top of page

Kadri Tarelli: Udhëtim në krijimtarinë e autorit Mark Zadeja



 

Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta për të gjithë është e shkurtër dhe e papërsëritshme: Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është e arritja e virtytit.

Poeti filozof, Virgjili.

 

FORCA E MENDIMIT TË ÇON DREJT FILOZOFISË

Para pak ditësh, shkrimtari shkodran Mark Zadeja më dërgoi në Durrës, librin e tij “Forca e Mendimit”. Titull i thjeshtë, që të bën të mendohesh gjatë. Një vepër me rreth 200 faqe, pa hyrje dhe pa asnjë lloj komenti e vlerësimi. Thjesht, drejt për drejt në temë: Shprehje mendimesh, apo siç i quajmë sot me një emërtim modern “aforizma”, që unë i quaj “fjalë e jashtme”. Janë jo pak, por rreth 3000 mendime që të bëjnë të vrasësh mendjen e të përjetosh. Të gjitha të krijuara nga vetë autori.

Sa për njohje, për markun më duhet të përmend dy-tri hollësi të vogla në dukje: Akademia Europiane e Arteve e ka vlerësuar z. Mark Zadeja, me titullin “Doctor Honoris Cauza”, ndërsa për librin “Qyteti i Vuajtjes”, nga kjo Akademi është propozuar si kandidat për çmimin “Nobel”. Së fundmi, një vlerësim nga Rumania, motivacioni: “Mark Zadeja. “Nder i kombit”: Për vlerat letrare në fushën e pikturës, letërsisë, kritik arti, merita njerëzore dhe atdhetare”.

Sipas mendimit filozofik, “emërtimi” i çdo sendi apo dukurie mendore, shoqërore, shkencore, me fjalën tonë apo të jashtme, nuk ka lidhje me përmbajtjen. Ndryshe ndodh me titullin e një libri; ku autori vuan derisa gjen titullin, pasi çdo fjalë apo grup fjalësh, përmbledh në mënyrë lakonike esencën e përmbajtjes dhe kumtin që duhet të përcjellë te lexuesi, që në shikim të parë.

Këtu jam në një mendje me autorin dhe titullin e librit, sepse “Forca e mendimit”, nuk është forcë fizike, mekanike, shtytëse, tërheqëse, shpërthyese, lëvizëse, etj. Ky titull ka në brendësi shumë filozofi, sepse ajo është forca që shtyn përpara shoqërinë, që ndërron sistemet, që formon religjionet dhe ideologjitë, që vë në lëvizje masat punëtore dhe popullore, më tej grupimet shoqërore, duke venë në peshore përfundimet dhe pasojat. Dhe, në rastin konkret përmbledh në pak fjalë përgjithësimin teorik e praktik të dukurive, apo ngjarjeve të ndryshme, që të çojnë drejt majës, drejt mendimit filozofik.

Kam përshtypjen se nuk shtova gjë të re në fjalën time rreth librit “Forca e mendimit”, që pasi e mbarova, po i rikthehem për ta parë dhe shijuar pak më nge dhe qetësisht, duke bërë një lloj krahasimi me librin “Vuajtja e qytetit”, i të njëjtit autor. Libër që u përurua në Durrës pak muaj më parë, Tetor 2023, të cilit i kushtova edhe një shkrim që u publikua në gazeta dhe portale elektronike, me titull: “Vuajtja e Qytetit, si Histori, Psikologji dhe Filozofi”. Gazeta “Veterani”, Facebook, “Zemra Shqiptare”, Gazeta “Dielli”, Gazeta “Fjala”.

Pikërisht në atë libër, të rrallë për mendimin tim, vura re se autori Mark Zadeja kishte vendosur shumë shprehje, apo mendime të ngjeshura, ku futeshin analiza psikologjike e filozofike, lidhur me  ndodhitë e hidhura e të përjetuara fuqishëm, që peshonin shumë në jetën, mendjen dhe shpirtin e qytetit e qytetarëve.

Në fjalën time rendita disa prej tyre, pa ditur dhe pa menduar se Marku kishte kohë që shprehje të tilla i kishte bërë pronë të mendimit të tij filozofik, aq sa kishte botuar edhe një libër të tillë, të veçantë. Pse ta mohoj, është një punë e madhe krijuese, që e vlen të merret në vëmendje, të diskutohet dhe të vlerësohet, duke u ndalur kryesisht te përmbajtja dhe bukuria e fjalës, si mendim dhe forcë artistike. Mendoj dhe jam i bindur, se, nëse bashkohen forca e mendimit dhe me artin e fjalës, atëherë Marku ka bërë një vepër sa të bukur aq edhe të arrirë.

Në çdo faqe që lexoj, shoh se autori ka arritur të futet në natyrën e ndritur të mendimit të hapur, të dukshëm, të prekshëm, njëkohësisht edhe në skutat më të fshehta e të heshtura, të jetës dhe marrëdhënieve njerëzore, familjare, shoqërore, historike, psikologjike dhe filozofike. Ai ka gjetur dhe gdhendur fjalën, për ta vënë në gur themeli të mendimit filozofik. Një punë sa e vështirë aq edhe e fisme, për t’u ngjitur në majë të dijes dhe mendimit krijues.

Ajo që më bën të mendoj dhe të jem në brendësi të librit, është: sa shumë hapësira paska jeta, që copëzat e saj të pasqyrohen si përmbledhje në pak reshta fjalësh. Aq e vërtetë është kjo, sa i bëj pyetje vetes dhe autorit: - A ka fushë të jetës njerëzore që nuk ke trokitur, për të shkrirë mineralin dhe për ta kthyer në metal e gurë të çmuar, në dobi të vetvetes dhe më shumë të shoqërisë.

Si fillim, më duhet të them se Marku është besimtar i mirë, adhuron dhe i falet Zotit. Shumë herë në faqe të ndryshme të librit, në mënyra të ndryshme i drejtohet Zotit dhe mirësisë së tij. Por nuk mjaftohet me kaq, ai adhuron jetën, dashurinë, rininë, punën, kohën, lirinë, të vërtetën, thjeshtësinë, besën, ndershmërinë dhe drejtësinë, muzikën, librin, poetin dhe poezinë, piktorin dhe pikturën, mirënjohjen, pa harruar të bukurën në natyrë dhe urtësinë në shpirtin njerëzor. Si pjesë e luftës së të kundërtave, autori përçmon të keqen, lakminë, pabesinë, mburrjen, paudhësinë, mosmirënjohjen, ngutjen, fjalën e pa mbajtur, përgjigjen e pamenduar, të shëmtuarën, rendjen pas pasurisë, veseve, dembelizmin, krekosjen, etj. Besoj se gjithçka përmblidhet në këto dy fjalë magjike me vlera universale: – “Krenarinë ruaje për atdheun. Kjo të bën fisnik”. 

Mendoj të rendis disa fjalë dhe shprehje, që mund dhe duhet t’i shërbejnë gjithsecilit në jetën e përditshme, ca më shumë në pasurimin e mendimit për t’u drejtuar dhe mos gabuar nëpër udhët e jetës.

. Besimi te Zoti është shpëtim për shpirtin. Kënaqësia e shpirtit është bamirësia e tij, ndershmëria-e vërteta e tij, mirësia-natyra e tij, lavdia-vepra e tij dhe dashuria e vërtetë-çiltërsia e zemrës.

. Një njeri, qoftë ky mbret apo kumtar, nuk matet nga pasuria që u le trashëgimtarëve, as nga betejat që fitoi, apo nami i madh që pati, po sa shumë e zhvilloi popullin e vet, sa të mira bëri, sa dashuri e nderim tregoi ndaj tij, e sa shpresa ngjalli tek ai, për të ardhmen.

. Asnjë bukuri e kësaj bote, nuk mund të maten me bukurinë e atdheut.

. Fillim i mbarë gjysma e punës, porse nëse tërhiqesh, gjysmën tjetër ta marrin të tjerët.

. E vërteta e ka strehën e vet tek i ndershmi, ndërsa e drejta tek i urti.

            Nuk mund të zgjatem pafundësisht, pasi kështu nuk i shtoj vlera librit, përkundër.......! Por më duhet të them diçka për formën:

- Në këtë libër, të gjitha mendimet apo thëniet, janë shtrirë si lulet shumë ngjyrëshe në lëndinë, pa ndarje sinorësh apo gardhesh, ngjyrash e madhësie. Me një fjalë ashtu siç kanë lindur e rritur në kohë dhe hapësirë. Kjo është forma që ka pëlqyer autori dhe e vlerësoj, duke pasur në vëmendje mbi të gjitha përmbajtjen, thelbin e mendimit, dobinë e tij në përditësi të jetës dhe peshën në filozofi.

Jam i bindur dhe i sigurt, se nuk jam i vetmi i dashuruar ndaj thënieve të bukura dhe të ngjeshura në mendim. I kam grumbulluar shumë prej tyre në një bllok të madh, duke vënë përbir edhe autorin, shkrimtar, mendimtar, poet dhe filozof, shqiptar qoftë, apo nga bota. Shumë të tjerë kanë botuar edhe libra. Në të shumtën e herëve, me këto thënie, stolis fillimin e çdo shkrimi apo poezie, nëpër librat e mi, duke i përafruar me përmbajtjen e krijimtarisë. Nuk them se lexuesit janë mrekulluar, por të paktën nuk më kanë thënë: Pse?

Mirëpo gjatë punës më lind problemi i gjetjes së tyre sipas tematikës, kështu më duhet të harxhoj mjaft kohë, ndoshta kështu u ndodh edhe të tjerëve. Diku-diku, jam përpjekur t’i grupoj, bie fjala: thënie për atdheun, besën, diturinë, nderin, trimërinë, dashurinë, nënën, gruan, rininë, arsimin, poezinë, muzikën, politikën, artin, sportin, shkencën, etj, etj. Kjo më ndihmon shumë dhe më kursen kohë, njëkohësisht më kujton të mos bëj përsëritje.

Për të qenë i saktë me veten, duke e parë me kujdes të gjithë librin, edhe autori është përpjekur në vetvete për t’i grupuar, por pa i vënë gardh tematikës, duke e lënë këndonjësin t’i verë në “kornizë”. Janë shprehje apo mendime, që duhen futur në kujtesë, për t’u përdorur në fjalime, në takime, në biseda në odat e burrave, porosi për të rinjtë, por edhe për ilustrim shkrimesh. Besoj jemi në një mendje: Është bukur kur i dëgjon, më i fituar kur i zbaton.

Në fund të këtij shkrimi, më duhet të them ato pak fjalë që i kurseva në fillim: Mark Zadeja i ka dhënë përgjigje pyetjes që na shkon nëpër mend, secilit nga ne: - Është forca e mendimit e njerëzve të ditur të çdo kohe, që kanë lënë gjurmë diturie e mençurie, si trashëgim i paçmuar, për të hapur shtegun e të ardhmes. Janë ata që kanë mundur të bëjë bashkë, mendimin e vyer me artin e fjalës së bukur, duke përcjellë kohën, përvojën dhe mësimin, nga brezi ndër breza.

Dihet, se jeta në kohë dhe historia e saj nuk ka ndarje. Ajo vazhdon rrjedhën pa pyetur dhe pa ndalesë. Të lumtur dhe të fituar janë ata që i përthithin fjalët e urta dhe mendimet e arta, që i bëjnë pronë të tyre, duke shtruar udhën e dijes dhe të suksesit, për një jetë më të mirë, më të begatë, më të paqtë dhe më të sigurt.

Urime z. Mark, për këtë libër me vlera në njohje, të çmuar në dobi të gjithsecilit nga ne. Libër që nuk duhet të mungojë në çantë udhëtimi, në çdo bibliotekë vetjake apo familjare.

“Forca e mendimit” është një gur i rëndë në mendimin filozofik shqiptar. Suksese në libra të tjerë!

11 views1 comment

1 Comment


Përshëndetje dhe falënderim, meritoni ju "Fjala e lire", që u gjindeni pranë krijuesve nga të gjithë trojet etnike Shqiptare, po ashtu edhe nga mërgata jonë e shpërndarë nëpër botë.

Mark Zadeja, të cilin e njoha jo shumë kohë më parë, meriton më shumë kujdes dhe vëmendje për pasqyrimin e veprave të tij me karakter të veçantë, që sulmojnë derjt mendimit filozofik. Nuk është e lehtë për autorin, por ca më shumë për ne që mundohemi të futemi në hullinë e mendimit dhe forcës së tij. Mirënjohje!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page