top of page

"Kali" që më hipi mbi shpinë


"Kali" që më hipi mbi shpinë (tregim i jetuar) Nga Përparim HYSI Parabol Një udhëtar, mezi hidhte hapat në shkretëtirën e Saharasë. Ca nga lodhja dhe ca nga dielli që po e piqte si saç mbi kokë, ndaloi paksa për t'u mbushur me frymë dhe, ngaqë ishte besimtar, u ngjunjëzua dhe lëshoi një lutje drejt ZOTIT. ZOT,- u lut besimtari,- më gjej një kalë që t'I hipi,se nuk po e sos dot rrugën kaq të gjatë. Me shpresë se lutja e tij do dëgjohej, ashtu si zvarras dhe me hapat e breshkës u jepte këmbëve. Sa kaloi një dunë të vogël rëre, pa një kalorës beduin që po afrohej drejt tij. Kalorësi u afrua dhe i bërtiti:- Pela ime mëzin e ka të vogël dhe nuk më ndjek dot,ndaj hidhe atë mëzin mbi kurriz! Zotni,- tha udhëtari,- unë as këmbët e mia nuk heq dot dhe ti më urdhëron që të mbajë dhe mëzin mbi kurriz? Beduini, në vend të përgjigjes, ia veshi me kamzhik dhe fatkeqi e hodhi mëzin mbi kurriz. Nuk bëri as dy hapa dhe u pllatit me gjithë mëz mbi rërë. Kur u rrëzua, iu kthye prapë ZOTIT dhe këtë radhë i tha: - I madhi ZOT, më ke kuptuar jangllëç: doja kalë që t'i hipja dhe jo të më hipte?!!! * * * Në vitin 1991 unë isha drejtor shkolle në fshatin tim, në MBROSTAR-URA të FIERIT. E prita me krahëhapur demokracinë dhe qeshë kandidat për deputet me PD. Nuk fitova dhe,po PD e rrethit, më caktoi kryetar të komitetit pluralist në RAJONIN QENDËR.Pra, përfaqësoja PD dhe sekretarja, një vajzë shumë e mirë,përfaqësonte PS. Aty në zyrë si kryetar pushteti, e gjeta veten tammam si ai udhëtari i Saharasë.Dita e parë dhe me këmbë të mbarë, kur thonë, po për mua qe një ditë që m' u duk se nuk do sosej. Hallexhinjtë që mezi prisnin që unë,demokrati, si të kisha diçka të magjishme me vete,tak- fap do t'u jepja fund gjithë atyre padrejtësive të mbarsura nga pushteti i ashtuquajtur:poullor. Gjithë ai korridor i gjatë që ndante zyrën time,me disa zyra të tjera, ishte mbushur me hallexhinj që kishin punë me pushtetin. Kur dëgjoja një për një ankesat e tyre(për fat të keq, të gjithë kishin të drejtë) dhe, kur shikoja se sa mundësi kisha për t'i zgjidhur këto ankesa, më dukej vetja sikur ia kisha rrëmbyer atë mëzin atij fatkeqit nga Saharaja dhe e kisha hedhur mbi kurrizin tim. Njerëzit kërkonin punë dhe ndërmarrjet që ishin shtetërore o shkonin drejt mbylljes apo dhe privatizoheshin. Ca më keq ishte me strehimin. Rreth 30 familje,nga parardhësi qenë planifikuar që të strehoheshin në një pallat që kish vetëm 20-hyrje dhe,si ishte praktika e poshtër e kohës,edhe dy familje mund të banonin në një hyrje. Pranuan, në atë kohë, se e tillë qe koha, por tani ka ardhur demokracia dhe,secili, do hyrje më vete. Shkurt;- Kryetar, na bëj derman! Jap e marr të shpjegohem me ta, se të drejtë kini, por mundësitë i kemi, pothuaj, zero... po ku të dëgjon njeri. Lista për punë e gjatë dhe,ndërsa kjo listë zgjatej, vendet e punës veçse shkurtoheshin. Pasaportizimi? Sapo qe vendosur që dy fshatra të mëdha u bënë lagje të qytetit dhe vërshuan kërkesat. Këto fshatra kishin sheshe të bollshme ndërtimi dhe, mund të them, që fare pa nguruar dhashë leje për 80-truaje për të ndërtuar dhe bëra rreth dyqind pasaportizime në këto dy lagjje. I theksoj këto se,sado që pasaportizimin tim e kisha në qytet, vet banoja në fshat rreth 4-km larg FIerit dhe nuk mora qoftë dhe një truall për vete. Dihej mirë seç ndodhte,në atë kohë,qoftë me fletët e punës,qoftë me pasaportizimet dhe, ca më shumë, me truajet dhe strehimin në apartamente. Për aq kohë,sa qendrova si kryetar, unë,pothuaj,i sistemova ato familjet(dy kurora në një hyrje),jo se isha demokrat dhe bëja vezë të kuqe, por ndodh që nga "prishja" të vijë hairi. U prish ferma e madhe"Çlirimi" dhe në zyrat e fermës,strehova një pjesë të atyre"dykurorave". Po kështu veprova me ndërtesën"konvikt" pranë shkollës së mesme bujqësore që nuk kish më konviktorë. Po ku soseshin hallet e njerëzve? E shihja që çdo ditë po më rritej mjekrra. Kisha gati tre muaj që"mëzin" e udhëtarit të Saharasë po e mbaja mbi shpinë.Tani nuk ishte më mëz,por qe bërë"kalë" dhe po më thyente shpinën. Më së fundi, vendosa:-Heq dorë mga detyra si kryetar i pushtetit pluralist. E shtypa me makinë, i vura vulën dhe theksoja: dorëheqja ime është e parevokueshme. Me këtë kërkesë në dorë, u paraqita tek kryetari PD së rrethit. Dha e mori që të më kthente mendjen se, sipas tij, modeloja keq (qeshë i pari që dorëhiqesha dhe nuk qe mirë për partinë),por unë i mbeta kërkesës sime dhe u riktheva në arsim.

* * * Aq muaj sa ndenja,duken sikur nuk janë shumë,po për mua që mbajta "atë mëzin mbi kurriz,deri a u bë kalë",jo vetëm qenë shumë, por më dhanë një leksion par-exelencë: kurrë nuk më shkon mendja për pushtet. Sa ma kujton fjalën "pushtet" , stresohem dhe bëhem alergjik. Nga mundësia tek zgjidhja e këtyre mundësive sociale, pa patur frikë se nuk qelloj në shenjë,raporti është kështu: mundësia-përrua,kërkesat-det. Me një gjuhë popullore:- 40- kolonjarë, me një gjysmare farë! Në mendimin tim: vetëm sharlatanët nuk e lëshojnë karriken e pushtetit. E kthejnë atë karrike në një "minierë që nxjerrë xehrorë". E, sa për vete, për aq kohë sa qeshë, po të merrja nga secili qoftë dh e pesë lekë, sot nuk do jetoja me qera. Fle rehat dhe çdonjërin e shoh drejt për drejt në sy.

Tiranë, 14 qershor 2021


21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page