top of page

“KËRKESAT”


Vangjush Saro


“KËRKESAT”


Tregim


Herën e fundit që ishin në shkollë, prindërit e mi vunë duart në kokë. Mësuesja nuk dukej e kënaqur. Ajo i bëri ca komplimente mamit - që është e mirë vetvetiu dhe s’ka nevojë për aso - pastaj humori u zbeh. (Më vjen keq. Ju interesoheni gjithnjë… Kështu, unë Takun e kam djalë të mirë. Por si të themi... hm... Prandaj Taku...)

Taku jam unë. Dhe mami im s’e deshi veten kur dëgjoi këto sqarime. Vetëm ndonjë tetë tek-tuk? Mandej gjashta e shtata? Babi gjithashtu u bë keq, aq sa e hoqi celularin nga veshi, gjë që nuk ndodhte kurrë. Ata të dy kanë kërkesa ndaj meje, kanë shumë kërkesa.

-Po mirë, o djalë, - ia nisi babi, sapo u kthyem në shtëpi, - kaq e vështirë është Gjeografia, që ti të marrësh shtatë? Hë? Semestrin e kaluar ti ke qenë më mirë.

-Dale pak, dale - u hodh mami. - Po Gjuha, më thuaj çfarë ka Gjuha që nuk mësohet? Sepse gjuhë është apo jo?

-Sigurisht! - ia priti babi. - Sikundër edhe Matematika. Çfarë është Matematika?

-Dale dale, - vazhdonte mami - se ne kemi kërkesa. Prandaj, Taku, shpirt i mamit, shtroju punës, domethënë mësimeve…

-Sigurisht! - i binte fyellit në një vrimë babi.

Vetëm unë dhe gjyshi nuk flisnim. Ai lexonte një gazetë, gjë që nuk e pengonte të shikonte edhe televizorin, ku ca të ftuar po bërtisnin në kupë të qiellit; por ndërkohë, ndiqte edhe bisedën e vështirë dhe ‘plot kërkesa’ të mamit e të babit.

Dikur unë i shkreti vendosa të mbrohesha:

-Po mirë - thashë - edhe unë kam kërkesa. Për shembull, që sot kam një kërkesë. Dua një celular tjetër…

-Sigurisht! - i shpëtoi babit shprehja e përhershme.

Ai merret nga pak me biznes dhe e ka mendjen te makinat që shkojnë e vijnë me mall. Por sapo që ndjeu bërrylin e mamit, e qepi gojën.

-E kisha ndryshe fjalën; e kisha ndryshe, të më kuptosh.

-Celularin para një muaji ta blenë - ndërhyri gjyshi. - Ti më shiko mua. Ja, mirë jam unë… edhe me shokët flas kështu, goja-gojës, sepse e di, duhen ashtu… - gjyshi fërkoi dy gishtat e parë të dorës së djathtë, gjest që mund të përkthehej shumë lehtë. Ishte fjala për lekë.

-O gjysh, ti ke gazetën, - iu afrova unë me takt. - Kurse ky celulari që kam unë, nuk ka shumë opcione. Linda, që e kemi të parën e klasës, e mban mësimin këtu… - hapa sakaq ekranin e celularit.

Mami ngriti gishtin në shenjë mohimi. Ajo është gazetare. Më e bukur dhe më e mirë nuk bëhet tjetër. Por ja, kishte ngritur gishtin...

-E para, - tha ajo duke ma bërë copëra ‘kërkesën’ - nuk thuhet opcione, por opsione; dhe nuk e di ku e ke mësuar këtë fjalë… E dyta, ç’punë ka celulari me mësimet? - Ajo u kthye nga babi - Më thuaj, ka ndonjë lidhje celulari me mësimet?

-Sigurisht! - e kishte në majë të gjuhës babi.

-Shash!

-Jo në atë kuptim… - u përpoq ta ndreqte babi - jo në atë kuptim, ma more për keq. E kisha fjalën ndryshe.

Dhe pas pak, kur u bë heshtje një copë herë, ai u hodh sërish:

-Po fundja, kaq hollë jemi ne, sa nuk i blejmë dot djalit një celular tjetër?

Këto fjalë mjaftuan që ‘mbledhjes’ t’i vihej kapaku. E vetmja që solli në bisedë disa kundërshtime, ishte prapë mami. Gjyshi ishte tërhequr papritur, sepse ata që flisnin në ekran, ishin nxehur vendçe. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse këta njerëz bërtasin kaq shumë nëpër panele.

Ndërkaq, babi, si njeri i biznesit që ishte, filloi t’i fliste gjyshit, meqë tani ai do të merrte celularin tim. (E kisha fjalën baba, ti... sigurisht, do ta përdorësh... Por me masë. Hë? Se tani, edhe këto kartat, ti e kupton vetë, janë shtrenjtuar...)

Unë u tërhoqa i kënaqur në dhomën time; mbase hapja ndonjë libër.



Dy ditë më vonë, filloi kapardisja korridoreve të shkollës me celularin e ri. Kishte edhe opcione, ashtu opsione… Doje muzikë ti? Ja tek e ke. Doje foto, kështu yll fare? Hë! Kopje? Lojëra? Do të incizosh? Oo, argëtimet e mia ndryshuan kryekëput.

Natyrisht, në familje po priteshin ndryshime. A thua këto do të binin nga qielli. Prit një javë e prit dy, lajme të mira s’kishte. Asgjë nuk po ndryshonte në atë të shkretë regjistër. Dhe muajin tjetër, kur mami dhe babi shkuan në shkollë, pasi i tha sërish mamit sa e mirë je, gjë që s’kishte pse, zysha këndoi sërish të njëjtën këngë. (Më vjen keq. Ju interesoheni… Kështu, unë Takun e kam djalë të mirë. Por si të themi... Hm... Prandaj...)

Prandaj, në shtëpi filloi mbledhja tjetër.

-Po prapë keq me matematikën, o bir? - i ra gongut i pari babi.

-Matematika është e bukur, - shtoi gjyshi, si gjithnjë me njërin sy te gazeta dhe me tjetrin te televizori.

-Dale njëherë, dale - nuk përmbahej mami. - Po Anglishtja... Anglishtja të të prishë notat ty?... Kaq e vështirë na qenka Anglishtja, që ti të marrësh gjashtë?! Ke shkuar edhe në kurse; do filluar nga e para...

-Sigurisht! - tha babi, me celular në vesh e duke folur me dikë për hapjen e një dyqani të ri. - Shqip o shqip, ashtu e do Rexhepi.

-O miku i Rexhepit! - e shkundi mami. - Anglisht!

-Nuk e kisha për gjuhën e huaj. Jo në atë kuptim, jo. Ma more për keq... - iu kthye justifikimeve babi; dhe pastaj, atij bashkëfolësit në celular - Sigurisht! Ai të merret me ngarkesën e dytë...

-Dale njëherë, dale! - nuk pushonte mami. - Ti kishe dalë keq edhe në një provim të Botanikës. Po fundja, Botanikë është; kaq e vështirë të duket, sa që të dalësh keq në një provim? Se ne kemi kërkesa, ti e di.

-Sigurisht!

Heu! Sapo u hap loja (e kërkesave) u gjenda në fushë sakaq edhe unë:

-O ba, po pse unë nuk kam kërkesa? Edhe unë kam kërkesa... Për shembull, unë nuk kam i-Pod.

-Oooo, topa ke sa të çahesh, - më ngriti tabelën gjyshi, të cilit ndoshta i qe dëgjuar ‘top’.

-Por jo, mo shoku, është tjetër gjë, - e mora me të mirë. - Se ti... një gazetë do. Por ama Genti, që ka i-Pod, del gjithnjë mirë në detyrat me shkrim... Sepse me i-Pod... ehë...

-Epo, topi i duhet atëherë - tha gjyshi, duke e lënë mënjanë gazetën për një çast.

-Po ç’top o ba, është fjala për një... pajisje, celular ndryshe. - Edhe pse nuk ishte rregulluar shumë, mami dukej si shpirt. - Vetëm se e ka emrin i-Pod. Ai po bën re...

Vetëm këto fjalë s’doja t’i dëgjoja, sepse unë e dua atë me zemër. Po pse duhej të bëja re? Cilin qiell mund të mbyllja? Ani. Mbase duhet t’i thërras pak mendjes.

-Po mirë - ndërhyri babi, gjithnjë me paqen - kaq hollë jemi ne, që... hë... - njeriu i biznesit e kishte mendjen tjetërkund - djalit tonë... Hë?

Ta-da, rruga ishte hapur. Shumë shpejt, ata ma plotësuan edhe këtë kërkesë; i-Podi ishte i kohës. E çfarë nuk shfaqej në ekranin e vogël. Lojërat njëherë, ishin pa fund. Por... atje prapë nuk u gjend ajo që kërkonte familja ime. Ç’është e vërteta, për disa ditë, unë u bëra dysh dhe puna mori njëlloj kthese. Kështu, i solla nga shkolla nja dy nota të mira: një nëntë në Anglisht dhe një dhjetë... në Fizkulturë. Por muajin tjetër... Oh, ajo fjalia gropa-gropa e mësueses kujdestare. (Më vjen keq. Ju interesoheni… Kështu, unë Takun e kam djalë të mirë. Por si të themi... Ju, nga ana juaj...)

Ata nga ana e tyre... u kthyen në shtëpi të trishtuar. Në kohën që unë sqaroja gjyshin, se kishte kishte nevojë për ca mësime në fushë të elektronikës, dëgjoja prindërit që po debatonin në dhomën e gjumit.

-Shash, nuk dhanë rezultat blerjet... S’ka më kërkesa, e bëtë estradë! - mami dukej krejt gri.

-Sigurisht. Blerje s’ka më!... Jo jo! - babi, si gjithnjë po fliste në celular edhe për punë tregtie, prandaj sakaq iu desh të qetësonte bashkëfolësin matanë valëve - Po jo, more zotëri, nuk e kisha me ty. Ne do t’i shtojmë blerjet...

-Kërkesat t’i shohë me dylbi Taku, - e çoi më tej mendimin e vet mami.

-Sigurisht. Kërkesa s’ka - edhe babi dukej i vendosur. Por në celular fliste ndryshe - Po jo ti, mo byrazer, unë sapo thashë, kërkesat janë normale. Po ma more për keq. Të lutem.

Gjyshi po më shikonte në sy si kurrë më parë. E ndieja. Ca kohë, vështirë të hapja gojën për ndonjë kërkesë tjetër... Përjashta po errej një ditë aq e gjatë.

110 views3 comments

3 Comments


Vangjush Saro

Ha ha, miku im i vjeter, ke shkruar si 'mesuesi kujdestar'... Bej shaka, jam mirenjohes per cdo fjale te mire. Sa per Terziun, ai eshte nje nga 'pikat e mia te dobeta' kur flitet per Letrat Shqip. Botues, prozator, poet, kritik letrar... nje emer nder me te spikaturit ne keto fusha. I jam gjithashtu mirenjohes sepse ka shkruar 3 here per krijimtarine time: dy here per librat me fabula dhe mandej per romanin "Misioni". I uroj jete te gjate e frymezim. Shendet e suksese gjithashtu, i dashur Shefqet.

Like

Shefqet Meko

Vangjushi eshte perhere modeli i njeriut te qete dhe burim i miresise. Suksese. Meritat i takojne Terziut qe kurre nuk humb "timonin" ne kete stuhi informative. Suksese te dyve.

Like

Vangjush Saro

Faleminderit per kujdesin, Fatmir. Shendet e frymezim.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page