top of page

Kali dhe kalorësi i partisë


Kali dhe kalorësi i partisë

Tregim nga Fatmir Minguli


Nuk e di pse m’u kujtua në ato momente romani i hershëm i Qamil Buxhelit “ Kali i mbretit dhe kalorës të rinj”, ndoshta nga vetë ato që tregonte Meno, për një histori nga koha e monizmit, ku përmendej fjala” kali” dhe “kalorësi”.

Ne ishim shtangur tek e dëgjonim ashtu plot sy e veshë. Meno, tashmë një burrë me moshë, por krejt simpatik, tregonte shpesh disa aspekte nga koha e sistemit të kaluar, kur atë e caktuan si instruktor në komitetin e partisë.

Kishte qenë drejtues i qendrës kulturore të rrethit, por e hoqën që andej natyrisht nga arritjet e mira që ai kishte realizuar gjatë disa viteve. Pra ai ishte instruktor partie. Por – tregonte Meno- të ishje instruktor partie, nuk ishte e kolljashme. Do studjoje librat e partisë, do shfletoje marksistët e leninistët, do kontaktoje me lloj- lloj njerëzish e pastaj do të përballoje çastet më të vështira, ato çaste kur do të flisje me antarët e partisë në bazë për çështje delikate.

Të gjitha i kishte marrë parasyshë Meno, edhe lodhjen, edhe faktin që e hoqën nga ajo punë e bukur me kulturën, edhe konspektimet e pafund e tejet të hollësishme. Për më tepër ai ishte bërë Demka i komitetit të partisë, si Demka i Dritëro Agollit...duke përgatitur raporte për shefat e partisë, e që ata i lexonin para njerëzve sikur t’i kishin shkruar vetë.

Por edhe rolin e Demkës, ai nuk e kishte shqetësim. Problemi i tij më delikat ishin takimet me antarë të ndryshëm te partisë në zona të ndryshme të rrethit. Kishte në brendësi të mendjes së tij një lloj pasigurie, jo se nuk e përballonte takimin dhe pyetjet e ndryshme, që bënin pjesëmarrisit në takim...

Pranë komitetit të partisë funksiononte një kurs partie, ku kualifikoheshin me mësimet e partisë e të Enver Hoxhës, të zgjedhur në parti e sidomos kandidatë partie. Aty lektorët kryesorë ishin instruktorët e komitetit të partisë....

Tema e radhës ishte për luftën e klasave. Gjithçka e kuptonte Meno lidhur me këtë temë, por fjalën “ luftë” nuk e përtypte dot. Lufta, për të ishte konkrete, por kjo luftë e klasave se si i dukej.

Shoqja L. e komitetit të partisë ishte sekretare për edukimin dhe kishte filluar një fushatë të egër kundër armikut të klasës. Ajo po luftonte. Kundër kujt? Ajo i udhëzonte instruktorët që të godisnin fort me propagandën e tyre armikun e klasës. U tregonte se sa i egër ishte armiku i klasës, sa të egër kundër klasës puntore silleshin ish kulakët, ish tregtarët e sidomos ata profesorët pleq që kishin studjuar jashtë.

Po Meno nga se trembej! Kuptohet se nuk trembej as nga ish kulakët, as nga ish tregtarët, as...Ndoshta ai trembej nga një valë kujtimesh që i vinin në mendje. Ishin disa kujtime që e ëma ia tregonte për dajallarët e hershëm që ishin mekamë dhe kishin një tylbe diku atje thellë, në fshatin e tyre.

Ishte e vërtetë se askush nuk e dinte këtë gjë, por egërsia e shoqes L. ishte tronditëse. Në leksionin e radhës në kursin e partisë, trajtoi pikërisht temën e luftës së klasave, ku bënë shumë pyetje, madje pyetje të vështira.

-Po, patjetër që do të kishte pyetje – tregonte Meno- se ish kulakët e ish tregtarët ishin aty, fqinj me ta e ndoshta dhe kushërinj të largët.

Në leksion e shoqëroi shoku i tij i zyrës, Zeneli. Kur u larguan nga kursi, u ulën e pinë një kafe. Aty, Zeneli i bëri një komliment për cilësinë trajtimit të bisedës me kursantët. Meno, i kthehet Zenelit: ”Mirë more Zenel, mirë po spjegimi më i drejtë do të ishte t’u flisja ndryshe. Ashtu do t’a kuptonin më mirë. Atyre u duhej thënë: -Miq të dashur! Lufta e klasave që drejtohet nga partia është shumë e rëndësishme dhe duhet kuptuar mirë. Unë e kuptoj shqetësimin tuaj por dhe partia di si të sillet në këtë luftë. Ajo vepron ashtu si ai kalorësi me kalin. Kur kalorësi ia shtrëngon frerin, ai kali shkumbëzon, shqetësohet dhe ikën revan deri sa kalorësi t’ia lirojë pak frerin. Atëhere kali qetësohet disi. Merr frymë më lirshëm dhe ecën me qetësi. Ja kështu vepron dhe partia me armikun e klasës, liro e shtrëngo!

Shoku i zyrës nuk u ndje, po duket që nuk e pëlqeu këtë interpretim. Të nesërmen i pari i Komitetit të partisë e thërriti Menon në zyrë dhe e pyeti, se si kishte qenë ai problemi i kalorësit dhe kalit. Meno, pa e dhënë fare veten, i tha të parit se nuk e kuptonte se çfarë donte t’i thoshte.

- Po ja, kali dhe kalorësi apo kalorësi dhe kali, si qëndrojnë mes tyre! - i tha i pari i Komitetit të partisë, natyrisht duke e provokuar.

-Kali dhe kalorësi janë ashtu siç e thatë, kalë dhe kalorës, e ç’kuptim tjetër mund të ketë? - foli Meno duke e kuptuar se dikush ia kishte thënë fjalët e tij me rrypin e transmisionit të spiunëve “ pa dashje” e që i donin të mirën partisë dhe jo vetes së tyre.

Përfundimisht Meno nuk shprehu asgjë tjetër veç fjalëve të tij, kur papritmas në zyrë u shfaq Zeneli, që sapo hyri, u bë dyllë i verdhë. Shihte Menon dhe të parin. Ky, i pari e pyeti se si ishte puna e kalit me kalorësin…

- E, shoku …. bëjmë edhe ndonjë shaka… se Meno e ka zhvilluar shkëlqyeshëm temën mbi luftën e klasave.

Epo, i pari e kuptoi apo jo se si qëndronte puna, i la të dy të lirë.

Meno atë ditë na tregoi se si edhe më vonë, i pari e kishte pyetur prap për punën e kalit me kalorësin në një ambjent jo zyrtar, po Meno i tha përsëri:

- Po ja si kalorësi me kalin…

Durrës nëntor 2022

39 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page