Kështu është e gjithë loja
Nga Fatmir Terziu
Koha na gdhend e na (ri)gatuan me takt,
për të na (ri)mbyllur në një ekspozitë,
e ne heshtim vetëm sytë i mbajmë lart,
të mos përfundojmë në rafte një ditë.
Mbi kokat tona koha po thyhen dalta,
me trutë tona po (ri)gatuhet modeli,
nuk hyn më në këtë art as balta,
nuk duhet më askund as vetë peneli.
Ky art është një projekt jo mjaft i ri,
i futur thellë në kuti i heshtur,
pasqyrohet në sytë tanë si një liri,
pas një programi të verdhë të zbehur.
Në këtë projekt për hir të vërtetës
modelohet duke skicuar vetëm në tru,
që njeriu brenda dhe jashtë ekzistencës,
të gdhendet e mbetet thjesht si një dru.
Këtu hyn dhe rigdhendja e radhës,
duke na bërë artefakte druri me mish,
teksa i votuam mes britmave të sallës,
artgdhendësit tanë mjeshtra partish.
Jemi me fat koha na ringriti në art,
fundja ç’të keqe ka një marëzi,
kur hesht edhe vetë Zoti atje lart,
ne mbetemi vetëm një tufë bagëti.
Dikush do të më kundërshtoj me inat,
por do ta mbaj në tru këtë poezi,
më pëlqen do të thotë se është art,
dhe kujt i kushtohet duhet ta di.
Pikërisht këtu është e gjithë loja,
që na bashkon të gjithëve në një pikë,
artfefakte nuk po na gdhend vetëm koha,
por neglizhenca e jonë ditë për ditë.
Comments