Koloneli Baki Bala, shkrimtari i ri që na befason
“Sikur ta dija”
Nga Besnik Gjonbrataj
“Panairi i Librit” është një traditë e bukur dhe një ngjarje e veçantë në Tiranë që bën bashkë njerëz të moshave të ndryshme, të cilët mbushin ambientet e Pallatit të Koncerteve duke vizituar stendat e shtëpive të botimeve për të zgjedhur titujt e tyre të preferuar.
Unë jam një lexues i rregullt dhe e kam bërë zakon që të jem një prej vizitorëve të panairit të përvitshëm të librit, por ky vit ka qënë më i veçanti dhe më surprizuesi, dhe besoj kjo, jo vetëm për mua por edhe për shumë kolegë të mi ushtarakë e ish ushtarakë dhe jo vetëm. Habia ime ishte tepër e madhe teksa pashë në një prej stendave të Panairit të Librit 2023 një libër me emrin e autorit të cilin e njihja, por, po kaq e madhe ishte dhe befasia e titullit që mbante ai libër.
“Sikur ta dija”, autor kolonel Baki Bala, me një karrierrë të spikatur në Forcat e Armatosura e më tej në jetën civile ish prefekt, por tashmë në një gjendje tepër të veçantë, në një karrike me rrota me një sëmundje të rrallë në trup, por me një forcë të jashtëzakonshme e që del para lexuesit si një shkrimtar...
E papritura dhe emocioni që ndjeva më bëri të shkruaj këto rreshta për kolonelin Baki Bala dhe t’ia dërgoj redaksisë së gazetës “Ushtria”, si për t’ju thënë të gjithëve në Forcat e Armatosura se çfarë është fuqia e ushtarakut, e shpirtit dhe e zemrës, e dashurisë për jetën për të mos u dorëzuar asnjëherë sa të jesh gjallë edhe në kushtet më ekstreme.
Kolonel (R) Baki Bala gjatë karrierës së tij shërbeu në të gjitha nivelet. Brigadë, Divizion, Forca e Bashkur, SHPFA dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Disa nga detyrat e tij gjatë shërbimit në FA kanë qenë komandant i Brigadës së Ndërlidhjes, drejtor i Drejtorisë të Ndërlidhjes, shef i Shtabit të Forcës së Bashkuar dhe drejtor i Drejtorisë së Modernizimit. Ai ka kryer studime në Shkollën e komunikimit të NATO-s Itali, në Akademinë e luftës në Turqi, kursin e meaxhimit në SHBA dhe Kolegjin rajonal të Mbrojtjes. Ish koloneli Baki Bala përveç gradës ushtarake me të cilën mbylli karrierën në FA, mban edhe gradën shkencore PhD. Kurse karrierën në funksionin publik të Prefektit të Qarkut e mbylli nën një sëmundje të rrallë por që ajo s’mundi t’i mbyllë dritaren nga e cila t’i drejtohet njerëzve e s’mundi t’i përkulë shpitin e tij luftarak të ushtarakut.
Ai vitet e fundit ka nxjerrë para publikut shkrimtarin brenda vetes, shkrimtarin që i shtohet Forcave të Armatosura. Baki Bala vjen si krijues letrar në gjininë ambicioze të romanit dhe na tregon se është një njeri i fortë, që diti të përballet me sëmundjen dhe ecën me forcë përpara, me optimizëm dhe dëshirë, krijues dhe me madhështi, duke u bërë një burim frymëzimi.
Përveç botimeve në Bibliotekën e FA-së që mbajnë emrin e tij, kolonel Baki Bala ka botuar librin "Këndvështrim mbi Institucionin e Prefektit të Qarkut" në vitin 2019, librin "4P e Procesit të Blerjeve" në 2022, por edhe botime artistike si romanin “Marina” në vitin 2021 dhe këtë vit në 2023 romanin "Sikur ta dija".
Veprimtaria e profesionit të tij ushtarak, teksa shërbeu si prefekt dhe së fundi në fushën e botimeve artistike ishte befasuese për ata që e njohin dhe e habitshme për publikun e gjerë. Teksa e pyesim se si kanë bashkëjetuar këto tek ai si individ, ish koloneli na thotë se edhe pse kjo në pamje të parë mund të vlerësohen si “tre fusha guaskore, hermetike e të pa depërtueshme”, në këndvështrimin e ushtrisë kjo ndodh pasi në sytë e publikut “ushtaraku vlerësohet thjesht si qytetar me uniformë dhe jo si një profesion që karakterizohet nga cilësi të spikatura karakteriale”. Profesioni i ushtarakut është në përgjithësi i mbyllur për të qënë një shkrimtar apo një politikan, thotë ai. “Shkrimtar nuk të bën arsimi që ke mbaruar. Ai të ndihmon dhe zhvillon imagjinatën. Historia ka treguar se ushtarakët kanë qenë historianë, romancierë, piktorë, muzikantë e studiues që kanë lenë gjurmë në fushën e artit dhe jo vetëm. Kjo shpjegohet me faktin që çdo individ ka të shfaqur apo të fshehur, për një farë kohe, dhunti të tjera jashtë profesionit, të cilat ndërthuren me të dhe krijojnë impulse të bukura. Ky është edhe rasti im.”, shotë shkrimtari. Ushtaraku është njohës i mirë i ambientit në këndvështrimin historik, politik, social, demografik, topografik, florës dhe faunës të cilat ndihmojnë në përshkrimin e veçorive artistike të tij. Ai e sheh terrenin si një fotograf që në të njëjtën kohë fikson funksionalitetin dhe veçoritë e tij. Më tej ai na spjegon se funksioni i Prefektit nuk është profesion dhe se ai të ndihmon më shumë për të njohur njerëzit dhe problemet e kategorive të ndryshme sociale. “Kjo ka lenë gjurmë tek unë.”, thotë ai.
Individi për të shkruar një roman duhet të ketë përvojë jetësore, të ketë besim në vetvete, të ketë hobi në fushën e letërsisë apo artit dhe të dijë të analizojë ekuilibrat sociopsikologjikë në një mjedis të caktuar historikë e politikë. “Këto cilësi më kanë ndihmuar për të marrë iniciativën e disa botimeve. Shkrimtar është fjalë e madhe, por shkrmin e kam pasion që më jep kënaqësi më zhvillon imagjinatën dhe më bën të futem në karakterin e personazheve. Dëshira për të marrë iniciativën e shkrimit të veprës letrare komplekse si romani ka ardhur gradualisht.”, thotë koloneli.
Jetën ushtarake, pavarësisht për veçorinë e saj, ai e ka parë me idenë që në çdo rrethanë të krijojë ngjyrimin për kënaqësinë shpirtërore, duke krijuar ritmin për t’u zgjuar nga monotonia profesionale. Kjo ka shtuar dritëhijet në "peizazhin" jetësor për t’i bërë përjetimet të dallueshme. Njeriu edhe në shkretëtirë mundohet të krijoi oazin e tij. “Oazi im u mbështet në fantazinë dhe imagjinatën që të zhvillon profesioni i ushtarakut dhe në hobet e mia: piktura, fotografia dhe shkrimi. Piktura dhe fotografia më ka edukuar shijen e të veçantës për kapjen e momentit, që shfaqet vetëm një herë dhe fokusi tek detajet”, thotë autori i romanit “Sikur ta dija...”.
Thelbi i një romani është një tregim apo ese e cila shtjellohet, jo vetëm në një plan, por në shumë plane ku personazhet krijojnë lidhje të ndryshme. Profesioni i ushtarakut dhe detyra e prefektit ka sa fije lidhëse aq dhe kundërshtuese me shkrimin letrar. Zhvillimi i imagjinatës, njohja e teknikës së shkrimit akademik, përvoja jetësore janë ingredient për të “gatuar” një roman. Dhuntitë në fushën e artit dhe pasioni, i lidhin ato me njëra tjetrën. Një nga faktorët pengues është impenjimi që kërkon jeta ushtarake.
Shkrimi profesional, sidomos për ushtarakët e gradave të larta, vjen natyrshëm nëpërmjet procesit "Lessons Learned", hartimit të rregulloreve, procesit të mbrojtjes së gradës shkencore, botimit të artikujve në revista brenda dhe jashtë vendit. “Unë kam kaluar në të gjitha këto faza. Natyrisht duhet të kesh dhunti, të cilat kanë qenë brenda meje dhe janë zhvilluar.”, na tregon autori. Megjithatë këto punime, në formën e prozës, nuk kanë ngjashmëri me shkrimin e një romani, pasi janë shkrime që dallohet nga terminologjia e ngurtë, me figura të pakta letrare, mungesa e emocioneve të shkruesit dhe ekzistenca e referencave të burimeve. Mungon lirshmëria e autorit.
Një lidhje e ngushtë e shkrimit akademik dhe letërsisë është shkrimi i një analize letrare. “Shkrimi akademik më ka ndihmuar për të strukturuar dhe zhvilluar një ide, e cila është e përbashkët në çdo disiplinë letrare. Shkrimet dhe botimet e para janë dy monografi dhe libri profesional “Këndvështrim mbi prefektin e qarkut”. Romani “Marina” është si një shpërthim ndjenjash të fshehura brenda meje si në gjendje të përgjumur që donin një ngacmim emocional të fortë. Fillimisht bëra një tregim. Bashkëshortja dhe vajzat tona u emocionuan dhe në kor thirrën, "bëje roman". Duke parë gjendjen time kritike për jetën nga një sëmundje e rrallë, që po më çonte drejtë fatalitetit, mua më ushtuan veshët sikur thanë, "Babi duam të na lesh një roman si kujtim". Pa u menduar gjatë thashë, "Po". Ato më bënë dhuratë një kompjuter, të cilën unë e konsiderova si konçesion për romanin.”, tregon ish koloneli për fillimet e tij shkrimtar i letërsisë aristike.
Një roman kërkonte më shumë ndjenjë, ngjyrim e harmoni rrethanash. Nuk do ishte me fjali standarde që fokusohen te kuptueshmëria e jo tek ndjenja. “Ndoshta, mendova do më ndihmojë fakti që hobi im është piktura, fotografia dhe poezia.”. Secila prej tyre shikon përtej realitetit. Fokusojnë momentin e papërsëritshëm ashtu si përzierja e bojërave në pikturë, të cilat kur i përsërit afrohen, por nuk janë identike. “Unë shkrimin e një romani e mendoja një frymëzim e jo ‘Babi bëj një roman’. E kisha përfytyruar të shkoja në një vend të qetë, që i përshtatet subjektit, për shembull në verandën e shtëpisë në fshat ku lulet, zogjtë, mjedisi i gjelbëruar, zgjimi me këngën e këndesit, lehja e qenit, troku i kalit e melodia zilekëmborë ishin një realitet dhe jo fantazi. E mendoja që herë pas here të ftoja miq që i doja me zemër në një gosti të thjeshtë dhe të këndshme para mishit mbi prushin e barbeque, një gote verë nën aromën e kulaçit që del nga afshi i furrës me dru. Nga të gjitha këto, unë thuajse nuk kisha gjë. Gjendja ime shpirtërore, pas diagnostikimit me një sëmundje fatale, gjendja fizike, e cila po shkonte drejt paralizës, ishin pengesa reale.”, thotë z. Bala. Ai thotë se krijoi një "buqetë" të përvojës jetësore të cilën e projektoi të qartë në koshiencën e tij. Nga ushtria mori vullnetin dhe imagjinatën, hobit e tij, pikturën, fotografinë, poezinë dhe përvojën e gdhendur jetësore. Nga funksioni i prefektit ai mori këndvështrimin social dhe nga vendlindja karakteret e personazheve. Buqeta dukej sikur i tregonte rrugën.
“Jam falënderues për vlerësimin e Akademikut Ali Aliu, i cili vlerëson se "Zgjedhja fabulare në romanin ‘Marina’, është një dëshmi narrative e qëndrueshme dhe vjen në frymën e mëtimeve për të qenë sa më origjinale. Autori rrëfen pa menduar kufijtë e strukturës romanore si dhe është i shkompleksuar nga konvencat. Është një roman që lexohet me ëndje deri në fund, me një histori dashurie që, transmeton vlerë duke u treguar si e një shkuar e mbyllur në dryn”., thotë autori për romanin e tij të parë. Romani “Marina” bazohet në histori të vërtetë. Ai mbështetet mbi analizën, "Të shkuarën që nuk e njohim, a duhet ta konsiderojmë? " ku ndriçimi i të shkuarës zbuloi një situatë komplekse, e cila gradualisht shkon drejt acarimit të skajshëm të dashurisë të dy të rinjve. Ajo sjell ndryshime dramatike, gjithashtu mundëson jo vetëm njohjen e të shkuarës, por hedh dritë edhe mbi shpjegimin e sjelljes dhe karakterit të personazheve. “Në faqen e parë paraqita një gjendje emocionale të rënduar të personazhit kryesor, e cila u qartësua në faqet e fundit. Mendova për metodologjinë e ndërtimit të një romani, llojin e narratorit që do të zgjidhja, mënyrën e ngritjes së konfliktit zhvillimit dhe zgjidhjes, periudha historike dhe politike, vendet, mesazhin që do të jepja, dialektin e trevave dhe doket e zakonet. Pemën e informacionit, që kam përdorur në ushtri për të projektuar zgjidhje e shndërrova në Pemën e librit si një udhërrëfyes. E vendosa veten në rolin e personazhit kryesor, në fillim të Shekullit të XIX dhe në psikologjinë e sjelljes së individit në kushtet ekstreme të presionit të sjelljes njerëzore.”, na tregon autori. Marina suksesin e ka në mënyrën e rreshtimit të ngjarjeve që krijojnë kërshëri, emocion e dramacitet. Është një ngjarje e mbyllur në dryn për tërë jetën. Dalja e saj prej "drynit" befason dhe përligj rëndësinë njohjes së të shkuarës për të kuptuar të tashmen.
Romani "Sikur ta dija”, lufto për jetën! Mos u dorëzo!
Romani "Sikur ta dija" bazohet në histori njerëzore ku personazhet kryesore, Roberti dhe Ana, përballen me një sfidë jetësore që u shkërmoq ëndrrat, por jo dashurinë. Romani ka një harmoni midis rrugëtimit profesional, dashurisë dhe sfidës familjare, duke përcjellë shpresë. Roberti, i ndodhur në qendër të vorbullës jetësore, bëri pjesë të tij mësimin, "Situata, mund të çojë në ndryshim dramatik të përjetimeve, por në çdo rrethanë lufto për jetën". Mos u dorëzo!”
Gjëndja shëndetësore konsiderohet temë tabu dhe si sekreti më i madh. “Unë vendosa ta bëj publike me mendimin e mirë për të transmetuar disa mesazhe shprese. Pikërisht romani “Sikur ta dija”, përçon një realitet përballje jo vetëm të pacientit por së pari të familjes. Jeta është e bukur. Ja vlen të luftosh për të edhe kur ndodhesh në kryqëzimin e saj. E rëndësishme është të mbash shpresën zgjuar, ku pas tunelit të mendosh se ka dritë apo i ndodhur në një stuhi detare, ka një far që orienton. Kjo është situata ime.”.
Romani "Sikur ta dija" është i veçantë jo vetëm për subjektin, por së pari për sfidën e të shkruarit. Ai është shkruar në kushtet shtrirë në krevat nga autori dhe i paralizuar. “Kam shkruar 430 faqe në tastierën e telefonit vetëm me gishtin e madh të njërës dorë, pasi gishtat e tjerë janë të atrofizuar.”, na tregon ai sekretin e suksesit të tij. Shkrimi i një romani, një poezie apo hedhja në telajo e një pikture në akrilik apo vaj është më shumë se një vepër artistike. Ajo ka të kristalizuar një histori të tërë apo një simfoni që i këndon sfidës dhe dashurisë për jetën. Njeriu në çdo rrethanë nuk duhet të ankohet për të pakthyeshmen por të luftojë për të mundshmen.
“Çdo njeri ka ose gjen një motiv për fillimin e ditës së re. Dikush shkon në punë, shkon në shkollë, në çerdhe e kopsht e të tjerët vrapojnë apo e nisin ditën me një kafe. Unë bëj atë që më ka mbetur. I gëzohem kur në jetë vjen një krijesë e re, mbesë apo nip, kur çel dita e re, një përqafimi të sprovuar në qëndrueshmërinë e tij, i gëzohem ciklit të një luleje, i gëzohem çdo dite.
Shkruaj nga krevati apo karroca me ndihmën dhe kujdesin e bashkëshortes dhe frymëzimin e vajzave tona.”.
Shkrimtari, kolonel Baki Bala ka dhe një pasion tjetër. Poezia është nostalgji që e çon atë në moshën e adoleshencës me përjetime impulsive që kanë lënë gjurmë. “Poezi shkruaj edhe tani, sidomos fabula. Shpesh pyes veten, “Pse poezia ka filluar të bëhet gjini letrare e dashur për mua? Përpara syve më del poeti Petrit Ruka, sikur zbret nga yjet, i cili ka thënë se proza planifikohet të shkruhet, ndërsa poezia lind në mënyrë të beftë nga një brengë apo emocion i fortë. Poezia është frymëzim i çastit. Këtu unë e gjej veten për të përjetësuar në vargje emocionet. Botimi im i radhës do të jetë libër me poezi, i cili do shprehë më mirë botën time të brendshme. Poezia ime i ka të gjitha shijet dhe ngjyrat, e cila nuk të vel, pasi të fut në mendime.”.
Comments