Konkurs poezie (interpretim) dhe pikturë.


Kadri Tarelli shkruan:


QKF. DURRËS. VIJON VEPRIMTARITË EDHE NË KUSHTE TË VËSHTIRA

Konkurs poezie (interpretim) dhe pikturë.

Para pak ditësh, sektori i artit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës, me rastin e festave të 28-29 Nëntorit 2020, organizoi konkursin e poezisë dhe pikturës, për shkollat 9-vjeçare. Veprimtaria u zhvillua në sallën e koncerteve të Shkollës së Muzikës “J. Kukuzeli” në Durrës. Është një lajmë i bukur dhe i mirëpritur nga nxënësit e shkollave dhe prindërit e tyre. Nuk është thjesht njoftim gazetaresk, apo lajmë zyrtar e kalimtar, që mbush statistikat e institucionit, por një ngjarje me rëndësi për jetën artistike të qytetit, pasi i bën jehonë veprimtarive të shkollarëve të vegjël, të dashuruar me poezinë dhe artin pamor, pikturën.

Prej shumë vitesh, unë kam ndjekur gati të gjitha veprimtarit e QKF Durrës, qofshin ato lokale e mbarëshqiptare, ballkanike apo ndërkombëtare, siç janë konkurset letrare e shkencore, olimpiadat, fest-loja, koncertet muzikore, kampionate sporti, etj, etj. Në të gjitha rastet kam përcjellë edhe shkrime në shtyp dhe në rrjetet elektronike, si vlerësim për organizatorët, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, veçanërisht për nxënësit dhe prindërit e tyre.

Me profesion mësues dhe drejtues i vjetër, veprimtaritë dhe shkrimet shoqëruese nuk i kam parë thjesht me syrin e gazetarit, shkruesit apo të dashuruarit me artin, kulturën dhe sportin. Është një arsye më shumë që më shtyn: E gjithë veprimtaria për fëmijët, është një punë, madje shumë e vështirë, ndaj theksoj me forcë, se është mision, vlerë, përkushtim, nxitje dhe investim i madh për të ardhmen. E gjitha përkthehet me dy fjalë: Pikërisht këtu në këto veprimtari, vogëlushët shprehin aftësitë dhe dëshirat, krahasojnë veten, zbulohen talentet, mund të ëndërrojnë.

Në këtë konkurs recitimi marrin pjesë nxënës të 20 shkollave të qytetit bregdetar, të cilët garuan në poezi, (interpretim) dhe po kaq nxënës kanë paraqitur punët e tyre në pikturë e vizatim. Të dy veprimtaritë e kësaj dite kanë vetëm një dallim mes tyre: Poezitë janë përzgjedhur nga vetë nxënësit, natyrisht edhe me ndihmën e mësuesit, duke e përshtatur frymën e autorit, me të dhënat artistike të vetë nxënësit. Ndërsa pikturat dhe vizatimet dominoheshin nga tematika e Flamurit dhe festat e Nëntorit: Pavarësia dhe Çlirimi i vendit. Në shumë prej tyre e pranishme ishte edhe Kosova, madje e dhe “Gardhi” që i ndan shqiptarët në dy anë. Fantazia e fëmijëve është e mahnitshme dhe e admirueshme.

Drejtori i QKF. Durrës, Avni Çuni, pas falënderimit për drejtorin e shkollën mikpritëse Orges Mema, drejtoritë e shkollave, për mësuesit, nxënësit, prindërit dhe bashkëpunëtorët e tij, mes të tjerave shton: “Finalistët e shkollave, sot konkurojnë në shkallë rrethi të Bashkisë Durrës. Ndodhur në kushtet e pandemisë së Covid-19, këtë vit jemi të detyruar që këtë konkurs ta zhvillojmë nën masa të rrepta të sigurisë duke zbatuar protokollin e qeverisë, ku grupet e fëmijëve do të futen 10 e nga 10-të, dhe do të vlerësohen nga juria”.

Fituesit në pikturë:

Çmimi i parë: Redon Gashi ("Migjeni")

Çmimi i dytë: Kejsi Tata ("Turgut Ozal")

Çmimi i dytë: Majla Ismaili

Çmimi i tretë: Dea Laknori ("Vinçens Prendushi")

Çmimi i tretë: Irsi Cenolli

Çmimi i tretë: Enxhi Kamxhiu

Juria vlerësuese: Florest Sherifi, David Kryemadhi, Yllka Myshketa.

Për vlerësimin e interpretimit të poezisë, i ndodhur në pozicionin e kryetarit të jurisë, unë Kadri Tarelli, bashkë me koleget, mësueset e nderuara, Alma Bega, Marinela Poga dhe Ermira Lala, e vlerësova këtë veprimtari, që zhvillohet në kushte tejet të vështira, madje do të thosha “Duke shtrënguar dhëmbët”. Pyetja “pse?”, ka disa përgjigje, të njohura dhe të panjohura:

Së pari, ndodhemi në kushtet e pandemisë së Covid-19.

Së dyti, Qendra nuk ka sallën e koncerteve, pasi të gjitha mjediset janë të dëmtuara nga tërmeti dhe lagështia e tepërt. Projekti është gati, vendimet janë miratuar, ndërsa veprimet e ndërtimit apo riparimit, s’dihet pse vonojnë dhe kush i pengon. Në këto kushte, për të mos ndërprerë programin, Drejtor Avniu ka gjetur një zgjidhje, duke bashkëpunuar me Shkollën e Muzikës. Është për t’u përgëzuar kjo gjetje e gjuhës miqësore dhe e ngrohtë mes dy institucioneve, sepse jo rrallë ndodh edhe e kundërta.

Emocionet i kishin “Artistët” e vegjël, por edhe ne nuk mbetëm jashtë tyre. Përjetuam çaste të magjishme nga interpretimi i poezive të Naimit, Çajupit, Mjedës, Fishtës, Nolit, etj, etj. Fantastik edhe serioziteti i përgatitjes dhe vlerësimit të kësaj veprimtarie konkurruese, secili në magjinë e fjalës, zërit dhe artit skenik. Duke gjykuar moshën dhe disiplinën, ata ishin artistë të vërtetë.

Në përfundim të garës, me kënaqësi munda të them dy fjalë urimi: “Jam i privilegjuar të shpreh mirënjohje ndaj punës së palodhur që bën QKF e Durrësit, adhurim për punën që bëjnë mësuesit nëpër shkolla, të cilët nuk e di ku e gjejnë kohën për prova dhe përkujdesje, megjithatë i nxisin nxënësit drejt artit të fjalës. Përshëndes nxënësit pjesëmarrës, që e duan letërsinë dhe fjalën magjike, përkushtohen ndaj saj. Një falënderim meritojnë edhe prindërit që sakrifikojnë dhe plotësojnë dëshirat dhe prirjet e fëmijëve të tyre.

Në këtë rast, pasi ndoqëm me kujdes të gjithë veprimtarinë, shpresoj të ndaj një mendim me pjesëmarrësit, se pavarësisht që konkursi parashikon çmime: vendi parë, i dytë dhe i tretë, të gjithë pjesëmarrësit janë të fituar. Vetiu duke u dashuruar me poezinë e bukur, e ndjejnë atë dhe ua përcjellin e dhe të tjerëve, bashkëmoshatarëve dhe publikut. Skena i trimëron dhe i forcon shpirtin e garës. Duke guxuar, në të ardhmen secili mund të bëhen poetë apo artistë. Jam i bindur se ky është edhe misioni i kësaj veprimtarie, si pjesë e punës gjithëvjetore. Nuk e teproj kur them, se çdo pjesëmarrës beson, që kjo është arritje dhe investim vetjak, të cilën koha do ta çmojë apo do ta zbehë, ndërsa konkursi do të kujtohet si veprimtari e gëzueshme e moshës, një shtysë drejt artit, ku secili vlerëson veten duke e krahasuar me të tjerët. Diferencimi është thjesht veprim simbolik, pavarësisht se përkëdhel sedrën dhe ambicien e gjithkujt, nxënës, pse jo edhe mësues dhe prind.

Fituesit në poezi (Interpretim)

Çmimi i parë: Kristina Hajderlli (Sukth)

Çmimi i dytë: Ejona Petashoti ("Turgut Ozal")

Çmimi i dytë: Arjet Gjata ("Eftali Koçi")

Çmimi i tretë: Albiona Loshaj ("Bajram Curri")

Çmimi i tretë: Tea Elmadhi ("Ibrahim Kodra")

Çmimi i tretë: Kristina Zyka ("Mihal Ekonomi")

Një vlerë e shtuar e kësaj veprimtarie ishte shoqërimi i recitimeve me muzikë, gjë që na jepte ndjesinë e një spektakli me përmasa të mëdha. Në çaste ndërprerje, si dhuratë e bukur, na shoqëruan tingujt e kitarës, të luajtur me mjeshtëri artistike nga nxënësit e shkollës së muzikës, që ndërroheshin me radhë. Aq e vërtetë kjo, sa kolegia Alma, thotë: “Për këtë muzikë kaq të bukur, edhe bilete do të kisha paguar”. Uroj që kjo përvojë e dobishme të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Urime dhe suksese të gjithë pjesëmarrësve! Konkursi është takim që trimëron cilindo, për tu përballur me më të mirët. Suksesi arrihet vetëm me punë, përkushtim dhe talent.


Kadri Tarelli

Durrës më: 28. Vjeshta e tretë, 2020.



40 views1 comment

Shkrimet e fundit