Edmond Llaçi
Në çastet tek i ujiste dhe i pastronte nga barërat e egra ato pemë frutore ai bëhej njësh dhe ndjente gati sikur bashkëbisedonte me to. Shpesh, i ndodhur përmes kurorave të tyre do të përkëdhelej nga reagimi gjetheve të shumta tek përpiqeshin të ngatëroheshin përmes gishtrinjve të tij. Dhe do të kalonte orë të tëra aty, e do të shkëputej nga ajo përhumbje vetëm atëherë kur do të thërritej prej dikujt. Kohët e fundit diçka po e mbërthente mes atyre pemëve. I ndodhur pranë një fidani të mrekullueshëm në zhvillim gati “të marrosur” të degëve, ende nuk po i kujtohej se si ishte mbjellë. Po përpiqej më kot.
Kishte kohë që nuk po kuptonte se çfarë po i ndodhte. Dëshirën e kishte shumë të madhe për t’u ndodhur në atë kopësht të mbjellë në vite me lloje të ndryshme drurësh frutorë. E shfaqte këndshëm gëzimin tek përshkonte atë rrugë të shkurtër deri sa mbrinte aty. Më pas, me t’u ndodhur mes kurorave të tyre e ndjente veten të huaj. Duke hedhur shikimin e tij gati të verbër, niste ti prekte një nga një me duart e tij të buta. I duhej ta kryente atë veprim si për të vërtetuar ekzistencën e tyre. Por jo vetëm atë, në brendësi të tij përpiqej të kujtonte emrat e tyre. Dhe do të ndjehej i lumtur kur arinte të dëgjonte në zërin e tij emrin e atij fruti. Më pas, buzëqeshja në fytyrë do ti shtohej pasi çuditërisht do ti kujtoheshin të gjitha me rradhë. Dhe ato prekjet e lehta të trupave dhe gjetheve të atyre pemëve vetëm me mollëzat e gishtrinjve do ta lumturonin edhe më shumë. Më pas nuk do ta kishte të lehtë shkëputjen prej andej. Në ato çaste një shkëlqim i bukur u shfaq në sytë e tij. Dikush po e thërriste. Përmes atij zëri femëror njohu nusen e djalit. Ata banonin në qytet prej kohësh dhe ardhja e tyre do ta ngazëllente së tepërmi kopështarin plak. Po aty si i zënë në faj, do të rikthente edhe njëherë shikimin nga ai fidan të cilit nuk po i kujtohej ende emri. Kishin kohë pa u parë me djalin dhe me nusen. Në atë përballje me të do të ishte vet ajo që do ta ndihmonte
-Jam Jeta, nusja vajza jote. Dhe ajo pa u përpjekur të fshihte ndryshimin që kishte nisur të shfaqte trupi i saj, po shkonte drejt tij. Do të ishte përsëri ajo që do ta ndihmonte të shkëputej prej asaj përhumbje tek vazhdonte ende të prekte me dorën e tij gjethet e sythet e sapo çelura të fidanit.
-Babi, unë e mbaj mend kur e mbolle. Nga ato duart e tua të buta mori jetë. Ai sëbashku me mua do të rritet e do të lëshojë fruta, kështu më the. Dhe ajo duke kthyer shikimin mbrapa si për të marë miratimin nga i shoqi tek qëndronte i hutuar nga guximi i saj për ta shfaqur e para lumturinë. Të dy tepër të gëzuar do të shkonin gati me vrap aty ku jetonte ai, në fshat. Ardhja në jetë e fëmijës së parë do ta lumturonte atë. Ai lajm i pa pritur u shfaq me një tronditje të lehtë në fytyrën e buzët e kopështarit plak, i cili u përpoq ta ndalonte duke i bashkuar fort me njera tjetrën. Por përsëri i pa aftë.
Si fluturat tek e ndiqnin kur ai dilte herët në mëngjes, edhe ajo i shkoi pas. Pa hequr dorë nga sythet e sapo çelur të atij fidani që e kishte çoroditur, ai nuk e kishte shkëputur shikimin prej saj. Në aq sa kuptonte ku herë shtrëngonte buzët e herë çelte e mbyllte sytë, në fytytrë u ndje ti përhapej ajo buzëqeshja e tij e kursyer. I kujtua dita kur e mbolli atë dru frutor. Menjëherë fill pas dasmës të djalit, trashëgimtarit të vetëm.
Mes duarve të tij, të birit dhe të saj i shoqëruan në thellësi të tokës rrënjë e asaj bime. Tek do rritej e piqej, ai frut do të kuqëlonte në të trëndafilinjtë të mijtat kokra të saj. Shega ajo bimë e vjetër sa vet njerëzimi do të simbolizonte begatinë e mirëqenien e asaj familje. Në ato çaste i sigurtë në veprimin që po kryente, e shkëputi dorën prej atij fidani duke i përqafuar me ngashërim gëzimi djalë e nuse.
Comments