërisë në konferencat Ballkanike: në Athinë(1930), Stamboll(1931), Bukuresht(1932), ndërsa më 1934, ishte delegat i Shqipërisë në New York.