Ka ndërruar jetë poeti Demir Gjergji




Një lajm i hidhur dhe mjaft i trishtueshëm u dha nga familjarët e tij. Ka ndërruar jetë poeti Demir Gjergji. Ikën në duart e Zotit, krijuesi me një fëmijëri e rini të vështirë,që krijimet e para i nënshkroi si minator e më pas botimi i parë poetik i tij erdhi në vitin 1974. Demir Gjergji, një emër i njohur në letrat shqipe, për dy dekada gazetar dhe drejtues i emisioneve të suksesshme në Radio Tirana “Fjala si fillim, Fjala si flijim” dhe “Vatër shqiptare”, është nderuar me shumë çmime vlerësuese për krijimtarinë në poezi e prozë dhe me Medaljen “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë (1988) për kontributin e tij në gazetari dhe tashmë nuk do të jetë më fizikisht mes nesh.

Krijimtaria e tij në prozë e poezi ka marë një dimension të ri. Pasionin për radion e poezinë e ka ndërthurur në realizimin në studion e tij “Derada” të montazheve poetike, nga krijimtaria e autorëve të njohur, por më së shumti të rinj, që kanë gjetur tek ai, mentorin dhe promovuesin.