KOHA PËR NJË KUVEND TË RI KOMBËTAR


Gjokë Dabaj

Kryetar i Institucionit Kulturor Kombëtar

“Përkujdesja Gjithshqiptare”


KOHA PËR NJË KUVEND TË RI KOMBËTAR,

ORGANIZUAR PREJ TË PASURVET TANË


Të gjithë kuvendet e rëndësishëm të kombit arbëror e shqiptar i kanë organizuar e udhëhequr të pasurit e këtij kombi, në bashkëveprim me inteligjencën dhe me popullin e vet. Sa herë janë bashkuar atdhedashuria, pasuria dhe dituria, kombi ynë ka dalë fitues.

Kuvendin e Lezhës, më 1444, e organizuan feudalët liridashës të asaj kohe... dhe bënë histori! Hynë lavdishëm në historinë e këtij kombi. Më 1601-1602 u mbajt në Mat Kuvendi i Dukagjinit, në qershor 1878 u mbajt Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, në nëntor 1878, nën kryesinë e Iljaz Pashës, u mbajt Kuvendi i Dibrës; në qershor 1880 u mbajt Kuvendi i Dytë i Frashërit, në korrik 1880, Kuvendi i Gjirokastrës e në janar 1899, Kuvendi i Pejës, organizuar e udhëhequr nga Haxhi Zeka. Kuvendi i Junikut u mbajt nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës e Bajram Currit. Më 28 nëntor 1912 filloi punimet Kuvendi Kombëtar i Vlorës, nën drejtimin e Ismail Qemalit, i cili e shpalli Shqipërinë të lirë e të mosvarme.

E përsëris edhe njëherë: Të gjithë këta kuvende janë vepër e arbërvet e në vazhdim e shqiptarëvet të pasur. Organizuesit e të gjithë këtyre kuvendeve, me rëndësi jetike për kombin tonë, kanë qenë të pasurit tanë, të përkrahur, deri në sakrificën më sublime, prej të gjitha shtresave të kombit tonë, brenda dhe jashtë atdheut.

Sigurisht, nuk mjaftonte që ata dalëzotës të kombit tonë të ishin të pasur, por duhej të ishin edhe të ditur dhe sidomos të lidhur shpirtërisht me mëmëdheun. Kështu, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka qenë një ndër njerëzit më të ditur të kohës, një rilindës evropian i kompletuar me të gjitha njohuritë e epokës së vet, Renesansës Evropiane. Në kohën e Rilindjes Kombëtare shqiptare (një epokë tjetër kjo e të rilindurit), Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, ishin gjithashtu njerëz shumë të ditur dhe i kishin në krah Sami Frashërin, Pashko Vasën, Naim Frashërin, dom Nikollë Kaçrrin, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën. Por as organizuesvet të tjerë të kuvendevet që i përmenda, si Sylejman Vokshit apo Isë Boletinit e Dedë Gjo Lulit, nuk u kanë munguar as dituritë, as virtytet. Prandaj dhe u gjendën në krye të kombit, kur i kërkoi historia.

As në kohën e sotme nuk është e thënë që secili shqiptar i pasur të jetë i kompletuar me erudicionin, me gjithëdijen, e cila është e domosdoshme për ta kuptuar kohën në të cilën jetojmë. Por kombi shqiptar i kohës sonë ka një inteligjencë, një armatë intelektualësh, numerikisht më të madhe se kurdoherë më parë. Kështu që të pasurit e kohës soë, edhe në mos e paçin erudicionin e nevojshëm, sepse ashtu i nxorri koha, kanë mundësi njerëz të ditur aq sa asnjërin prej tyre të mos e lënë për të humbur në rrugë të gabuara.

Pra, janë kushtet që klasa jonë e kapitalistëvet të rinj, së bashku me shtresën jo të pakët të inteligjencës sonë, të kryejë, edhe kjo, si paraardhësit tanë, vepra të mëdha në të mirë të kombit. Kur bashkohen pasuria me diturinë, bëhen mrekullira!

Është koha, madje jemi të vonuar, kur, para kombit tonë duhet të shtrohen për t’u zgjidhur një varg problemesh nga më madhorët. Të mblidhen të pasurit tanë, bashkë me intelektualët, dhe të rrahin mendimet, jo në mënyrë meskine, por me zemër të hapur dhe me synimin për ta nxjerrë kombin nga kolapsi. Për t’ia hequr, me vendosmëri, epitetin që i është vënë edhe për fajin tonë, si kombi më i prapambetur në Evropë!

1.Duhet në radhë të parë të sqarojmë ç’quajmë dhe ç’duhet të quajmë Shqipëri! Këtu jemi për faqe të zezë dhe këtu fajin e kemi ne inteligjenca shqiptare!

2.Ç’duhet të bëhet, që hapësirat shqiptare të mos boshatisen kaq tragjikisht prej shqiptarësh?! Ç’masa duhen marrë, jo me fjalë, jo me agjitacion, por me programe konkretë, që zonat tona rurale, bartëse dhe ruajtëse shekullore të identitetit tonë, të ripopullohen?! Ç’duhet bërë konkretisht, me mënyra efikase e jo vetëm me fjalë, që në qytetet tanë, të mos predominojnë pleqtë, por të lindin e të rriten fëmijë, jo duke dëshiruar për të ikur këndej sa më parë, por duke dëshiruar që jetën ta kalojnë në vendin e vet, ndërsa botën ta njohin, jo duke ikur nga atdheu, por duke shëtitur herë në njërin, herë në tjetrin kontinent dhe duke u kthyer sërish këtu te rrënjët e gjyshërvet.

3.Është hedhur ideja për bashkimin në një shtet të vetëm të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Sërbia është hedhur përpjetë dhe ka vënë “veton” e saj. Ka thënë që kurrë nuk do ta lejojë një bashkim të tillë. Kush vendos këtu për fatin e shqiptarëvet?! Sërbët apo shqiptarët?!

4.Sërbia po përpiqet t’ia zhvatë Republikës së Kosovës edhe një copë tjetër të tokës shqiptare, Leposaviqin, Zubin Potokun, Zveçanin. Ky problem, a është vetëm i shqiptarëvet të Kosovës, apo është problem i të gjithë shqiptarëvet?! A kanë të drejtë shqiptarët e Republikës së Kosovës të vendosin për fatin qoftë edhe të një cope të vogël të tokës shqiptare, pa pyetur Tiranën, Tetovën, Shkodrën, Korçën?!

5.Qeveria e Republikës së Greqisë po bën negociata me qeverinë e Republikës së Shqipërisë lidhur me kufijtë e detit. A ka të drejtë qeveria e Republikës së Shqipërisë të vendosë për kufijtë e detit, pa pyetur Republikën e Kosovës dhe shqiptarët e Republikës së Maqedonisë Veriore? Çështja e kufirit detar midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, po thonë, i është dërguar për gjykim Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Por Gjykata e Hagës, në këtë rast, a do ta trajtojë problemin si kontest midis shtetevet apo do ta trajtojë problemin si kontest midis dy kombeve? Shqiptarët e Ulqinit, për shembull, apo shqiptarët e Kumanovës, a duhet dhe a mund të rrinë indiferentë ndaj mënyrës se po vendoset kufiri detar midis këtyre dy shteteve?!

6.Gjendja e shqiptarëvet në Luginën e Preshevës është në përkeqësim të vazhdueshëm, me synimin për të ndodhur edhe këtu siç ka ndodhur në Vranjë, në Leskovc, në Toplicë, apo në Sanxhak. Do të ishte e pafalshme për kombin tonë, që ta lejojë sërbizimin edhe të kësaj pjese të Shqipërisë Verilindore.

7.Gjendja e shqiptarëvet në Plavë, në Podgoricë dhe në Tivar është aq e panatyrshme, aq e rëndë, sa shteti malazias, sado që konsiderohet shtet mik i dy shtetevet shqiptarë, po i tjetërson ata, duke i shndërruar në një masë amorfe, ku, sidomos të rinjtë mos të dinë tashmë as çka janë dhe as ç’kanë qenë të parët e tyre.