Vullnet Mato
Ngjasim fytyre, kudo mund të gjesh,
portret si të Heminguejt, s’ka të dytë:
Fole zogu të thurur, me një tufë lesh.
ku flenë katër zogj: hunda, buza, sytë.
Kolosit tregimtar, me libra të botuar,
nga lind e perëndon dielli mbi tokë,
nuk i gjendet afërsi stili, në të shkruar,
as shkrimtarë, në gjah, t’i bëhen shokë;
As kronist aveturier, që ia bënte në këmbë,
koleges gazetare, nëpër disa llogore lufte,
që bënte boks, me gotë pije ndër dhëmbë,
si mik i pandarë i gotës, në të globit klube.
Dorën e penës së tij, e kanë shtrënguar fort,
Kenedi, Çurçilli, Çu En Lai, me Çan Kai Shinë,
kudo ku shkoi, korrespondent nëpër botë,
me kronikat e fuqishme, nga Evropa në Kinë.
Në Kubë hodhi rrjetat bashkë me peshkatarët,
me kontrabandistët e prostitutat krijoi letërsi.
për komplotistët vetëvrasës i ra kambanës,
I dha lamtumirën armës, që shfaros dashuri.
Në “Brezin e humbur”, nga lufta e përgjakët,
ngriti monumente, për njerëzit më fatkeq,
djegur e pocaqisur, nga tmerret dhe plagët,
ku ai skuqi me gjak, të gjithë kohën e vet.
Rendi drejt vdekjes, mes plumbash në stuhi,
përtej Atlantikut, në Afrikë, në malet Pirenej
dhe e mbylli me një plumb, në zemrën e tij,
kolosi i pavdekshëm në letra, Ernest Heminguej...
留言