top of page

Koha ndryshe me protagonistët e kësaj fotografie


Koha ndryshe me protagonistët e kësaj fotografie

Prof Dr Fatmir Terziu


Në këtë fotografi:


Rrjeshti i parë, nga e majta në të djathtë:

Pajtim Halit Selimaj, Fatmira Sefedin Hasani, Avni Osman Sinani, Nadire Shaziman Kamberi, Nasir Hysen Cenaj, Ajet Qamil Sinani, Mehdi Qemal Kamberi.

Rrjeshti i dytë, nga e majta në të djathtë:

Lirie Refat Abazi, Fatmir Dail Terziu, Bashkim Ahmet Alla, Emine Zyber Sinani, Hatixhe Xhelil Koçi, Vjollca Xhevahir Çadri, Bashkim Hakit Xhelili, Sabedin Izet Kamberi, Ylber Xhemail Kamberi,

Rrjeshti i tretë, nga e majta në të djathtë:

Fevri Abdush Elezi, Avni Asllan Hazizi, Xhevahir Ramadan Ibushi, Mësuesi Mustafa Hasan Sinani, Fiqirete Menduh Rama, Ilmi Ramiz Cenaj, Hamdi Jusuf Hoxha.


Mësues: Mustafa Hasan Sinani.



Sot të gjithë këta protagonistët te kësaj fotografie të shkrepur në muajin qershor të vitit 1973, po i afrohen të gjashtëdhjetave. Të gjithë kanë krijuar familjet e tyre, ndoshta të gjithë kanë nipër e mbesa, që i përkëdhelin dhe i përcjellin me mesazhet e kohës nëpër dyert e shkollave të ndryshme. Ndoshta mjaft prej tyre janë larg Atdheut, ndoshta disa gjenden në dyert e institucioneve ku fliten gjuhë të tjera, por ata në këtë memorje janë ende ata, që ishin në atë kohë fëminore, të dashur e të ndjeshëm ndaj pasioneve që u kishte shkruar fati dhe jeta.

Kjo fotografi është fiksuar nga mjeshtri dhe i apasionuari i fotografisë, mësuesi dhe drejtuesi i shkollës fillore Trebisht Bala, në zonën e Gollobordës, Ismail Nuredin Sinani. Fotografia u realizua në një mjedis të gjelbër. Ishte muaji qershor dhe po i vinte fundi mësimeve të klasës së tretë të kësaj shkolle. Sikurse shihet të gjithë nxënësit ishin lajmëruar dy-tre ditë më parë për realizimin e kësaj fotografie. Sipas rregullores së asaj kohe duhej që të gjithë të kishin në qafë shallin e kuq të Pionierit dhe të gjithë të kishin veshur rrobat më të mira, që prindërit ua mbanin për ditë festive fëmijëve të tyre të dashur. Kështu me një parapërgatitje, natyrisht për të marë seriozitetin e një memorjeje të kohës për kohërat, fotografia duhej të fiksohej me një përqëndrim të të gjithëve në fokusin e aparatit fiksues. Normalisht këshilla ishte që të ishim të buzëqeshur, të shfaqnim sa më shumë kënaqësi, sa më shumë gëzim. Nuk e di pse kjo nuk shikohet aq shumë(?!) Nuk ndjehet aq fort në këtë fotografi, që ndoshta është e vetmja që kam mbajtur me shumë kujdes nga koha ime fëminore në atë rikthim të prindërve të mi të shtrenjtë nga Poliçani i Skraparit, ku kishim banuar për disa vjet dhe kishim ngritur shtëpinë tonë dykatëshe atje.

Ishte pra, koha kur prindërit e mi të shtrenjtë ishin larguar nga Poliçani i Skraparit, dhe ishin kthyer pranë gjyshërve të babait, me atë qëllim të mbajtur në memorjen time si një dashuri e djalit për prindërit, me qëllim që të përkujdeshin sa më shumë për ta, pasi ata nuk dëshironin që të jetonin atë kohë në qytet. Kështu më ishte thënë atëherë, kur lëvizëm dhe paketuam rrobat e ngarkuara në një makinë „Skodë“ tipike të kohës. Dhe ja tani isha në mesin e kësaj fotografie, në mesin e këtyre protagonistëve që u bënë shokë dhe shoqe me mua dhe udhëtuan në memorje.

Sidoqoftë unë isha më i vogli në moshë nga të gjithë ata që bëjnë numrat në këtë fotografi, por isha një nga ata që dalloja me gjuhën time për arsye se unë kisha pasur kontakte më të mëdha me Gjuhën e bukur shqipe. Ndërsa kjo ishte një arsye që më bënte të ndjehesha mjaft këndshëm në këtë mjedis, ana tjetër ishte se ne sapo kishim marë fatin që të kishim një mësues mjaft të ri në moshë, një djalosh të asaj kohe, mjaft të përqëndruar e të dashuruar me mësimdhënien, edhe pse ai nuk kishte kualifikim të duhur për të qenë mësues, si mjaft të tjerë në fakt, që u përgjigjeshin kërkesave dhe domosdoshmërive të kohës. Ai vazhdonte të kualifikohej ndërkohë, dhe dukej sikur kishte mbaruar shtatë fakultete, me atë aftësi dhe përkushtim që zotëronte në mësimdhënie. Ishte i qetë, i thjeshtë, i gatshëm për të ndihmuar dhe një model përkushtimi më vete.

Mustafa Hasan Sinani, kishte fatin të ishte mësues, pasi kishte qenë një nga nxënësit më të mirë të shkollës emërmadhe, që kishte prodhuar me dhjetra e dhjetra kuadro e njerëz të aftë për kohën. Mustafa Hasan Sinani, sikurse të tjerët e quanin shkurt e me përkëdheli, Muçi, gëzonte një respekt të gjerë. Ai ishte mjaft i dashur me të gjithë, me kolegët e tij, po ashtu dhe me nxënësit e tij. E kështu dhe ne ia shpërblenim me një përkushtim mjaft të devotshëm, me një dashuri për mësimin e bukur në Gjuhën Shqipe, ku në fakt në kohën që na mësonte ai kishim fituar disa konkurse në rang shkolllash, zone dhe madje dhe më tej.

E deshi rasti i kësaj fotografie që të bëj këtë ndalesë të domosdoshme, mjaft të nevojshme për të ritreguar udhën e bukur të dijes, udhën që më shpuri në këtë stad ku jam sot, i dashuruar me çdo sekondë që rrahu për Atdheun tim të dashur, me të gjitha grimet dhe grimcat e kohërave dhe kohës që u mbajt strukur për asrye që lidheshin me një fat të keq për gjyshin tim nga mamaja, i cili kishte qenë i dënuar me burgim politik nga sistemi monist, i cili nuk dëshironte që të ishe në të drejtën tënde, në lirinë e të drejtën e shprehisë së lirë. Dhe pse? Thjesht sepse në Elbasan, atje ku ai kishte punën dhe shtëpinë kishte thënë në një mjedis të hapur se nuk ka sa duhet patate, nuk ka mish, nuk ka…dhe vetëm kaq e ai do të vuante dënimin që sistemi i asaj kohe ta jepte menjëherë. Por ky dënim për të ishte dhe një udhëkeqësi dhe për ne, edhe për ne brezin tjetër, që atëherë nuk e kuptonim se çfarë do të thoshte.

Sidoqoftë në një udhëjetë të tillë, natyrshëm prindërit, falë zgjuarsisë së tyre, mençurisë dhe dashurisë për ne kurë nuk na e treguan vuajtjen dhe kusurin e kësaj udhe, por na këshilluan gjithnjë të mësonim dhe të ishim model, shembull në shkollë e kudo, madje gjithnjë më thoshin, „kazmën dy metra e keni gati pas derës!“. E unë zgjohesha me ëndrra që ndonjëherë ishin mjaft të frikshme. Por jo të gjitha ishin të tilla, kishte dhe ëndrra të mira. E mbaj mend kur falë aftësisë dhe rezultateve të mia, të dilja përpara të gjithëve e të bëhesha Komandant i Çetës së Pionierit në një moshë të vogël, por dhe të dëgjoja edhe pëshpërtitjet e korridoreve që thoshin, „mos na thonë gjë që e vendosëm atë?!“. Këto pëshpëritje ishin edhe hije. Ishin edhe e kundërta e tyre. Ishin më shumë përkushtim. Dhe unë bleja libra, lexoja „Djemtë e rrugës Pal“, librin tim të parë, për hir të së vërtetës që e kisha blerë fshehurazi, gjatë një konkursi zonal, në Librarinëe Klenjës.

Sidoqoftë le të kthehemi tek vlerat e kësaj fotografie dhe ajo që është më e sinqerta tek ai emër aq i fiksuar në memorjen time, tek ai mësues aq i përkushtuar dhe mjaft i denjë për të merituar respektin e nxënësve dhe kolegëve të tij, tek mësuesi Mustafa Hasan Sinani. Pse e them këtë? Pse rikthehem tek kjo fotografi? Pse bëjmë fotografi? Për të kapur momente të rëndësishme dhe për të ruajtur kujtimet për veten? Sigurisht, por zakonisht fotografitë bëhen edhe për t'u shpërndarë. Por çfarë shpresojmë të arrijmë ose të arrijmë duke ua treguar fotografitë të tjerëve? Kujdes? Admirim? Respekt? Një nxitje për vetëvlerësimin tonë? Këto sugjerime mund të duken si narcisiste, por për mendimin tim fitimi i kapitalit social është shpesh një nxitje themelore për të bërë fotografi dhe për t'i ndarë ato. Unë do të argumentoja se aspiratat për të ruajtur kujtimet dhe për të ndërtuar identitetin social kanë qenë pjesë e fotografisë së përditshme për aq kohë sa ka ekzistuar, por dhe për fatin e mirë se kishim dhe një mësues të ri e mjaft vizionar, që na e bëri këtë si shenjë përjetësie në memorje.

Tashmë në mesin e kohës kur të gjithë janë me celularë në duar e me rrjete sociale në të gjitha anët, nuk janë më si dikur, si atëherë kur njerëzit që mund të përballonin pak luks, shkonin në studio për të marrë portretet e tyre individuale, ose familjare. Këto foto do të ishin kujtime për brezat e ardhshëm dhe gjithashtu do të fitonin kapital social për pronarin, pasi thjesht fakti i realizimit të një fotografie ishte një shenjë pasurie. Ai, që kishte mudësinë dhe pasionin e fotografive, natyrisht i paharruari Ismail Nuredin Sinani, frymëzoi njerëzit të krijonin kujtime të jetës së tyre të përditshme përmes fotografimit. Njerëzit mblidhnin momentet e jetës së tyre në një album dhe ua tregonin miqve dhe të njohurve, ndoshta për të formuar perceptimin e njerëzve të tjerë për veten e tyre ndër të tjera. Përpjekja për t'u shprehur dhe paraqitur në një dritë të favorshme ka qenë gjithmonë pjesë e fotografisë së përditshme, shumë përpara mediave sociale dhe identiteteve online.

Në kohën tonë, karakteristikat e fotografisë së përditshme kanë ndryshuar në mënyrë drastike për dy arsye kryesore. Së pari, përmes kamerave të telefonave inteligjentë, fotografitë janë bërë një gjuhë e zakonshme, të cilën e flasin pothuajse të gjithë, dhe natyrshëm të gjithë ata protagonistë në këtë fotografi, të cilën e kam mbajtur dhe restauruar me kujdesin më të madh, sot kanë pamje të tjera, kanë pamjen emoshës dhe viteve, kanë dhe ndoshta modelin e fikssimit ndryshe. Thënia e vjetër "një fotografi vlen sa një mijë fjalë" përshkruan mirë se sa e pasur dhe intime mënyra e komunikimit mund të krahasohet fotografia me gjuhën e folur ose të shkruar, ndaj kjo fotografi është ndoshta dhurat më emirë që unë u kam dhënë të gjithë këtyre që janë protagonistët e asaj kohe në fotografinë bardhë e zi, të cilën unë e kam kthyer me ngjyrat dixhitale. Kët ma ka mundësuar përkuhstimi im, lehtësia e ndarjes së fotografive në mënyrë dixhitale, që përmes platformave të mediave sociale e ka shndërruar fotografinë në një mjet komunikimi të përditshëm. Le të shërbejnë këto fjalë, dhe kjo fotografi si një përshëndetje për të gjithë ata, dhe për ju të gjithë miqtë e mi.

106 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page