Këshilltari i Ramës


Ilir Levonja


Sot disa Webe shqiptare e konsiderojnë si lajm faktin që Zoran Milanoviç u zgjodh president i Kroacisë. Këto afërmendsh janë ato që propagandojnë më shumë se kurrë dështimin shqiptar, që në rastin konkret ka emrin Edi Rama. E ofrojnë si lajm për të thënë se ja, shikoni se me kë është këshilluar Rama, njerëz të tillë që zgjidhen deri presidentë. Kësisoj Edi Rama është në udhën e duhur dhe se gjithë përfoljet a provat e gjalla në aferën e drogës, manipulimin e votës, qeverisjen monoparti, koncesionet me partneritetin privat, rritja e borxhit, rënia e ekonomisë et., janë pesë me hiç. Zoran Milanoviç vërtetë e ka këshilluar Ramën, por jo falas. Dhe normalisht se ka bërë punën dhe puna paguhet. Ramën e ka këshilluar edhe Tony Blair, ish kryeministri i Anglisë, por është paguar. Ashtu sikur edhe studio ligjore e Tom Ridg guvernatorit amerikan dhe ndihmës i presidentit Bush, të riut, ka konsultuar Sali Berishën dikur. Por le ta dinë shqiptarët se këto konsultime nuk bëhen për sytë e bukur por me para. Dhe për më tepër a për më keq, janë mirëfilli një propagandë se pasi ata lënë zyrën fashikujt e konsulencës përfundojnë në koshin e plehrave. E vetmja shenjë e mbetur në muret e qeverisë është çeku i ashpër për shpinën e shqiptarëve të drobitur nga kohërat. Më përpara se të mburremi me emrat që marrin poste dhe se kujt qeveritari shqiptar i kanë shërbyer, duhet të shikojmë aktin social të vendit ku ata kontribuojnë. Në rastin konkret është Kroacia..., presidenti i sapo zgjedhur që mundi në balotazh sharmantet Kolinda Grabar Kitaroviç. Çfarë duhet t'i shikojmë rastit, pra kulturës kroate të politikës në mbarëvajtjen e demokracisë.

Kroatët e zgjedhin presidentin nga populli kurse ne e vendosim në tavolina me ngjala, madje në këto vite demokraci posti i presidentit ka qënë një ngërç deri kushtetues, punë numrash nga karriket formale të kuvendit, pas marrëveshjeve të fortësh si rasti Berisha Nano kur sollën në vitin 2002 nga tavolina e dominove Alfred Moisiun si president. Sa për dijeni se informimi është i bollshëm në internet, Zoran Milanoviç ka pasur shumë ulje e ngritje në politikën kroate, deri largimin prej saj kur partia social demokrate e tij humbi zgjedhjet në 2016-ën. Kush nga këta bukuroshët e partive shqiptare e ka bërë këtë? Kërkush, ka nxjerrur njëqind pretekse, kanë akuzuar me pështymë e të shara kundërshtarin por asnjëherë dështimin personal. Zoran Milanoviç u tërhoq nga politika megjithëse ishte ai dhe qeveria e tij që zyrtarizuan anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian, por duke ja lënë fjalën verdiktit popullor, referendumit. Tek ne puna e Shqipërisë e futjes në bashkimin europian është çështje personale dhe votash e liderëve më të dështuar në të gjitha kohërat, shkurt e një klase skarco sociale që mos i pastë për pjesë as dreqi. Zoran Milanoviç vuri kandidaturën për president si një prurje e shoqërisë civile, jo nga politika. Në vendin tonë hiqe nga mendja se mund të kanditosh kështu, e para nuk të honepsin po qe se nuk të sugjeron partia a njëshi i saj. Dhe e dyta e kemi të privuar me kushtetutë verdiktin social ose zgjedhjen e presidentit nga populli. Kroacia sot është antare me të drejta të plota në Bashkimin Europian, madje sapo mori presidencën e radhës. Vjen nga një histori e diktaturës së proletariatit në Federatën e ish Jugosllavisë, por në raport me ne ka bërë vite dritë përpara dhe kurrë nuk ka pasur një konfliktualitet politik dhe rënie të shteti pikërisht për shkak të hapjes së krahut nga individi karshi vendit dhe legjislacionit, librezës së anëtarit dhe statutit të partisë etj. Ju jeni dëshmitarë që nga koha e Stipe Mesiç, të fundmit të nomlekaturës ka një qarkullim të përsosur të emrave. Kurse ne i hakërrehemi Europës me skarcot e nomenklaturës, madje qytete me histori sa vetë kombi si Durrësi përshembull, votojmë akoma prokurorë të diktaturës për kuvendarë, e kam fjalën për rastin Spartak Braho etj. Jemi gati ta mbajmë njëqind vjet në pushtet Gramoz Ruçin a Skënder Gjinushin dhe pirdhemi duke u mburrur me faktin se kush e këshillon Edi Ramën etj. Dhe e fundit fare, Kroacia e ka çuar as hekurave një ish kryeministër, kurse ne në 30 vjet në emër të dështimit konsekuent i kemi shpallur me dekret presidenti heronj kombëtarë. Pra shikoni dhe krahasohuni me kulturën politike të një vendi se sa me emrat që kanë këshilluar iks apo ypsilon kryeministër. Kjo është bajate, sepse janë paguar nga ju, kokërr më kokërr dhe me një faturë që ju ka thyer deri brinjën e fundit.


#ilir #levonja


17 views

Shkrimet e fundit