top of page

"Kohë për Muzg" fragment Pjesa e fundit 23


Aleko Likaj

"Kohë për Muzg" fragment Pjesa e fundit 23

Kapedan Gjika erdhi e u shfaq sërish në Kështjellë... I tha Bardhelës se Gjergj Aleksin e Bardin e Shpend Ujëmirit i i kishte dorëzuar shëndoshë e mirë tek Kryezonja Donikë, në kështjellën e Barletës atje, përtej detit në tokën e miqve të tyre. Porosia kishte shkuar në vend.. Kaq u desh që kapedani të qetësohej dhe ta konsideronte të përfunduar porosinë e amanetin e një gruaje të mbetur e ve. - E rëndësishme është që skica, së bashku me lajmin e aksionit, është tashmë në duart e Skënderbegases. Ajo e ka të qartë se do të dijë ku t'i kërkojë dhe do të jetë e qetë këtej e tutje, se askush nuk do t'i shkatërrojë e shpërndajë eshtrat e të shoqit, që bëri histori për Arbërinë tonë të vogël, duke i bërë ballë sulltanëve osmanë, që erdhën me hekur e zjarr, që nga Azia, – i tha vetes, sikur donte të shkarkonte nga supet një peshë të madhe që e mbante në harkun e tri viteve. Kryezonja i kishte thënë kapedan Gjikës, se do të ishte shumë e lumtur që ta priste Gjin Bardhelën atje, me qëllim që t'i shërbente si më parë. Dy ditë e dy netë nuk vuri më gjumë në sy. Kuptoi se ishte ende i rëndësishëm për familjen e Kastriotëve, edhe përtej detit. Ftesa tashmë i kishte mbërritur. Por këtë nuk do ta bënte si dezertor duke u larguar si hije. Shkoi të nesërmen tek Princ Leka dhe i tregoi për ftesën që kishte mbërritur nga bregu tjetër. - Dëshiroja që të të kisha pranë në këto momente që po përjetojmë që të gjithë, edhe me këto mosmarrëveshjet e mosdakortësitë tona. Ta njoh trimërinë, por edhe ta di të shkuarën për shërbimet dhe besnikërinë që ke treguar si luftëtar i devotshëm pranë Gjergjit e familjes së Kastriotëve, ndaj meqenëse zonja Donikë të kërkon, nuk do të isha kundër asnjëherë, pavarësisht nga ndihma që do të jepje këtu dhe që unë e çmoj dhe e vlerësoj së tepërmi. - Lekë Dukagjini u kthye përballë Gjinit. Dukej që e kishte një shqetësim. - Në një vend të huaj si atje, edhe pse midis miqve tanë të besës dhe të zemrës, shërbimi yt në këtë rast, do të ishte po kaq i rëndësishëm, sa ai që do të bëje këtu. Pas kësaj Bardhela gati sa nuk fluturonte. U bë me krahë dhe iu duk vetja, sikur ishte mbi det, si një zog i stërmadh me krahët hapur. Do të takonte Marën dhe djalin e vogël që tashmë ishte rritur ca. Malli e kishte sfilitur gjithë këtë kohë, por nuk mundej të shkonte pranë tyre, sepse kishte detyra si luftëtar, por edhe si mëmëdhetar. Vendosi të merrte edhe Nikun me vete, të cilin nuk e ndante asnjë hap, që nga momenti, kur kryen amanetin e familjes se kryeheroit. Nuk donte të rridhte informacioni. I druhej, se pa dashur ai mund të shprehej diku. Aty edhe muret tashmë kishin veshë. Arbëria gëlonte nga gjithfarë spiunësh të Sulltanit, herë si dervishë dhe herë si tregtarë aziatikë e venecianë, që shërbenin si formacione të vogla luftarake që kishin zënë vend jo vetëm në jug e lindje, por edhe përqark Krujës e brenda Durrësit. Ishte edhe një marrëveshje me venecianët që e qeverisnin prej shumë kohësh, që në periudhën e Skënderbeut. Sulltani u kishte lënë dorë të lirë për çështje tregtie. Ambasadori Sforca që ishte vënë në dijeni nga vetë princi, e njoftoi së të dielën e fundit të muajit do të vinte me mall një anije nga portet e Pulias, në emër të disa tregtarëve durrësakë, që ishte planifikuar si ndihmë për kështjellarët e Krujës. I duhej të priste edhe dhjetë ditë.

24

Osmanët mësynë befasisht për të marrë kalanë e Petrelës. Kishte qenë një formacion luftarak veshur me rroba civile, që kishin planifikuar të zaptonin kështjellën e ngritur dukshëm në majë të një shkëmbi. Në fillim i ishin qasur në fshehtësi portës në fund, tek këmbët e masivit shkëmbor dhe kishin mundur befasisht të thernin tri roje e dy luftëtarë të tjerë arbërorë që erdhën nga brenda në ndihmë të viktimave. Pastaj një grusht aziatikësh filluan që të ngjisnin shkallët duke iu ngjitur shpatit, por ndërkaq zbritën nga brenda kalasë mbi një duzinë luftëtarësh arbërorë që i ndalën. Të tjerë osmanë u shfaqën aty. U futën nga porta. Këtë herë ishin të veshur si dervishlerë dhe ngjitën shkallët duke bërë lutje për shpirtin e të rënëve. Kur mbërritën përballë arbërorëve, zhveshën jataganët gjysmë të harkuar e nisën sulmin. U thyen. Njerëzit e kështjellës zbritën deri poshtë ku ishte porta e madhe hyrëse... Kalaja e Petrelës ishte pronë e Mamicës, motrës së vogël të Skënderbeut. Ajo kishte jetuar aty që pas vdekjes së Princ Muzakës, të shoqit të saj të vrarë në betejën e Beratit nga turqit që e zaptuan tradhtisht. Ishte një pikë që zotëronte gjithë fushën deri përballë kryekështjellës së Krujës. Planet ishin bërë që do të vinin e do të mblidheshin aty një aradhë osmanësh, për ta mbajtur si përforcim për betejën e tyre të ardhshme, që pritej të drejtohej nga vetë Sulltan Mehmeti. Por ai formacion luftarak dështoi. U duk sikur ra qetësia dhe u vendos rregulli. Por nuk do të ishte kështu. Të nesërmen, pa zbardhur dita, përsëri osmanët u shfaqën para portës së poshtme. Këtë herë me ulërima ngjethëse dervishlerësh që çanë ajrin e natës. Vesonte. Kjo nuk do t'i pengonte sulmuesit e atij mëngjesi.. Ishin gati pesë a gjashtë dyzina njerëzish, që me lutje në gojë, erdhën e ngjitën shkallinat deri pranë portës kryesore atje lart. Nga muret e gurta, kështjellarët u hodhën zjarre e zift të shkrirë e gjithçka poshtë u ndez. Njerëzit poshtë përpëliteshin për të gjetur vend, që të shuanin flakët. Disa syresh u përplasën nëpër shkëmbinj, në atë pjerrësi të thiktë, në përpjekje për të shpëtuar nga lëngu i zi që u digjte trupin. Lëshonin britma e thirrje përdëlluese për shpëtim. Pjesa që mbeti, zbriti shkallinat dy e nga tre dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, u gjetën jashtë poshtë masivit shkëmbor Dukej sikur fluturonin. Nga kështjella dolën luftëtarë që i ndoqën me shigjeta e shpata, duke mos lënë askënd që e ndeshnin nëpër shkallinë në ikje e sipër. Brenda pak kohësh gjithçka përfundoi me turp për njerëzit që kërkuan të sulmonin kështjellën. Baton Zhëllima, komandanti i kështjellës, në mesditë, ndërsa inspektonte të plagosurit e kalasë që nuk ishin më shumë se gishtat e dores, u çudit që të rënët ishin më tepër. - Nga dolën e mbinë si këpurdhat pas shiut, gjithë kjo turmë osmanësh?! Nga erdhën e si u shfaqën këtu në zemër të Arbërisë dhe si guxuan?!

25

Çasti erdhi. Mbërriti më shpejt nga sa e kishte menduar e parashikuar më parë Kapedani. Një nga ndihmësit e ambasadorit Sforca e njoftoi Gjin Bardhelën se anija nga Pulia kishte mbërritur në port mëngjesin e një dite më parë. Në darkë, e shumta të nesërmen në mëngjes, duhet të ishte aty. Në mbrëmje ajo merrte rrugën e kthimit.. Ishtë biseduar gjithçka për të e mikun e tij, me të cilin do të udhëtonin drejt brigjeve të tyre. Kaq. Kapedani ishte gati. Jashtë kishte filluar vapa e një fllad i lehtë mëngjesor që kishte nisur të frynte dy orë më parë, nuk kishte mundur që ta shuante dot atë. Bardhela shkruajti shpejt një letër për Princ Lekën dhe ia dha Plakut Balë që t'ia dorëzojë. Dukagjini nuk ndodhej në kështjellë, por ai nuk mund të ikte pa e njoftuar e përshëndetur kryekomandantin e luftës. Me Nikun morën kuajt e zbritën poshtë. Pastaj u nisën fluturim. Toka lëvizte poshtë thundrave të kafshëve me një shpejtësi marramendëse. Kur dolën në fushë, ndaluan. Njeriu i oborrit të Napolit e kishte paralajmëruar Bardhelën se turqit kishin zënë vend rreth qytetit e kontrollonin gjithçka, hyrjet dhe daljet. Këshilla e tij ishte se duhej të provohej zona e veriut. Mund të ishte më lehtë prej andej. Por kapedanit do t'i duhej të shkelte në Ishëm, pranë lumit, ku kishte një mik të tij. Sipas planit të bërë disa ditë më parë, Gjini kishte çuar aty dy veshje dervishësh, me të cilët do të maskohej, që të futej në qytet. Miku ishte i hershëm, që nga periudha, kur kapedani shkonte shpesh për Skënderbeun në kalanë e Kepit të Rodonit. E kishte, herë pas here, pjesë të skuadrës së tij. Mirëpo, jo çdo gjë shkoi ashtu. Atëherë, kur s'e priste, tre osmanë që dolën befasisht, i shigjetuan nga pas. Të dy luftëtarët morën plagë në shpatulla, por ritmin e revanin nuk e ndalën, edhe pse kuajt kishin filluar ta ndjenin lodhjen. Nga pas osmanët u vunë në udhë për t'i kapur. Bardhela me Nikun e Murashajve u fshehën në një cep të pyllit, ndërsa ndjekësit vazhduan rrugën për më tej. U zbritën kuajve dhe zunë vend pas disa rrepeve të mëdhenj shekullorë. Kontrolluan plagët. Përgjysmuan shigjetat duke i këputur në mes, por nuk i hoqën dot. Ndërkaq ndjekësit u kthyen, por kaluan vërtik majë kuajve, për të shkuar aty, ku eprorët i kishin caktuar për t'u zënë pritë njerëzve që hynin në qytet. Kuptohet që e kishin ndarë mendjen, se dy viktimat e tyre u kishin shpëtuar, edhe pse mendonin se nuk do të shkonin larg, për shkak të shigjetave që ua kishin nisur nga pas. Dita kishte filluar të thyhej e plagët në trupat e trimave ishin rënduar. Kapedani propozoi që të niseshin e të shkonin pa humbur kohë tek Kepi i Rodonit. Mund të merrnin edhe ndihmë mjeksore aty e pastaj gjatë natës të tentonin të futeshin në Durrës nga ana e veriut, pa rënë në sy. Mëngjesi duhej t'i gjente në port. Me vete morën edhe rrobat e dervishëve, ndonëse mikun nuk e takuan dot në shtëpinë tij. Dy gratë që gjetën aty, u thanë ta prisnin, por koha nuk mjaftonte më. U dhanë me vete disa ilaçe që përdoreshin për plagë të tilla. Në kështjellë u shfaqën pa filluar perëndimi, ndonëse dita ishte në të ikur. Kapedan i saj ishte një i ri nga familja e Balshajve, nip i Kastriotëve, që me Gjinin kishte miqësi e njohje të hershme. Kishte drejtuar eskortën e Mamicës në Kështjellën e Petrelës vite më parë. Në luftë e beteja kundër osmanëve ishte treguar trim. Gjini shpresonte se ai dhe Niku do ta merrnin veten shpejt e njeriu i Kastriotëve, do të bënte gjithçka për ata.. Por nuk do të ishte krejt kështu. U rezervuan pritje të ngrohtë e kapedani i kështjellës solli dy shëronjës menjëherë, nga ata që shërbenin aty. I shtrinë dhe ua hoqën shigjetat. Plaga e Nikut ishte më e thellë dhe djali mezi i duronte dhimbjet. Gjaku që rodhi, nuk pushonte më. Dukej që ishte e infektuar. Ndofta nga vapa. Gjëndja e Gjinit ishte më ndryshe, pasi shigjeta kishte hasur edhe në lëkurën e ashpër të një mburoje, që e mbante vazhdimisht në vend të parzmores. Zakon që nga betejat e në fushat e luftrave që kishte bërë. Në mish kishte hyrë vetëm gjysma e majës së hekurt të shigjetës, por nuk kishte cekur organet e brendshme. Këtë ia thanë shëronjësit. Një orë më vonë shoku i tij ndali frymën e mbylli sytë. E qau si vëlla. Pastaj u qetësua në një dhomë, në katin e dytë, pranë shkallares. Gjini u kujtua se ishte dhoma ku pushonte komandanti i rojeve të kështjellës. Kishte një dritare në formë frëngjie e që andej mund të shihej një pjesë e pyllit dhe e oborrit.. Kishte ndenjur me dhjetëra herë dikur aty. Kapedani i kështjellës hynte e dilte disa herë, me një merak e trishtim në sy që dukej më shumë se sa një ndjenjë frike dhe stresi. Gjini nuhati diçka. E pyeti, por tjetri u kujdes që të fshihte fytyrën e sytë. Dhe përgjigjja e tij ishte e zvargur dhe e pamenduar mirë. Dukej sikur kërkonte të fitonte kohë. -Mbase e ka nga kujdesi dhe përgjegjësia që ndjen për mua,- i tha vetes i plagosuri. - Do të bëhem gati për udhë, - ngriti zërin Bardhela kësaj radhe, ndërsa tentoi të ngrihej me dhimbje në këmbë, kërkoi vështrimin e tjetrit, për të kuptuar se si do të reflektonte ai. - Unë mendoj se duhet të pushosh edhe pak. Plagën e ke të rëndë, edhe pse shëronjësit e mi u kujdesën dhe e kryen punën e tyre shumë mirë. Ti tani je jashtë çdo rreziku, edhe pse nuk i dihet se ç'mund të të ndodhë, – iu përgjigj nipi i Kastriotëve. Zëri iu drodh dhe dukej qartë tashmë se tjetri kërkonte kohë. Priste dikë. I plagosuri dyshoi. Nuk foli, por u ngrit në këmbë e tha i sigurtë. - Ma bëni gati kalin. Dua të nisem menjëherë. Ai nuk kishte treguar se cili ishte misioni i tij. As udhën që do të ndiqte në kthim. Komandanti i kështjellës u shqetësua. Lëvizi nga vendi e gati sa nuk thirri: - Jo, jooo! Ti nuk del nga kjo kala pa urdhrin tim. - Thirri tri roje që qëndronin në korridor dhe u kërkoi atyre që Bardhelën ta ndalnin e ta lidhnin. - Eshtë tradhtar, – u tha. - Ka shitur fatet e kombit tek armiqtë tanë e u shërben atyre. Kaq u desh dhe të tre rojet që hynë menjëherë brenda iu vërsulën Gjinit dhe e mposhtën, sa do që rezistoi. Ishte plaga ajo që ua dorëzoi trupin e kapedanit kështjellarëve. E lidhën dhe e prangosën. Ndonëse i plagosur, reagoi deri në fund. Pastaj mbyllën derën me dryn nga jashtë dhe e lanë vetëm në dhomë. I rënduan hekurat në duar. E vrau shpirtërisht ai epitet e akuzë për tradhti. E kujt? Atij që ia kishte kushtuar jetën lirisë dhe Arbërisë e që kishte dhënë gjithçka për dheun e tij në luftëra, beteja, duke u përballur si një hero me armiqtë. Gjin Bardhela iu avit dritares si frëngji. Hodhi sytë nga lindja dhe kuptoi se dita po fikej dalngadalë e atje larg në horizont po vinte mugëtira. - Është kohë për muzg. - i tha vetes. I erdhi keq për gjendjen ku u ndodh, për akuzën si tradhtar i Arbërisë. Kjo e inatosi më shumë. E bëri të vuante shumë në ato çaste. Iu kujtua që shumë vite më parë ishte ndodhur aty me porosi të Skënderbeut, për të pritur në natën sterë të zezë një të ikur që vinte nga brigjet përtej detit. E kishte shoqëruar pastaj në këto ambiente të brendshme që i njihte shumë mirë dhe e kishte lënë të priste të ungjin për t'u takuar, pikërisht në këtë dhomë. Hamza Kastrioti mbante vulën e një tradhtari, por jo si ai kësaj buzë mbrëmje. Atij nuk ia hoqën njollën. Askush, qoftë dhe i ungji i vet. Nuk e falën. E lanë në turp ashtu siç e kishte gatuar vetë. E përzunë... Nuk i besonte më vetes, as veshëve, kur dëgjoi atë akuzë. Në fillim mendoi se mund të ishte veçse një keqkuptim, apo ndonjë informacion i gabuar, që kishte mbërritur në atë kohë e situatë të amullt që po kalonte Arbëria. Keqdashës e ambiciozë kishte plot, por edhe armiq të fshehtë... Shpresonte që ta ndreqte e ta bindte njeriun që dha urdhrin për ta lidhur, me mendjen gjithmonë tek anija që po e priste atje ne portin e Durrësit. Por komandanti i kështjellës nuk iu përgjigj më. Gjin Bardhela kishte një besim të brendshëm e të vagullt se nipi i Kastriotëve nuk do ta bënte më një gabim të tillë e nuk do të ndiqte rrugën e Hamzait. Syri i zuri një grup njerëzish që dolën nga pylli dhe që iu avitën kështjellës. Pastaj veshi i rroku trokun e kuajve. Një çast më pas dëgjoi zëra poshtë mureve. Dikush që kërkoi në osmanisht: - E ç'mund t'i bëjmë tjetër këtij këlyshi të ndyrë e besnik, përveçse t'i presim kokën Ma sillni që t'ia heq këtu qafirit e shërbëtorit të bukëshkalit Skënderbe. - Qenkan lajmëruar. Paskan informacion të plotë. Dhe kallauzi qenka nga kjo kështjellë, - i tha vetes me një zë të shuar që i mbeti brenda buzëve të tij. Ndjeu trishtim. - Të paktën jo këtu Kilinxh bej. Pylli është një vend i fshehtë. Do të më tremben ushtarët e mi. Nuk dua që ta shohin. Nuk do të më shërbejnë më për qëllimin tonë të përbashkët, – iu përgjigj me një zë prej lutësi e përulësi të pështirë komandanti i kështjellës. - Merreni me vete dhe mbaroni punë atje përtej. Tashmë e keni në dorë. Unë ua dorëzova... Tjetri, komandanti turk u kollit e lëshoi disa fjalë që iu tretën dhe i humbën nëpër dhëmbë, pa u marr vesh se çfarë tha. - Ia paska shitur shpirtin djallit edhe ky. E ka pshurrur këtë dhé duke e bërë baltë. Gjakprishur. U shoftë fara e tradhëtarëve të Arbërisë sonë të gjorë. E këmbyen nderin e besën për një grusht flori e pozitë që u fal armiku, për t'i pasur pastaj gjithë jetës shërbëtorë besnikë. Por unë e kam vaditur dhe derdhur gjak, ndaj kjo tokë më është bërë atdhe .– foli me mllef Gjin Bardhela. Zhaurima e përplasjeve të valëve vinte deri aty. Uji i detit kafshohej me gurët e vegjël në buzë e krijonte një lloj tingulli ritmik që të kujtonte një këngë vaji nga plakat e gratë, që u thurej trimave që binin në luftë Ata që erdhën dhe e nxorën nga qelia, ishin osmanë. - Së fundi të kemi në kafaz, o Gjin Bardhela. – tha njëri prej tyre. Kapedani kuptoi se e kishin në kërkim prej kohësh. E tërhoqën forcërisht drejt derës. - Qenkeni bërë zot të këtij vendi. Madje dhe të kësaj kështjelle, – lëshoi zë trimi. Por osmanët hungërinë si bisha. Nuk thanë fjalë. E zbritën nëpër shkallë. Një çast më pas e nxorën në oborr të lidhur me litarë. E tërhoqën drejt pyllit.... Kështjella e vogël e Kepit të Rodonit mbeti pas, e heshtur dhe e pafjalë, si një karakoll i vetëm përballë detit. Masivi i kaltërt i ujit më tej nanurisej lehtë prej valëve... Fazanët rrahën krahët e të trembur u ngritën lart në qiellin që po mbyllej. Ndërkaq muzgu ra...

Në vend të një intermexoje

Deti befas shfryu e dallgët i ngriti sa një mal. Aq, sa varkat me dhjetra e qindra dukeshin në mugëtirën e mbrëmjes, si njolla të zeza tek kërcenin përmbi valë, sikur donte që tu kujtonte arbërorëve lavdinë e dikurshme e të munguar Mjegulla erdh' e zbriti nga malet dhe mbuloi vendin si me një mantel të mëndafshtë lejla duke i a shkel syrin natës pis të zezë që vinte nga lindja e nxitonte me hapin e një maratonomaku të vërtetë. Kob sillte... Një zë që kumboi sikur erdhi nga qielli. - Arbërorët nuk janë të paaftë për ta ndrequr Arbërinë, por janë shumë të aftë për ta prishur atë. Dhe deti lëshoi piskamën - Ndodhi.....Ndodhi... Oshëtinë malet - Heeeejjj, hejjj... U thye qëndresa. - Arbërorët kanë zënë e po ikin. Arbërinë e morri turku, nuk e mbajtën dot. - E prishën, heeejjj. E prishën... - Për ku po ikin – pyetën valët - Për në bregun tjetër. Kërkojnë fatin atje. Mjegulla mërmëriu - Nuk e meritonin. Mbetën vetëm e askush nuk u ndihu më. Lëshoni udhën. I u bëftë dritë - Ooiiiiii – kumboi sërish qielli. - E mjera Arbëri... Erësira erdh' dhe lëshoi napën e zezë. U mbuluan malet, deti... Arbërinë e zu për gryke... - Oojj e mjera Arbëri – gulçoi e u përgjigj me dhimbje dhe bregu tjetër Nxinte gjithëçkah... Frynte erë si në një rekuiem mortor

FUND

Elbasan, Tetor 1988, - Bordeaux, Maj 2020

27 views1 comment

1 commentaire


Faruk Myrtaj

S'mund te mos e mbyllje ca trishte, Aleko Likaj! Dhe, prej penes tende, jo rastesisht, besoj, e le per cigare te fundit Gjin Bardhelen, te lenduar ne trup e ne shpirt, per Keshtjellen si iluzion... Arberoret ne ikje, a thua sikur rrota e historise, edhe kur kthehet ne bosht te vete, prape e pergjeruar ne pritje te iluzionit te radhes... Nese dikur Ikja ndodhte pas Symbylljes se Kryetrimit, sot ndodh per te kunderten... Ne me shume se tri dekada ky tranzicion dhe kjo proze, bluan dilema: Ende Kohe per Muzg?!

J'aime

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page