top of page

KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR




POEMË

NGA VISAR ZHITI

(Botuar shumë herë brenda dhe jashtë vendit,

marrë nga libri “La notte è la mia patria”, Itali, 2018)


- Çdo Solomoni, të persekutuar

a mbret, ligjvënës a mjek, poet e mik, kujdo qoftë tjetër, edhe pa këtë emër, bashkëvuajtës dhe i përndjekur, edhe në harrime... -


1.

Kjo ditë e gjithë për të kujtuar...


Por tmerri është më i madh, nuk e nxë dot kjo ditë,

del përtej. Kanë mbetur nëpër ajër klithma pa gojë

dhe lotë pa sy,

të përziera me shiun që nuk bie, por rri pezull

si një ankth. Dhe dhëmbja e mëpastajme

si lodrat e fëmijëve pa fëmijët,

të shkelura, të thyera.


Urtësi pleqsh të flakura tej si borsalinat e tyre të çara

dhe heshtje e zezë si një qen këmbëthyer,

gjysma macesh, copra pasqyrash, flatra zogjsh e librash...

I vërvit era andej-këndej apo kujtesa e çoroditur.


Në rrugën e zbrazët një këpucë gruaje e hedhur,

si zemër e shtrembëruar, e kuqerremtë si gjak i tharë...

dhe një djalë me pranga,

fantazmë që e arrestojnë çdo ditë...


Ku po e çonin jetën? Ku?


Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz! Ju - andej harrimit,

këtej harrimit – ju.

Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Dhe urdhërat

kanë mbetur nëpër natë, në natën që s’ka yje,

por tela me gjëmba.

Në natën e fundit, ku nuk zbardh më…


Brenda natës ka prapë natë,

minierat e zeza të ferrit...


2.

Nga lart na vijnë fatkeqësitë, por jo nga Qielli.

Nga Golgota e dënimit

ku ngjitemi vetë,

të shtyrë nga djalli që gjithmonë mbetet poshtë,

në terr

dhe i ushqen rrënjët e së keqes

me egoizmin helmues,

me ambicjet vrastare,

që bëhen çmenduri kolektive. Doktrinë e krimit...

Po unë dua ditën time të harresës…


3.


Avitem për andej, kaloj në kohë

i lemerisur,

ndal mes dënimit, shpirt

dhe i largët,

plagë që vetëm dhëmb, dot nuk pëshpëris: të kishit shkuar

në vendin tim, dikur, nuk do ju përzinin,

do ju prisnin nëpër shtëpitë e varfëra, do ju mbronin,

edhe pse të pushtuar

nga vrasësit e përbashkët. Bukën

dhe frikën me ju do ta ndanin. Se ndodhi vërtet,

si nuk ndodhi?


Qëndresa dhe nderi si në librat tuaj të lashtë…


Dua dhe unë ditën time të harresës…


Se pastaj u vësulën mbi ne shumë më keq,

Na vranë tanët


dhe pastaj të vrarë na mbyllën burgjeve dhe punonim

në minierat e ferrit si skllevër…


Djalli po hakmerrej.


4.

Popull i zgjedhur, po Zoti na zgjedh dhe ne,

s’e dimë pse, për të vuajtuar,

se vuajtja na e bëka më të mënçur botën

e martirizimi të shenjtë. I duhen të ardhmes si drita…


Të ecësh pas një Krishti prej ere, me dishepujt

e shenjtët

e përhapur gjithandej.

Në vend të breroreve të tyre përshfaqen

pllanga të dritave të projektorëve në burgje e në kufi,

mbi fytyrën e atij që do të zbraseshin plumbat

si breshër i mortjes.


I gjatë rreshti i të dënuarve, shumë i gjatë,

dhe rreshti i ushtarëve po ashtu, ende më i gjatë…

gjysma në të shkuarën

dhe gjysma në të ardhmen


dhe thashë, nuk mjafton një ditë për të kujtuar...


5.

Dua dhe unë ditën time të harresës,

Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve…


Çizme të mëdha diktature

kanë bllokuar horizontet, njëra

si e hitlertë, e zezë

dhe tjetra

si e stalintë, e kuqe…


Alarm! Po ecën historia, jo kundërhistoria si përbindësh!


Midis tyre këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë.

Mos janë këpucët e vuajtjes, të durimit të padurueshëm,

të frikës së shndërruar në guxim paranojak? Ja,


dalin nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba, ku

po shkoni, mijëra këpucë,

se si jeni,

gojë ulërimash të vrara,

nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,

pirgje leckash të gjalla, por krimi

është më i madh, ohu-u, sa i madh! Dhe sa e pakët

ndjenja e atyre që kryejnë krime, më e vogël

se guriçka brenda në njërën nga këpucët e vdekura.

Ja, ja, dhe këpucët e mia aty, as këpucë nuk ishin,

copa çizmesh të çara në minierat e ferrit…

Dhe unë, i zbathur, me këmbët e përgjakura,

me dobësitë sikur të ishte thembra e Akilit,

me një shigjetë fatkeqësie të ngulur, që s’duket,


jo, jo, nuk dua të marr këpucë jetime të të tjerëve.

Dhe në m’u bindshin, teksa endem mes tyre

dhe kërkoj të miat. Por një amanet të fshehtë

mund ta marr,

i kujdoqoftë, është i njeriut,

teksa i mbush me elegji

këpucët e nxira të netëve

dhe këpucët

e zbardhura të ditëve…


6.

Ndërgjegjen e botës nuk e mbyt dot të gjithë

gazi i kobshëm

i furrave të së keqes.

Ky hi i hidhur jete s’është nga zjarri prometean,

nuk bën genocid zjarri


dhe nuk marroset pas ndonjë doktrine.


Është i zjarrit tjetër të djallit

Që të fut të ftohtin e vdekjes. Kolla e krimit

u përhaq gjithandej, te rrugët e dyert,

kolliten shkallët, dritaret, shpresa, automatiku i zi,

deliret, pemët, librat, zhgënjimet, pendesa, stinët,

ëndrrat kolliten në ëndrra të sëmura...


Dhe ai sapun makabër, i nxjerrë nga të gjallët,

si mund t’i lajë duart e mëkatit?


Dua dhe unë ditën time të harresës,


Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve,

edhe vrasëse,

që të pendohen…


7.

M’u mor fryma, errësirë... Më sillni një rreze të thyer,

diçka që feks, një pikël drite

sa loti.


Ç’janë këto vezullime? Mijëra unaza

të mijëra gishtrinjve të prerë,

në atë shiun e ngrirë që nuk bie…


Po ora, ku është ora e njeriut, vajti vonë për kthimin

ku s’do të mbërrihet dot asnjëherë.

Kërkëllijnë skeletet,


çohen nga balta e asgjësë dhe kërkojnë mishin

që ua zhvatën,

duan pyllin e djegur të flokëve. Ditën e hapur të syve,

kohën e pajetuar. Kujtesën prapë. Përsëri. Gjithmonë.

Pa kujtesë bota bëhet vetëm një kafkë.


Pse heshtin fjalët, po kalben

bashkë me buzët e kohës,

puthja e mortjes mbulon brigjet

dhe mijëra e mijëra këpucë bosh mbushen me shi

dhe ecin mbrapsht, nga dita e sotme e kujtesëz

i aviten fillimit,

ditës së parë të krimit... këpucë Buhenvaldi,

Aushvici, Dahau... nga gulagët në laogai... në Spaç,

Burrel, Qafë Bari... në burgjet pa emër të botës.

Fundosen në gropën ku kanë hedhur të gjallë

njerëzimin,

se qoftë dhe vetëm një njeri,

ai është njerëzimi i gjithë.


8.

Skeletet me koska mermeri


ulërijnë për atë pjesë jete

të pakryer

më fort se sirenat ngjethëse

të atyre trenave të egër

që s’ndalnin asgjëkundi,

veçse në stacionin e fundit të fundit.

Autoburgje dhe kamionë internimesh...

Le të bien epidemitë përreth, masakrat, ka prapë stacione,

është ai i ndërgjegjes së popujve,

stacion tjetër i fantazmave...

Stacioni i tmerrshëm i kujtesës...

Ja, erdhën nga prapa diellit. Stacioni i fundit

i mallkimeve.


Po i mëshirës, i faljes? Stacione gërmadhë, që...


Ju – andej harrimit,

këtej harrimit – ju. Në mes ndarja

si një e çarë fatale e tokës.


S’ka më rreshta, as rregull,

turma mëkatesh, histori e shqyer

nga bishat që s’kanë histori, veç atë të daljes

nga shpellat,


gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave të gjërave,

se ç’lëviz poshtë dheut të huaj, hapen vetë varret masive,

dal dhe unë.


E si të mos jem hebre, kur kam holokaustin tim?


Dhe gjerman i dënuar jam, polak, rus hungarez,

rumun, edhe palestinez, etj, etj, afrikan, aziatik,

amerikan, kryqi është njëlloj kudo,

jam shqiptar në Kosovë, dal nga gropa e përbashkët…

E ti je unë… Kohë s’kam dhe aq që të ringjallem,

vërtitem në vorbulla gjyqesh,

jo në atë të fundit,


kërkoj ashtu si pallton time të kalbur - kujtesë,

vetëm një ditë, e ç’i duhet më shumë një fantazme?


Parandjenjat rendin me motorë të zinj rrugëve të natës.


Mbi një fron era shfleton fletët

e një Kurani vëllazërie...


Pallton time e ka vrasësi im, është ftohtë

dhe atij i duhet fati im,

ky i më pastajmi, i pasluftës,

i rënies së perandorisë të së keqes.


Palltoja e fatit shndërrohet në metal të ndryshkur,

e ngrirë mes erërave

ashtu si këpucët e zbrazëta në bregun e një lumi,

që nuk harron. Ku i pashë, në ç’makth?


Të jetë art aluçinant? Pse ka më pas kësaj? Shpirti

gjithmonë është lakuriq në qiell.


Dhe një ditë kujtese për të gjithë…


9.

A mjafton një ditë për të kujtuar, i nxë dot të gjitha…?


Dua ditën time të harresës… Ja, vjen agu i ditës tjetër

me një diell kryecopëtuar. Nuk mjafton as kjo ditë,

aq më pak një jetë.


As harresa nuk mjafton, s’mundet, nuk e përpin dot

të tërën, nuk mjafton as vdekja.


T’i kujtojmë të vrarët tanë… Vrasja e tyre na kujton

që nuk i mbrojtëm dot, por të mos rivriten me harresë…


Të vrarët nuk kanë vdekjen e tyre,

prandaj ata nuk vdesin kurrë.


Kurse vrasësit, ah vrasësit, ata janë të pa edukuar,..


Po kjo është pak, pu-pu sa pak që mund të thuhet

e s’ka pike rëndësi për ta.

Të egër janë, të tmerrshëm, pa shpirt, asgjë s’kanë

që të mund t’u shkojë në Qiell.

Në baltën e ferrit do të mbeten duke e bërë baltën

edhe më të keqe…


Mëshirë dhe lutje. Edhe për armikun. Ta duam,

aq sa na do, më thua ti…


Me drejtësi në fillim edhe për ata.

Pastaj për vete të duam

më shumë, të mos jemi si ata, kemi lindur që të duam,

pa dashuri nuk ka jetë…

durim dhe paqe!


Edhe baltën ta shpëtojmë,

ta bëjmë siç ka qenë,

baltë krijuese, të jetës, e artit

të njeriut…


10.

Koha pa kohë, e gjithkohëshmja… ecën

me hapat

e zbathura të një Krishti.


U riktheve, Bir? Po unë që përjetoj një lamtumirë

që s’mbaron,


që lëkundet si dorë e këputur,

ja, u zvogëlua

prej largësisë,

u bë si ajo dorëza prej argjëndi,

që hebrenjtë e quajnë yad, që

me gishtin e zgjatur të saj

lexojnë librat e shenjtë.


Prekini plagët e mia

dhe dora

do ju shndërrohet në argjend…


Si penë që dua të shkruaj,

u bë lamtumira,

si çelës i shtëpisë tënde

qoftë ora e kthimit,

e ke varur

në qafë si një fëmijë,

që mos të të humbë gjatë lojës, se e gjitha lojë qënkërka,

Biri im,

në tokë dhe në Qiell.


Dot nuk e kujtoj të gjithën, vuaj,

dhe të harroj të gjithën

nuk mundem dot, vuaj.


Kujtesë-harresë… harresë-kujtesë… janë ditët e mia,


Kujtoj nga ato që duhen harruar,

harroj nga ato që duhen kujtuar,

Ç’po shkrin kështu mbi Ungjillin tim, çasti?


Pika të nxehta kohe

pikon kujtesa prej dylli e qiririt

që ndeza

me shkëndijëzën time

mes qerpikëve të pambrojtur,

prandaj dhe mërgoi nëpër yjet e largët.

Qiriri im i fundit.


...datë e harruar...


—————————————

* E risjellim me rastin e 27 Janarit,

DITËS SË KUJTESES.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page