Katër ‘ligjësi’ mes ‘Metafora e Mallit’


Realizuar, ideuar dhe botuar nga Iliriana Sulkuqi, poete, publiciste, humaniste

Katër ‘ligjësi’ mes ‘Metafora e Mallit’

Dr Fatmir Terziu


Metaforat! E natyrshme vetë ‘jeta’ e tyre mes rymave të artit. Poezitë u kanë ngritur çati, murre, bedena, fortifikata, u kanë thurrur lotë, këngë, mall. Dhe natyrshëm ato lindin dhe forcohen mes qindra grimimeve që poezia u bën të ndjehen mirë mes vargut, ritmit dhe vetë mallit. Dhe kështu malli poetik bëhet më i lexueshëm, më artsjellës. Kur bëhet kështu ky është malli poetik. Malli poetik, që bashkoi dhe bashkon anembanë poetët, që të sjellin mushtin e tyre të shtrydhur në jetëartin e tyre, në vetë pikat ku malli akordohet në jetikë. Kjo jetikë e tretur në mall vjen edhe në këtë Antologji. Dhe kjo antologji poetike është ‘Metafora e Mallit’...

Malli poetik mes metaforave, që bashkon sot Dritëro Agollin, Iliriana Sulkuqin, Agim Bajramin, Miradije Maliqin, Fatmir Terziun, Ymer Nurkan, Shpend Topollaj, Luan Jaupin. Nesër ky mall poetik mund të projektojë e bashkojë të tjerë, e të tjerë, se vetë malli është i pafund. Ai ka pafundësi dhe ngjyrim të papërshkruar. Sot, kjo metaforë malli vjen mes spatulave të grimta, që pikturojnë dhe transferojnë forma të ndryshme malli në art. Kjo metaforë nuk është një kornizë, apo kuadraturë malli e tejsforcuar, por një linjë e hapur delikate në privilegjin e saj. E tretshme si formë arti e veçantë, e kalibrit që qëllon në shenjë çdo lloj ‘loti’ që fsheh dhe struk mallin. Malli i tillë metaforik është një besim kombëtar. Dhe ky besim në vargjet e këtyre poetëve flet shumë e shumë. Dhe fjala metaforike ndjehet ndryshe gjithashtu. Një e ndjen në një formë, tjetri në një formë tjetër, se vetë metaforat e mallit janë kënde diamantike në kokriza loti dhe jo vetëm loti. Vetë metaforat e këtyre poetëve janë të përziera, të gjitha deri në detajin më të arrirë të artit. Janë kështu se vetë metaforat e mallit nuk flasin njësoj. Ato shprehin një mendim për mallin, por nga platforma të ndryshme, ato janë në vetvete ‘kombi’ metaforik i mallit. Dhe ky ‘komb’ metaforik është forca që bën të sjellë burime të menduari, jo ndoshta ashtu siç i dimë të gjithë, por në një qëllim të përbashkët. Nga platforma të ndryshme ky ‘komb’ metaforik vjen me forcë dhe kalibër të qëmtuar. Vetë poetët e ‘Metaforë Malli’ kanë përdoruar metafora të ndryshme. Paletat e tyre, janë mjete piktorësh të fjalës së bukur, të gjitha të pastra, të radha, të ngjyera në ngjyra të veçanta. Pastaj aty bëjnë bojëpërzierjen në kanavacë. Kjo kanavacë është mjeti ku vepra e artit është vetë malli, ku ata kanë bërë pushtimin e mallit me art. Por ata duan që të gjitha pjesët e ndara, të pastra, të dallueshme, të jenë gjërat fjalëdomethënëse. Ashtu edhe të ndara, që ata mund ti bëjnë ato të kenë një gjuhë, gjuhën e metaforës së mallit. Dhe pastaj në mendimet e tyre, në artin e tyre, ata mund të bëjmë atë që është lutje poetike për këtë art malli, të ardhur mes mallit të shtrydhur në vite. Dhe kështu ata të gjithë sjellin katër besime të fuqishme që formojnë metaforën e mallit. Janë katër besime që vijnë më shumë në këtë antologji duke rrëfyer në forma të ndryshme se si kanë jetuar me poezinë. Njëri është besimi personal, që mbahet në vetvete, por që i falet lexuesit. Tjetri është besimi dhe dashuria e njëjtë për dheun mëmëm. E treta është pjesa e mallit që shtrydhet për të sotmen dhe e fundit është arma metaforike e poetëve në atë luftë vargore për të sjellë të ardhmen e vendit në perceptimin e lexuesit. Ata, pra poetët e “Metaforë Malli” nuk shkojnë përtej këtyre katër besimeve, ato i mbajnë si ligjësi në vetvete, si vetë ligjësia e metaforave që gatuajnë në forma të ndryshme mallin. Udhë të mbarë ‘Metafora e Mallit’!

15 views

Shkrimet e fundit