top of page

Kopi Kyçyku: Zanafilla e etruskëve


ree


(sipas Herodotit)



Në Azinë e Vogël ka ekzistuar një vend me emrin Lidia, që u drejtua për ca kohë nga mbreti Atis, i biri i Manesit. Ishte vend i pasur, ku për herë të parë u prodhuan monedha ari dhe argjëndi. Një thatësi e madhe e preku Lidian më pas dhe askush nuk gjeti mundësinë për të përballuar pasojat e saj. Mbreti i ndau lidianët në dy pjesë. Me short u vendos që njëra pjesë të largohej nga vendi.

I biri i mbretit, Tirrenosi, u nis në krye të të ikurve në Smirna (Izmiri i sotëm, qytet në Turqi). Aty morën anije, i ngarkuan me gjërat e nevojshme për udhë dhe çanë detin.

Pasi kaluan më tej nëpër male, mbërritën në Umbria dhe aty u ngulitën. E ndryshuan emrin dhe u quajtën tirrenas, sipas emrit të mbretit të tyre. Në vendbanimin e ri ndërtuan qytete të bukur e të lulëzuar.


Organizimi i qyteteve etruske


Qytetet etruske kishin në krye një mbret, të quajtur “lukumon”, i cili bënte pjesë në familjet e fisme. Simbol të pushtetit të tij kishte një sëpatë me dy presa të mbështjellë me një tufë lule - shufra. Këtë simbol do ta përvetësonin më pas romakët. Mbreti ishte Prift i Madh dhe gjatë ceremonive mbante një kurorë të artë, veshjet i kishte të shtrenjta dhe mantelin të qëndisur. Kur gjykonte, rrinte mbi një fron të zbukuruar me pllaka fildishi ose ari. Kur dilte fitimtar nga ndonjë luftë, hipte në një karrocë i veshur me togë të kuqe, të qëndisur me ar, mbante një zinxhir prej ari dhe një skeptër prej fildishi, në majë të të cilit ishte skalitur një shqiponjë. Të gjitha këto do të merreshin më pas nga romakët.

Qytetet etruske dërgonin çdo vit përfaqësues në sanktuarin Voltumna, vendi ku adhurohej perëndia kryesore e etruskëve. Atëhere, krahas ceremonive fetare, organizoheshin gara sportive dhe konkurse muzikore.

Etruskët ishin të famshëm si ndërtues qytetesh. Ndërtimi i çdo qyteti niste me një ceremoni fetare. Gërmohej një gropë brenda së cilës viheshin të gjitha bimët e ngrënshme dhe pak tokë nga vendlindja e themelvënësve.

Pasi fatthënësit përcaktonin ditën më të përshtatshme, thellohej një brazdë e gjatë me një plug, që tërhiqej nga një ka e një lopë, të dy të bardhë. Brazda merrte trajtë katrore dhe ndërpritej atje ku do të ishte porta e ardhshme e qytetit. Që një trevë të quhej qytet, duhej të kishte të paktën tri porta dhe tre tempuj. Ai kishte një rrugë kryesore me drejtim Lindje-Perëndim dhe rrugë të tjera pingul mbi të. Edhe mënyra e ndërtimit të qyteteve do të përvetësohej më pas nga romakët.


Roma dhe ndikimi i etruskëve


Romakët patën “mësues” etruskët, popull që nuk i ka shpalosur të fshehtat e tij as sot e kësaj dite. Prejardhja e etruskëve nuk njihet sa duhet, por simboli i romakëve – ujkonja që ushqen heronjtë legjendarë të Romës, Romulusin e Remusin, është trashëgim etrusk.

Romakët i quanin etruskët “tushi” ose “etrushi”, nga ku vjen edhe emri i krahinës së Toskanës së sotme. Grekët ua kishin vënë emrin “tirsenoi” ose “tirrenoi”, nga ku buron emri i Detit Tirren. Etruskët vetëquheshin “rasena”. Historianët janë marrë qysh në lashtësi me zanafillën e etruskëve. Disa mendojnë që etruskët kanë ardhur nga Azia e Vogël, të tjerë i quajnë të ardhur nga Evropa Qëndrore, por ka edhe që besojnë se mund të kenë qënë banorë të hershëm të Italisë.

Etruskët fillimisht kanë banuar në trevën Etruria, që ndodhet ndërmjet luginës së lumit Arno, luginës së lumit Tevere dhe Detit Tirren. Ata kishin 12 qytete të rëndësishëm: Tarkuinia, Çerveteri, Areco, Volsinia, Veim Kiuzi, Volterra etj. Etruskët ishin zejtarë të shkathët dhe përpunuesit më të aftë të metaleve. Por ishin edhe detarë të zot e tregtarë të suksesshëm. Krahas zhvillimit të qyteteve të tyre, etruskët filluan të zgjeroheshin drejt Jugut e më pas drejt Veriut. Në atë periudhë themeluan atë që do të quhej “Qyteti i Përjetshëm”, pra Romën. Banorët e mëvonshëm të kësaj të fundit do të nënshtronin një nga një, pas luftrash të përgjakshme, qytetet etruske. Në fillim të Mijëvjetshit I gjuha etruske (shumë dukuri të së cilës shpjegohen përmes gjuhës shqipe), u harrua, por qytetërimi i krijuar nga ky popull do të mbijetonte duke u mbetur trashëgim romakëve.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page