top of page

Katër Bregas...


KATËR ORATORËT

Nga Mentor Serjani

Katër Bregas, katër bashkëvendas të mi, katër lektorë me administrimin më të lartë të mendimit, katër ciceronet shqiptarë me cilësi dhe vlera të rralla. Katër personalitete të shquara të artit, kulturës, filozofisë, publicistikës dhe kritikës letraro – artistike. Këta janë :Josif Papagjoni, Adriatik Kallulli dhe Perparim Kabo. I pari nga Shënvasili i dyti nga Sasaji dhe i reti nga Borshi. Te tre akademik, kanë gradën «doktor i shkencave» dhe titullin «profesor». I katërti, Aleksander Çipa nga Piluri, gazetar, poet, analist dhe opinionist për probleme të politikës, ekonomisë së tregut, korrupsionit, marrdhëniet ndërkombëtare etj. Mund ti quajmë edhe oratorë në fushat përkatëse. Por ç'është oratoria? Vjen nga greqishtja, por latinisht, i thonë «elokuenc» kurse shqip i thonë «gojëtari». «Oratoria, - thotë Gjergj Zheji, studies, kritik letrar, - është arti i të folurit bukur, me qëllim që ti bindim të tjerët në të vërtetën tonë, në mënyrë që ti nxisim ata, të bëjnë atë, që na duket më e urtë». Forma konkrete e oratorisë është ligjërata ose fjalimi . Më poshtë do të ndalemi në vlerësimin e këtyre katër oratorëve. Në këndvështrimin tim modest, ashtu sipas mendimeve dhe ndjesive të mia. Këtu nuk është fjala të analizojmë veprën e tyre të sbumëanshme, por të vëmë në dukje disa cilësi e aftësi shprehëse të tyre, në rrjedhën e veprimtarisë e botimeve publike, në intervista, në faqet e gazetave, në studiot televizive, në konferenca shkencore etj. Por edhe sipërmarrja modeste, nga ana ime për të vlerësuar këta korifej të shkencës, mendimit dhe ligjërimit, do të jetë një gur i rendësishëm në itineraret e mendimit filozofik shqiptar. Mendoj se opinionet e mia, do kenë vlerë, pasi këtë vlerë e shprehin vetë ata me veprën e tyre. Këta bashkëvendas të mi, janë filozofë të mendimit e studimit kritik në letërsi dhe në arte e publicistikë ndër më të mirët e kohës



ADRIATIK KALLULLIU Lind në Bari të Italisë, me 28/08/1938 dhe ndërroi jetë, më 24 dhjetor 2011, në Vjenë të Austrisë. U diplomua në fakultetin Histori – Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1962. Mban gradën shkencore Doktor dhe titullin Profesor, Qytetar nderi i Komunës së Lukovës (tani Njësi Administrative e Bashkisë Himarë) Një nga rrugët e Tiranës mban emrin e tij. Ka qenë anëtar i senatit të Akademisë së Arteve dhe ka dhënë leksione në disa lëndë të formimit të përgjithshëm teorik; Ka drejtuar për 15-vjet katedrën e arteve ; anëtar i këshillit të fakultetit të artit skenik; autorë dhe bashkëautor në përgatitjen e teksteve mësimore.

Punoi si pedagog i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe gjuhës angleze në shkollën e mesme ushtarake «Skënderbej» (1962-1965);redaktor në shtëpinë botuese «Naim Frashëri» (1966-1972). Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, qysh nga viti 1966. Me 1965 u afirmua si kritik, me analizën e poemës «Përse mendohen këto male» të Ismail Kadaresë, botuar me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të atdheut, më 1964.Në vitin 1993 u përfshi në Institutin Amerikan për biografinë e njerzve Eminentë, në botimin e tretë të- Enciklopedisë Internacional who18who of contemporary achieve evement 1995,- i cili i akordoi «Diplomë Nderi Ndërkombëtare» dhe titullin «Man of the year» nga Instituti Amerikan i Biografive (1994)

Studiues dhe kritik I kualifikuar I letërsisë dhe arteve. Ka botuar disa libra si : Në frontin e letërsisë, Nga realiteti te krijimtaria, Pema e jetës etj. Ka botuar në organet e shtypit mbi njëmije shkrime e njësi bibliografike por ka edhe mjaft të tjera ne dorëshkrim. I lindur, i rritur dhe i edukuar në një familje inteligjente dhe patriote, ai u brumos që herët, si një intelektual potencial i ardhshëm. Tani së fundi është botuar nga bashkëshortia, Nezi Kallulli dhe bibliografi Aleks Gjinaj, libri «Prof. Dr. Adriatik Kallulli, bibliografi, kritika e studime mbi letërsinë dhe artet». Në vitet e para pasuniversitare, kur Adri (siç e thërrisnim ne në fshat, sepse, pavarësisht se ku lindi, ai është bir i fshatit Sasaj të Sarandës), u afirmua si kritik i letërsisë, fillimisht, ende disa figura e periudha të letërsisë sonë, nuk ishin studiuar e vlerësuar për të zënë vendin e merituar në historinë e letërsisë shqipe. Vete ai do të vinte në dukje për këtë rrugëtim të gjatë duke u shprehur se :«jam e ndjehem krenar qe 80 % e shkrimeve të mia, u takojnë kolosëve të letërsisë shqipe, si: De Radës, Naimit, Samiut, Çajupit, Nolit, Migjenit, Pashko Vasës, Lasgushit, etj» Ka zhvilluar e drejtuar kurse speciale pasuniversitare për kritkë, estetikë, njohuri për artin etj. Ka referuar në mjaft simpoziume e konferenca shkencore në Shqipëri, Itali, Gjermani, Zvicër e Austri Mori pjesë, si kritik, në mjaft veprimtari ndërkombëtare dhe në shumë takime, përurime, librash dhe në diskutime krijuese në shkolla e institucione kulturore – artistike në Maqedoninë e Veriut, Itali, Kosovë, Zvicër, Gjermani, Austri. Është fitues i disa çmimeve e medaljeve në konkurset ndërkombëtare për kritikën letrare. Vlerësimet për të janë të shumta, por dua të ndalem tek përshtypjet e mia, ndërsa dua të shtoj këtu një sentencë nga shkrimi i Prof. Dr. Josif Papagjonit, sepse çdo njeri e ka brenda vetes ndjenjën atdhetare të krahinës, për shkak të disa veçorive, të cilat nuk mund të zhbëhen, nga asnjë forcë e jashtme apo e brendshme, sepse ato janë në genin e njeriut, janë gurë kilometrik, që rrinë njëri pas tjetrit, deri në fund! Ja si e përshkruan Profesori, ish – pedagogun dhe më pas edhe kolegun e tij :«… ishte kritiku fjalëzjarrtë, i shlirët, energjik, ngarendës, vrullues, tepër i sinqertë, tejet i çiltër, si një fletë e bardhë që ushqen dhe brumos, pse jo, vetëdijet tona, si kritik të rinj, për të vrapuar, si dhe ai, nëpër fushëtirën dhe gërxhet e garës së mendimit estetik, të qasjes analitike, të hetimit shkencorë, për të punuar mendësisht, bash si një lëvronjës I palodhur në ugaret e vështira e humbulluese, të dijes, të letërsisë e të arteve». Këtu e mbyll portretin e tij të dinamikës së studiuesit, Profesor Papagjoni për kritikun Adriatik Kallulli, në shkrimin me titull:«Fijet e dridhshme të artit, në vetëdijen e Adriatik Kallullit». Ne që e kemi njohur që herët edhe në bashkë origjinën nga një fshat, kemi vënë ré se në pjesën më themelore të virtyteve ato janë edhe të trashëguara nga prindërit e tij të shkolluar dhe inteligjentë që, në rrugën e gjatë të studiuesit, ato u pasuruan më tej. Unë e njoha për herë të parë fizikisht, kur isha në shkollën 8-vjeçare në Piqeras, në takimet që zhvillonte asokohe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për zbulimin dhe nxitjen e talenteve të reja. Në vitin 1983, gjatë një eskursioni në Tiranë, si nxënës i shkollës së mesme, u takova për herë të dytë fizikisht me Adrin. Ai na vinte shpesh për vizitë në familjen tonë në fshat, në Sasaj, (në fund na erdhi edhe për vdekjen e babait tonë, për ngushëllim, bashkë me Mësuesin e Merituar, Ruhi Bashari) pasi prindërit tanë kishin qënë shokë të fëminisë, shoqëri që e ruajtën gjithë jetën. Sa herë që e dëgjoja kur fliste, në biseda të lira, habitesha. Ai nuk fliste por ligjëronte dhe nuk e gjeje dot kohën e përshtatshme, që t’i përgjigjeshe, të paktën me një «po» apo «jo»

të thatë e të shkurtër,por mund të them se mbeteshe me gojë hapur, pa frymë, nga ky njeri i veçantë i thellësisë së mendimit dhe rrjedhës së pandërprerë . Ligjërimi i tij i ngjante një Ujvare të Bardhë, të pashteruar, që jehonte larg… larg… larg, në vite e ngjarje, si ajo e Niagarës në Amerikën e Veriut, apo të Viktorias në Afrikë, herë e qetë e herë e zhurmshme, kumbuese e me intonacionin e duhur . Dallohej për një intonacion sa solemn aq edhe melankolik, por jo i lëkundur në të vërtetat e jetës të fenomeneve, aspak servil i melankolizmit. Gjithmonë i vendosur dhe në krahë të së vërtetës. Me një ngjyrim të këndshëm të zërit, me një shqipe të larmishme dhe të kulluar, por edhe «të zjarrtë » siç e ka thënë Naimi ynë i Madh. Me vonë, do më ngelej në mëndje, një thënie lapidare e tij :«Deputetët e Parlamentit Shqiptarë dhe politikanët, të kuptojnë se, ata janë kurrgjë, po qe se nuk i vlerësojnë intelektualët shqiptarë, të cilët lindin rrallë dhe me shumë vështirësi, dhe një pjesë e tyre janë të papërsëritshëm në vlerat e mëdha që krijojnë» Adri siç kemi theksuar u lind në një familje intelektuale nga Sasaji i Sarandës, fshat në Bregdetin e Poshtëm të Sarandës. I ati ishte ekonomist kontabël i diplomuar jashtë shtetit, në Itali, para vitit 1944,kurse e ëma ishte mësuese. Po kështu dy fëmijët e tij, Nadoni dhe Dalina, ushtrojnë talentet e tyre, i pari në fushën e regjizurës, kurse e dyta, si Profesore e Asociuar, në Universitetin e Vjenës, ku jep gjuhësinë e krahasuar si dhe ka nje sërë botimesh shkencore në fushën e gjuhësisë. Prof. Kallulli, veç pasionit për letërsinë dhe artet, kishte hóbi edhe për fizkulturën e mëngjesit, shahun dhe kitarën. Unë e kam një boshllëk e merak të brendshëm, që nuk arrita dot të kisha dalë me një botim, në gjallje të tij, që ta kisha si kujtim një vlerësim të punës time krijuese. Duke e mbyllur po citoj këtu një thënie të Prof. Dr. Jup Kastratit, të cilën e lexova tek artikulli :«Dhjetë vjet pa Adriatik Kallullin» i Miho Gjinit, Mjeshtër i Madh, po nga Bregu, nga Piqerasi. Ja seç thotë Prof. Kastrati :«… mëndjendrituri Adriatik Kallulli, ishte i pajisur nga natyra me aftësine e njeriut, që ka si dhunti të vetën, të paimitueshme forcën e shprehjes, ekspresivitetin, leksikun adekuatë e të larmishëm, formën tërheqëse, të bukur, elegante, stilin energjik «konician», por me brendi të shëndoshë, me përmbajtje plot brumë, me logjikë të mprehtë, me inteligjencë jashtëzakonisht të rrallë…» Këtu përfundon citimin Miho Gjini të filologut shkodran i cili ka gdhendur me daltën e Mikelanxhelos këtë portret të Prof. Kallullit, të këtij Davidi të shekullit të njëzetë!





JOSIF PAPAGJONI- U lind në Sarandë, më 16 shkurt 1950. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, më 1972, në degën e dramës. Mban titullin Profesor dhe gradën Doktor i Shkencave Është një intelektual enciklopedik, kritik dhe teoricien i letërsisë dhe arteve. Ka punuar në sektorë të ndryshëm, si, drejtor i kulturës në disa rrethe, kryetar i degës së lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve në rrethin e Sarandës, drejtor në Qëndrën Studimore të Artit Shqiptarë, shef Departamenti në Qëndrën e Studimeve Albanologjike . Pedagogë ne Akademinë e Arteve etj. Është anëtar i disa shoqatave dhe forumeve botërore, për teatrin, kritikën, trashëgiminë kulturore etj. Ka botuar mbi tridhjete libra, artikuj studimor e studime për teatrin, letërsinë dhe tani së fundi edhe monografinë për Dhimitër Anagnostin, regjizor dhe skenarist i shquar i kinematografisë shqiptare, me origjinë nga krahina e Bregdetit të Himarës .Botimet e Papagjonit janë bërë pjesë e kolanës së disa bibliotekave anëtare të world cat, në mbarë botën. Josif Papagjoni është një nga aisbergët e kritikës shqiptare, në letërsi dhe arte, ndoshta më i larti, aktualisht, në kohën që jetojmë. Unë, këtu, dua të ndaj me gjithë lexuesit dhe dashamirët e artit, atë sodisfaksion shpirtëror, që më kanë dhënë komentet, opinionet dhe ligjërimet e tij të mbajtura në promovimin e Antologjisë «Shtigjeve të Vendlindjes», në të gjitha edicionet, ku debutojnë shkrimtarë, poet dhe studiues të Krahinës së Himarës, si dhe artikujt e shumtë në shtypin e shkruar e intervistat e shumta televizive. Ka diçka të rrallë ky njeri, përvec përsosjes së mendimit kritik e ngjyrës së mençur të përvojës e dijeve të gjithanëshme : është edhe GENI i tij krijues, me dhunti nga natyra dhe prindërit e tij, që jo të gjithë e kanë këtë fat e dhuratë. Gjate fjalës së tij, që gjithmonë e kam dëgjuar me kureshtje dhe etje, në ndonjë pauzë «ngecjeje» prej dy-tre sekondave papritur do të shprehte me një stil të pëlqyeshëm ndërtime sintaktike a frazeologjike, me një embëlsi të rrallë që përbëjnë edhe një pasurim të metejshëm të leksikut dhe frazeologjisë së gjuhës shqipe! Ne që përshkuam dhe u rritem në dy kohë, në atë të monizmit dhe demokracisë, së, vërtetë

, kishim si të thuash, njëfarë drojtje, kur takonim apo vinin njerëz nga Tirana, njerëz «të ngritur» siç quheshin atëherë. Por kjo do të vazhdonte edhe për disa vite më vonë, kur këta intelektual të afroheshin më afër nesh, por edhe ne të futeshim dhe integroheshim në hullitë e dijes. Kur u takova me Profesor Josifin iu prezantova, e natyrisht u afruam, shumë shpejtë me njëri tjetrin, pasi ai njihte vëllanë tim të madh, Idealin dhe i thashe se edhe unë dhe vëllai tjetër shkruajmë poezi dhe prozë, esse etj. Ai me foli thjesht, me dashamirësi, si një njeri i zakonshëm, larg stereotipit të intelektualit të rangut të lartë, apo zyrtarit hijerëndë të kohës, duke me sugjeruar se, përderisa ty të pëlqen letërsia vazhdo të shkruash. Këtij njeriu i jam mirënjohës, që vlerësoi krijimtarinë time dhe më përfshiu në veprën madhore të shkrimtarëve të Bregdetit «Shtigjeve të Vendlindjes» e cila vijon si një nisiativë me rendësi dhe tejet e zgjuar, për ata që e ideuan dhe vazhdojnë ta bëjnë realitet, fillimisht me mbështetjen e ish kryetarit të Komunës Lukovë Vladimir Kumí dhe në vazhdim edhe të kryetarit të bashkisë Himarë Jorgo Goros,shpresojmë edhe tek pasardhësit, nën redaktimin e kollosëve të kritikës, Adriatik Kallulli, Josif Papagjoni, Miho Gjini, Përparim Kabo, Ymer Çiraku dhe mbarë kolegjiumit të redaksisë. Jam i bindur që kjo traditë e krijuar, do të mbahet gjallë për një kohë të gjatë. Por fatkeqësisht, ende Prof. Josif Papagjoni, përvec institucioneve të artit, mbetet i pavlerësuar nga administrata shtetërore me titujt «Nderi i Kombit», «Mjeshtër i Madh», çmime, të cilat u janë dhënë edhe disa idiotëve, me tërë kuptimin e fjalës, pa kritere, me hatëre e miqësira bajate. Por njeriun e bëjnë të famshëm puna dhe brumi me të cilin gatuan bukën dhe ushqimin e përditshëm që i jep shoqërisë. Titujt e pa merituar të disave do të shuhen si flaka e kandilit të mbetur pa vaj, ose si flaka e kashtës, apo do të duken me rroba të zbërdhuqura, vetëm për një copë herë, «si shiu i beharit», apo si vrapi i gomarit. U nisa të shkruaj këto rreshta, në të gjallë të tyre, për të thyer atë «tabu» të dikurshme që meritat njeriut i atribuoheshin, pas vdekjes, pasi pritej që njeriu të vdiste si komunist, si revolucionar dhe jo si tradhtar! Marrëzia e madhe e shekullit të kaluar. Njeriu, sa është i gjallë, duhet të gëzojë frytet e punës së tij, duke dalë krenarë, para popullit, shoqërisë e bashkëkohësve. Josif Papagjoni rrjedh nga një familje intelektuale , babai i tij ishte drejtor i filialit te Postë Telegrafës Sarandë. Hobi i Josifit është shëtitja buzë detit, kitara dhe peshkimi.Para pak ditësh, ai promovoi në qytetin e tij të lindjes, veprën e tij më të fundit, të tridhjetë e tretën në renditje «Fluturimi i bletës, Saranda». Ndërsa njëri nga djemtë e Josifit, Erioni, është studiues dhe albanolog ka botuar libra dhe artikuj shkencor,dhe mban gradën Doktor i Shkencave

PËRPARIM KABO – Një nga bijtë dhe intelektualët e shquar të Borshit dhe të rrethit të Sarandës, një nga filozofët më të zëshëm, aktualë të Shqipërisë. U lind në Tiranë më 23 gusht 1954 me prindër nga Borshi, fshat i krahinës së Bregdetit të Poshtëm të rrethit të Sarandës. Kreu



Studimet e larta në fakultetin Histori – Filologji, në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ish student i profesorëve më të shquar të kohës dhe bashkëpunëtor me ta në fushën e kritikës, analizës filozofike të personaliteteve të shquara të kulturës dhe artit shqiptar dhe atij botëror. Ka qënë këshilltar i lartë pranë kryeministrit Nano, për çështjet e arsimit, kulturës,fesë, artit dhe minoriteteve. Aktualisht ligjëron në Universitetin Mesdhetar, në lëndën :Antropologji dhe globalizëm. Mban gradën Doktor në filozofi dhe titullin Profesor. Ka botuar librat :-Antropologjia pa sistem :dukuri shqiptare mes psikologjisë dhe propagandës (2001)

Autoritarizmi në tranzicion-Antropologjia shqiptare përmes globalizmave (2006), «The Sound» - arsyeja pse Prometeu nuk është ende i qetë (2008),Letra :-Antropologjia e shpirtit (2014).Profesor Kabo ka 42 – vjet pervojë në fushën e arsimit në pergjithësi dhe të mësim dhënies në veçanti. Kërkues shkencor, autorë librash, personalitet i spikatur i jetës akademike, kulturore, politike e publike. Ka një aktivitet të gjerë botues edhe jashtë vendit si :Francë, Spanjë, Çeki, Hungari, Itali. Ka marrë pjesë në tubime e referime ndërkombëtare. Është nderuar me çmimin «Aleksandri i Madh», me çmimin e UNESCO-s. Ka kontribute si kritik arti dhe në median audiovizive dhe atë të shkruar. Është edhe një analist i çuditshëm i kampionateve sportive, skuadrave dhe lojtarëve të veçantë, si brenda dhe jashtë vendit. Prof. Kabo ka habitur emisionin procesi sportiv, duke pohuar se futbollisti i famshëm argjentinas Lionel Mesi, ka prejardhje shqiptare nga Kalabria e Italisë, sipas albanologut të shquar Kroat, Milan Shuflaj. Interesante janë mendimet e tij kur analizon një thënie të ish- amasadorit amerikan në Shqipëri, Eidhers (Uidhers), në një intervistë në «Zërin e Amerikës», vite më parë ku ai shprehet, se : Shqipërisë i duhet sot një Skënderbe, që t’i bashkojë forcat politike dhe institucionet, por sot nuk ka një Skënderbé». Profesor Kabo vlerëson gjestin e amerikanit, i cili, sapo hodhi këmbën e parë në Shqipëri, vizitën e parë e bëri në Muzeun e Gjergj Kastriotit në Krujë. Ai pyeti për bashkëjetesën fetare në Shqipëri dhe rrënjët historike të këtij realiteti. Profesori ndalet tek një film dokumentarë i Vladimir Priftit, të cilin e vlerëson shumë, për Skënderbeun, duke sfiduar disa popuj që nuk arritën të bënin asgjë për udhëheqësit gjoja «legjendë» të tyre apo jo të tyre, të dyshimtë, si fjala vjen, mongolët nuk e bënë dot një film për Cenghis Khanin, serbët fallsifikuan historinë duke e paraqitur Kostandinin e Madh të Bizantit si të tyre ;maqedonët bënë shtatoren e Aleksandrit të Madh, me përmasa të frikshme. Ai ngrihet kundër atyre që nuk përfillin vlerat e historisë por përfillin korrupsionin që të pasurohen. Një vend të rëndësishëm në veprat e Kabos zënë:identiteti përmes teatrit në një shoqëri që globalizohet (analiza mbi teatrin, komedinë, tragjedinë, dramën). Teatri nuk po e thotë fjalën e tij. Ai cek me një farë shqetësimi bashkëjetesën dhe tolerancën fetare e cila po kapërxen identitetet, duke u konvertuar ne fé të tjera, si rezultat i globalizmit, ndërveprimit mes popullsive, pikpamjeve të ndryshme etnike, duke u përqëndruar në diversitetin etnik, që së bashku me lirinë e besimit dhe të mendimit, përballet sot bota e civilizuar perëndimore.Profesor Kabo i referohet Lock-ut, kur citon fjalët e tij «Liri absolute, liri të vërtetë dhe të drejtë, liri të barabartë dhe pa hile, ky është ushqimi për të cilin kemi nevojë; Kjo nuk është kuptuar aq sa duhet, kjo nuk zbatohet fare as nga qeverisësit tanë» Problem i madh sot mbetet migracioni masiv. Një vëmendje të posaçme profesor Kabo u kushton jo më shumë të menduarit drejt, sesa të vepruarit drejt. Ai ngre shqetësimin e depozitave të emigrantëve në Greqi dhe Itali, mungesa e bankave shqiptare në këto vende, mungesa e Bursës, i lë jashtë përdorimit këto pasuri. Profesori flet edhe për identitetin kombëtar dhe besimet. Fetë, thote ai, kanë ardhur nga jashtë, kurse identiteti i gjuhës është produkt i brëndshëm. Shprehja shkatërruese e Kongresit të Berlinit se: «Shqipëria është një shprehje gjeografike», i vuri në pozita të forta Rilindasit tanë dhe pasardhësit e tyre, të cilët realizuan tre momente historike : Lidhjen e Prizërenit(1878-1881),Kongresin e Manastirit(Alfabeti 1908),dhe Kongresin Arsimor të Elbasanit (1909),ku u hap edhe Shkolla Normale, për mësues dhe mësimin e gjuhës shqipe nga brezat e ardhshëm. Kohët e fundit Prof. Kabo, ka botuar një vepër voluminoze, në dy vëllime «Antropologjia e Artit». Edhe oratoria e Profesor Kabos ka një muzikalitet të brëndshëm hyjnor. Me Profesorin ashtu si edhe me të tjerët jemi takuar në promovimet e Antologjisë «Shtigjeve të Vendlindjes» si dhe virtualisht nëpërmjet ekraneve televizive dhe rrjeteve sociale. Hobi i tij eshte sporti dhe në veçanti futbolli





ALEKSANDËR ÇIPA: - Gazetar profesionist, analist, opinionist në hapsirën mediatike shqiptare. Ka lindur në Pilur të Himarës, me 12 janar 1967. U diplomua në Universitetin «Eqerem Çabej» në Gjirokastër. Si para edhe pas vitit 1990, ka punuar si redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, si korrespodent në rrethe për gazetat e përditshme, korrespodent i BBC(seksioni shqip), si drejtor dhe moderator emisionesh në televizion, si lektor në Universitetin e Prishtinës, Shkupit, etj. Ka bërë disa studime dhe ka mbajtur kumtesa mbi disa çështje të realitetit mediatik, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Ka botuar libra me poezi. Ka themeluar organizatën më të madhe sindikaliste të gazetarëve dhe është kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar (UGSH). Studiuesi Behar Gjoka, shkruan se, Aleksandër Çipa, është: «si gazetar dhe analist, nga më të spikaturit në harkun e tridhjetë viteve pra si dëshmues dhe interpretues i realitetit shoqëror e politik, të shprehur me anë të fjalës, - dhe vazhdon, - si poet me katër libra, të botuar, në poezi, që bulojnë lëvruesin e fjalës poetike, me verb dhe shprehësi vetanake… që sjellin pranë lexuesit figura të shquara të artit dhe letërsisë, të kontributeve të tyre, si përkujtesë dhe rivlerësim» Edhe me Aleksandër Çipën unë ndaj diçka, jo vetëm në takimin që u zhvillua në Pilur, me 4 gusht 2018, në promovimin e librit «Shtigjeve të Vendlindjes», por edhe më 3 tetor 2022,ku në organizimin e një tryeze pune me gazetar të Unionit Sarandë, me praninë e kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa dhe sekretarit të përgjithshëm të këtij Unioni, z. Xhovani Shyti, unë u pajisa me dokumentin ndërkombëtar të gazetarit, «Press Card», falë aktivizimit qysh në vitin 2000 në gazetën «Internet Himara», me botues Valter Lazri e më vonë në gazetën on line «wwwfjalaelire.com» të Prof. Dr. Fatmir Terziu. Aleksandër Çipa është edhe një orator mahnitës ;e kam ndjekur në disa emisione televizive. Kisha një pasion të brëndshëm për gazetarinë, por edhe një ngjizje, kur lexoja bashkëfshatarët e mi gazetar. Edhe pse një fshat i vogel, fshati ynë, Sasaji ka gjashtë gazetarë, që përbëjnë elitë më vete, si Esat Bashari (gazetar i viteve ’50-’60, të shekullit të kaluar), Kastriot Ahmati, Ideal Serjani, Fatos Ahmati, Mentor Serjani, Ilir Bashari, për të vazhduar me mjaft të tjerë nga qyteti ynë,Saranda, si Thoma Nika, Agron Mema, Sofo Mekshi, Shkëlqim Hajno, etj. Aleksandër Çipa është djali i rapsodit të madh popullor lefter Çipa,i njohur për «bejk’ e bardhë e bor’ e malit», që ka bërë një jehonë shumë të gjerë në mjedisin shqiptar brenda e jashtë vendit, si dhe të mjaft këngëve të vjetra, po aq madhështore. Si përfundim z. Çipa vjen nga një

Familje intelektuale me vlera kulturore dhe atdhetare. Shpirti i Lefterit ishte i mbushur me perla, të cilat ai i hodhi në zërat e këngëtarëve, në kodrat, malet dhe lëndinat e Bregut të Detit, në valët e Adriatikut dhe Jonit, bashkë me tingujt e këmborëve e zileve dhe të longarit. Tradita kulturore dhe arsimore vazhdon nga Lefteri tek Aleksandri dhe me tej te djali i tij Akri, i cili është konsulent dhe ekspert i politikës së jashtme. Ka botuar shkrime në revista e gazeta prestigjioze ndërkombëtare. Ka botuar edhe libra me esse dhe poezi, si dhe perkthime nga gjuha angleze. Këto figura që përshkruam nderojnë familjet dhe fiset e tyre prej nga rrjedhin. Si fillim u mjaftuam me këto katër figura, për të vijuar me intelektualë të tjerë me kapacitet, pasi krahinës së Bregdetit këta nuk i kanë munguar në asnjë periudhë kohore të historisë së njerëzimit

Mentor Serjani Athinë 15/06/2023

85 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page