KOKA TË PRERA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 1, 2023
- 1 min read

Hormovë, o skenë e tragjedive
Eskilin zgjon nga mijëvjeçarët
Po ç'gjak virgjin u merr fëmijëve
Në ç'dramë e ç'akt i shfaq barbarët?
Endet me kokë të prerë nën sqetull
Një burrë-fantazmë, mbi pellgje gjaku
Një thikë të ngulur mban në vetull
Shkretim e terr ka lënë te pragu.
Një foshnjë e grirë nga bajoneta
Me klithma shpirti buzë një honi
As vend për varr s'i fali jeta
Vdekjen-dhuratë ja sjell gjitoni.
Dhe zoti vetë u fsheh tmerruar
Mbërthyen Krishtin prapë te kryqi
Evropa hesht, se është verbuar
Golgota pret të bëhet gjyqi.
Një zemër varur te altari
Derdh gjak shqiptar e spërkat hënën
Rënkojnë eshtrat, s'i mban varri
Qyqet në brinjë vajtojnë gjëmën!
P.S: Homazh viktimave te barbarisë greke.
Hormovë, 29 Prillit 1914.
Komentáře