KOMEDIA E LIRISË


ALUSH AVDULI

KOMEDIA E LIRISË


Mendime për romanin “Nënkryeministri, njeriu që i kacavirret pushtetit”

Romanin satirik të Pajtim Çaushit e lexova, e rilexova me ëndje. Një libër mahnitës, nga rrezëllitja e mjeshtërisë gjuhësore pa paraardhës që shpërfaq tërë plotërinë e amullt të gjendjes njerëzore deri në mbërritjen e skajshme. Edhe më tej në shndërrime të mykura... Në djall injoranca e nderuar e kësaj bote! Kështu këlthet vetasfiksimi në pozicionin e kundërvënies. Realitet fantazmagorik, shtypës nga tirania e dritë-hijeve, servilizëm zvarranikësh i kamur me variante skllavërie, mungesë e ozonit të dijes e mëndur në paperspektivë. Gjithçka si trillim në përqeshje. E shkuara rend në ardhmëri për pandryshimin. Komedia e lirisë në përjetim me distancë kapistre dhe pa...Tartufëri e vrazhdtë në kërcënim për përparimin. Thua : Kur aftësia dinë të shkruaj, përherë shfaqen libra të mrekullueshëm. Libra të tillë ekzistojnë gjithmonë, por është e rrallë aftësia që njeh shkrimësimin. Shumë pandehin se janë, por shkrimtari është. Është do të thotë edhe i strehuar tek vijimi. Këtë bindje ta ushqen ecuria e tij cilësore nga një vepër në tjetër. Duke perifrazuar një tjetër do të shtoja për Pajtimin se ai përpiqet të bëjë gjëra si të tjerët, por nuk i arrin dot. Merita gjuhësore i refuzon modelet . Këtë më paqtë e këqyr edhe tek libri në fjalë Nënkryeministri - njeriu që i kacavirrej pushtetit, që të grish parreshtur në meditime. Roman satirik ku e qeshura gjeneron nga hidhësia e dramacitetit njerëzor. Maskaradë irrituese e dy epokave të ndërkallura tek njëra–tjetra. E shkuara është çelësi i së ardhmes. E vërteta - gënjeshtra që luan të vërtetën dhe gënjeshtra si e vërteta në rolin e së vërtetës. Koha edhe pse e përcaktuar, gjendet në braktisje, numërimin e ngjarjeve e bën bashkimi dhe ndarja. Hyrja e romanit shkëndijon me gjetjen për të papriturat. Nusja e Anastasisë ka parë ëndërr me raketë. Thotë në bodrumin e shtëpisë Përkeqe... Thethashnaja mori përmasat e tullumbacës... Sipas librit të ëndërrave raketa është shenjëndjellse ogurzezë e së keqes.

Subjekti dhe kompozicioni i veprës, larg nga synimet e planifikimit, vijnë natyrshëm nga ethet e gjuhës në ekstazën e ligjërimit. Epiqendra e të gjitha bëmave janë si një në tre: Qytetbregu , kooperativa e Tre Kungujve dhe fshati Varja... Të ndodhur në vorbullën e situatave komike jemi vazhdimisht të pambrojtur nga e qeshura. Personazhi boshtor ku rrotullohen dy epokat është Pelivani, si nën e thërrasin Pelo.

Biografia e Pelos: u lind në një provincë të harruar mbushur me njerëz që pjellin e pjerdhin, në mesditën e trembëdhjet gushtit doli në jetë brezi i tretë i fisit Përkeq i shoqëruar nga urimi profetik i mamisë së Qytetbregut:

- More ëngjëlli me fletë, nesër u bëfsh deputet,

deputet edhe mbi, qofsh nënshef në qeveri.



Konteksti: më mirë në hije të fikut se në majë të lisit. Me një ironi të mprehtë autori vizaton tërë hierarkinë e jetës së Pelo Përkeqit. Sa për ilustrim: ‘‘në lojrat e kopshtit u bë nënmbret i pyllit, nëngjel i pulave... nënqen i stanit, etj..’’ Shkollën e mori si e mori. Ryshfeti: që nga kokoshi deri te kopeja. Kështu Pelua i bojatisur me dituri emërohet një ditë nënagronom në sektorin Varja, i dalluar për qiqra në hell e lëvizje gurësh. Varja si piknisja e tij për kacavirrjen... Këtu komikja është e ngjizur me të njëjtat çaste që ngjizet tragjikja. Pamje mjerane të ndotura me parazitizëm, mizerje e bollëk injorance, zhgërryerje seksi, paturpësi të paligjëruara, nga që turpi nuk lëshon liçensa... Duket, regjimi i ‘‘diellit banal’’ po ha metrat e fundit të kullotës. Botëz e kyçur nga jashtë e nga brenda, ndarje e pambaruar akoma e njeriut nga kafsha. Kujtesë paralize. Ecja nuk ka as këmbë dhe as rrugë. Janë vetëm drejtuesit si vepër e të drejtuarve. Gjithashtu më duhet të theksoj se brenda hapësirës përdritëse të romanit gëlon skota e personazheve në prezencë të errët si karikatura të vesit në paginjie, të tendosura e të përmbledhura në përsëritje. Ngjasojnë me spektakle të sterelizimit të së mirës. Le t’i vërejmë si portrete të cilësuara në një skicim të beftë:

1- Xhane Fortuzi, sekretare e partisë dhe brigadiere e brigadës së burrave. E martuar. Burri bari i dhive shterpa. Karakteri është dhe demoni i saj. Mësuese seksi, e gjithë nomenklatura e sektorit ka dhënë provim mes shalëve të saj. Qejflesh si festseks....

2- Xhan Kërcelli, brigadier i brigadës së grave. Kjo i thotë të gjitha. Asnjë koment.

3- Gjel Gjeloshi karierist, njohës i mirë i intrigave. Regjizor dhe aktor në këtë komedi...

4- Bora Bode, si grua është burrë i papërfundur. Shet gjithshka për karrierë. Kurvë e pandershme.

5- Ëngjëll Këndezi, shefi i frikshëm i sigurisë. Hipokrit deri në mizori....

6- Hupi i Havasë. Si avdall, goja e hapur e troçllëkut. Dëshiroj ta veçoj si figurë, por sipas B. Benedik vendimi për të veçuar budallenjtë rrëzohet përkohësisht me sistemin absolut të idiotëve.

7- Mujo Bejzati, personazhi më simpatik i romanit me humor të hollë deri në thumbim . Normist i sektorit, kuadër i aftë, si hamshor është i lindur....

Në këtë libër dinjitoz të shkrimtarit Pajtim Çaushi gjithkush mund të mësojë mirë terrin e tij. Nuk është për t’u çuditur. Gjithsecili nga ne e ka brenda mëvetësisë nga një personazh të tillë. Në mjedise publike i shajmë, nga që na duhet të shitemi si të mirë në një treg pa shije të dramës së ekzistencës. Le të jemi pak më të kujdesshëm, se kur nuk je i njësuar bëhej turmë.

Duke lexuar “Nënkryeministrin...” nuk është e vështirë të hetosh se përmes guximit të gjuhës ekspresive autori shpalos periudhën e gjatë të tranzicionit si realitet travesti të shkurorëzur nga fshehja. Tablo marramendëse pikturuar me amalgamë bojrash në ashpërsi kanavace. Gjendje njerëzore kaotike në derdhje, për ku!?... Gjithçka në pah kutërbuese si spermë e prishur. Errësira më e qartë se dje, torturë drite. Tani më përveç zhgënjimeve me bollëk, kemi edhe shkaqe të reja për t’ia veshur veset tepricës së lirisë...

Ndërkaq Pelo Përkeqi dhe shpura e tij famëkeqe të veshur nga mashtrimi pushtojnë majat. Profecia poetike e mamisë të Qytetbregut mbërrin te përmbushja sa për të shënuar kufijtë e zbrazjes, ngaqë në sfondin e largët të Varjes shfaqet një kapistër kali si mbetje në dorën e Nënkryeministrit Përkeqi... dhe njëherësh si shpërthim gajasje. Gjetje e bukur për uljen e syparit... Dhe më shumë për ta vendosur papërsosjen e botës në perspektivë më të çelët.


#alush #pajtim

0 views

Shkrimet e fundit