top of page

KAÇAKSHE


Thani Naqo

KAÇAKSHE

baladë

Jam kaçak,

kaçakshe po vij,

natës pa hënë i çaj shtegun symbyllur.

Duk-duk reh zemra nën gunën gri,

do rrëmbej dashurinë e kyçur!

Tëposhtë shtyj,

që nga koria,

mjegulla qorre derdhet mbi fshat.

Lehin e skërmiten qenëria:

"Ky është ujk,

ose,

kaçak!"

Kaçak jam.

Kaçake e ti,

hiç mos qaj.

Pse derdh lot?.

Shtëpia e dhirtë na nxe të dy,

kaçakshe jetohet kudo në botë.

Hajt,

eja,

mos ki frikë,

në na qëlloftë Zeusi me zjarr,

për hatrin tënd i zë pritë,

rrufetë ia shuaj,

e bëj manar.

Hajt,

të ikim,

pa çelur dita,

kaçakët jetojnë në terr e mjegull.

Në lakmofsh qytetet me drita,

kaçakshe,

sërish,

do vij fshehur...

2011

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page