top of page

Kopi Kyçyku: Njeriu i Ri



Njeriu i Ri

Njeriu i Ri, i predikuar nga nazizmi dhe komunizmi, ka pasur misionin të zëvendësonte Zotin. Nazizmi dhe komunizmi u mposhtën nga historia (por nuk janë shrrënjosur!), dhe figura e Njeriut të Ri vazhdon të jetë gjallë.

Njeriut të zakonshëm i futet në kokë nga të gjithë kanalet televizive që nuk ka nevojë për Zotin, që mund të krijojë vetë fatin dhe që mund ta kthejë shoqërinë përmbys, po t’i teket! Dështimet gjithnjë e më të mëdha, lajthitjet përherë e më të dukshme mbulohen me një makinë të sofistikuar të propagandës hedoniste. „Bëj çfarë të duash!” apo „Jeto çastin!” janë dy nga parrullat me të cilat pompohet sistematikisht njeriu modern, ndërsa ky i fundit, jo rrallëherë, si ndonjë mizë pa kokë, vazhdon të ngarendë çmedurisht drejt askundit (Shih edhe Adrian Pătrusca (24 shtator, 2016, 08:41)

Qytetërimi evropian, gjatë rrjedhjes së kohës, kaloi nga ngadhnjimi drejt rënies. Gjëra të pashëndetshme po ndodhin sot në botën perëndimore dhe jo vetëm në të. Të gjitha vlerat tradicionale po tjetërsohen ose po asgjësohen. Vendin po ua ze toleranca patologjike, lëshimet ndaj qarqeve margjinale të shoqërisë, ndërsa familja, feja, virtytet, po shkulen nga gjiri i shoqërisë si të qënkshin barishte të egra.

Para pak kohe kryeministrja e Italisë Xhorxhia Meloni  deklaroi: „Ju lutem t’i jepni përgjigje kësaj pyetjeje: Përse familja u bë armike, përse nocioni i familjes i tmerron disa kaq shumë? Ekziston një përgjigje: sepse kjo na identifikon. Sepse gjithçka që na përcakton, sot këqyret si armik. Armik quhet nga ata që nuk duan më të identifikohemi, por vetëm të jemi ca robër-konsumatorë. Prandaj ata i vërsulen identitetit kombëtar, vetëvendosjes fetare, sulmojnë identitetin e genit, mësyjnë identitetin e familjes. Sipas tyre rezulton që unë nuk mund të vetëvendos që jam italiane, e krishterë, nënë, grua. JO! Ata duan që unë të jem banore, geni numur 1, prindi numur 1 dhe prindi numur 2, pra që të jem thjesht numur. Sepse po të isha vetëm numur, nuk do të kisha rrënjëdhe do të bëhesha skllave ideale e spekullantëve financiarë. Konsumatori ideal”.

Shekuj me radhë Evropa ka qënë një qëndër shpirtërore, politike, ekonomike e qytetërimit njerëzor. Kultura e saj merrte forcë e hidhte shtat nga traditat e hershme indoevropiane, nga mitologjia kelte dhe skandinave, nga antikiteti sllav, pasurohej me krishterimin dhe me vlerat biblike, me humanizmin dhe zbulimet gjeniale të titanëve të Rilindjes. Por, mjerisht, shumëçka po transformohet. Jo të gjitha ndryshimet shkojnë në drejtimin e duhur. Ca veprime shkëputin lidhjen e kohëve dhe e largojnë shpirtërisht njerëzimin nga bota stërgjyshore, nga bota primordiale (zanafillore). Evropa, kjo qëndër antike, e cila dikur ishte fornatore e formuese sistemesh për krejt njerëzimin, zuri të kridhej në një humnerë, përmes shpërthimit të liberalizmit të tejskajshëm dhe të tolerancës pa fre.  Deri pak kohë më parë në Gjermani ishte i ndaluar afishimi i flamurit kombëtar, filluan të shihen si të demoduara Katedralja Notre Dame në Paris,  Aachen –kryeqyteti i karolingëve të lashtë, Roma - Froni i Pontifit Suprem, Praga - qëndra e shënjtë e ezoterizmit evropian, Alpet e Zvicrës, Oksfordi dhe Sorbona... (Shih, Veacheslav Medveev (https//facebook.com;vmatveev 671)

Këto janë sinjale që na ftojnë të zgjohemi, të ndalim shkatërrimin e gjërave të mira dhe të vlerave të mirëfillta, të cilat shekuj me radhë kanë mbrojtur dhe ruajtur identitetin evropian.

Le të rikthehmi tek Toma de Aquino, Goethe, Heine, Mickiewicz, Eliade, Dostoievski, Grieg, Cervantes, Kant, Wagner, Verdi, Çajkovski, Shopën, Dvorzhak, të heqim dorë nga „progresi” pseudomoral dhe të risjellim në universitetet e shkollat evropiane, në biblioteka e në librari, besimin dhe kulturën e shoqërisë tradicionale. Ai që tradhton idetë e stërgjyshërve, që harron të kaluarën e lavdishme, më në fund mund ta dorëzojë edhe shtëpinë, familjen e kujtesën në duart e idealeve retrogradë, duke u kthyer në rob dhe atëhere askush nuk do ta përfillë sepse do të jetë bërë një objekt i rëndomtë, një konformist.

Në ditët tona po trumbetohet krijimi i një Njeriu të Ri, por jo si ai i propaganduar nga Hitleri e më pas nga komunizmi. Njeriu i Ri që, po na ofrohet sot, përfaqëson një tip të ri biologjik, social, eskatologjik. „Zoti vdiq” ka thënë filozofi Friedrich Nietzsche, duke iu referuar në veçanti botës perëndimore. Në vend të tij do të vinte Mbinjeriu, ateist radikal dhe satanist, që do të shkatërronte gjithçka që kishin krijuar brezat. Kjo të kujton shumë nga ata që luftojnë tani për ekologjinë, për mbrojtjen e mjedisit, por që ndërkohë vrasin gjithçka të gjallë, vrasin moralin e shëndoshë e mëshirën për të varfërit, pra asgjësojnë edhe atë pak mirësi, që ende ka mbetur tek njeriu i mirëfilltë. .

Njeriu i Ri është përshkruar në romanet e shkrimtarit austriak Gustav Meyrink „Golem”, „Ëngjëlli i dritares perëndimore” etj.

Multimilioneri, ekonomisti dhe globalisti gjerman Klaus Schwab, Presidenti Përhershëm i Forumit Ekonomik Botëror në Davos, na shpalos një tjetër botë: „Pas dhjetë vjetësh jeta jonë ka për të qënë krejt tjetër, do të ndryshojë pa masë, dhe ai që do të zotërojë këto teknologji do të bëhet, në një farë mënyre, sunduesi i botës”. 

Në fakt sunduesi është përcaktuar tashmë. Për të marrë frenat e botës në dorë, atij i duhet vetëm të tjetërsojë njeriun e traditës e të familjes, të fesë e të kulturës. Të Evropës së Vjetër. Ose, siç shprehej mendimtari i shquar Mircea Eliade, duhet që njeriu të zbresë nga niveli i shënjtë në atë të profanit, të zhvlerësohet. 

17 views1 comment

1 Comment


Guest
Aug 20

Përshëndetje Akademiku ynë! Një shkrim analitik i mprehtë, për kohën dhe rreziqet e jetës shpirtërtore dhe shoqërore mbi tokë, ca më shumë për kulturën Europiane. E vlerësoj shumë mendimin tuaj. Jam në një mendje me ju.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page