
NSPEKTORËT <<FUFUJA>> DHE BEXHETI.
Ishim nxënës në Piqeras. Kishte njoftim se do të vinte një ekip kontrolli nga Seksioni i Arsimit të rrethit. Kaq të trembur ishim nga provimi që do të na bënin, sa po të qe gjallë do të trëmbej dhe vetë Bonaparti. Atë vit nga fshati ynë, Sasaji, ishim shumë
nxënës, gati një e treta e klasës. Rruga që përshkonim atëherë , ishte e vështirë: ose
do kalonim nga rruga automobilistike nacionale, ose nga rruga e Harcës, një rrugë
rreth tre çerek ore e gjatë. Rruga e re (xhadeja) Sasaj-Piqeras nuk ishte hapur akoma.
Një pjesë jona (e nxënësve), kaluan nga rruga e poshtme (automobilistike), pjesa
tjetër nga rruga e sipërme (e Harcës). Në atë kohë shumë brigada punonin në
ndihmë të njëra-tjetrës. Pasi dolëm nga fshati, kaluam Gurin e Borshe, Harcën,
Vreshtën dhe, kur arritëm në Harcal, ishim gati të ktheheshim, për të mos vajtur në
shkollë . Në rrugë u dukën disa gra punetore piqerasiote. - Mirëmëngjes,- u thamë ne. – Shkuat jet-ooo?! -na u përgjigjën ato me
dhëmbshuri. Një shprehje kjo shumë e kulturuar dhe me dimensione
tepër njerëzore që e përdorin të gjitha fshatrat tona në Bregdet, ku më shumë e
ku më pak , e cila më e theksuar është në Piqeras. Kështu u
ndamë me gratë, kurse ne vazhduam rrugën. Arritëm te Shpella e Naçit.
Për shejtan, atë ditë, një pjesë nga ne, kishin harruar shaminë e pionerit
në shtëpi. U vendos që nuk do venim në shkollë. -Jo,- thot Orhani, -unë do
shkoj se e kam shaminë e pionerit. -Jo, - i thotë Bexheti, -nuk do vesh
vetëm ti, se na zbulon edhe ne të tjerët. Dhe ia mori shaminë Orhanit.
Bexheti ishte një nga organizatorët kryesorë te mosvajtjes në shkollë.
Disa ishin më të
mëdhenj, pinin dhe duhan, pasi kishin mbetur në klasë , pra ishin
prapambetës.
Ndërkohë në shkollë, mungesa jonë qe bërë problem. Mësuesit ishin të shqetësuar.
Drejtori i shkollës, shkoi vetë në fshat, duke bërë kontroll shtëpi me shtëpi, por asgjë,
ne nuk ishim kthyer akoma. Problemi bëri bujë. U vu në dijeni kryetari i këshillit të
fshatit dhe për çdo gjë do njoftonte në telefon shkollën. Prindërit nga ana tjetër , u
kërkonin llogari me të drejtë mësuesve se ç'po ndodh me fëmijët. Ndërkohë ne
vazhdonim sorollatjen dhe po ktheheshim shumë ngadalë, në shtëpi, si zakonisht,
sikur kishim qënë në shkollë.
Por, kjo sorollatje dhe ecje e shkujdesur, gati sa s'përfundoi në një aksident fatal.
Zbrisnim rrugës drejt Moqivalave. Deri këtu çava unë dhe Bexheti. Më tej, me radhë.
Por tani pylli ishte më i dëndur dhe më i frikshëm. I kemi çarë ferrat e përrallet me
kokë. Ecnim rrugë pa rrugë, sepse po te ecnim rrugëve të zakonshme mund të
takonim ndonjë fshatar apo mësues. Ec e ec, por përsëri pa krye. Më në fund dolëm
në krah të Shpellës së Spiros. Rrugë s'kishte, ishim buzë greminës. Mbetëm aty si të
ngrirë. Si të bënim? Unë kisha një aftësi që hidhesha nga lartësitë, si një trup i lehtë
që isha , bashkë me Aliun. Në këto e sipër, po bëheshim gati të hidheshim. Por,
pikërisht në këtë kohë, diçka lëvizi brenda shkurreve të gjata e të dendura, ku
shquanin sqinde të mëdha. Kjo kafshë, që nuk e pamë me sy se çfarë ishte, bënte një
zhurmë që ngjante me një <<fu-fu>> të thatë e të frikshme. Në këtë kohë, befasisht,
pa paralajmëruar, por i vendosur Bexheti (Memi) bërtiti me sa zë që kishte: <<Fu-
fuja>>, - dhe u vërvit i pari me kokë mespërmes shkurreve, për të dalë matanë. Pas
tij, të gjithë ne, bëmë të njëjtën gjë dhe shumë shpejt, dolëm matanë në Perrua të
Shpuzës, nga ku, prej këtej dolëm në xhadenë automobilistike. Kur kthyem kokën
dhe pamë lartësinë e buzës dhe gurët <<thikë>>, që i kish mbuluar bari, u stepëm, na
u ngjeth mishtë, na u pre gjaku, u zverdhëm e u bëmë dyllë. Do ishim, për kushedi sa vjet të harruar. Zbritëm në Reçe, por Golgotha-ja s'kishte mbaruar! Aty, punonte me
qe Çecua (Çerciz Bashari), me një tjetër që nuk më kujtohet. Sa na pa, na pyeti me
kërcënim: - Pse s'kini vajtur në shkollë, ë! Ky e kishte tabjat më të jatin, që fliste fort
dhe ashpër, por nga zëmra dhe shpirti qe i mirë. Çeçua e përsëriti prapë kërcënimin :
- Pa hë, pse s'kini vajtur në shkollë sot, ë?! - Pse, llogari do të të japim, tija? – i them unë. Ai nga inati më qëlloi me
shkop në kokë, duke më thënë: - Pse… s'ke…vatur…në…shkollë…sot, - po
të them, -ë…ë… Dhe pas çdo fjale me ritme të barabarta më përsëriste
fjalët dhe pas tyre më jepte nga një goditje. Më dhëmbi shumë koka dhe,
nga lodhja, nga inati dhe nga dhëmbjet, e shava nga nëna dhe ika me
vrap. Më çkrehu me shkopin përpara, për një copë rrugë, por kur e pa që
nuk më zuri dot, më kërcënoi sërish: - Hajt, pa do më shoç, po të zura dot
më duar, do te bëj Çeço Laipe, do të bëj të dekur,
dëgjove?...dëgjova…thuaj!
Më pas u vonuam edhe disa orë Udhës e Lumit dhe shkuam në shtëpi. Babai, i qetë
dhe në dijeni të plotë për ngjarjen, (ndërsa ne nuk dinim çfarë ishte bërë), më pyeti: - Ku ishe sot? - Në shkollë, - iu përgjigja - Po mirë, - më thotë babai, - sa herë që ke qenë sëmurë, të kam dhënë
letër për mësuesit! - Po, i them përsëri. - Po atëherë, pse më gënjen? Dua të theksoj këtu, se mësuesit kishin
respekt shumë të madh për babain tonë në atë kohë. Në atë sezon ne
kishim mbledhur <<cmarte>>, (piqerasjotët i thonë <<cimarte>>, një lloj
shkurreje, gjethet e së cilës kanë vlerë medicinale dhe janë lëndë e parë
për industrinë farmaceutike. Babai, që shumë rrallë në jetën e tij qe sjellë
dhunshëm, më ndëshkoi fizikisht duke me goditur me shufrat e cmartes
të zhveshura nga gjethet dhe gjysmë të njoma që të shkaktonin dhëmbje
shumë therëse, më therëse se shufrat e argëleve. Trupi m'u bë vija-vija të
zeza, që edhe sot e kësaj ditë më dhëmbin. Të nesërmen do shkonim në
shkollë. Shkuam.
Na nxorrën para klasës, në dërrasë të zezë. Përballë nesh mësuesi kujdestar, Vasil
Gjivogli, i cili kërkonte llogari, por edhe ndëshkonte me pëllëmbë. Para meje ishte
Orhani, kishte qethur dhe kokën <<zero>>. Pëllëmba e Cilos, i mbështolli faqen,
kokën dhe gishtat e pëllëmbës arritën në faqen tjetër. Surrati iu bë prush i kuq, iu
ndez flakë. Pas Orhanit më erdhi radha mua, isha i nënti. – Po ti? – më thotë. Unë
nxitova menjëherë duke i kërkuar falje, i penduar. Kështu shpëtova nga pëllëmba e
Cilos. Më, nuk u përsërit, një veprim i tillë
Comments