top of page

Kastriot Kotoni: Studiuesi i shquar italian i gjuhës shqipe




 

Karlo Taliavini (CARLO TAGLIAVINI 18 qershor 1903-1983), studiuesi i shquar italian i gjuhës shqipe.



Rizbulimi apo rikthimi tek autorët dhe studiuesit e huaj të cilët kanë qindra vjet që kanë shprehur interes për gjuhën shqipe është sa një shenjë mirnjohje, por tregon edhe njëherë busullën në të cilën ecën studiuesit e shquar shqiptarë, Çabej, Xhuvani, Gjinali, Kastrati, Kostallari,Demiraj, Domi,Agalliu,Shkurtaj. Ndër këta studiues nuk janë të paktë studiuesit italianë. Për shkak të rrethanave historike dhe gjeografike për të dy popujt që i ndanë një det dhe në shumë ngjarje historike kanë ndarë fatin e përbashkët mes tyre. Natyrisht faktori i padiskutueshëm që ka ndihmuar në këtë lidhje është elementi shqiptar  i cili jeton qysh prej 550 vjetësh në Itali. Siç do të shkruante Taliavini: “Përfundimisht lidhja(kontaktet), shumëshekullore kulturore intime mes shqiptarëve dhe italianëve, ka ndikuar që marrja dhe dhënia e fjalëve nga gjuha shqipe dhe italiane ka pasur një ndikim aq të madh sa ka shumë shqiptarë që mësojnë gjuhën italiane, siç ka edhe shumë italianë dhe për më tepër shumë studiues italianë që kanë studiuar gjuhën shqipe. Kjo faktohet me një dokument në gjuhën italiane që flet për Shqipërinë më 1473. Dhe më tej kemi shumë linguist italianë dhe arbëreshë, siç dihet fjalori shqip-italisht dhe italisht shqip me autor Niko Katalano të shekullit XVII, si dhe “Sprovë gramatike e gjuhës shqipe”, ndër veprat e para të këtij lloji. Në shekullin e XVIII vihet re një rritje e interesimit të studiuesve italianë për gjuhën shqipe. Francesco Maria da la Lecce me librin e tij “Vërejtje gramatikore në gjuhën shqipe”. Në vitin 1752 kemi studiuesin Bonaventura Pruker me dorëshkrimin e fjalorit Manuale catechetico italiano-epirotico. Arbëreshët e Italisë u përkujdesën shumë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe autorë si Gjergj Guxeta, Pal Maria Parrino, Nikolla Keta, Luka da Montegove. Shekulli XIX sjell në skenë poliglotin e njohur Italian Xhuzepe Mezonfanti i cili krahas studimit të shumë gjuhëve të tjera kish shprehur interes për gjuhën shqipe. Pikërisht do të ishte Karlo Taliavini(Carlo Tagliavini) i cili zbuloi dhe botoi disa shënime të Montefantit për gjuhën shqipe. Arbëreshët e këtij shekulli vijojnë me emrat e Engjëll Mashi, Andrea Dara, Mikel Scutari, Zef Krispi, Gjon Skiroi, por u shqua sidomos Jeronim de Rada e Dhimitër Kamarda. Shtrirja në kohë na sjell një prurje të ndjeshme të dijetarëve italianë në shekullin e XX. Angjelo Leoti i cili bëri një gramatikë të gjuhës shqipe, në dialektin toskë, botuar në vitin 1915. Albanologu i shquar N. Jokli, e ka cilësuar si një gramatikë nga më të mirat të shkruara në dialektin toskë. Edhe Karlo Taliavin e ka vlerësuar shumë për kontributin në gjuhën shqipe që ka dhënë Angjelo Leoti, ndaj ai propozon që ai “të përfshihet me dinjitet në historinë e gjuhës shqipe”.Kemi sintaksën e gjuhës shqipe nga një tjetër studiues italianë A. Aldeghieri, A.Buseli me një gramatikë, njihet emri i profesor A. Lakalendola i cili e studioi shqipen për 20 vjet dhe botoi librin “Gramatikë e gjuhës shqipe”, në vitin 1930. Por emrat e C.Tagliavini, Matteo Bartoli, Vittore Pisani, G. Bonfante, G.B. Pelegrini, Carlo De .Simone, F. Ribezzo, etje. Giovani Battista Pellegrini i cili vazhdoi traditën e shkëlqyer të shkollës së Padovës, të nisur nga Carlo Tagliavini. At Zef Valentin ishte një personalitet me erudion të jashtëzakonshëm që ka hyrë në albanologji si historian, gjuhëtar, mbledhës folklori dhe studiues i ligjeve e zakoneve shqiptare. Valentini ka kryer hulumtime me karakter onomastik e toponomastik tek arbëreshët e Italisë.Taliavini ky shkencëtar i shquar italian ka lindur në qytetit e Bolonjës më 18 qershor të vitit 1903 nga një familje intelektuale.

Me prindërit e tij mësues babai i tij Xhakomo, dhe mamaja Silvia Albertoni. Qysh në fëmijëri në moshën 6 vjeçare Taliavini shfaqi talentin për të mësuar gjuhët e huaja dhe steno-daktilografinë. Ai kishte idhull profesorin poliglotin bolonjez Alfredo Trombeti. Taliavini u diplomua në moshën 20 vjeçare për Drejtësi. Përfundoi doktoraturën në fushën e Gjuhësisë neolatine në moshën 23 vjeçare. Në një periudhë disa vjeçare ka dhënë leksione në universitetin e Budapestit dhe kalon një kohë në universitetin e Kaliarit dhe vazhdon menjëherë në univesitetin e Padovës. Publikimin e tij të parë e kemi me një studim të gjuhës dhe letërsisë rumune me një vëllim kushtuar poetit M. Eminesku dhe një “Gramatikë të gjuhës rumune”. Ai gjatë periudhës kur qëndroi në Rumani u përfshi në studimin e gjuhës rumune. Ai shkruante:- “duhet studiuar edhe gjuha shqipe dhe gjuhët ballkanike për të dhënë një përgjigje për prejardhjen e gjuhës rumune”. Kështu kemi të parin studim të tijin për gjuhën shqipe “Studime për gjuhën shqipe në revistën “Dakaromania”. Në universitetin e Padovës profesori dhe shkencëtari Taliavini kryen një aktivitet të gjerë shkencor duke udhëhequr mjaft diplomantë në fushën e dialektologjisë, fonetikës së gjuhëve ballkanike. Këtu ai fillon punën didaktike për mësimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në seminarin e themeluar nga vetë ai. Kurse të gjuhës shqipe për herë të parë në universitetet italiane i hapi Taliavini, konsiderohet pionier në këtë degë të gjuhësisë e lidhur me indoevropianishten. Në revistën “Studi Albanesi” ka shkruajtur një parashtresë zyrtare, si edhe në revistën “Iliria” botoi “Gjuha shqipe dhe pozicioni i saj në gjirin e familjes indoevropiane. Taliavini është i lidhur me korespondencë me albanologët Pedersen-in dhe Jokl-in që dinte 32 gjuhë dhe është marrë edhe me gjuhët ballkanike dhe sidomos me rumanishten. U formua Katedra e Gjuhës shqipe” në universitetin e Padovës, kështu që gjuha shqipe të jepej provim në universitetet italiane krahas gjuhëve të tjera. Ndihmësi i profesor Taliavinit do të ishte profesor Ernest Koliqi dhe në kujtimin e tij shpreh mirnjohje për të gjithë profesariatin, por sidomos Taliavinit, i cili ishte një nga ideatorët e këtij projekti mjaft të rëndsishëm. Në vitin 1937 doli nga shtypi puna disa vjeçare e profesor Taliavinit në fushën e dialektologjisë shqipe me botimin e “L’ Albanese di Dalmazia”. Taliavini ka pasur një afeksim e  lidhje shum të veçantë me albanologun Norbert Jokli. Në tetë letrat e korrespondencës së tij me N. Joklin ai ka diskutime albanologjike. Paraqet interes sidomos letra e datës 20 gusht 1940. Bashkimi zyrtar i Austrisë me Gjermaninë në viti 1938, përbën faktin se Joklit iu ndalua dhënia e ligjeratave në Universitet dhe iu konfiskuan të gjitha dorëshkrimet. Mundësia e vetme për të shpëtuar ishte Shqipëria, të emigronte dhe të punonte për organizimin e Biblotekës Kombëtare. Me këtë inisiativë të intelektualëve shqiptarë u bashkua edhe Karlo Taliavini i cili i drejtua Galeaco Çianos Ministër i Punëve të Jashtëme të Italisë duke i kërkuar të ndërhynte tek homologu i tij gjerman për të lejuar Joklin të dilte nga Austria. Taliavini i shkruante Joklit: “Unë i kam folur për ju edhe Komandës së Përgjithshme dhe gjithashtu Ministrisë së Jashtme” . Në një letër tjetër të Taliavinit për Koliqin shkruhet se : “Jokli ka deklaruar se nëse do të shkojë të jetojë në një geto të Polonisë pa biblotekën e tij dhe pa mundësinë të studiojë do të vëtëvritet”. Nisin përpjekjet e shqiptarëve për ta paisur me pashaportë Joklin, por ai përfundon në kampet shfarorëse të nazismit. As Akademia e Vjenës nuk e shpëtoi Joklin, sepse “urdhrat nuk diskutoheshin”, shkruan Taliavini. Dihen autorët e ndryshëm që janë marrë me etimologjinë e gjuhës shqipe siç qenë dijetarët që nga Thuman, Ksilander, Han etj. Ndërsa të tjerë studiues që janë marrë me elementet sllave dhe romane në gjuhën shqipe janë studiuar nga dijetarët F.Mikloviç dhe G. Majer me Fjalori etimologjik të botuar më 1891 i cili u bë figura qendrore e studimeve etimologjike në fushën e shqipes. Norbert Jokli shrehu një interes të veçantë për gjurmimin e fjalëve në gjuhës shqipe. Etimologjitë e tij << shquhen për strukturën morfologjike të fjalës>>, dhe fatkeqësisht fjalori i tij u zhduk pa lënë gjurmë bashkë me të. Lista e autorëve të tjerë që mund të përmendim në fushën e etimologjisë së gjuhës shqipe është e gjatë dhe kujtojmë Bregmanin, Thumbin, Vajgandin, Bartolin,Skokun, Bariçin, Pushkariun, Pizanin, Taliavinin, Ualde-Pokonin etj. Kujtojmë autorët shqiptarë me Kristoforidhin, Xhuvanin dhe natyrisht vendin kryesor e zë padyshim Eqerem Çabej nxënësi i Joklit. Taliavini në punimin Albanesische Etymolgien, është marrë me gjurmimin e burimit të : fjalëve amë, apel, barak, batakçi, batakçillëk, batoq, burak, novë, rragatë, tcham. Në revistën Revue Internacionale des Etudes Balkaniquees, Taliavini ka botuar disa artikuj dhe siç shkruan ai : në vështirësinë e mospasjes së një Atlasi për të gjurmuar burimin e fjalëve të gjuhës shqipe jemi nisur nga disa fjalorë si Fjalori italisht-shqip të F.Rosit tek fjalorët e Jungut, dhe të Kordinjanos, Busetit dhe Kristoforidhit. Filimisht është marrë me emrin e një lloj zogu të quajtur bishtatundës-bisht+mbiemër: bishtgjatë fjalë e dokumentuar për gegërishten në fjalorin e shoqërisë Bashkimi. Tund+bishtin sipas fjalorit të Kristoforidhit. Për burimin e fjalës kofen, kofna ”një lloj mjeti për të kapur peshkun” fjalë e cila përdoret në këtë kuptim edhe në fjalorët e Bashkimit e Kordinjanos. Po ashtu janë burimi i fjalëve tcop(ë) pjesë në fjalorin e Jungute të Bashkimit Meyerit. Kjo fjalë sipas studiueve tanë është pararomane dhe i afrohet fjalës zopa me kuptimin “copë toke”. Ky mendim i Taliavinit është pranuar edhe nga Jokli. Fjalët shqipe dylmer dhe delendisë, Taliavini i ka shteruar tek studimi në veprën “Shtresimi i leksikut të shqipes Elemente indoevropiane”, kjo fjalë ka lidhje me fjalën me fjalën delmere “bareshë” dhe është një zgjerim i fjalës delme-me prapashtesën-ere. Ky shpjegim është pranuar edhe nga prof E.Çabej. Gjithashtu ai gjurmon burimin e fjalëve gegë e toskë, fyt-fut, gju-gjuri, mushkni-mushkëri. Dihet se biblografia e gjuhës dhe historisë dhe kulturës shqipe zënë fill me arkitektin Georg Petroviç, i cili më 1881 botoi në Paris Skënderbeu-Deirgj Kastrioti (Scanderbeg-Georges Castriota), vepër e cila rradhit mbi dyqind e ca tituj botimesh historike e letrare që flasin për “Heroin tonë Kombëtar”, e më tej vazhdon me autorë si F.Mikloviç, Gustav Majeri, Faik Konica, Lumo Skëndo, Henri Gisë, Pederseni, Albert Thumbi në revistën “Vjetari Indoevropian” , më tej këtë punë e vazhdojë N.Jokli i cili mbajti për 23 vjet shënimet biblografike në fushën e shqipes nën rubrikën “Biblografia shqiptare”. Ndihmesë të madhe në biblografinë shqiptare kanë dhënë edhe arbëreshët qysh me De Radën, Gaintano Petrota botoi në Palermo librin “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare” më 1931. Mario Rroko botoi në Paris më 1932 botoi “Kërkime mbi tekstet e vjetra shqipe”. Taliavini botoi shënimet e tij biblografike fillimisht në revistën “Revista e Shqipërisë”( REVISTA D’ALBANIA),nga viti 1940-1943 me 128 zëra. Ky dijetar, i ndikuar edhe nga Jokli, doli në përfundimin, se ”shqipja buron nga iliro-trakishtja apo nga një dialekt trak i ilirizuar, ai pohoi në çdo punim të tij  se shqipja është një gjuhë indoevropiane, ashtu siç e kishte parashikuar Bopi. Ai arriti në përfundimin se shqipja është gjuhë e cila zë një vend të veçantë në familjen indoevropiane dhe është një gjuhë satem, pavarësisht nga pasqyrimi i veçantë i labiovelareve, mbështetur kështu tezën e Pedersenit. Si një studiues i përkushtuar ndaj gjuhës shqipe ai u përkujdes për krijimin e një gjuhe letrare shqipe, për të ndërtuar një unitet gjuhësor. Si zgjidhjen më të mirë ai shikoi dialektin e Elbasanit, i cili ndër vite kishte njohur zhvillime, sidomos me shkrimet e Kristoforidhit. Taliavini ishte dhe mbeti një dashamirës i gjuhës shqipe dhe afirmuesi i saj. Ai pati marrëdhënie të ngrohta me figura të shquara të dijes shqiptare, këtu përmendim miqësinë e ngushtë me Koliqin dhe me Çabejn. Koliqi u bë pasardhës i Taliavinit në Katedrën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Padova. Ky dijetar i nderuar është në faqet e enciklopedive të pesë shteteve, Italisë, Hungarisë, Shqipërisë, Rumanisë, Kroacisë, etnograf, poliglot, indoevropianist,romanist, ballkanolog, albanolog. Në Enciklopedin e Përgjithshme të Italisë në zërin TAGLIAVINI CARLO e vitit 1974,  ndër të tjera shkruhet: Taliavini u mor me glotologji, dhe u mor me gramatikën portugeze dhe gramatikën rumune dhe studiudioi gjuhët latine-venedikase, për të studiuar origjinën e gjuhëve neolatine dhe pikëtakimet e saj me gjuhët romane dhe “L’ Albanese di Dalmazia”. Karlo Taliavini mbajti për disa kohë revistën “Vjetari indoevropian”,  e pas tij kemi emrat e Karl Gurakuqit, dhe kjo u pasua nga ndihmesa të mëdha që kanë dhënë në biblografinë e gjuhës shqipe Benedikt Dema, Filip Fishta, Sterio Spase, Dhimitër Shyteriqi, Jup Kastrati, Palok Daka etj.  Taliavini në kohën e kulmit të nacionalizmit dhe fashizmit nuk e shiti shkencën për hir të ideologjisë?

Përgatiti Kastriot Kotoni

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page