KALORËS FISNIK I FJALËS


Mentor Serjani

Nga Mentor Serjani

Kur timbri i fjalës së shkruar bashkohet me timbrin ngjyrues të artit pamor, një art i tillë ,si i rrallë,shndërrohet në një ylber përtej atij natyror dhe vetë shkrimtari në një tempullár , kalorës fisnik i fjalës.

Qysh në krye të herës dua të vendos thënien lapidare të të madhit Dritëro Agolli se: «Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin»,e pra e tillë është krijimtaria e Kostandin Voglit,ku shkrimin e pikturon dhe pikturën e shkruan me pathos ,dhe emocionin e ngre në shkallën siperore

Duke lexuar romanin e Kostandin Voglit «Treni i Jugut»,leximi i një romani apo i letërsisë në përgjithësi si pjesë e pasionit të njeriut, të fal ndjesi të këndshme apo të trishtuara në varësi të subjekteve që trajtohen.por tematika e romanit të Koços siç e thërrasim ne ,se kështu na vjen më mbarë në përditshmërinë tonë,prek një temë të veçantë me vlera sa historike ,artistike dhe estetike.Romani është me temë nga Lufta e Dytë Botërore,ai flet për krimet naziste që është pjesa më e errët e historisë së njerëzimit në shekullin e njëzetë, të cilën e vuajti jo pak edhe zona jone.Internimet masive në kampet e shfarosjes,burgimet,vrasjet,masakrat e Hondrovunit ne Shënvasil,e Brodanit në Nivicë,e Lávanit në Sasaj etj erdhën si rezultat i rezistencës ,mos prekjes së lirisë dhe mos durimit të robërisë.Por le të kthehemi më konkretisht dhe unë të them atë që ndjeva gjatë leximit,stili i bukur i të shkruarit të bën ta lexosh pa ndaluar duke zbuluar kapitull pas kapitulli një zgjidhje të re , një të thënë për herë të parë,me ndjenjën dhe emocionin e një zbulimi të ri dhe kështu ke arritur pa kuptuar në fund të leximit,ku madje çdo lexues thotë me veten e tij ,-ahh të vazhdonte edhe pak.Në roman përveç dhimbjes dhe ngjarjeve makabre përshkruhen aq bukur edhe dashuria njerëzore si ajo e Gjergjit me Marthën dhe të tjera si kjo ,humanizmi i popullit të thjesht gjerman,fisnikëria shqiptare në mbrojtje të çifutëve,,udhëtimi drejt ferrit të quajtur Mosburg si dhe kthimi për në parajsën vendlindje Unë dua të ndalem më specifikisht te një pjesë e romanit,pikërisht te epilogu i tij.Epilogu shkruar në retrospektivë, është strumbullari,struktura e tij metalike, ndërtuar me fjalë të thjeshta, të cilat mbeten pa sforco në memorien e kujtdo Epilogun do ta bashkëngjisë të plotë në përfundimin të radhëve të mia modeste,si pjesa që më pëlqen më shumë, për analogji me të kaluarën time shkollore.Kur bënim referat nje vepër letrare(Reçension)ku veç temës,idesë,subjektit,personazheve etj,pra gjithë elementëve të kompozicionit,duhet të shkruanim edhe pjesën që na pëlqente më shumë.Këtë format shtesë na i kërkonte mësusesi i gjuhë-letërsisë Vasil Gjivogli.Epilogun do ta japim të plotë edhe për faktin, që të rrit interesin për ta lexuar këtë libër të cilin mund ta gjeni tek Koçua në formatin e një libri të botuar,ose dërgimin e tij nga ai në e-mail-in tuaj.Romani si një roman autobiografik jo vetëm për babain e Koços, por edhe të gjithë atyre bashkëvuajtësve,percjell mesazhin e fortë për njerzit e veçanërisht shoqeritë njerëzore, të cilat duhet ti përmbahen fort institucionit moral të pendesës dhe mos harresës.Prandaj kam mendimin se krijimtaria e Koços ne gjinitë e romanit,poezisë,fabulës,pikturës etj duhet të nderohet akoma dhe më shumë dhe të çmohet si e shenjtë,veçanërisht kur ka të bëjë me ne bregasit dhe Bregdetin..Epilogun në roman apo rrëfimin do ta krahasoj me një nga tregimtarët më të mëdhenj të prozës së shkurtër në histori,i cili ka shkruar për njerëzit ngjarjet,fenomenet sipas «anatomisë letrare»edhe për shkak të profesionit, për të cilat shprehej se : «Mjeksia është gruaja ime e ligjshme»,ndersa letërsia : «Është e dashura ime».Ky ishte I madhi Çehov,kurse Koçua është «çehovi» shqiptar i Bregut .duke shtuar këtu edhe tregimin «Intervista që nuk u dha»,nga më të bukurit per mua.I shkruajta këta rreshta që jo vetëm një lexues cilësorë,nuk ka nevojë, për komentin,shpjegimet ,analizën time,ose si të doni quajeni,por që edhe një lexues i zakonshëm,i rëndomt në kuptimin e gjerë të fjalës te joshet dhe vetë afrohet te leximi i librit dhe librave të tjerë, për të sensibilizuar sa të jetë e mundur shoqërinë tonë se sa e rëndësishme është letërsia . Për sa më sipër po e ilustroj me një thënie nga kollosi i letrave shqipe Ismail Kadare i cili shprehet : «Të duash letërsinë është një favor i brëndshëm i njeriut,sikurse ata që nuk e duan , kanë një mungesë të trishtueshme të jetës njerëzore» .Romani në tërësinë e vet tregon për forcën qëndrestare të shqiptarëve e vecanërisht të bregdetit ,si pjesë e Himarës ne veçanti dhe labërisë në përgjithësi.Krahina jonë që nuk ka duruar kurrë robërinë,shtypjen dhe ndërrimin e gjuhës dhe identitetit si shqiptar,e gjej me vend këtu të citoj perfaqësuesin e letërsisë humane Marin Barleti i cili ndër të tjera shkruan: «Të parët e Andrea Topisë ishin të njohur si princër edhe per sundimin e Himerës së Uliksit.Ky është një vend malor kundrejt Korkyrës,ku banon një popull i pamposhtur e trim, që të mos them luftarak, të cilin e quajnë zakonisht himarjot….Ai ka përbuzur gjithmonë me sukses turqit e harbuar pas nënështrimit të Epirit me vdekjen e Skënderbeut dhe ka jetuar gjer në këtë kohë pa e njohur sundimim e huaj,me njëfarë lirie të pashoqe te natyrës».Ndoshta u zgjata shumë në interpretimin tim të përgjithshëm,por edhe të veçantë kuptimplot e domethënës sipas meje,siç është epilogu fundi i romanit dhe zgjidhja që jep autori.Nuk doja të zbuloja pjesë të tjera të brendisë, për të mos venitur interesin për ta lexuar.Libri «Treni i Jugut»është shtypur në shtypshkronjën «Botimet Toena» me redaktor Sonila Kapo,parathënie nga Dr.sc.Bardhyl Maliqi,korrektore letrare Majlinda Bami dhe nën përkujdesjen grafike të Albana Gega.E ndjeva si kënaqësi të brëndshme të shkruaja dy fjalë të vyera zemre në vitin 2021 që përkon me 76- vjetorin e ditës së fitores mbi nazi-fashizmin -9Majin e vitit 1945,por edhe me tetë dekadat e jetës së autorit,te cilat nuk i tregon fare me pamjen e tij plot dritë si Mali i Bardhë ku mbështetet vendlindja dhe shumë i freskët pa i rënë asnjë fije floku,me sytë e tij të ngjashëm me kaltërsinë e jonit, me buzëqeshjen dhe fjalën e ëmbël,me qetësinë dhe urtësinë që e karakterizon e bën atë të jetë i respektuar nga të tjerët.Me sa duket profesioni i tij si piktor ,i cili ka pikturuar edhe natyrën ia ktheu këtë borxh, duke i dhënë rininë e përjetshme.Urime ,suksese dhe jetë të gjatë miku im Koço. Nga Mentor Serjani Athinë më : 8/5/2021.

Lexo këtu Pasthënia e Romanit"Treni i Jugut " të Kostandin Voglit.

Epilog Pas 64 vjetësh Do të habiteni po t’iu them ,se në moshën tetëdhjetetre vjeçare hipa për herë të parë në një vapor të madh,Hipëm në Patër dhe do të zbrisnim në Venecia.Po ndjeja shumë emocione.Po bëja një udhëtim interesant.Do shikoja shumë ishuj,bregdete e qytete greke,italiane ,austriake dhe gjermane.Mbi të gjitha do të shikoja mbretëreshën e qyteteve të Mesdheut,Venecian.Në Gjermani do të vizitoja kampin e përqëndrimit të Mosburgut ku do të përfytyroja atë vit të zymtë dhe atë muaj të përgjakshëm ,qershorin e vitit 1944 .Si shkuam,si e sa vuajtëm dhe peripecitë e kthimit për në . Nga të gjitha këto emocione mendova atë që nuk u shkonte në mendje asnjërit. As gruas time. Mos ndoshta vdekja ka për të më marrë tani, meqenëse nuk më mori kur isha tetëmbëdhjetë vjeç. Mos ndoshta atëherë i erdhi keq dhe tani më fton.

- Hajde, i dashur Stillo, se vdekja të është caktuar në Gjermani, jo në Shqipëri, që dëshiron ti. Boll të lashë edhe gjashtëdhjetë e katër vjet të tjera. Këtë shqetësim më në fund e shpreha, dhe të gjithë ata që më shoqëronin qeshën me ‘’budallallëkun’’ tim. Unë u thashë se mosha i ka të gjitha të papriturat. - Baba i dashur, - më tha Mariana, - ti do t’ikalosh të njëqindat. Qesha edhe unë dhe nuk e kujtova më vdekjen për disa ditë. Kaluam bregdetin dhe ishujt piktoreskë të Greqisë, por zemra më rrahu kur kaluam edhe kanalin e Korfuzit dhe u gjendëm përballë Sarandës. Telefonin që kisha disa minuta që e mbaja në dorë, e lidha me numrin e Vasillos, gruas sime dhe ajo që ishte në gatishmëri, e hapi menjëherë. E pyeta: - E shikon vaporin që po kalon tani? - Atë po shikoj, - më tha. - Po të përshëndesim nga kati i shtatë, - i thashë. U preka dhe bisedën me të e vazhdoi Mariana. Unë mendoja se më kishte thirrur vdekja, por nuk iu shpreha më asnjërit për këtë ndjesinë time. Ose më mirë, ishte ndjesia e moshës, duke menduar se shumë shokë të mi, nuk e kishin arritur atë moshë që kisha unë në vitin 2009. Rrugën e ujët nga Patra deri në Venecia e përshkuam për gati dy ditë. Kur lamë mbrapa brigjet e bregdetit tim dhe po hynim në ujërat italiane, ndjeva sikur m’u shqit zemra nga vendi. Në atë moment mendja më shkoi tek fjala e popullit që thotë: plaku është si fëmija. Dhe mora kurajë. Fillova të gëzoja e të kënaqesha si të rinjtë. E largova brengën që më kishte mbërthyer, sepse për rreth meje ishin njerëzit e mi të kësaj zemra dhe e shtypa gjoksin fort. Mendova se e ngjita përsëri në vendin ku ishte. Kënaqësi e madhe të rrëshqasësh me një vapor të tillë në detet e pafund. Nata pothuajse më kaloi pa gjumë duke soditur bregdetin italian, i cili ndriçonte nga kordonët e dritave pothuajse të pakëputura. Gjumi më mundi shumë vonë, por në të gdhirë nga rrezet e diellit që ndriçuan shumë shpejt, u çova. Për habinë time, gjysma e rrethit të diellit ishte brenda detit dhe pyeta i habitur: - Kaq shumë kam fjetur sa nuk jam zgjuar gjatë gjithë ditës? Të gjithë qeshën me mua. - Nuk është perëndimi, por lindja e diellit, - më tha Zahoja (dhëndri). U habita! Nuk e parafytyroja dot që ai ishte krahu i lindjes. E kuptova më mirë kur dielli filloi të ngrihej në kupën qiellore dhe në det la një shirit të artë verbues. U kënaqa shumë me atë dukuri që po e shihja për herë të parë. Deti Adriatik që m’u duk pa mbarim, më në fund mbaroi. E kishte edhe ai një fund. Një anë deti, por mjaft mahnitëse. Nuk mund të them se nuk u kënaqa mbi vapor duke çarë ujërat blu, por pamja e Venecias më befasoi. Dhe jo vetëm mua. Unë çdo gjë e shikoja si fund, ashtu si m’u përball edhe ana e detit. I shikoja të gjitha vendet dhe mendoja se për mua ishin pamjet e para dhe të fundit, duke menduar moshën që kisha. Ndërsa të rinjtë, nuk mendonin si mendoja unë. Dhe as që u shkonte nëpër mend se çfarë mendoja. Megjithatë ishim shumë të lumtur. Nga Venecia dukej sikur po dilnin lumenj të shumtë dhe po derdheshin në det. Ngelëm të befasuar nga ajo bukuri mahnitëse dhe sidomos me artitekturën, urat e bukura, gondolat apo varkat shëtitëse me turistë që të kujtonin mesjetën; Por sidomos me kulturën e tyre të trashëguar në shekuj dhe të pa bastarduar. Pjesën tjetër të rrugës deri në Berlin, e përshkuam me veturë. Veriu i Italisë ishte qëndisur nga dora e njeriut. Makina rrëshqiste në autostradën e mahnitshme, e cila mbyllej nga të dyja anët me pemë të ndryshme frutore. Dhe veçanërisht me vreshta dhe mollë në pambarim, deri në alpet italiane e austriake, ku fillonte rruga me pisha e bredha. Alpet ishin një bukuri që unë nuk e përshkruaj dot me pak rreshta. Ishte një udhëtim mahnitës rreth 120km. Më në fund lexuam tabelën '’Dojçlland’’. Morëm rrugën drejt Mosburgut duke përshkuar vetëm 40 km. Një rrahje të fortë zemre ndjeva, kur njoha disa rrugë të ngelura të pa prekura shumë gjatë këtyre viteve. Shumë kujtime të para 64 viteve më parakaluan. Për Mosburgut do të shkruaj më mbrapa, kur ta vizitojmë më me kuriozitet kur të kthehemi nga Berlini. Kampit të përqendrimit duhej t’i kushtonim më shumë kohë. Hodha sytë andej nga e dija ku binte, por nuk dallova asgjë. M’u prezantua në mendje ajo fantazmë, dhe e prisja me pa durim përballjen e re me të. Deri sa përshkuam Mosburgun, ku habitesha si e lamë e si e gjeta, më ikën filmimet e kampit, sepse bukuria e fushave, fshatrave e qyteteve të Bavarisë më mahnitën. Deri në Berlin rruga ishte shumë e gjatë, por bukuria e vendeve ku kalonim dhe mikpritja gjermane kudo që ndalonim, na la të mahnitur. Atë miqësi e mikpritje ne e provuam në gusht-shtator të vitit 1944, kur na shpërndanë nëpër fermerë për një muaj në komunën Land-Shut, në fshatin Metenbak. Për atë do tregoj pas kthimit nga Berlini. Tani jemi duke udhëtuar drejt tij. Të udhëtosh nëpërmes Gjermanisë dhe sidomos në muajin gusht ku çdo gjë ishte e pjekur , ndërsa dora e njeriut ka bërë mrekullira, për mua sidomos, ishte kënaqësia më e madhe, që m’u dhurua në këto 83 vite të jetës sime. Por edhe më të rinjtë ngelën të habitur. Vizita në Gjermani për mua ishte një mrekulli. Një ëndërrim që më parë mendoja se nuk do të më realizohej kurrë. Por ja si vjen mrekullia, pa e kuptuar. Vjen në ato moment kur e ke këputur për fare atë fill kujtimesh. Menjëherë m’u ngjallën kujtimet me ato vringëllima armësh, me të pa pritura pabesish, me gjak e terror, me udhëtim në vende të largëta, të pa treguara, të pa njohura e të pa shkelura. Në vende kalorësiakësh fantastikë si donkishotër që mendonin se bota ishte e tyre. Shkuam në ato vende që tani më duken si legjenda, por që më krijohej mundësia t’i shikoja tani ndryshe nga e kaluara hitleriane. Shumë kujtime fëmijërore apo rinore shuhen nga blloku i madh i memories, por këto kujtime të luftës edhe po të jetë i mbyllur blloku, me një cingërimë të dikujt, hapet dhe fillon xhirimi në ngjarjet më të spikatura e më tronditëse. Me atë shkëlqim të frikshëm e jehonëlënës të ngjarjeve. Ato nuk ishin aventurat tona, por aventurat e dikujt tjetër që luante e kënaqej me aventurat e tij, për të bërë të tjerët të vuanin, të mundoheshin, të gjakoseshin e të vdisnin me mënyra të ndryshme, duke i futur në rreziqe për kënaqësinë e tij makabre. Tani po udhëtoja në një vend që më dukej i pafund, me një qiell të pastër e një tokë të rilindur nga gërmadhat e luftës. Të çliruar nga mendime të çmendura të Hitlerit. Është kënaqësi që t’i mbledhësh ato kujtime tani mbas 64 viteve në një tokë ndryshe, por që ato bëma të hidhura i mban gjallë për t’i parë e mësuar brezat e rinjë, për ta urryer luftën grabitqare. Të marrin dritën dhe ta vendosin mbi errësirën e kohërave të tymosura dhe vezullimi shpirtëror të tërheq vëmendjen për të shkuar në ndritshmëri, në hapësirën qiellore. Gjermania tani si një qilim, ku luajnë me ngjyrat e tyre duart e shkathëta të thurseve të fijeve, dhe harmonizojnë të gjithë tokën dhe e bejnë të mrekullueshme. Ngado që hidhja sytë dhe autostradat të çonin drejt parajsave që ne nuk i ëndërrojmë t’i kemi as pas njëqind viteve. Pa lere dje kur ne ishim robër tek këta dhe këtyre që në ato vite nuk u mungonte asgjë. Ne në atë kohë ishim në mesjetë, kur këta kishin parë parajsën. Ndërsa tani janë shekuj para duke u krahasuar me Shqipërinë. Sipas marrëveshjes me telefon, mbesa na priste. Mbasi u sistemuam në hotel, menduam të fillonim nga vizitat, sepse mbesa kishte planifikuar të bënim shumë të tilla. E filluam me parlamentin, i cili ishte rindërtuar nga bombardimet e ushtrisë së kuqe sovjetike. Prej andej dukej madhështor i gjithë Berlini. Për moshatarët dhe sidomos për ne ish-robërit, kishim leje të vizitonim të gjitha institucionet dhe muzetë, sidomos ato që kishin të bënin me krimet naziste. Kudo paraqitja kartën time me fotografinë skelet që na bënë në ditën e parë. Kush e shikonte habitej dhe na prisnin me nderime të mëdha. Mua më kishin varur në qafë këtë numër: 135.018 STALAG VII-A. MOSBURG. Në krah të parlamentit e lidhur së bashku, ndodhej kisha shumë e madhe ALEKSANDRIA. Mbas vizitës në atë kishë, ku ngelëm shumë të mahnitur, vizituam murin e Berlinit. Atë copë mur që kishin lënë për muze rreth 150m. I gjatë. Pamë një pjesë të atij muri, ku për shumë vjet ndau familjet e qytetit, prindër, fëmijë, vëllezër e motra, farefis e miq nga njëri-tjetri. Erdhi edhe ora për të vizituar universitetin e gjuhës gjermane. Duhej të finalizohej edhe qëllimi i vajtjes në Gjermani. Universiteti ku studionte mbesa ishte madhështor. Aty u takuam me drejtorin dhe shumë profesorë, të cilët shprehën shumë respekt për Ilirën si studente, dhe për mua si gjyshi i studentes së tyre. Dhe sidomos kur ajo u shpjegoi se unë isha rob lufte, krigs genfangen i kampit të Mosburgut. Unë u tregova disa prej tyre. Ata ishin në dijeni për vuajtjet e të internuarve në ato kampe, por megjithatë, u rrëqethën për disa ngjarje që u tregova. Në ndarje më uruan jetë të gjatë. Shkuam edhe në Potsdamin e bukur, ku ishte firmosur kapitullimi i Gjermanisë dhe përfundimi i luftës nga fuqitë e mëdha. Kudo pritje të përzemërta, ku për mua si ish-rob lufte që jetoja akoma dhe kisha arritur moshën 83-vjeçare, m’u rezervuan pritje të përzemërta me respekte të mëdha. Në rrugën e kthimit, sigurisht që do ndalonim në Mosburg për të vizituar kampin. Por nuk mund të lija pa vizituar fshatin Metenbak të komunës Land-shut, ku punuam nëpër fermerë prej datës 10 Gusht, deri në mesin e shtatorit 1944. Vetëm 26 km. e ndanin Metenbakun nga Mosburgu. Një rrugë fushore shumë e bukur, me pak kodra të vogla, ndërsa në sfond dukeshin malet e Bavarisë. Atë rrugë të shkurtër e përshkuam shumë shpejt dhe nuk e kuptuam fare kur arritëm në qendër të fshatit. Shumë emocione ndjeva gjatë atij udhëtimi të shkurtër. Në bazë të parafytyrimit, mendoja se do ta gjeja shumë shpejt shtëpinë ku unë jetova me të gjitha të mirat për një muaj e pak, me një përkujdesje sikur të isha djali i tyre. Jo vetëm unë, por të gjithë robërit u trajtuam në mënyrë të njëllojtë. Kuptohet se duke sjell ndër mend ato kujtime të pa harruara nga të gjithë, më shtynë kureshtjen për ta vizituar. Dhe kur ke kujtime të mira ka dhe mall për ta parë. Punën e kishim me orar, por nuk e ndienim lodhjen, sigurisht pas ditëve të para, sepse kur u paraqitëm para tyre, ata shprehën një ndjesi frike. Trupat tanë ishin të tharë. Por pas disa ditësh ishim më të fortë, sepse hanim së bashku me pjesëtarët e familjes pese herë në ditë. Duke parë interesimin e tyre, nuk kishte arsye që të mos punoje me kënaqësi. Asnjërin nuk e përbuzën ose ta ofendonin si rob lufte apo si partizan. Dhe asnjërit nuk ia zunë në gojë, përse kishim luftuar kundër tyre. Ishin një popull humanitar. Ishte shumë i habitshëm respekti që kishin për ne dhe të gjithë po mundoheshin të krahasonim dhe të justifikonim ndryshimin e trajtimit dhe të sjelljes ushtri-popull. Dhe binim në përfundimin se ushtria ishte e detyruar të zbatonte ligjet dhe rregullat e rrepta hitleriane. Por unë kam mall të kthehem në ato ditë të bukura të Metenbakut. Më e çuditshmja ishte se ushqimin e paradrekës na i sillte në vendin e punës qeni në një shportë. Diskutimi më i madh kur u takuam në darkë në një klub të fshatit, ishte për atë edukim te qenve. Në shportë kishte edhe birra. Dhe ajo pije nuk na u nda, e pinim gati në vend të ujit, deri sa na mblodhën përsëri në kamp dhe aty e harruam. Megjithatë, neve shqiptarë e grekë nuk hiqnim dorë nga buka dhe uji. Në fakt edhe gjermanët hanin shumë bukë. Mund të them se ata zinin vendin e parë në konsumimin e bukës, ndoshta edhe se francezët e spanjollët. Por për shkak të krizës që po kalonin, përdornin shumë edhe pataten. Duke parë se nga vinim ne, nuk na vunë asgjë kufi në përdorimin e bukës dhe të hanim më shumë gjellë. Buka ka kalori dhe fiton fuqi per punë. Ujin e pinim edhe fshehur. Një ditë më pa pronari duke pirë ujë dhe më kritikoi. - Jo ujë, more Stillo! Dhe ma hoqi nga dora. - Pi birrë. Sa herë të të marrë etja, pi birrë. Dhe unë ashtu veprova. Birrat ishin në vend të ujit. Me ne ishin kaq të afruar, sa që vajzat e familjeve ku banonim dashuroheshin me neve pa ndrojtje nga prindërit e tyre. Bile po të donim, ato mund të martoheshin me ne. Sigurisht aty ku kishte vajza, sepse më të shumtat ishin të mobilizuara në ushtri. Sa zbritëm, kërkova të gjeja shtëpinë, por për shkak të ndryshimeve të mëdha, nuk e gjeta dot. U paraqitëm në këshillin e fshatit dhe ata na vunë në dispozicion një vajzë, e cila ishte shumë dashamirëse, por me gjithë përpjekjet e saj, përsëri nuk e gjetëm. Por shtëpinë ku kishte punuar një fshatari im Misto Thomari, e gjeta pa vështirësi, sepse ishte në një pozicion, të cilën e kujtova menjëherë. Aty na priti një grua e moshës shtatëdhjetë vjeçare, dhe ajo kaloi menjëherë në kujtimet e para gjashtëdhjetë e katër viteve, kur ishte gjashtë vjeçe. - Më kujtohet emri Toma. Ashtu e thërrisnim,- më tha (domethënë mbiemri Thomari, të cilit i flisnin shkurtimisht Toma). Na foli për të me aq sa mbante mend. Por kryesorja ishte mikpritja e saj. Ajo mbante mend se në atë fshat punonin përveç albanezëve e grekëve edhe italianë, polakë, rusë, amerikanë etj. Ne i dinim dhe unë i kisha para syve akoma. Pastaj shkuam në kishë. Aty ku shkonim për çdo të diel dhe ndiznim qirinj me markat që na jepnin zonjat. Ato zonja shumë të dashura, mikpritëse e shumë të nderuara. Nëna, motra apo edhe gjyshe të djemve e vajzave të tyre, të cilët ishin pjesë e ushtrisë gjermane. Kudo ku ndaluam në fshatin Metenbak na pritën me dashuri e respekt, sidomos kur mësonin se unë në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare isha rob lufte dhe që kisha jetuar e punuar për njëfarë kohe aty. E nxora mallin dhe kuriozitetin për fshatin Metenbak, megjithesë me keqardhje që nuk e gjeta dot shtepinë, të njihesha me ndonjë pjesëtarë qoftë edhe nip apo mbesë të asaj familje. Tani më duhej të vizitoja vendin e tmerrshëm, Kampin e Mosburgut. Mbasi u rregulluam mirë në një hotel, pyeta një vajzë që na shërbente, në se e dinte se ku ndodhej kampi i përqendrimit dhe në ekzistonte më. Me përgjigjen e vajzës ngela shumë i habitur. Kampi nuk ndodhej më shumë se 100m. Mbrapa hotelit. Dhe nga dritarja na tregoi ndërtesën e një gjimnazi, të cilën e kishin ngritur mu në qendër të ish-kampit. Ndërsa si dëshmi, kishin lënë një pjesë të madhe me kapanone dhe vendroje. U trondita shumë kur mendova se sa pranë i ishim afruar atij kampi për të fjetur dhe mendja më shkoi përsëri te vdekja. (Për moshën që kisha më lejohet që ta ripërsërit). Mos ndoshta më ishte caktuar nga Zoti, xhebraili a kush merret me vdekjen, se duhej të vdisja o në afërsi, ose brenda atij kampi? Jam i sigurt që do të isha i vetmi shqiptar ( se vetëm neve ishim të mbyllur në kafaz me tela me gjemba si këtu në kampin e Mosburgut) që i jam afruar kaq shumë dhe që do ta shoh përsëri me sytë e mi. Meqenëse e kishim aq pranë, dhe për të më ćuar përsëri zemrën në ritmikën e parë, vajza me dhëndrin më hodhën krahët dhe mbas pak minutash u përballëm me portat e kampit. Ishin po ato, ashtu si i kishim lënë, të veshura kryq e tërthor me t ba, por të bojatisura. Me të dy duart kapa ato hekura, të cilat me siguri nën bojatisje kishin akoma shenjat e gishtërinjve të mi dhe të mijëra të tjerëve, ku mbaheshim nga pak në to, kur ktheheshim të rraskapitur e të uritur nga punët e rënda të përditshme. Sidomos kur shkarkonim, magazinonim ose groposnim patate. Por akoma më të lodhur ktheheshim kur ç’bllokonim strehime të mbuluara nga bombardimet dhe nxirrnim prej andej fëmijë e pleq të alivanosur nga mungesa e ajrimit. Dhe kur i nxirrnim prej andej, na hidheshin në qafë si shpëtimtarë. Megjithesë të uritur punonim me shpirt në dhëmbë, sikur prej andej do të nxirrnim njerëzit tanë. Kur punonim me atë ndjenjë internacionaliste, e vinim re që edhe rojeve u vinte turp që na ruanin me automatikë dhe me qen. Po mbahesha tek hekurat e portave, sepse ndjeva një prerje këmbësh. Mund edhe të rrëzohesha. Njerëzit e mi që më shoqëronin qëndruan pak më larg, duke më lënë mua të kaloja para syve shiritin e kujtimeve të hidhura, të cilat mu parafytyruan sikur të ishin shumë të afërta. Sikur nuk kishin kaluar gjashtëdhjetekatër vjet. Kapanonet deri në thellësi ishin po ato. Nuk e di sa kishin lënë si dëshmi, por të paktën kapanonet ku na kishin rrasur neve, ekzistonin. Hodha sytë më thellë të shikoja ku e kishin ngritur gjimnazin, por nuk dallohej prej aty. Më thanë se është ndërtuar në qendër, por fusha me kapanone e të tjera ndërtesa, ku kishin mbyllur me forcë rreth 250.000 robër ishte shumë e madhe. Pikërisht mu në mesin e asaj qendre, neve kishim varrosur shokun tonë Nako Spiri, i cili u na vdiq në ditën e gëzimit të madh të të gjithë popujve. Ditën e 9 majit, fitores mbi fashizmin. Dhe ai nga gëzimi hëngri e piu si të gjithë ne. Dhe në kulmin e këngëve e të valleve, i pushoi zemra. A do ta kenë prishur varrin? Po vallë, a ka ekzistuar apo rezistuar dërrasa nga vitet, ku i shkruam të dhënat për të, sepse balta nga shirat me siguri i ishte rrafshuar. Kisha nxjerrë lot që kur preka hekurat e portës së madhe me duar. Por tani qava vërtet. Nga mbrapa dëgjova zërin e ëmbël të Marianës, e cila më foli: - Baba! E kuptuan që qaja. Ktheva kokën duke fshirë lotët dhe ua bëra me shenja të më lejonin edhe pak të notoja në kujtimet e mia. Aty, edhe pak më brenda, kur na shkarkuan nga treni si skelete të pa varrosura, u lëshuam të hanim lakra të përziera me bar të cilat ishin të rritura. E pash vendin ku na vranë Arsenin, një djalë i ri. Ngrita kokën dhe vura re vendrojat e ngritura si kuçedra. E dallova edhe vendrojën nga qëlloi ushtari pa paralajmërim, sepse ai nxori duart poshtë telave për të këputur lakra e bar. Dhe ai ato lakra edhe kur e hoqën prej andej duke e tërhequr zvarrë nuk i lëshonte nga duart. Ato i kishin ngrirë me lakrat shtrënguar. Si arritëm deri këtu pas nëntë ditë udhëtimi pa bukë fare dhe me shumë pak ujë, ishte një ferr i vërtetë. Njeriu qenka shumë i fortë. Edhe skelete qëndruam në këmbë. Por mendova në çast, se qenka dhe shumë i dobët. Si e rezistoi Nakoja mungesën e ushqimit dhe të ujit, ku arriti në një skelet, dhe si na iku nga duart duke ngrënë e duke pirë i gëzuar. Mu kujtua ajo ditë, ku shumë djem më të vegjël se unë, filluan të qanin. Ishte data 31 dhjetor 1944. Djemtë menduan festimet që bëheshin për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në fshatrat e tyre. Edhe unë u lotova, por jo si djemtë më të vegjël, sepse unë kisha vëllanë, Harallambin një mbështetje të madhe dhe ai ma largonte brengën. Djemtë jo vetëm se kishin mall për njerëzit dhe vendlindjen, por mendonin shumë gjëra, përveç vuajtjeve në kamp. Shumë prej nesh qanin aq shumë sa mbanin ijët me duar. Në kulmin e të qarave e të pesimizmit, flet njëri me zë të lartë. - Ngrihuni, mor burra! Është turp të qajmë. Mos u trembni se një ditë do dalim prej këtej. Tani mblidhuni se do t’i marrim një kënge. - Këngë në kapanon? – dikush foli. - Po! -tha ai. -Do këndojmë dhe pastaj le të bëhet kiameti! Ishte Vangjel Vogli, i cili na dha të gjithëve zemër, dhe ia mori një kënge të menduar aty për aty. ‘’Seneja dyzetekatër, qershori njëzetë e tre, Erdhe o barbar në fshat, kemi regjistrim na the…'’ Menjëherë u formua grupi. Ishin nga ata që këndonin në lëmin e rrapit. E dinin vetë se kush ia kthente, kush ia hidhte e kushe mbante iso. Të parët që guxuan dhe u bënë grup ishin: Vangjel Vogli, Harallamb Papadhima, Mitro Sima, Stefan Bezhani, Simo Zhupa, Koço Rusha, Thoma Qofiri, Koço Stathi. Vërej se kjo këngë është kënduar në gjithë Bregdetin, sidomos në vendin e masakrës, Hondrovun, në lëmenjtë e rrapeve, nëpër dasma e nëpër festa. Kjo këngë mbahet mend edhe sot. Kënga jonë vënçe ishte shumë e veçantë për amerikanët, anglezët, italianët, polakët, rusët, francezët etj. Ndërsa për grekët, jo shumë e huaj dhe e padëgjuar. Epiri, historikisht i banuar nga shqiptarë dhe grekë, këndon afërsisht të tilla këngë. Sa për shqiptarët: çamër të krishterë e të besimit islam i kanë kënduar gjatë gjithë kohëve edhe në Athinë. Por kjo këngë i bëri kuriozë edhe ushtarët, të cilët u afruan të dëgjonin me vëmendje. Bile edhe duartrokitën së bashku me të tjerët. Ata nuk e kuptuan që në atë këngë shaheshin, ashtu si edhe në këngën tjetër, të shpikur aty për aty nga Vangjeli ku përsëri shaheshin me urrejtje gjermanët. ‘’ Që kur kam ikur nga fshati gjer më sot, Më ka marrë malli shumë, s’duroj dot… I rrethuar jam në tela, si një zog. Dhe gjermanët që bëjnë roje, si shoh dot…'’ Djemtë të tërë morën zemër dhe kush kishte zë të mirë u bashkua në iso. Por kush ishte ai që nuk dinte të mbante iso. Edhe unë mbajta iso dhe mbasi kënduam edhe dy këngë himarjote, me të cilat u kënaqën të gjithë dëgjuesit e huaj dhe duartrokisnin në çdo fund kënge, rojet vendosën qetësinë. Dhe për herë të parë pas gati gjashtë muajsh në atë kamp, fjetëm të kënaqur. Kalova nëpër mend shumë ngjarje, të cilat i ka përshkruar edhe shkrimtari në roman, por ngjarja me grupin e çifutëve në javët e fundit kur po afronte çlirimi më kishte lënë mbresa. Atë pasdite, vonë, ishim kthyer të këputur fare nga muskujt. Kishim zhbllokuar një strehim shumë të madh. Ishim mbështetur nëpër krevate, kur dëgjuam shumë këmbë të shpejtuara që u futën në kapanonin tonë. U çuam të gjithë në këmbë pranë krevateve. Vumë re shumë skelete që qëndronin përballë nesh. Në ato momente ishim vetëm neve shëvasiotë e niviciotë. Ata me shumë nxitim diçka pëshpëritën në gjermanisht. Kjo ishte punë sekondash. - Na kërkojnë ndihmë se po i ndjekin esesët. Duan që ne t’i fshehim, - na përktheu Vangjel Vogli. Në fakt të gjithë kishim mësuar shumë fjalë, por fjalët e tyre të thëna nxitimthi i kuptoi vetëm Vangjeli. Menjëherë u mor një vendim i shpejt nga Harallambi, Vangjeli, Gurma, Thomai, Koçua, Dionisi, Sima, Zhupa, Cicoja etj. I përmenda këta se u treguan shumë trima dhe internacionalistë. Vunë jetën e tyre dhe tonën në rrezik deri në shfarosje. - Shpejt, nxirrni nga një bluzë dhe nga një kapele që kemi rezervë dhe t’ ua jepni. U vendos. Me shpejtësi rrufe, hebrenjtë hoqën bluzat dhe kapelat e tyre dhe veshën tonat. Ishin katërmbëdhjetë burra skelete. Shumë më të dobët se ne. Në atë moment erdhi kapteri. Një kapter austriak që ishte bashkuar me ne shumë muaj më më herët, i cili na jepte edhe informacione herë pas here se ku ndodhej fronti. Fillimisht u tremb, por shpejt na ndihmoi. Rrobat me yllin gjashtëcepësh të hebrenjve dhe kapelat, i mblodhi dhe me shpejtësi i fshehu diku në kapanon dhe të katërmbëdhjetë i shprërndau nëpër rreshtat tona. Gati një me pesëmbëdhjetë. Nuk kaloi shumë dhe në kapanon hynë SS-t me automatikë dhe një oficer me pistoletë, i cili ishte bërë si i tërbuar. Të gjithë u trembëm, sidomos kapteri, sepse po të diktoheshim kalonim të gjithë, aty ku e dinin ata. Ngjarja është përshkuar në roman, por unë desha ta rikujtoj, sepse nuk ishte lodër, por një lak në qafët e shumë kokëve. Me ne u bashkuan edhe grekët, që i kishim më pranë krevateve dhe të gjithë të tjerët. Nuk kishin kohë të kundërshtonin. Ishte një veprim internacionalist, por shumë e rrezikshme. Hebrenjtë i mbajtëm me ushqime nga racionet tona. Sigurisht me sa siguronte edhe kapteri nga kuzhinierët dhe furrxhinjtë. Me sa u kuptua, SS-t nuk i i kërkuan më. Ata arritën çlirimin dhe më vonë na kanë kujtuar, sepse kryesorëve u kishin marrë emrat. Disa ditë më vonë, u arratisën, ose u ikën esesëve rreth njëqindepesëdhjetë hebrenj të tjerë dhe u bashkuan me ne. Megjithesë ishin shumë, të gjithë ne dhe me ndihmën e kapterit, kuzhinierëve që shtonin diçka në kazanë dhe furrxhinjve, i mbajtëm për gati një javë, duke u zëvendësuar edhe bluzat e kapelat. Ato i siguruam në dy kapanone të tjera. Por pranë çlirimit na humbën nga sytë, kur kapteri na mori të gjithëve në një marshim, për të na shpëtuar nga një batalion ndëshkimor i shpartalluar. Nuk i pamë më dhe u erdhi shumë keq edhe çifutëve të tjerë që bashkëjetonin me ne. Megjithatë, ne e bëmë veprimin tonë të guximshëm. Sidomos muajin e fundit, qëllimi i Gestapos ishte të zhduknin çifutët që kishin ngelur. Për çdo ditë boshatiseshin kapanonet e tyre, të cilët i merrnin me makina dhe i çonin ose në kampin famëkeq të shfarosjes në Dakau, ose në Mat’hauzen të Austrisë, i cili nuk ishte shumë larg. Të flasësh për robërit, do të flasësh për vuajtjet. Dhe kuptohet, që të flasësh për vuajtjet do përshkruash tmerret. Sepse kishte vuajtje tmerre. M’u kujtuan ditët e shtuna, të cilat ishin caktuar për t’u larë. Kishim urdhër që të zhvisheshim që në kazermë dhe ashtu lakuriq, në mes të të ftohtit, herë-herë edhe -20 gradë C ecnim rreth 200 m për të shkuar në vendin ku do të laheshim. Një roje e komandonte ujin nga rubineti qendror. Herë hapte më tepër ujin e nxehtë, herë të ftohtin akull, dhe njerëzit skelete ulërinin. Ndërsa rojet qeshnin me të madhe të kënaqur. Por jo të gjithë. Populli ishte i dhembshur e human. Kur kalonim nëpër qytet, kishte raste shumë interesante ku ne na linin mbresa. Shumë herë nënat gjermane u jepnin fëmijëve simite, dhe ata futeshin midis nesh dhe na i linin në duar fshehur nga rojet. Kishte raste edhe ndonjë ushqim tjetër. Të them se nuk e vinin re rojet, ishte e pa mundur. Megjithatë ne ngrinim duart lart duke falënderuar popullin human, të cilët na shikonin me keqardhje të madhe. Me këto raste hanim edhe ne me shumë shije nga një copëz nga simitet e bardha, sepse i ndanim në mënyrë të barabartë (ai ishte ligj). Nuk mund të mos e kujtoja këtu para këtyre kapanoneve, atë natë të tmerrshme kur ranë sirenat se gjoja u arratis robi shqiptar Hetem Çako. Ai ishte agjent i tyre. Por ne shqiptarëve për dënim (gjoja ishim të gjithë fajtorë) na vunë menjëherë të hapnim një kanal të gjerë e shumë të gjatë. - Ky është varri juaj i përbashkët, - na thanë. -Ne e kuptuam se kjo ishte një lojë, për të justifikuar largimin me nderime të Hetemit nga ky kamp. Vetëm se nuk e morëm vesh se ku e çuan. Me lot e me djersë e hapëm atë kanal të madh, sigurisht mbas punës së përditshme. Ne kufomat, gjatë gjithë kohës që qëndruam në kamp, mundoheshim të gdhendnim jetën mes baltës e borës. Mes acarit dhe vapës, me lot të derdhur mundimshëm. Por edhe ato mbaruan. Të derdhje lot ishte privilegj, sepse trupi i tharë nuk prodhon as lot. A qajnë kufomat? Kufomat vetëm ngërdheshen. Sepse pa lot nuk quhet qarje. Kishim humbur shumë nga të qenët njerëz. Vetëm na mbante kuraja duke menduar të mos i linim eshtrat në atë vend të largët, të shkretë e të huaj. Ngjarje nga më mbresëlënëset më kaluan në ato momente që po qëndroja me duart mbërthyer në hekurat e portës. Një gjemb teli më kishte shpuar në një gisht, por nuk e kisha ndjerë. Pak gjak e kishte skuqur telin. Më duhej që edhe mbas gjashtëdhjetekatër vitesh, ta lija edhe një njollë gjaku në ato tela me gjemba të mallkuara. Me gjithë ndjesinë e keqe të atij momenti, mendoja punën e vështirë në riparimin e hekurudhave në Fraiman Mingen, apo në komandën 4070 BOBINGEN Ausburg, për shkarkimim dhe ambalazhimin e patateve në tokë. Ishin punë robëruese ku ruheshim me automatikë e me qen. Uria na detyronte të hanim patate të gjalla. Kulmi i zemërimit arriti kur në magazinën e një fabrike (aty ku na strehoi kapteri, në Papingen), gjetëm cigare '’NUSE’’ nga të Gjirokastrës dhe '’DAJTI’’ nga të Sarandës. Donim disa ditë që të çliroheshim, por zyrat dhe magazina e atij pronari, (i cili e kishte lënë i frikësuar) e bëmë sa nuk i lamë gjë. Edhe pasqyrat ia thyem. Në zyrën e pronarit, grisëm edhe portretin e Hitlerit. Lumturi e madhe në ato moment. Erdhi dita të grisnim portretin e atij diktatori. Duke parafytyruar atë zyrë, m’u parafytyrua si një imazh i madh portreti i tij midis kapanoneve. Po ai portret që grisa, me sytë e egërsirës, me nofulla të shtrënguara, me pullën e mustaqes e me cullufen e flokëve mbi një anë balli. Me dorën e zgjatur para përshëndeste vetveten: Hajt Hitler!’’. Kryqi i thyer e bënte portretin të frikshëm. M’u duk sikur mbizotëronte akoma aty midis vendrojave e kapanoneve. Dhe mendimet më rrotulluan në një vorbull, ku Hitleri më doli i gjallë me gishtin kërcënues. M’u përfytyrua sikur më ftonte të hyja brenda. M’u vështirësua pamja, por më buçiti në vesh zëri i tij, i cili u dëgjua nga unë shumë kërcënueshëm. - Ju ma grisët fotografinë? Si guxuat, more robërit e mi! A e dini që unë nuk kam vdekur? Idetë e mia do të jetojnë, sepse kam mbjellë shumë nazistë. Dhe nazistë të rinj do të mbijnë! I tronditur mendova: mos ndoshta këto kapanone do t’i përdorë ndonjë Hitler tjetër? Mos ndoshta duhen prishur dhe si modele, që të mos ngelen për të mbyllur në to robër të rinj? Mendja më shkoi te neonazistët që marshojnë rrugëve kokërruar, me çizme të rënda e me thirrje të egra duke tundur kryqet e thyer e duke valëvitur flamujt me po ato kryqe të stampuara. Për shumë çaste qëndrova ashtu, me fantazmën e Hitlerit në sy, të cilët si projektues e kishin hedhur ekran të madh në ato kapanone ku unë kisha vajtur. Në një moment kritik, fantazmën ma larguan fytyrat e Marianës dhe e Zahos, të cilët më rrëmbyen nga krahët në çastin që mund të më thyheshin gjunjët. Sytë e përlotur, Mariana m’i thithi me shaminë e saj. Kostandin Vogli Treni i Jugut. Faqe 287~303.

51 views0 comments

Shkrimet e fundit