top of page

KOLLAZH TEMASH E NGJARJESH NËN NJË KUPOLË


KOLLAZH TEMASH E NGJARJESH NËN NJË KUPOLË



Izet Abdyli: “Udhëpërshkrimeve, rrëfimeve dhe tregime”, botoi “Armagedoni” – Prishtinë, 2022


Izet Abdyli, krijues produktiv në shumë zhanre të letërsisë, në publicistikë dhe kritikë letrare, nga veprimtaria e tij krijuese vjen me librin e radhës “Udhëpërshkrimeve, rrëfimeve dhe tregime”, ku sjell një kollazh temash me rrëfime e kujtesa nga ngjarje e situata të shumta; pastaj për kërshërinë e lexuesit, që ta thyej njëtrajtshmërinë e leximit, sjell edhe ditar e reportazhe nga udhëtimet në vende të ndryshme dhe, veçantë libri karakterizohet me tregimin, të lëruar kohë pas kohe, që këtu i ka përmbledhur në një kupolë të përbashkët.


Kujtesa si adhurim dhe realitet


Në shfletim të këtij libri takojmë mjaft shkrime interesante, që pasqyrojnë realitete të jetuara e të përjetuara nga vetë autori. Kështu, që në hapje, libri nis me një “Vizitë trojeve shqiptare nga Tetova në Voskopojë”, ku si do të sqarohet autori, takojmë biseda e veprime interesante “Për pleqtë e Tetovës, për bazamentin që e pret komandantin, për Drilonin, për shkollën e parë shqipe dhe qytetrimin e hershëm në Voskopojë”, të gjitha të takuara gjatë një vizite të përbashkët me miq e shokë, që të gjithë të interesuar ta eksplorojnë sa më shumë çdo pëllëmbë të atdheut për tu njohur nga afër me bukuritë natyrore, historinë shekullore dhe gjeografinë etnike. Në një reportazh tjetër do të sjell çaste të shumta nga vizita në disa nga vendet më të bukura të trevave shqiptare, që njihen për vlerat e shumëfishta, për turizmin, perlat natyrore; pastaj për ngjarje e heroizma, për trimëri e heronjë, si: Fushë-Kruja, Fishta, Shkodra, Razmi, Vërmoshi, Gucia, Vuthaj, Thethi, etj.

Nga mbresat e pashlyera të udhëtimeve të herëpashershme, autori do të fiksoi kujtime e pamje të shumta, për t’i transmetuar te lexuesi si vlera që duhet të shijohen, qoftë edhe përmes reportazheve të tilla. Kështu, edhe në “Reportazhin nga Stambolli” derisa po qëndronte për një vizitë studimore në Arkivën e Perandorisë Osmane, evokon kujtime të shumta nga qëndrimi i tij, atje. Ai sikur i ka dhënë vetes detyrë që të sjell sa më shumë pamje të bukura nga kujtimet dhe mbresat nga çdo vend që ka vizituar, qoftë nga kërshëria për t’i njohur në shumë aspekte, qoftë atëherë kur i ka rastisur të shkojë për ndonjë vizitë pune a udhëtimi zyrtar.



Në pjesën tjetër, te “Rrëfejzat nga fëmijëria”, Izet Abdyli do të sjell shumë kujtime nga ngjarje të ndryshme të asaj kohe, ku gjithçka kishte konotacione politike, qoftë edhe një fjalë a një këngë, të cilat përcilleshin në çdo hap nga pushteti, për t’i ndëshkuar pastaj “veprimarët” e atyre ngjarjeve. Të kësaj natyre janë rrëfimet: “Rroftë Enveri”, “Vjeshtë e parë gjashtëdhjetëetetë”, “Shpalosje kujtimesh të 11 marsit të vitit 1981”, “Kronikë e ditës 31 janar”, e sidomos kujtimet e trishta nga “Kujtesa e ditës 28 shkurt 1998”, ku në fillim të rrëfimit të tij, autori dëshmon: “Sa herë vjen data 28 shkurt para meje më shfaqen imazhet e trishta të barbarisë serbe në fshatrat Likoshan e Qirez të Drenicës. Si në një shirit filmik më rishfaqen skenat e tmerrit para dyerve të familjes Ahmetaj në Likoshan, gropat e mbushura me pellgje gjaku, dhëmbë të thyer e flokë të nxjerrura, pamje që të ngjethnin mishin e trupit”. Edhe shumë rrëfime tjera që nuk i cituam këtu, sjellin dëshmi, sa interesante, po aq edhe trishtuese, që në vazhdimësi të këtyre shënimeve me saktësi e kujtime të një kohe të mbetur thellë në kujtesën tonë, si kohë represaljesh e tmerri të pafund ndaj popullit, pasqyrojnë periudha të veçanta kohore, që tashmë janë bërë pjesë e kauzës sonë historike.

I sprovuar edhe në shkrimin e ditarëve, sidomos atë gjatë ditëve të luftës, autori edhe njëherë do të filloj me këtë “zeje”, por në një kohë tjetër, nga viti 2006, duke kujtuar kështu ngjarje e data të shumta nga aktivitete kulturore, nga përvjetorë të shënuar, etj. Ai këto “Fletëza ditari” do t’i filloi me datën 23 prill, në Ditën botërore të librit; pastaj do të përcjell me përkushtim rrjedhat e zhvillimit të manifestimit letrar, në kujtim të jetës dhe veprës së heroit Agim Ramadani, i pagëzuar me emrin ,,Muza e Agimit”, për të vazhduar me data përurimesh për libra të autorëve të ndryshëm, ditëbotime librash, që i vlerëson si data të rëndësishme, që për autorin krijojnë “një ndjenjë të veçantë”, sidomos dita kur i botohet libri i shtatë ,,Magjia e artit dhe fjalës”. Izet Abdyli në vazhdimësi shënon ngjarje e data për gjithçka arrinë të realizojë në të mirën e punëve dhe aktiviteteve që tashmë i janë bërë, jo vetëm pasion, por detyrë me prioritete të veçanta. Interesante është ecuria e blerjes së Kompletit të librave të Kadaresë, të cilin e përshruan në hollësi, e për kohën kur ia sjell lexuesit këtë informacion, ka një vlerë, që dëshmon se cili ishte interesimi dhe sakrifica për librin në ato vite.

Por jo vetëm këto. Autorin do ta preokupojnë edhe takime personalitetesh, krijues e veprimtarë të tjerë, ngjarje të cilat i bënë pjesë të një date të shënuar në këto “Fletëza ditari”, ndër të cilët veçohet takimi me shkrimtarin erudit, Adem Gashin, në një rast të veçantë, që më vonë do ta zbulonte vetë lexuesi.

Assesi nuk mund të anashkalohen edhe ngjarje të tjera, që kohëve të fundit rrjedhin njëra pas tjetrës si skenarë të paraplanifikuar. Përballjen me një ngjarje të këtillë do ta përjeton edhe vetë autori, për të kaluar pastaj peripeti të shumta në mposhtjen e COVID–19, të cilat i shënon me përpikmëri deri në ditën e “çlirimit” nga ky armik i padukshëm dhe shumë i rrezikshëm, që i solli botës jashtëzakonisht shumë probleme, humbje jetërash të njerëzve e shqetësime të mëdha gjithandej nëpër botë.


Tregimi në frymën e realiteteve të jetuara


Në këtë përmbledhje me laryshi temash e kujtimesh do të takojmë edhe tregimin, që herëpasherë e kultivon, Izet Abdyli. Me interesim është të mësohet se, çdonjëri nga tregimet e tij sjellin tema e ngjarje të veçanta, që nga “Alma”, “Katër jetë për katërqind”, “Loja e të shëmtuarve”, “Rrëfimet e mixhës për mollën e kuqe, gurin e shpuem e hudutin”, “Si e gjeta vëllaun pas 24 viteve”, “Betimi i Avdyl Agës” e deri te “Shqetësimi i poetit”, që flet për qëndrimin e shkrimtarit shqiptar në shtëpinë e shkrimtarit të madh gjerman Henri Bell. Ngjarjet dhe situatat që zhvillohen aty do të kuptohen pastaj gjatë rrugëtimit nëpër këtë tregim, që veçohet për tematikën që shtjellon.

Vlen të theksohet se tregimi i Izet Abdylit, ndonëse i paktë në numër, për më shumë kap tema e ngjarje të veçuara, që herëpasherë do ta kenë provokuar intuitën krijuese të tij, duke e përvetësuar shtjellimin me saktësi, për aq sa bëjnë të kuptohen si ngjarje të jetuara në kohë. Në përgjithësi tematikat që trajtohen në tregimin e kësaj përmbledhjeje janë prodhime që kujtojnë ngjarje të vërteta, të veshura me petkun letrar, ku shquhen për rrjedhshmëri gjuhësore dhe paisje me imazhe të hapësirave ku zhvillohen ngjarjet, për të ruajtur kështu autenticitetin dhe frymën e shtjellimit.

Kjo paraqitje e nduarndurshme shkrimesh përmes reportazheve, rrëfimeve, fletëza ditarësh e krijimeve prozaike, përbëjnë një mozaik të larmishëm ngjarjesh, që të vendosura nën një kupolë të vetme, paraqesin një kollazh të mirëkompomuar temash e ngjarjesh, që thyejnë monotoninë e lexuesit duke e “hedhur” shtigjeve të befasishme tematiko-motivore, deri në kënaqësi leximi.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page