Kështjella e Trebishtit



Kështjella e Trebishtit

F. Terziu


Një nga emrat më të lakuar prej kohësh[1], ka ngjizur toponimin më befasues dhe më tipologjik të kësaj treve lidhet me toponimin “Gradishtë”, që do thotë qytezë. “Gradishtë” quhet vendi në fshatin Trebisht Çelebi, për të cilin hamendësohet se kohë më herët kanë cekur në shkrimet e tyre Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti. Kjo e përcjellur gojore e bazuar në faktin se ky vend është sipas vetë toponimit një emërtesë qyteze, dhe pasi tashmë është vërtetuar se gjendet edhe si vendi ku ndodhej Kështjella e Trebishtit me të njëjtin emër, e njohur si “Kështjella e Gradishtës” ka shkuar më tej në lidhjet e vjetra të kësaj qyteze, apo të kësaj kështjelle me kështjellën e Koxhaxhikut, që ndodhet fare afër me të në rrugë gjeografike. Kjo e bën të besueshëm faktin, pasi dihet që herët nga historia se të gjitha kështjellat ndërtoheshin nga vendasit për të bërë ballë armikun, për të strehuar popullsinë dhe për të pasur lidhje të afërta me fqinjët, kështjellat më të afërta. Nga ana tjetër duke parë dëshmitë dhe vëzhgimet nga afër në rrënojat e këtyre dy kështjellave, duke rrëmuar në thëniet e më të moshuarve, po ashtu dhe në emrat që kanë zënë vend sipas emërtesave që kanë ndryshuar në vite, edhe ato që paraqesin strukturën e tyre të ndërtimit, materialet, sidomos gdhendjen e gurëve, etj., na sjellin në një përfundim se ato i ka ndërtuar thuajse një dorë, një stil, një arkitekturë dhe më tej kjo nënkuptohet nga vetë ekzistenca e tyre në këtë trevë ku burrat shquheshin për mjeshtërinë e ndërtimit. Të dy këto kështjella nga rrënojat e tyre flasin madje me një ngjashmëri me Sfetigradin mesjetar[2] për të cilin flasin aq shumë të lartcituarit, Frangu dhe Barleti. Të gjitha këto lidhje na sjellin në kohën kur mbi këto vlera të dikurshme, të mbetura sot vetëm gërmadha, flasin gjuhët e trazuara dhe ato pak gjëra që kanë mbetur gojërisht të transmetuara në ditët tona.

Shtrirja gjeografike e Kështjellës së Trebishtit mbi një pozicion të ngritur, ndërtimi i saj me gurë të gdhendur e të vendosur në atë mënyrë që edhe sot pas shumë shekujve të mbajnë në këmbë ato pak mbetje, të cilat më vonë edhe i kanë huazuar të tjerët për ndërtime të ndryshme, na premton më së miri se ajo ishte dhe një arsye më shumë në ikjet dhe zbrazjet masive të kësaj treve në shekuj. Kështjella e kësaj qyteze të hershme, mban në gjirin e saj dhe një objekt kulti kristian, që mendohet se kap të paktën periudhën e shekullit të 18-të.

Për këtë kështjellë, që herët ne faqet e gazetës “Bashkimi” të vitit 1981 një hulumtues dhe që është edhe banor i kësaj treve, Agim Bekteshi, ka shkruar “Duke gjykuar mbi të dhënat që japin burimet antike mbi fisin ilir të penestëve, mbi luftën iliro - romake dhe sulmin e Perseut, nga pikëpamja historiko - ushtarake dhe ato të dhëna që ofron vetë fortesa e Trebishtit, një pjesë të të cilave i shënuam me sipër, mund të nxjerrim si konkluzion se ajo i përket një periudhe kohore para luftës iliro - romake, dhe vetë ndërtimi i fortesës dëshmon për masat mbrojtëse që janë marrë nga penestët ilirë për të përballuar sulmet e barbarëve”[3]. Në studimin e tij Paulin z Zefi shkruan se këto kështjella ishin të vogla dhe i përkasin taktikës dhe strategjisë së Gjon Kastriotit që të gjitha kështjellat në tokën arbërore i mbajti të vogla për strategji të njohur prej tij. Sipas Zefit, “Karakteristikat kryesore të kështjellave arbërore ishin se ato qenë me përmasa relativisht të vogla, me përjashtim të Krujës, por mjaft të fuqishme nga pikëpamja e konstruksionit, sepse ishin të ndërtuara në pozicione natyrore shumë të favorshme për mbrojtjen e tyre” (Zefi, 2019)[4]. Politikani, diplomati, filozofi, historiani dhe poeti i famshëm i Rilindjes Italiane, Niccolò Machiavelli (1469-1527), në veprën e tij me titull “Dell’arte della guerra (Arti i luftës)” të cilën e ka shkruar në vitet 1519-1520 dhe botuar në vitin 1521, shkruan se: vendet dhe kështjellat mund të jenë të forta ose prej natyre ose prej dorës së njeriut”[5].

Duke parë këtë shënim të Zefit mësojmë se disa nga vendet e mbrojtura (fortifikatat) më të përmendura të prapavijës, të cilat Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i përdorte për strehimin e popullsisë dhe për depozitimin e rezervave ushqimore ishin: ajo e Shkopetit në Kurbin, Shëngjinit në Tiranë, Darsit e Bruçit në Mat, Peladhisë, Kojavecit, Lladomericës, Ostrenit, Trebishtit, Xhaxhishtës (Lurë), Lashkizës (Zall-Dardhë), Voles (Vranjt) dhe Kalaja e Dodës (Çeren) në Dibër etj.

Sipas të gjitha këtyre të dhënave, gjetjet historike, mbetjet në gërmadha dhe koha që ato flasin, normalisht dhe në atë që është shënuar për kohën kur këto kështjella fuksionuan kuptojmë se ato ishin objekte arbërore dhe ndodheshin në tokën e Arbërit për të mbrojtur njerëzit e tij. Sakaq, kjo është më se kuptimplote se edhe kështjellat e Trebishtit, Lladomericës, Kojovecit, apo dhe të tjera ishin dhe mbetën në këtë trevë si qëllimi i ndërtimit të tyre.

[1] Terziu, F. (2020) Studimi Disavjeçar: TOPONIMIA E GOLLOBORDËS: DISKURSI I DYGJUHËSISË DHE DERIVATI I ORIGJINËS. Londër. [2] Terziu, F. (2009) “Bunari”. Roman. USA: Lulu. [3] Bekteshi, A. (1981) Kështjella e Trebishtit. Gazeta “Bashkimi” 26 prill 1981. [4] Zefi, Z. P. (2019) “Kështjella e qytetit te Shenjtë ose “Sfetigradit”… ( tetor 2019). [5] Makiaveli, N. Arti i luftës, f. 15.

0 views

Shkrimet e fundit