top of page

Konfliktualiteti...


Konfliktualiteti në shkollë dëmton rëndë proçesin mësimor

Fran Gjoka

Shkolla jonë dhe shoqëria në tërësi kanë një qëllim të caktuar,që ndryshe në pedagogjinë moderne quhet finalitet,i cili konsiston në atë që të rritet një brez i ri që në përballjet me jetën në ndryshim të përhershëm të saj,të dalin gjithnjë fitimtarë.Në këtë kuptim “…edukimi është përgatitja e rinisë për jetën”,për punën,për të ardhmen. Jeta në shkolla dhe eksperienca kanë provuar se kjo është e pamjaftueshme,pasi rezultati në arsim në tërësi dhe në lendën që jep mësuesi në veçanti,nuk mund të garantohet në mënyrë të njëanshme,pa pjesëmarrjen aktive të të gjithë palëve,në rastin tonë edhe të nxënësit,pasi në fund të fundit i gjithë aktiviteti në shkollë dhe veprimtari të përbashkët organizohet bashkë me nxënësit.Ajo që e vë në lëvizje këtë mekanizëm është forcimi i frymës së bashkëpunimit mes mësuesve nga njëra anë dhe nxënësve nga ana tjetër,formimi i një besimi reciprok mes tyre,krijimi i një mendimi konstant dhe të përhershëm, se vërtetë nxënësit kanë nevojë për mësuesit,por edhe këta të fundit asnjë objektiv nuk mund të arrijnë pa pjesëmarrjen aktive të nxënësve në të gjithë veprimtarinë e shkollës,duke përfshirë edhe orën e mësimit.Mësuesi ka për mision pedagogjik,që me formimin e tij të gjithanshëm t’i bëjë gjërat e vështira të lehta për t’u kuptuar nga nxënësit.Dhe për këtë portreti i tij profesional,që do të thotë se ai duhet të ketë detyrimisht njohuri disi të qëndrueshme për lendët që lidhen me psikologjinë e moshës dhe atë të personalitetit të nxënësit.Njëherazi është e domosdoshme për mësuesin, njohja dhe zbatimi i të gjithë metodave,elementëve të përparuar didaktik dhe teknikave bashkëkohore të mësimdhënies që vënë në lëvizje mendimin e pavarur të nxënësve në mësim,që e nxisin atë të bëhet pjesëmarrës aktive ë të mësuarit dhe e të nxënit.

Çështja duhet diskutuar edhe në mënyrën se si i perceptojnë marrëdhëniet me nxënësit pala tjetër,pra mësuesit.Pyetjes së anketës me të gjithë mësuesit e një shkolle të mesme: - Kur i konsideroni marrëdhëniet e cënuara me nxënësit në shkollë?,të japin këtë varg përgjigjesh:“kur nuk mësojnë,kur vijnë pa bërë detyrat dhe pa plotësuar punët e dhëna të pavarura,kur nuk dëgjojnë mësimin,kur bëjnë zhurmë në klasë,kur nuk zbatojnë porositë e dhëna,kur ikin nga mësimi,kur marrin nota pakaluese,që sipas nxënësve nuk e meritojnë,ose ashtu siç ata e prisnin,kur nxënësit ta kthejnë fjalën,kur flasin pa leje gjatë mësimit,kur…kur…”. Fajtorë për klimen jo miqësore të krijuar në shkollë dhe në klasë,që çojnë në situate të acaruara,sipas mësuesve,në pjesën më të madhe të rasteve bëhen,si gjithnjë,nxënësit.

Për hir të së vërtetës vetëm një grup i vogël mësuesish,kryesisht ata me formim të mirë kulturorë dhe profesional,shkencorë ose psikopedagogjikë e socialë që kanë gjithnjë rezultate të kënaqshme në punën me nxënësit,bëjnë fajtorë edhe kolegët e tyre,mësuesit.Për këtë të japin edhe shembuj krahasues mes mësuesve me autoritet që e kanë fituar atë me punë dhe me kualifikime të përhershme dhe atyre autoritarë,që mungesën e formimit në shkallën e duhur përpiqen ta kompensojnë me privilegjet që të jep pushteti i notës dhe për këtë marrin masa ndaj nxënësve “rebelë dhe të pabindur,planprishës dhe rrëmujaxhi”.

Jo rrallë,nxënësit,sidomos ato të shkollës së mesme,deklarojnë se shumë konflikte në shkollë ndodhin edhe nga gabimet e tyre,por ka edhe shumë raste që klima aspak normale,në klasë dhe në tërësi në shkollë,është rezultat i faktit se mësuesit tanë nuk na kuptojnë,na trajtojnë si të vegjël,sikur ne kemi ardhur në shkollë vetëm për të dëgjuar mësuesin,ndërsa ne nuk kemi të drejtë të bëhemi pjesë e lojërave të pranueshme.-Çdo të qeshurës tonë,-shprehet një gjimnaziste në vitin e pare,mësuesi i lendës i përgjigjet me të tallura,ofendime dhe sharje.Ndodh që na nxjerrin edhe jashtë,duke e shoqëruar masën me qortime që nuk i kanë hije një edukatori.Me një fjalë,vazhdoi rrëfimin e saj,vajza në fjalë,disa mësues nuk na kuptojnë.Dhe moskuptimi çon në konflikt mes palëve,shpesh për arsye që mund të evitoheshin.Kur lind konflikti nuk është e lehtë të zgjidhet.Edhe atëherë kur ai vihet në rugën e zgjidhjes ose të krijon përshtypjen se është zgjidhur,marrëdhëniet mes mësuesve dhe nxënësve nuk janë zhvilluese dhe bashkëpunuese.Palët ruajnë brenda vetes së tyre rezerva për njëra-tjetrën.Rrjedhimisht dëmtohet individi dhe e gjithë puna në shkollë. Një fëmijë që braktis shkollën,si rregull,është më i ekspozuar ndaj krimit dhe mundet edhe të sëmuret mendërisht.Ky është përfundimi i shumë studimeve në fushën e psikologjisë.

Nga ana tjetër marrëdhëniet mësues – nxënës kanë edhe anën e tyre pedagogjike,që lidhen me aftësinë e mësuesit për ta parë e trajtuar edukimin në shumëanshmërinë e tij,për të gjykuar dhe vlerësuar edhe elementë që në pamjen e pare të shfaqen disi jo shumë ndikues në prishjen e frymës së grupit në tërësi dhe të nxënësit me mësuesin në veçanti.Fjala është për ndikimin pozitiv ose negative që ka nota,si matës kryesor i vlerësimit të njohurive për nxënësit.Nxënësi në një farë mënyre është në gjëndje të gjykojë vlerësimin që i bën punës së tij mësuesi,për diferencat,sipas tij,që bën ai në vlerësimet e nxënësve të vaçantë,prindërit e të cilëve kanë një status social më të privilegjuar se fëmijët e një punëtori ose të papunë,të një etnie tjetër ende të paragjykueshme etj.Fëmija reagon ndaj notës të cilën ai e konsideron si gjykim mbi punën e tij.Ai mund të reagojë pozitivisht duke u përpjekur t’i përshtatet kërkesave të mësuesit,por edhe mund të dekurajohet e të mendojë që mësuesi nuk e do,bile e ka inat.Ky është një moment delikat që ka të bëjë me ikurajimin ose dekurajimin e fëmijës. “…një notë që quhet e padrejtë nga nxënësit,reagimet janë shprehje e pakënaqësisë,ehumbjes së besimit në vetevete,janë dëshprim,bierrje e vullnetit,e aftësive për t’u ushtruar në punë,janë shprehje e mosbesimit ndaj vlerësimit të mësuesit e të luftës së të kundërtave : ndërmjet meritës së vërtetë dhe asaj që të bëjnë të tjerët,ndërmjet asaj se ç’kupton vetë se je dhe si të gjykojnë të tjerët”.

Klima pozitive në tërësi në shkollë dhe ajo mes mësuesit dhe nxënësit ka edhe anën e vet sociale.Mësuesit tanë në shumë raste nuk e njohin dhe as bëjnë përpjekje për të njohur mjedisin familjar ku rriten,ushqehen dhe edukohen nxënësit e tyre.Nuk duan t’ia dinë për problemet e mprehta dhe të vështira që kalon familja jonë,marrëdhëniet e vështira në jo pak raste në çift,të cilat shfaqen dukshëm në mjedisin shoqëror.Ndodh që educatorët nuk njohin nivelet e jetës të fëmijëve që kanë në patronazh dhe as diferencat në ushqimin dhe edukimin e tyre.Ky element social është domosdoshmëri për të hyrë në thellësi të tij nga mësuesit,nëse dëshirojnë që puna e tyre të jetë më e frytshme,më e vlerësuar,më misionare, që marrëdhënia të jetë shumë bashkëpunuese,që nxënësi ta ndjejë veten në shkollë si në shtëpinë e tij.Ja pse “…njohja nga ana e mësuesit e kushteve të jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve jashtë institucionit shkollor është e domosdoshme,për të kuptuar shkakun e disa prej reagimeve të nxënësve dhe për të përshtatur veprimin e tij edukativ.Për të dhënë vetëm një shembull,nuk mund të veprohet njëlloj si me fëmijët e uritur ashtu edhe me ata që kanë ushqim të përshtatshëm”.

Duhet ditur se vetëm një njohje e tillë e bën mësuesin më njerëzor,më emotive,në kuptimin më të mire të fjalës,e formëson atë më mirë si edukator,i rrit më shumë dinjitetin në mjedisin social dhe pedagogjik,e bën më të ndjeshëm si njeri dhe e ndihmon atë për të ndërtuar marrëdhënie bashkëpunuese,zhvilluese dhe nxitëse me nxënësin.Në këtë kuptim marrëdhënia positive zgjerohet mes palëve.Ajo shkon deri në familje,deri në komunitet dhe depërton në elementë që duhen korrigjuar e ndrequr,që në kushtet e punës vetëm në shkollë mësuesi nuk do ta arrinte një gjë të tillë.Oh,sa ngrohtësi ndjen një fëmijë,kur mësuesi dhe drejtuesit e shkollës i shkojnë atij për vizitë në shtëpi,kur ata e nxisin për të kapërcyer vështirësitë e shumta ekonomike dhe sociale me të cilat ndeshen prindërit e tij.Ja pse mësuesi duhet të jetë pak edhe psikolog,edhe sociolog,edhe metodist i mirë.Edukatori i mirë vlerëson çdo veprim dhe sjellje të tij me nxënësit,çdo fjalë që u thotë atyre,mendon për çdo pasojë që mund të ketë në marrëdhëniet e tij me nxënësit një fjalë e nxituar dhe e pamenduar.Natyrisht edhe reflekton.Kjo sepse ai niset gjithnjë nga parimi pedagogjik se në edukim nuk ka vogëlsira,se vogëlsirat e pavlerësuara krijojnë përplasje shterpë,e ndotin mjedisin dhe atmosferën dhe krijojnë klimë jo të qetë në shkollë,duke i rënë ndesh idesë,që është provuar e thenë shpesh se klima e butë,mirëkuptimi mes nxënësve dhe mësuesve e forcon frymën e bashkëpunimit dhe të zhvillimit,e motivon gjithë jetën dhe punën në shkollë.

Mësuesit me përvojë tregohen shumë të kujdesshëm në komunikim me nxënësit,i mendojnë në moment pasojat që mund të ketë një sjellje ose një fjalë që e cënon sado pak personalitetin e nxënësit.Ata ecin me mendime se nxënësi ka nevojë,më tepër se të tjerët të motivohet.Motivimi bëhet me kokë,me shenja të tjera,me fjalë,me tolerime kur shihet si e nevojsme.Asnjë standart nuk mund të arrihet,asnjë shkollë nuk mund të jetë e suksesshme,nëse palët humbasin besimin tek njëra-tjera,nëse “…mësuesit nuk krijojnë një klimë të përshtatshme që të çlirojë fëmijën nga ankthi.Rritja e personalitetit realizohet vetëm në një mjedis besimi,simpatie,respektimit të rregullave të nevojshme për jetën në grup”.Gjatë komunikimit me nxënësit,mësuesit me përvojë,ndryshe nga ata me pak vite punë në arsim,ose me probleme të formimit të tyre si edukator,e trajtojnë problemin me shumë kujdes,e mendojnë dhe marrin shpejt masa që të mos konfliktohet me nxënësit,pasi në të kundërt situatat negative mund të precipitojnë shpejt dhe t’i dëmtojnë marrëdhëniet.rrjedhimisht dëmtohet klima dhe cënohet fryma e grupit dhe puna e shkollës.

5 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page