KANGJELA E MALLIT TË PARË


KANGJELA E MALLIT TË PARË

Kujtimit të poetit Zef Serembe

Strigari,Kalabri, maj 1874.

Novelë nga Resmi Osmani

1.Kangjela e mallit të parë

Dielli ishte ngritur mbi det në lindje. Nga dritarja vërshonin vrundujt e dritës së artë të ditës së re, me magjinë këndellëse e të hareshme të majit, që të grishte për të jetuar gëzueshëm së toku me dalldinë e hovshme të natyrës së ringjallur.

Në vetminë e dhomës së heshtur, Zefi qëndroi para pasqyrës. Po kundronte veten: i gjatë, i hollë si lumak[1], por shpatullgjerë, leshra të gështenjta, ndarë me nje vijë në mes , të krehura anash e të hedhura prapa, balli i lartë prej mentari, vetullat e trasha u bënin hije syve të menduar ëndërrimtarë, hunda e drejtë, goja e vogël me buzë të rrepta,mustaqe të plota, të spërdredhura. I hijshëm e burrëror. Psherëtiu. Kjo ishte dukja, ajo që shihnin edhe të tjerët. Ai shihte atë që s’dukej, por ndjehej, që të tjerët s’mund ta shihnin. Zemrën e tij, të vuajtur, të vrarë e të helmuar, shpirtin e paprehje,dokëndisur nga fati i prapët, që e godiste me hobe e shigjeta hidhërimi, mendime herë të vrullshme e herë të paqta, hem të gëzuara e hem të dëshpëruara, hem të ëmbla si mjalti e hem te idhëta si farmaku, që i çartnin mendjen, trupin e shpirtin e sido që ato të ishin, çuditërisht, prej tyre buronte rrëkeja e vrullshme e vjershave, që tingëllonin si kambana, herë me hare, e herë përzishëm, me ato fjalë, që ishin klithma e jetës së tij, e shpirtit të vuajtur e të sfilitur nga sëmundja e varfëria. Klithma, rënkime e lot për dashurinë e pafat, për atë që ishte më e bukura e vashave. Dëshperimi për mizoritë e jetës, varfërinë, dhe brenga që s’i shqitej asnjëherë: për mëmëdheun, Arbërinë e robëruar përtej detit.

Këto ishte duke menduar, kur ndjeu hapa të lehta, pastaj një dorë në sup. Ishte mëmëzonjë Maria. Ai u kthye ballas. I buzëqeshi, ashtu si mund t’i buzëqeshet mëmës, por buzëqeshja ishte e trishtuar, e dhimbshme, si të vinte nga një botë e largët. Shikimi i mëms, me pamjen e saj të dashur , nuk e fshihte dot vuajtjen dhe brengën për djalin e saj të parë. I dukej i lodhur,i përhumbur, i mërzitur, i ligur e i fitiqur[2].

-Zdrigu[3]të hamë sillën. Sapo e kam pjekur kafen.

-S’më hahet mëmëzonjë,por një filxhan kafe do t’a rruf.

-Duhet të hash, të marrish veten, je hequr si të kesh shkuar një lëngatë. Eja. Françesku me Maria – Antonian po na presin.

Polenta[4]e përvëluar me gjalpë, avullonte dhe ermironte kuzhinën. Zefi thërrmoi mbi të edhe pak djathë dhe mori disa lugë, por fyti i ishte lidhur, e la lugën mbi tryezë dhe mbushi nje filxhan kafe që e pinte pa sheqer. Heshtje. Dëgjohej vetëm tringëllima e lugëve. Françesku i hidhte të vëllait ca vështrime që s’ishin miqësore. Nga koha kur Zefi nisi të vjershëronte dhe kur nuk i zinte vendi-vend. Edhe tani kishte një muaj mërguar nga katundi. Me një shkop në dorë, një torbë me libra e letra në sup dhe kapelen e zezë mbi krye, si pelegrin i vetmuar, ngarendëte në katundet arbëreshe të Kalabrisë, Molizes dhe deri ne Siçili, në Horën e Arbëreshëve, si i thonë, ku rafsha mos u vrafsha. Françesku nuk mund ta dinte se në ato rrugëtime, i vëllai s’ishte vetëm. I rrinte në krah Muza,mendimet që buisnin vetiu si një lumë i rrëmbyer e që në zemër, vrundullonin gjakun dhe ngjallnin përfytyrimin, për tu ngjizur në vargje të kangjelave[5]: për më të bukurën e vashave, për dashurinë dhe mirësinë, për arbërinë e roberuar, për dhimbjet dhe brengat e jetës. Ngado shkonte, këndonte si bilbil, rrefente si përralltar, njerëzit e donin, e gostitnin me nga një kupë verë dhe e ftonin nëpër shtëpira për të bujtur. Françeskut, që s’dinte nga ato, dinte që shtëpia s’mbahet me kangjela. Atij i kishte mbetur mbi vete barra e familjes. Edhe Maria-Antonia dukej e trishtuar. I kishte shkuar të njëzetat, askush në katund e jashtë katundi se kërkonte për nuse , jo se s’ish e pashme, por ngaqë ata ishin të vobekët dhe ajo e papajë. Edhe pse s’e thoshte, në heshtje, bënte fajtor të vëllanë. I dukej vetja si lëneshë fatpadalë. Zefit heshtja iu bë e rëndë. Muret e shtypnin,i merrnin frymën. Deshi të mbetej vetëm. Vetmia dhe udhëtimet ishin natyra e tij. Hapsira, ajri, drita dhe dielli, muzgu gushëpëllumbi, netët me kupen e yjëzuar të qiellit ishin bota e tij. E në këtë botë, nga shpirti që ngazëllehej, vetiu buisnin kangjelat, sipas herës: Herë të gëzuara, herë të trishtuara, që i këndonin hem bukurisë së vashës, hem vuajtjeve te shpirtit. Shpirti i tij ishte si korda e tendosur e harpës, si bilbili këngëtar.

U ngrit dhe zbriti në kopsht. Kopshti ishte nën shtëpi, një rrip tokë buzë përroit, me ullinj kurorëmëdhenj, portokalla, ca rrënjë limon, fiq gjetheshumtë dhe vreshti i vogël nga i cili siguronin verën e vitit. Kjo ishte pasuria që u kishte lënë babai, Mikelanxhelo Serembe, i dënuari me vdekje, rebeli kryengritës që e çoi jetën luftrave dhe në arrati. Ca të pakta ara që kishin, të mbetur në varfëri, i shitën kur babai ishte i arratisur. Zefi krenohej me të atin. Nderi dhe emri që u kishte lënë ishte trashëgim më i vyer se pasuria. Për të ishte burrë i vërtetë. Ndjente dhe besonte se hovet e shpirtit,rebelizmin, vrullet, pakënaqësinë për padrejtësitë, dashurinë për Arbërinë, lirinë dhe gjithçka të vyer në veten e tij, e kish të trashëguar nga ati. Po nga mëma e fisme, bijë e derës së dëgjuar të Toçve? Me siguri butësinë dhe ndjeshmërinë e shpirtit, dashurinë për të bukurën , natyrën e saj ëndërrimtare, besimin në tënzot dhe dashurinë drithëruese që kishte për ta, fëmijët e saj.

Maji frymëngrohtë e dritëshumë kishte ngjallur e dalldisur natyrën, vrulli jetësor ndihej gjithandej: te toka e vlagët që i jepte jetë bimësisë, në harlisjen e çeljen e luleve të limonave dhe portokallit, ullirit dhe hardhive, që i jepnin ajrit aromën ëmbëlcake të mjaltit. Gjithçka: zogjtë e fluturat, bletët dhe kandrrat përjetonin dalldinë e kurthit që u kishte ngritur pranvera: çiftëzimin, kurthin e dashurisë. Zgjodhi të ulej nën trungun e një ulliri të moçëm, në një lëndinëz, qilimin blerosh të së cilës e qëndisnin kaptinëzat e luledeleve dhe të tjera lule të kaltra e të trëndafilta. Hodhi shpatullat pas trungut të ullirit dhe e treti shikimin nga lindja. Përrenj, hone, kodra, udhëza dhe monopate që të çonin në katundet arbereshe. Më tej mali i Polinit, ku hapej një grykë e gjirit te detit Jon, që kaltëronte dhe sillte në breg suvalat shkumëbardha që vinin nga brigjet e Arbërisë. Atij i erdhën ndërmend vargjet e kangjelës “Rrutullupë[6]”,shkruar vite më parë :Arbëria që pas detit na kujton/ se na të huaj jemi te ky dhe,/ sa vjet shkuan! E zemra nuk harron/se për turkun qëndruam pa mëmëdhe. Në të mëngjër e të djathtë të Strigarit ishin Maqi, i mësuesit dhe vjersjëtorit Jeronim De Rada dhe Mbusati, i poetit Jul Variboba. Ç’farë magjie kishin këto vënde që lindnin poetë dhe buronin këngë? Apo ishin njerëzit, arbërorët që ua jepnin këtë vlerë? Më tej në vargun e kodrave katundet e tjerë arbëreshë. Zefi psherëtiu. E dhimbshme historia e arberorëve të tij. Kur u shpërngulën nga Mëmëdheu, këtu i seliti Mbretëria e Napolit, në toka të shkreta, dhe ata u ngulën në këto kodra, përballë lindjes dhe detit, përball Arbërisë, si shqiponjat në malet e vendit të tyre. Ja rrëmbyen me mundim tokën shkëmbit dhe ngritën shtëpitë, mbollën ullinjtë e vreshtat, sollën dhe ruajtën gjuhën e ëmbël, zakonet, besimin, emrat e shënjtorëve. Ai kishte pyetur.Katundi i tyre vinte nga Struga e Arbërisë, buzë liqenit Ohrid, ku buronte lumi Drin që i binte mespërmes Arbërisë. Me këtë emër e pagëzuan ata në vitin e largët 1540 vendngulimin e ri: Strigari, e jo San Kozmo, si i thoshin vendasit.

Poeti u përmend nga këto ëndrritje nga kënga e kukëzës[7], që vinte nga lisat matanë përroit, sipër kroit. U bë sy e veshë: kuku, kuku, kuku,këndoj qyqja. Dhe ai vargëzoj ”Kukëz moj kukëz, /duke bërë

[1]Lumak-lastar.

[2]I pafuqi.

[3]Zdrigu-zbrit.

[4]Polenta-naçamak me miell misri.

[5]Kangjela- vjersha

[6]Rrutullupë-vrull, vjershë e njohur e Serembes.

[7]Kukëza-qyqja.


LEXO TE PLOTE KETU

27 views

Shkrimet e fundit