Kapllani shprehet: "Unë jetoj nga imagjinata ime"


Profesori artist, Bujar Kapllani


Profesori i Universitetit „Aleksandër Xhuvani“ të Elbasanit, piktori dhe skulptori me një imagjinatë tejet të mprehtë artistike, Bujar Kapllani, ka risjellë në vëmendjen artistike veprën e tij mjaft domethënëse „LIRI RICIKLIMESH DRU, GJETHE, BALTË DHE DYLLË“, të cilën në fakt e ka realizuar që në vitin 1995. Ndryshe nga thelbi i nocionit artistik „art riciklimesh“, thelbi i lirisë së riciklimit tek Kapllani është metaforë e dukshme, e ndjeshme, dhe jashtë materialit riciklues, por thelbit të tij diskursiv të riciklimit. E natyrshmja, natyralja, e lira për të shkuar në destinacionin riciklues nuk është thjesht material sikurse mbetet tek arti riciklues, por një mesazh që parathotë e tejthotë mesazhin e qartë. Arti i ricikluar është punë krijuese e bërë nga materiale të hedhura që dikur kishin një qëllim tjetër, por arti i lirisë së riciklimit të Kapllanit është vepër e realizuar në tematikën e saj të qartë me dru, gjethe e baltë, por pa përdorur asnjërën prej tyre në fakt. Ndërsa tek e para materialja përfshin çdo gjë, nga lodrat e vjetra plastike dhe gomat e automjeteve deri te copat e rrobave dhe pajisjet e ndërtimit, tek e dyta, ajo e Kapllanit qas në mënyrë diskursive mesazhin nga një ide sublime, tipologjike, realizuar nga mendja, talenti dhe dora e tij e destinuar të prodhojë dhe të dashurojë lirinë artistike edhe në këtë formë. Artistët që bëjnë art të ricikluar i marrin ato materiale dhe i kthejnë ato në diçka të re, ndërsa artisti shqiptar hulumton, ideon dhe ndërton një art me vetëm një fakt që flet pastër e qartë për mijëra arsye të ngjashme të para dhe vëzhguara artistikisht nga këndi i mbarë.

Në fakt puna artistike e këtij lloji ka një qasje dimensionale në artin global dhe ndahet në disa kategori. Rreth formës së parë mjaft artistë kanë përcjellë ide dhe mes kësaj forme diskursive mesazhet e tyre kanë kapërcyer pragjet ku ata krijojnë. E tillë është dhe vepra e Konstantin Bokov (1999) ku materiali është një letër e ricikluar dhe tematika e tij është "Liri për Lirinë". Ai ka një karrierë të gjatë dhe gjatë karrierës së tij artistike shumë-dekadëshe, arti i Bokov është shfaqur në galeri të shumta në Nju Jork. Ai është shfaqur së bashku me Jean-Michel Basquiat dhe Keith Haring në Galerinë Noë, dhe kohët e fundit puna e tij u paraqit edhe në Panairin Evropian të Artit në Vjenë dhe Nju Jork. Rreth formës së dytë shembujt janë të shumtë, por ky i yni është tipik, dhe mbase i një stili të ndjeshëm artistik, ku shpaloset mesazhi dhe arti, ku mbas leximit dhe gjuhës gjithkush e kupton se për kë gjuhënxjerr timpani. E këtë e rrealizon mjeshtërisht, Bujar Kapllani.


Bujar Kapllani: „LIRI RICIKLIMESH DRU, GJETHE, BALTË DHE DYLLË“ (1995)

Tek vepra e Kapllanit pragjet e artit janë të lira, gjuha dhe mesazhi janë të qarta, të kuptueshme, depërtojnë afër dhe larg, kanë thelbëisht art. Ky lloj arti është mesazh. Mesazh edhe në këtë rast. Tek kjo natyrshëm dhe kryesorja e lirisë së artit të Kapllanit zë fill, pra si një art i mirëfilltë dhe një mirëfill tek „Liri riciklimesh dru, gjethe, baltë dhe dyllë“. Autori ngre në këmbë drurin e ridimensionuar e i jep gjethen e tij të zverdhur, në një qasje filozofike të destinacionit, natyrshëm mes të verdhës në sfond dhe qasjes agravuese të fijes së zezë në majë të qiriut ku komunikimi është gjuhë edhe përtej ikjes, edhe përtej riciklimit. Është gjuha që vjen nga ngjyrat, nga mënyra se si arti krijon dskursin e vet, lirinë e tij. Atë liri që autori artist e ka në gen dhe e kërkon edhe në këtë terren, duke qartësuar dhe faktin natyral të riciklimit dhe determinimit se jeta është përkatësi, është ligjësi, është metaforë e kuptimit të saj jetik. Aty është vetë thelbi i konceptit të lirisë artistike.

Koncepti i lirisë artistike, si ai i lirisë akademike, është po aq i fuqishëm sa edhe i rrëshqitshëm. Pacaktueshmëria e tij në fakt mund t'i japë konceptit një fuqi, pasi mund të zbatohet në mënyrë kritike në lloje të ndryshme situatash që përfshijnë artistë dhe po aq edhe krijimet e tyre. Filozofi Paul Crowther ka vërejtur se koncepti mbizotërues i lirisë artistike është në thelb negativ në karakterizimin e tij: ai bazohet „thjesht në mungesën e kufizimit ideologjik ose konceptual“. Prandaj edhe studiuesi K. E. Gover shprehet se „Ekziston një intuitë e përhapur në botën e artit që lirisë krijuese të artistit duhet t'i jepet praktikisht përparësi absolute në vendimet për krijimin, ekspozimin dhe trajtimin e veprave të artit.“

Ndodh që verës, në kohën time të „lirë“ të bisedoj në Elbasan me Bujar Kapllanin, të diskutojmë për të gjitha, sigurisht dhe për Artin. Kur diskuton frymëzimin për artin e tij, Kapllani shprehet: "Unë jetoj nga imagjinata ime". Me sa duket, përtej realitetit dhe faktit, imagjinata e Bujarit ka kapur botën mes artit, por që kërkon pak dhe dorën e 'paktit'. Pakti nuk i shkon përshtat artistit, natyrisht jo e jo Bujar Kapllanit, ndaj ai i mëshon me fuqi dhe fuqishëm lirisë së artit, atje ku ndodhet, atje ku krijon art dhe vetëm art në fakt.