top of page

KANINA FLET ME GJUHËN E HESHTJES!


KANINA FLET ME GJUHËN E HESHTJES!

Vivra e bëri të dëgjohet.



Kadri Tarelli, Shkruan:


Pak kohë më parë, nëntor 2021, shkrimtarja dhe studiuesja Vilhelme Vrana-Haxhiraj, ose “Vivra”, solli në dritë librin e sajt fundit “KANINA E LASHTËSISË DHE PRINCI GJERGJ ARIANITI”. Studim.

Për autoren e mirënjohur ky është një lajm i bukur dhe shumë i mirëpritur nga lexuesi, sepse i shton edhe një gur të çmuar gjerdanit të artë të krijimtarisë së saj, me afro 60 vepra letrare, një pjesë e mirë si studime të mirëfillta historike dhe filozofike.

Ky libër ka shpenzuar gati një jetë, si mendim dhe dëshirë e tjerur gjatë, për të bërë diçka për vendlindjen, Kaninën. Puna nisi rreth viti 1991, por filloi të marrë udhë, rreth 15 vjet më parë, kur “Përmes gazetës “Kanina”, iu drejtua të gjithë kaninjotëve që t’i sjellin dokumente dhe foto për të pasqyruar “Të shkuarën e Kaninës, ashtu siç ka ndodhur””. Libri faqe. 4. Pas kësaj, mendim, përpjekje, mundim dhe studim për të plotësuar e shtuar materialin e grumbulluar gjatë viteve. E gjitha edhe si amanet ndaj dy miqve të saj që e nxitën: Ardian Klosi: “Studio Arianitët dhe fillo hulumtimet për Kaninën, se mbron gjenezën tonë”, dhe Moikom Zeqo, “Vilhelme! Vetëm ty të takon një studim i thellë për Kaninën”. Libri, faqe. 2.

Çdo kush mund të pyesë: Pse pikërisht Vivra Vranarit iu la porosi kjo detyrë e vështirë? Përgjigja nuk do shumë mundim. Ata kishin besim dhe bindje, se vetëm ajo mund t’ia dalë në krye dhe të sjellë një vepër cilësore, me vlera shkencore-historike me përmasa lokale, kombëtare dhe më përtej. E them këtë, se çdokush nga ne lexuesit dhe miqtë e saj, duke u nisur nga veprimtaria letrare, studimet dhe veprat e botuara, po këtë porosi do t’i jepnim. Mjafton të përmend disa punime me karakter të theksuar shkencor, “Elitat e Mohuara. Krenari Kombëtare”, “Autoktonia e Shqipërisë jugore. Enigma e shekujve”, “Rrugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj”, etj, etj, ku gjallon jo vetëm kultura, njohja dhe përkushtimi, por edhe nervi atdhetar, si për vendlindjen ashtu edhe për trojet shqiptare, brenda kufijve shtetëror dhe përtej gardhit ku jetojnë shqiptarët. Besoj, se këtu ka vend të rendis edhe disa vlerësimet që i janë dhënë autores, që çdo kush nga ne do t’i kishte lakmi:

1. “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe “Medalje ari”, dhënë nga Presidenti i Republikës.

2. “Ikonë e letërsisë botërore”, nga Akademia e Shkencave, Letërsisë dhe Arteve Indiane.

3. “Pena e kristaltë” në Suedi, etj, etj.

4. Anëtare e “Akademisë Shqiptaro-Amerikane e shkencave dhe arteve”, me seli në New York.

5. Do të duhen dy faqe libri për të dhënë të plotë të gjithë listën e vlerësimeve në botën letrare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

6. Disa libra dhe shkrime janë përkthyer në disa gjuhë të botës.

Libri nis me poezinë ”Të dua Kaninë”, vendosur në faqen e brendshme të ballinës. Më pas një përkushtim: “Perlës margaritare, të përkëdhelurën e Zotit, parajsës ku kanë folenë dhe prehen Perënditë,….”, duke vazhduar: “Librin studimor të titulluar “Kanina e lashtësisë dhe princi Gjergj Arianiti”, ia kushtoj Kaninës sime të lashtë, vendlindjes së të parëve tanë, si themelues të këtij qyteti me vlera të mëdha historike, atdhetare dhe kulturore. Ia kushtoj gjithë kaniniotëve…….”.

Duke cituar këto pak radhë, është e panevojshme të përshkruhet përmbajtja, pasi harxhojmë kohën me përsëritje që të lodhin. Ndaj po mundohem të hyj në vlerat e këtij studimi të mirëfilltë, të cilat mund të shërbejnë edhe si subjekt për diskutim mes lexuesve dhe dëgjuesve.

Së pari: “Kanina ka ruajtur ekzistencën fillestare, qysh kur u mbollën rrënjët e jetës në tokën e saj e saj”. Kështu shprehet autorja në faqet e para, e cila nuk përqendrohet vetëm në kornizën e këtij qyteti të lashtë, por e analizon në kuadrin e kohëzgjatjes dhe vazhdimësisë së jetës, duke e ballafaquar edhe me disa qendra të tjera për rreth saj, të ngritura në brendësi të truallit Pellazgo-Ilir, ku jeta është ndërprerë, nga shkaku i pushtimeve dhe rrebesheve të historisë. Autorja jo pak herë na e kujton, se vetëm Kanina mbijetoi, ndërsa vend-banimet e tjerë u shkatërruan krejtësisht, jeta u ndërpre dhe sot janë thjesht vend gërmim arkeologjik, si dëshmi e historisë sonë, njëkohësisht si vend pelegrinazhi për turistët vendas dhe të huaj.

Autorja e thekson, por edhe lexuesi e kupton lehte, se kjo pikë strategjike “Ballkoni i Vlorës”, që kontrollon Gjirin e Vlorës, një pjesë të mirë të dy deteve Adriatik-Jon, dhe me shikim shumë larg në brendësi të territorit, vetëm pak kohë ka mundur të jetojë e qetë. Që nga pushtimi romak e më pas, ka pritur e përcjellë lloj-lloj pushtuesish, është rrëzuar e ngritur, djegur, shkatërruar dhe rindërtuar, duke ardhur deri në ditët tona, ashtu madhështore dhe me bukuri natyrore të pakrahasueshme si asnjë vend tjetër. Vetë autorja ndjen dhimbje kur e thotë këtë. Ishte një realitet i hidhur: I gjithë territori Ilirian për shekuj me radhë ka qenë i pushtuar, nga pushtues që i zinin vendin njëri-tjetrit. Kështu ndodhte natyrshëm edhe për Kaninën tonë.

Së dyti: Autore Vivra, ka gërmuar aq shumë në dokumentacion historik dhe arkeologjik, ku mjafton të shikojmë me kujdes referencat, aqsa, kam përshtypjen se në të gjithë kapitujt e parashtruar, është shteruese deri në fund. Nuk po them gjë të re, kur dihet se të gjithë shkencat nuk e prekin fundin, ashtu është edhe Historia. Në këtë rast edhe nëse del ndonjë dokument, nuk bën gjë tjetër veç e plotëson të gjithë veprën, madje i bën nder asaj.

Së treti: Autorja diku përmend historianin e antikitetit Polibi. (206-118. Pr. krishtit), që thotë: Romakët pasi pushtuan territore të Epirit, shkatërruan 70 qytete, morrin rreth 150.000 robër (Skllevër), dhe miliona kokë bagëti. A i mendojmë pak pasojat e një toke të lënë djerr? Sa kohë duhen për të rigjallëruar veten si popull, pasi nocioni “komb” është shumë i vonshëm? Një citim i tillë është në të gjitha tekstet e historisë sonë. Kam bindje, se ky shënim nxit dhe hap një dritare të re studimi në letrat shqipe: “Zhdukja e racës Ilire, sot shqiptare”, Pse????. Historia është e mbushur me fakte tronditëse.

Prej mëse dy mijë e kusur vitesh, shpopullimi i trojeve ilire, nuk është ndërprerë, madje po përsëritet edhe në ditët tona, siç ndodhi shpopullimi i Çamërisë dhe Dardanisë, gjatë shekullit të kaluar, të cilin bota e quan me një emër tepër vrastar “Gjenocid”, (Mbytës i racës). Mos themi për largimin biblik te viteve 1991 dhe 1997, të shkaktuar jo nga pushtuesi i huaj, por pushtuesi i vetvetes. Ka shkrime dhe libra që flasin hollësisht mbi këto ngjarje historie. Qofsha i gabuar, por një studim i plotë i të gjitha shpërnguljeve, masakrave, dhe shpopullimi masiv, nuk e kam hasur. Është një temë me mjaft interes shkencor, njohës dhe i dobishëm historikisht, si mësim për brezat dhe veçanërisht për politologët tanë.

Së katërti: Autorja është e ndjeshme, ndaj ka guxuar të ngrejë dy probleme të historiografisë shqiptare, që gjallojnë ditën për diell nga fqinjët tanë dhe fanatikët e tyre, duke kundërshtuar si “gabime”, (jo pa dashje) dhe më keq akoma, të fshehjes apo grabitjes së historisë së Ilirëve të hershëm dhe shqiptarëve të sotëm. Nuk paskam gabuar, sepse diku unë kam shkruar, duke i quajtur “Hajdutë të historisë”.

Së pesti: Autorja edhe një herë e ngre zërin e protestës, se pak kujdes i kushtohet ruajtjes së arkeologjisë, trashëgimisë dhe monumenteve që shënojnë sinoret e historisë sonë kombëtare. Në këtë hulli mendimi, shtrihet edhe heshtja apo mohimi i elitave të kombit, që na nderojnë dhe lartojnë virtytet dhe vlerat tona si komb i lashtë.

Për çdo lexues apo studiues, janë të mjaftueshme këto pak fjalë të thëna nga autorja dhe të vendosura në krye të këtij shkrimi: “Lum kush mundohet të tregojë të vërtetën si drita e diellit. Faktet janë ato që bëjnë historinë, ndërsa historia i mban gjallë kombet”. Këto të gjitha janë fjalë të mrekullueshme, që na mrekullojnë për nga bukuria letrare e mendimit, të qëmtuara hollë nga historianë të antikitetit, të mesjetës dhe të kohëve të sotme, dukë përfshirë edhe mendimtarë e studiues shqiptarë. Gjykoni pak vetëm këto fjalë të shkruara nga historiani Pauzania: “Burri i parë që ka lindur në botë ka qenë pellazgu, një burrë i dalluar për përmasat dhe bukurinë e figurës së tij, që i kalonte të gjithë të vdekshmit e tjerë për kualitetin e shpirtit”.

Kush ka studiuar dhe ka sado pak njohje historike, e ndjen në damarë, që deri para do kohësh kur ne fituam mëvetësi, historinë tonë na e kanë shkruar të huajt. Është nder dhe detyre, që historinë po e shkruajmë ne vetë dhe për vete, për t’ua thënë edhe të tjerëve të vërtetën, të lavdishme apo të hidhur, siç po bën edhe Vilhelme Vrana-Haxhiraj.

Znj. Vivra, si përherë ka vendosur që edhe me këtë libër të jetë në paqe me vetveten, njëkohësisht edhe me lexuesin. Në fund të librit ndodhet bibliografia mjaft e pasur, ku autorja ka qëmtuar material, por nuk mjaftohet me kaq, sepse në fund të faqes ka citime disi të gjata, ku shprehet më gjerësisht autori. Ajo e di mirë se gjykimi i historisë bëhet i ftohtë, pasi edhe dokumentet janë të ngurtë e të ftohtë në mesazhe, shpesh edhe kundërshtuese, por që nuk duan të dinë për ndjesitë e historianit, aq më shumë të lexuesit. Veç në fund, kur këndonjësi bindet për të vërtetën dhe mbetet i kënaqur, autori i librit mrekullohet, sepse ka bërë diçka të dobishme. Besoj se edhe Vivra ndjehet e adhuruar për të vërtetën që ka shtruar në sofrën e dijes, për Kaninën e lashtë dhe të re.

Edhe të tjerë autorë kanë shkruar e po shkruajnë për vendlindjen, secili sipas vendit, njohjes, kulturës dhe këndvështrimit vetjak. Duhen nderuar e përshëndetur nxehtësisht. Kështu edhe Vivra ka bërë një përpjekje të guximshme të shkruajë historinë e Kaninës, që pavarësisht madhështisë dhe trashëgimisë, është një pikë e vogël e territorit Ilirian, që madhohet në sytë tanë, sepse këtu, dashje pa dashje, ngërthehen të gjitha etapat e historisë sonë kombëtare. I gjithë studimi, nuk është pak për nga vlerat edhe për historinë tonë kombëtare, ndaj duhet nderuar e lartësuar madhërisht. E gjitha është një krenari e ligjshme, pasuri shpirtërore, do të thosha një përmendore për vendlindjen, për Kaninën e bukur.

Si studiuese dhe historiane me përvojë, autorja ka vendosur t’i shtojë librit edhe disa elementë të tjerë, që e bëjnë më të plotë e më të këndshëm:

Si fillim, bëhet fjalë për familjet e vjetra themeluese të Kaninës, si, Vrana, Bega, Bashaj, Fejzaj, Kulaj, Mustafaraj, Kocaqi ose Lamani, etj. Kështu vlera e librit shtohet në dobishmëri për pinjollët e shumtë të këtyre familjeve, të cilët mund të jenë këtu apo shpërndarë nëpër botë, sepse këtu mund të gjejnë e të njohin rrënjët e tyre, në nder të trashëgimisë aq të dëshiruar e të lakmuar.

Në vazhdim, janë interesante Intervistat me personalitete të njohura të vendit, të cilët sjellin copëza kujtimesh, të vjetra apo të reja, të dëgjuara apo edhe të jetuara. Kjo është një zgjedhje e mençur që e bën librin të ngrohtë, ku vazhdon të rrjedhë lëng jete.

Një vlerë e shtuar e librit, janë figurat e shquara që ka nxjerr ky truall i vogël me histori të madhe: “Kanina veç lashtësisë, historisë së ndritur dhe kulturës që mbart nga mijëvjeçarët, ka nxjerrë mjaft figura të shquara gjatë shekujve. Janë bij të Kaninës 33 ushtarakë të lartë deri me gradën gjeneral, në Perandorinë e Bizantit……”, - Thotë Vivra, që më pas vazhdon me më të madhin e ditëve të sotme, filozofin Porf. Dr. Isuf Luzaj, birin e Kaninës, i ndëshkuar nga Fashizmi, i dënuar nga Enver Hoxha dhe Stalini, i anatemuar edhe nga Komunizmi, por i dekoruar nga burra shteti, si Presidenti francez De Gol dhe nga dy presidentë të SHBA-ve, Regan dhe Klinton.

Besoj se në listën e gjatë të figurave më të shquara e më të zëshme, lexuesi pa mëdyshje vendos edhe znj. Vivra, bijën e Kaninës, që në odën e burrave e ka vendin në krye, pranë oxhakut, ballë për ballë me më të diturit.

Për t’u bindur më shumë, po citoj disa vlerësime nga disa pena të njohura të letrave shqipe:

Dr. Mujo Buçpapaj: “Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Haxhiraj”.

Akademik, Prof. Dr. Eshref Ymeri: “Kur hyn në universin e fjalës artistike të znj. Vrana-Haxhiraj, e cila operon në tërë regjistrat e gjuhës shqipe, arrin të kuptosh poezinë e madhërishme të ndjenjave që të kaplojnë”, …“Ç’ krim që bëri diktatura komuniste, që kësaj zonje të talentuar ia mohoi të drejtën e shprehjes së fjalës artistike që në rininë e saj”.

Prof. Dr. Fatmir Terziu: “Vilhelme Haxhiraj është një shkrimtare erudite, studiuese e publiciste, me një kulturë që shtrihet në kohë dhe hapësirë të pa matë, që renditet mes emrave më të shquar të letërsisë kombëtare dhe më gjerë”.

Shpendi Hulësi Topollaj, në librin “Flisni Miq”, shkruan: “Ndofta ka ardhur koha që qytetarët dhe pushtetarët e këtij qyteti heroik, (Vlora), që gjithmonë kanë ditur të vlerësojnë kontributet kombëtare, t’i ngrenë asaj një të tillë statujë, në nderim të përpjekjeve të pareshtura, si për të përjetësuar mjaft figura të lëna në harresë. Gjerdani saj janë librat që ka botuar”.

Ndërsa unë, po shtoj pak vargje:

-Vivra je vullkan, pse shpërthyet vonë?

-Duar lidhur, gjuhë prerë, 50 vjet sëra jonë”….

………………………………

Princeshë nga sëra, mbretëreshë në letra,

Dru i fortë mbirë, nga rrënjët e vjetra.

Nuk të theu vuajtja, as dhuna e tiranit,

Shpirti yt i lirë, i dha zjarr vullkanit. K. Tarelli. “Koha në vargje”. “Vivra je vullkan! Faqe 41.

Meditimi më shtyn të shkoj më tej: Kanina vetë është një monument që përballoi rrebeshet e shekujve, dhe kur je ulur ballë për ballë, rrëfen shtruar vitet e mbajtur mbi shpinë. Ndërsa ju Vivra, bijë e atij trualli të shenjtë të vendlindjes, i ngritët një përmendore në letra, që udhëton e kuvendon me çdo shqiptar në të gjitha trevat arbërore, madje edhe nëpër botë. Libri mbahet në dorë, në tavolinë, në bibliotekë dhe mbi oxhak të çdo shtëpie, ku ka frymë dhe nerv shqiptarie.

Njerëzit e ditur, meritojnë kurorë dafine mbi krye!

Urime znj. Vivra! E bëtë Kaninën t’i flasë historisë dhe t’i dëgjohet zëri.


Kadri Tarelli

Dhjetor 2021.

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page