top of page

Kombëtarja dhe universalja...



Në lidhje me raportin ndërmjet traditës dhe novatorizmit, kombëtares dhe universales, heraherës kam shkëmbyer mendime me miq e kolegë, veçanërisht me profesorin Astrit Leka dhe kemi përqafuar pa ngurrim idenë se tradita dhe novatorizmi janë dy gjëra që na shërbejnë të gjithëve. Dihet se nuk ka novacion absolut, sepse novacioni lidhet jo vetëm me risinë, por edhe me traditën. Në arsim ose në shkencë, binomi traditë-novatorizëm është aksiomatik. Sa për dyshen kombëtare - universale, ky binom ka krijuar dhe vazhdon të krijojë "drithma" në mendjet dhe në zemrat e shumëkujt. Kjo më kujton formulën e famshme të Nikolae Tituleskut, diplomàt, ministër i Jashtëm, profesor universiteti dhe akademik rumun, ish-kryetar i Lidhjes së Kombeve në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore: "...Çdo rrugë e natyrshme për lartësimin e një kombi është ajo që shkon nga krahinorja tek kombëtarja dhe, përmes kombëtares, tek universalja"[1].

Por, në ditët tona ekziston një mendim, fatkeqësisht fort i përhapur, sipas të cilit kombëtarja dhe universalja i kundërvihen njëra-tjetrës; se nacionalisti na qenka si njeriu i Kromanjonit, ndërkohë që njeri universal qenka vetëm ai që nuk do t’ia dijë për nënë e babë e as për komb, për kufij, për asgjë... duke qënë, njëlloj si kompjuteri, i lidhshëm lehtë në çdo prizë. Janë pikërisht këta birbo që, sa herë dalim në mbrojtje të çështjes shqiptare, na cilësojnë bartës izmash fanatike dhe ultranacionaliste.

Historia ka vërtetuar se nacionalizmi i mirëfilltë, i cili nuk duhet ngatërruar me shovinizmin dhe as i kundërvihet universalizmit, është shprehja e ndihmesës kulturore që mund të sjellë çdo popull me kulturën e vet kombëtare në thesarin e qytetërimit mbarënjerëzor.

Është thënë se kultura botërore apo universale, është një dritë e bardhë e mrekullueshme që, - fizikanët e kanë zbuluar, - përbëhet nga një pambarimësi laryshish, ngjyresash apo nuancash - të themi nja shtatë mijë të tilla - të përmbyllura konvencionalisht në shtatë ngjyra. Këto rreze hirplota na ndihmojnë ta shohim njëri-tjetrin ashtu siç jemi, edhe të bukur, edhe të shëmtuar, edhe të përzier, jo në kuptimin e disa shifrave prej pesë përqind kulturë shqiptare, tridhjetë e pesë ruse, pesëdhjetë e pesë frënge etj., por në kuptimin që, në majat e kulturës universale transgjeografike, fetare, gjuhësore, çdo kulturë e rigjen vetveten. Në këtë drejtim kombëtarja, kurrsesi si ndonjë sajesë kalimtare, apo e modës, do të përbënte pikërisht themelin e "shpirtëzimit" të kufijve, pra jo thjesht të heqjes së barrierave e të vizave. Ky "shpirtëzim", sikurse është pohuar, nuk është një gjëagjëzë moderne, siç mendojnë disa, por një formulë me të ardhme të garantuar.

Evolucion kulturor të një kombi në një klimë politike-sociale të caktuar, do të ketë edhe në të ardhmen. Për rrjedhojë, edhe për njëfarë kohe historike, jo të shkurtër, kombëtarja ka për të sjellë ndihmesë, pikërisht si ajo e çdo vegle muzikore në një orkestër simfonike. Mund të thuhet se rezultati i përgjithshëm është eufonia e një simfonie që përftohet edhe nga daullja, edhe nga vibracioni i telave të violinës, edhe nga cimbali, pra nga krejt ansambli[2].

Me këtë sy mendojmë se duhet këqyrur edhe raporti midis kombëtares dhe universales, duke e mbartur edhe në jetën politike. Sigurisht që çështja shtrohet e shtrihet edhe në rrafsh kulturor, si një ndihmesë në eufoninë universale.


[1] Nikolae Titulesku, Vepra politiko-diplomatike, vëllimi I, Fondacioni europian Titulesku, Bukuresht, 2003, f. 199. [2] Shih: Vasile Popa, Kopi Kyçyku, Makina që shin shpresa, botim trigjuhësh, Haemus Plus, Bukuresht, 2004, f. 17.

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page