Punimet e Kuvendit të Dibrës filluan me mitingun e madh dhe të hapur, që u mbajt më 27 shkurt të vitit 1899 në një nga sheshet jashtë qytetit (në lëndinën e quajtur Qemanica), në të cilin , sipas burimeve të ndryshme, morën pjesë 1000-1500 veta nga sanxhaku i Dibrës dhe viset e tjera shqiptare. Mitingu u zhvillua nën drejtimin të riut Ali Beu, i biri i Sadik Pashës. Ashtu si në Kuvendin e Pejës, edhe në atë të Dibrës e shpalli formimin e lidhjes (Itifaku) dhe bashkimi i popullsisë së sanxhakut të Dibrës në Lidhjen Shqiptare të Pejës. Për këtë u shpërnda publikisht në shumë ekzemplarë Vendimi (Karamameja) prej 11 pikash i Kuvendit të Pejës. Me këtë akt dhe me leximin e telegrameve që kishin nga krahina të tjera të Shqipërisë ky miting u mbyll. Në ditën e dytë të 28 shkurtit Kuvendi i Dibrës apo, “Kuvendi popullor” siç shkruhet në “Kalendarin Kombiar 1899-1904, Ngjarjet e vitit 1899 në Shqipëri, por vazhdoi me mbledhje të ndryshme në sanxhakun e Dibrës. Nga sanxhaku i Dibrës morën pjesë 31 delegatë përveç përfaqësuesve të viseve të tjera të Shqipërisë. Si delegatë të Dibrës së Sipërme ishin Selim Rusi, Sefedin Pustina, Shaqir Jegeni, Nuredin Pustina, Kurtish Aga, si dhe Beqir Tërshana, Osman Zajmi, Shaqir Daci, Riza Beu i biri i Iliaz Pashës etj; nga fusha Daut Murja, Dik Reçi, Haxhi Nasufi; nga Gryka; Bajram Markja, Jashar Dema, Shaban Dema, Tushe Lleshi; nga Dibra e Poshtëme Jusuf Karahasani, Hasan Zajmi, Xhafer Caka, Hasan Kaloshi, Mehmet Kaçani, Xhafer Noka, Bajram Dulla, Ali Kaçani, Sheh Vlesha(Veleshta), .. nga Mati; Kajmak Çela etj. Kuvendi i Dibrës hartoi një Rezolutë prej 22 pikash, që u shpall në mitingun e dytë të madh, që u mbajt më 16 mars të vitit 1899, me të cilin morën fund edhe punimet e tij. Këto vendime iu publikuan edhe sulltanit me telegramin që iu dërgua në emër të Kuvendit më 16 mars 1899. Si edhe në mbledhjet e tjera të Lidhjes, nga Kuvendi doli Komiteti i Lidhjes për Sanxhakun e Dibrës. Në Rezolutën e Dibrës shpallej bashkimi i popullsisë së këtij sanxhaku me Lidhjen Shqiptare të Pejës, ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë, grindjet dhe arbitrariteti mbi banorët myslimanë dhe të krishterë. Kuvendi shprehu gatishmërinë për të grumbulluar forcat ushtarake vullnetare, të cilat ashtu si në Pejë, do përdoreshin vetëm për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë nga çdo sulm i mundshëm sllavo-rus. Popullsia e sanxhakut të Dibrës qysh në fillim vuri në dispozicion të Lidhjes Shqiptare 15mijë vullnetarë. Në Rezulutën prej 22 pikash, dërguar qeverisë së sulltanit, parashtroheshin gjithashtu aspiratat e shqiptarëve të organizuar në Lidhjen e re për të përqëndruar në duart e veta administrimin e brendshëm të vendit. Ky Komitet vishej me atributet që i përkisnin admenistratës shtetërore. Organizimi i Komiteteve të Lidhjes dhe veshja e tyre me fuksione shtetërore, megjithë shprehjet e besnikërisë ndaj sulltanit, vlerësohen si veprime të drejtuara kundër autoriteve shtetërore. Një ndikim të fuqishëm ushtruan në veprimet e Kuvendit atdhetarët dibranë me pikpamje radikale, të cilët, ishin të brymosur me idetë e luftës për pavarësinë e Shqipërisë. Këta e shikonin Lidhjen si një organizatë ushtarako-politike, që do t’i siguronte popullit shqiptar bashkimin dhe çlirimin kombëtar. Duke iu kundërvënë veprimeve të autoriteteve qeveritare osmane, që shtypnin me dhunë e me “rreptësinë më të hekurt” çdo ndjenjë kombëtare, atdhetarët shqiptarë të sanxhakut të Dibrës dhe të viseve të tjera të vilajetit të Manastirit mbrojtën idenë “se rilindja e Shqipërisë nuk mund të realizohej pa tronditje të forta”, domethënë pa luftën e armatosur. Nën ndikimin e këtij grupi, në mbledhjet e fshehta , u diskutuan një varg çështjes politike më të rëndësishme nga ato që u përfshinë në Rezolutën zyrtare prej 22 pikash. U vendos të punohet për bashkimin kombëtar të popullit shqiptar, të unitetit dhe kompaktësisë “midis gjithë elementeve që flasin shqip myslimanë e krishterë, pa dallim feje, për trajtimin plotësisht të barabartë të shqiptarëve të krishterë me ato myslimanë”. U veprua me mendje të hapur nga Komiteti i Dibrës për t’u bashkuar me popullsinë katolike shqiptare, e veçanërisht me atë të Mirditës, bëhet fjalë për Abatin Prend Doçi në një nga relacionet që i drejtonte Ballplatzit në korrik të 1899-ës. Në relacionin që i dërgonte Vjenës konsulli austriak në Manastir, Kral, duke vlerësuar punimet e Kuvendit të Dibrës, vinte në dukje “karakterin kombëtare dhe në një farë mënyre antiqeveritar të mbledhjes së Dibrës dhe të çështjes së Lidhjes Shqiptare në tërësi”. Për aq kohë sa ekzistojë Lidhja Shqiptare në Dibër ishte vendosur rendi dhe qetësia publike dhe të gjitha angazhimet që rridhnin nga shpallja e Besës. Aq e vertetë është kjo sa që në Dibër qetesia ishte e njëjtë si në Evropë, falë punës që kreu Komiteti i Lidhjes i cili e shtriu autoritetin e tij duke marrë përsipër mbrojtjen e vendit nga çdo sulm i jashtëm dhe i detyroi ato të tërhiqnin nga Dibra dy batalione ushtarësh, të cilat u dërguan në Manastir. Komiteti kërkoi nga pallati i sulltanit që të lironte nga burgu Manastirit Hamdi Ohrin, dibran me banim në Ohër, që ishte dënuar qysh prej 3 vjetësh për veprimtarinë e tij në të mirë të lëvizjes shqiptare. Komiteti mori masa për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave në të cilat mësimet të zhvillohehin në gjuhën amtare shqipe. Komiteti për të arritur sukses mori në duart e tij financat dhe themeloi arkën kombëtare. Komiteti paratë e grumbulluar do t’i përdorte për mbrojtjen, për të mbajtur familjet e varfra, ato të luftëtarëve të ushtrisë kombëtare, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për mbajtjen e shkollave shqipe, për të ndihmuar shkrimtarët atdhetarët etj. Kuvendi i Dibrës dhe Komiteti që doli prej tij miratoi thirrjen e kryetarit të Lidhjes Shqiptare të Pejës, Haxhi Zeka, për organizimin në pranverën e vitit 1899 të një Kuvenditë madh Kombëtar, ku do të përfaqësohej gjithë Shqipëria. Komiteti vendosi që Besa e shpallur nga Kuvendi i Dibrës të zgjatej për tre vjet. Nëpërmjet Kadri Fishtës (Dibrës) hyri në kontakt me shoqërinë patriotike të Bukureshtit, që kërkuan që të dërgonin një përfaqësues për të ndihmuar më nga afër Lidhjen Shqiptare. Komiteti i Dibrës dërgoi, në fillim të marsit të 1899-ës përfaqësuesit e vet në Manastir, Korçë, Elbasan, Tiranë dhe në vilajetin e Janinës. Vendimet iu njoftuan në mënyrë të fshehtë krahinave më të afërta me sanxhakun e Dibrës dhe veçanërisht Elbasanit, Tiranës, Beratit, Starovës, Korçës, pastaj Ohrit, Manastirit, Kërçovë, Përlepit etj.. popullsia e të cilave i miratoi ato plotësisht dhe shprehu dëshirën për t’u bashkuar me Lidhjen Shqiptare. Delegacioni i popullsisë do të përbëhej prej 5 vetësh dhe do të kryesohej nga Selim Rusi dhe dy matjanë, ndërsa popullsia katolike e sanxhakut të Dibrës do të përfaqësohej nga vovoda i Lurës, Kolë Bibë Doçi. Duke informuar për këto përpjekje që atdhetarët shqiptarë bënë në pranverën e 1899-ës, për bashkimin e viseve të ndryshme të Shqipërisë, konsulli austriak në Manastir, Kral, shkruante se toskët po punojnë seriozisht për bashkimin me Veriun dhe, sikurse tregojnë marrëdhëniet e tyre me Dibrën, qysh tani janë në kontakt me ta. “Të gjitha këto që po ndodhin në Shqipëri i shkruante Kral, Ballplazit, - do të jenë fillimet e një lëvizjeje të madhe kombëtare e popullit shqiptar, qëllimi i së cilës do të jetë çlirimi kombëtar. Pas shkëmbimit të mendimeve midis komiteteve të Lidhjes në vise të ndryshme të Shqipërisë u vendos që Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar, ose Mbledhja e Madhe të mbahej më 3 qershor në Babib Most afër Prishtinës. Në relacionin që Abati i Mirditës , P. Doçi, i përcillte Vjenës, nëpërmjet kryekonsullit austriak në Shkodër Ippenit, shkruante “për përpjekjet e njerëzve me rëndësi nga të krishterë e myslimanët e Dibrës, të Matit, të Shkodrës e të vendeve të tjera për vendosjen e Besës së përgjithshme midis shqiptarëve myslimanë e të krishterë, për të udhëhequr lëvizjen kombëtare dhe për të zhvilluar idenë e autononmisë”. Megjithë masat shtypëse të Portës së Lartë, atdhetarët shqiptarë vazhduan të këmbëngulnin për mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm. Kur sulltani ndaloi mbledhjen e tij e cila ishte caktuar të bëhej në Kosovë në fillim të qershorit, atdhetarët dibranë i propozuan Komitetit të Lidhjes Shqiptare që Kuvendi të mbahej në Dibër. Një nga vatrat kryesore të qendresë së armatosur kundër administratës osmane u bë sanxhaku i Dibrës në vilajetin e Manastirit. Porta e Lartë nisi masat shtypëse duke vendosur nënpunësa osmanë në gjykatat e vilajetit. U firmosën peticione me nënshkrimin e 800 personave ku protestohej kundër vendosjes së gjykatave osmane. Protesta të tjera iu dërguan edhe pallatit të sulltanit. Lëvizja kundër vendosjes, së gjykatave osmane, filloi të kthehej në kryengritje të armatosur kundër pushtetit qeveritar në tërësi. Populli u hodh në demostratë kundër autoriteteve osmane. Më 17 tetor u mbyllën pazaret në gjithë sanxhakun e Dibrës. Përballë kësaj gjendjeje Porta e Lartë përqëndroi në Dibër forca të mëdha ushtarake. Në nëntor u dërguan në Dibër dy emisarë perandorakë, gjenerali Hasan Tahsin Pasha që ishte shqiptar dhe agjutanti i sulltanit. Talat Pasha dhe Hasan Tahsini ishin dërguar për të shtypur kryengritjen dhe Lidhjen Shqiptare. Më 6 nëntor Komiteti arsimor shqiptar të Dibrës që fuksiononte si organ i Lidhjes Shqiptare i dërgon sulltanit një promemorjen , në të cilën theksohej dhe kërkohej të themelohej në Dibër një shkollë shqipe. Në emër të Komitetit arsimor promemorjen e nënshkruan Shyqyri Çoku, i nipi i Iliaz Pashë Dibrës, Hamdi Ohri e shumë atdhetarë të tjerë. Më 11 nëntor, popullsia e Dibrës ngriti përsëri krye. Emisarët perandorakë pasi nuk mundën t’i nënshtronin shqiptarët kryengritës, natën e 11-12 nëntorit u detyruan të largoheshin fshehurazi nga Dibra për në Stamboll. Më pas kryengritësit sulmuan zyrën e mytesarifit dhe kazermat e ushtrisë, ku ishin fshehur mytesarifi dhe nënpunësit osmanë. Numri kryengritësve arriti mbi 12 mijë në gjithë sanxhakun e Dibrës sikurse informon konsulli austriak Kral në Manastir, ndaj kjo u bë vatër e qëndresës së armatosur antiosmane. Haxhi Zeka përsëri bëri një orvajtje tjetër për të bashkuar të gjitha forcat e Lidhjes Shqiptare në mars të vitit 1900, ai shkoi në Dibër. Në Dibër u bisedua për lidhjen e Besës që parashikohej që të vendosej për një kohë më të gjatë të paktën për 5 vjet. Në mbledhjet e Dibrës dhe të Kosovës nuk u arrit të merrej Besa , se kundërshtimi i autoriteteve osmane, të cilët përdorën lloj lloj mënyrash e metodash, mjetesh dhe intrigash e mashtrime, po ashtu një fuqi të madhe ushtrake, çuan në rënien e Lidhjes Shqiptare. Situata ndërkombëtare nuk e favorizoi faktorin shqiptar, pra edhe kjo ishte edhe një nga shkaqet e shuarjes së Lidhjes Shqiptare. Ndikimi që pati kjo lëvizje kombëtare e Rilindjes Shqiptare në vitet 1899-1900 ishte e jashtëzakonshme, sepse ajo u bë një model frymëzimi për shpërthimin e Kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912 që çuan në shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar (ndonëse me kufij të cunguar) më 28 nëntor 1912.
Përgatiti Kastriot Kotoni.
Comentários