top of page

Kalvari i një njeriu që sfidoi vdekjen


Kalvari i një njeriu që sfidoi vdekjen

(Rrëfim për tim atë Uke A. Cami)

Nga Sakip Cami


Uke Abdulla Cami është lindur në Viçisht të Dibrës me 15 tetor 1920. Kjo sipas regjistrimit zyrtar kohë më vonë. Sipas tregimit të nanës së tij Peme Rexha Cami është lindur në tetor 1918, pas vrasjes nga serbët të gjyshit të tij Shaban Cami, sot dëshmor i Atdheut.

Shkollën fillore plotore 5 vjeçare e kreu në Gjoricë në vitet 1927-1932 me mësues Haxhi Ademin Skënderin me të gjitha njisha. (Njishi ishte nota më e mirë)

Që në moshën 14 vjeçare filloi punën në ndihmë të familjes, në bujqësi.

Në vitin 1939 punon si hamall në Portin e Durrësit ku njihet me Vasil Laçin dhe me shumë shokë të tjerë që do ta tërheqin në lëvizjen antifashiste.

Martohet në vitin 1940 me Razie Hasën, të bijën e Ibrahim Hasës, tregtar i vogël nga Bllata e Sipërme, Maqellarë.

Në Prill të vitit 1941 së bashku me babain e tij dhe me 20 kushurinj e bashkëfshatarë të tij organizojnë një sulm ndaj një batalioni italian të Divizionit “Firence” që ishte dislokuar në fshatin fqinj të Mireshit. Duke shfrytëzuar befasinë vranë dhe plagosën 50 ushtarë italianë. Armatimin e rrëmbyer e fshehën në ahurin e shtëpisë, që e ruante një qen i madh stani.

Komanda e Divizionit italian reagoi menjëherë për sulmin e organizuar ndaj tyre dhe ndaj pjesëmarrësve në këtë sulm.



Në bazë të informacioneve që morën arrestuan Uken dhe 4 luftëtarë të tjerë.

Pas një gjyqi të shpejtë ushtarak, komanda e divizionit italian i dënoi me vdekje, me pushkatim pikërisht në vendin e sulmit në fushën e Mireshit. I lidhën me litar Uken, Hidrin, Musain, Ejupin dhe bariun e lagjes Mexhit Lezi. Ejup Cami, gjimnazist i ardhur nga Tirana që kuptonte dhe fliste italisht u thotë se italianët do ti pushkatojnë, prandaj kush të mundet të largohet. Ndërsa skuadra e pushkatimit po bëhej gati të qëllonte, pas fjalëve të priftit të divizionit, Ukja , Musai dhe Hidri e zgjidhën litarin, ndërsa Mexhiti dhe Ejupi nuk arritën. Ukja dhe Hidri vrapuan në drejtim të turmës së ushtarëve italianë që po “shijonin” pushkatimin, në pamundësi për të qëlluar sepse do të vritnin njëri tjetrin. Pas i ndoqi Musai, por i plagosur. Ejupi dhe Mexhiti mbetën të vdekur në vend nga skuadra e pushkatimit. Musai

i plagosur vdiq pas disa orësh tek po largohej në drejtim të fshatit Pasinkë.

Ukja dhe Hidri që arritën të shpëtojnë nga pushkatimi, u arrestuan pas disa ditësh së bashku me 19 kushurinj të tyre që morën pjesë në sulmin ndaj ushtarëve italianë.

I dërguan në burgun e Tiranës dhe më pas në burgun e Burrelit me dënim burgim të përjetshëm. Me ndërhyrjen e disa miqve dhe avokatëve që kërkuan 450 franga ari, u arrit që të ndryshohet akuza dhe dënimi. U liruan pas 18 muajsh me kusht që të mos bashkoheshin me lëvizjen antifashiste. Por kjo nuk ndodhi sepse në maj 1943 ata u rreshtuan në çetën e Gollobordës me komandant ish kapitenin Ahmet Cami.

Ukja së bashku me çetën e Gollobordës u rreshtuan në Batalionin e Dibrës dhe më pas në Brigadën 18 Sulmuese.

Për disa muaj në gjysmën e dytë të vitit 1943 ai angazhohet si shoqërues i misionit anglez në Dibër dhe Dibër të madhe.

Në Brigadën e 18 kryen detyrën e komandantit të skuadrës antitanke dhe më pas atë të komisarit të kompanisë së parë të batalionit të parë të kësaj brigade. Pas mbarimit të luftës shërben si oficer në Gjirokastër, Tiranë dhe Burrel. Njëkohësisht kreu kursin një vjeçar të oficerave. Nga lufta antifashiste doli me një ftohje të rëndë që ju agravua ditë pas dite e vit pas viti. U shtrua në Senatoriumin e Shtetit dhe megjithë kujdesin e mjekut të shquar Shefqet Ndroqi nuk u arrit që të shpëtojë njëra mushkëri, të cilën e hoqën për të shpëtuar tjetrën.

Pas lirimit nga rradhët e ushtrisë në vitin 1955 me reformën e famshme të 9000-shit, Uke Cami kthehet në fshatin e tij, në Viçisht të Dibrës. Mbeti pa punë me katër fëmjë për të ushqyer dhe me gruan shtëpiake, invalid i grupit të dytë.

Më pas filloi punë si kryetar i konsumit në Shupenzë, ku jetonte me qera

në një shtëpi të Fisit Murra.

Ishte pa përvojë në fushën e tregëtisë, por me përkushtim dhe pasion për punën ia doli me sukses.

Në vitin 1958 specializohet në Shkollën Tregtare të Vlorës dhe pas mbarimit me sukses të saj emërohet zv. Drejtor i NShFP (Ndërmarrjes Shtetërore të Furnizimit të Punëtorëve) Bulqizë. Kjo ndërmarrje ishte krijuar për furnizimin dhe plotësimin e kushteve materiale të punëtorëve të Minierës së Kromit.

Puna ishte e vështirë. Kishte në dispozicion vetëm një Zis me shofer Hazis Dacin dhe një Gaz 51 me shofer Shaban Xhidrën. Bënte edhe detyrën e furnitorit dhe me këto dy makina të vjetra shkonte për furnizim në Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë, Shkodër e kudo ku kishte fabrika ushqimore e industriale, në minierat e Kukësit, Tropojës etj. Udhëtonin me qindra kilometra, ditë e natë. Kur lodhej shoferi apo i vinte gjumë e merrte vetë timonin se si oficer artilerie kishte kryer edhe kursin e shoferit.

Në vitet 60 në Bulqizë dëbora binte deri në dy metra, bllokonte dyert të cilat i pastronin me lopata. Punëtorët që flinin në baraka kishin nevojë për badanie leshi, për qumësht e mish, ndaj Uke Cami përpiqej mesa mundesh tua plotësonte nevojat.

Por pas dy vjetësh e shkarkuan. Dikujt i kishte shkelur në kallo. Drejtuesve partiakë dhe pushtetarëve vendorë nuk u pëlqente dhe i bezdiste miqësia e tij me kryeinxhinjerin e minierës Todi Manço, të cilin e kishte komshi dhe kishin hyrje dalje familjare. Kishin qenë pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Me Todin nuk ndesheshin dot se e kishIn frikë, pasi ai ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Të dielave në dimër me Todin dilnin edhe për gjahun e derrave të egër pasi ishin të apasionuar pas gjuetisë.

Sajuan akuza e vërejtje të paqena. Në kinemanë e qytetit, në prani të qindra njerëzve ju bë “gjyqi” .

Pas diskutimit objektiv të Ramiz Gjokës, ndërhyri Adil Çarçani, ministri i minierave duke thënë se përgjegjësia e punës së NShFP nuk është vetëm e Uke Camit, bashkëluftëtarit tonë të Luftës Antifashiste. Nuk e përjashtuan nga PPSh, por e lanë pa punë dhe e detyruan të kthehej në fshat.

-Bijtë e mi, na tha ai, gjëja më e mirë që mund të bëni për mua dhe për veten tuaj, për Shqipërinë, është të mësoni sa më shumë e të ndiqni studimet.

…Dhe ne e çuam në vend amanetin e tij.

77 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page