KËRCIMTARJA


Liri Bele


Emini, në njërën nga ditët e fundjavës, mbasi ishte kthyer në vendlindje takohet me Përparimin, i cili banonte në të njëjtin qytet, njëherazi, ish-shok i gjimnazit. Ky i fundit i dorëzoi një letër të formatit të vogël, të shkruar e të palosur më dysh dhe me një buzëqeshje pothuajse enigmatike iu drejtua:

- Është një njoftim i rëndësishëm drejtpërdrejt për ty, sepse unë e di se çfarë tregon përmbajtja, dhe ti duhet të marrësh vendim personal, pasi ta kesh lexuar. Më sjell kënaqësi vetëm fakti se informacioni që do të marrësh brenda rreshtave, do të jetë një surprizë për ty. Unë do qëndroj këtu, në pritje për ta biseduar së bashku hollësishëm.

Emini sapo e mbaroi së lexuari, papritmas ndjeu një përpëlitje në gjoks. E rilexoi me shpejtësi, por përmbajtja e atyre fjalëve i transmetoi një gjendje emocionale të fuqishme, prej kohe të paprovuar, të pashpjegueshme. Teksa po e lexonte për të tretën herë, u turbullua dhe ngriti fletën e letrës drejt shokut. Në të shkruhej:

“Eminit! Ditën e shtunë, datë 28 qershor, dëshirojmë të festojmë së bashku 20-vjetorin e përfundimit të gjimnazit në vitin 1985. Do të jetë një takim i këndshëm, i natyrshëm mes shokësh dhe me vlera shpirtërore, gjë që na ka munguar prej vitesh, prandaj dëshirojmë të takohemi, të çmallemi, të darkojmë së bashku. Ky është thelbi i ceremonisë.

Më dt. 28 qershor, ora 20. 00

Në Hotel-Turizmin e qytetit”.

Eminit iu ngulitën në mendje gërmë pas gërme fjalët e ftesës dhe pas pak vështroi i menduar Përparimin, duke bërë një shenjë aprovuese me tundje të lehtë të kokës. Në mendje i gëlonin pyetje të shumta. Në pamundësi t’i përgjigjej asnjërës, po ndihej i pështjelluar, njëherazi dhe pranonte në mënyrë absolute se përparësia midis tyre, më kryesorja lidhej me faktin nëse do të ishte në atë mbrëmje edhe Flutura apo jo. A do të mund të takoheshin sërish, të bisedonin duke u parë ngultas si të donin të njihnin ndjenjat e çastit të takimit, mendimet e njëri-tjetrit dhe, më e rëndësishmja, a do të kishte fatin e lumtur ta mbante në krahët e tij kërcimtaren, duke vallëzuar si dikur. Çuditërisht, në mënyrë të pavetëdijshme, nisi të përjetonte kërcimin e parë me shoqen e klasës në një mbrëmje vallëzimi, ku lehtësia e lëvizjeve të saj gati të pakapshme ishin të vështira për Eminin: çaste shkëputjeje dhe ribashkimi, shoqëruar me rrotullimet e përsëritura marramendëse, vendosja shtrënguar momentalisht e dy duarve të saj rreth qafës së Eminit e që shpejt pasohej me një rrëshqitje të trupit për disa sekonda afër çimentos… Tërësia e veprimeve dukeshin të pabesueshme për një vajzë të moshës së saj dhe në të njëjtën kohë dëshmonte për talentin prej balerine ende të panjohur. Të gjitha këto e shtangën djaloshin, aq sa në çastin e shoqërimit të Fluturës pranë shoqes Majlinda, ai nuk mundi ta përmbante veten, duke iu drejtuar pjesëmarrësve me zë të lartë:

- Emrin “Flutura”, sot e tutje mund ta njohim edhe me një tjetër të barazvlefshëm, me sinonimin “Kërcimtarja”. E vendosim dhe e prezantojmë sot para të gjithëve.

Pavarësisht se kohën e lirë e kishte tejet të kufizuar, Emini përpiqej të gjente sadopak për të lexuar librat më të vlerësuar. Kishte net që nuk vinte gjumë në sy dhe, saje kujtesës e zgjuarsisë së natyrshme, mund të citonte shprehje apo ndonjë emërtesë, gjë që shokët e vlerësonin dhe e përmendnin me respekt prirjen e tij për leximin e veprave letrare, edhe pse realisht nuk i mjaftonte koha për të mbaruar detyrat shkollore të ditës.

Natyrisht, pa e shfaqur gjendjen e vet shpirtërore pothuajse fantastike, vazhdonte ta përjetonte ende mbas mbarimit të kohës së vallëzimit me Fluturën. Po, i dukej sikur po ndiente pikërisht aromën e trëndafilave të bardhë, e transmetuar direkt prej lëkurës me po të njëjtën ngjyrë nga trupi i saj brenda shpirtit të tij. Emini vijonte të nuhaste i lumturuar, shpresonte dhe dëshironte të mbetej i vetmi për ta shijuar.

I zaptuar nga mbresat e dikurshme, të rifreskuara përgjatë gjithë kohës deri në orën e takimit midis ish-gjimnazistëve, Emini i drejtonte pyetje vetvetes lidhur me mënyrën e çuditshme se si shoqëria njerëzore ruan rreptësisht ligjet e pashpjegueshme e të padiskutueshme lidhur me mundësinë e përsëritjes dhe përjetimit apo kthimit pas në kohë të shkuar, me të njëjtën forcë shpirtërore episodet e jetës dekada më parë…

Nuk ishin takuar asnjë çast mbas mbarimit të shkollës. Secili mori rrugën e vet. Dinte se Flutura vazhdoi shkollën e lartë në degën e preferuar. Pas mbarimit të fakultetit, jetonte dhe punonte në kryeqytet. Atje kishte krijuar familje dhe ishte bërë nënë e një vogëlushi. Të gjitha këto ishin informacione të hershme, mbasi të tjera hollësi rreth jetës së saj nuk kishte pasur mundësi të njihte. Në të vërtetë, ai nuk tregonte vetë ndonjë interes, sepse e pranonte se ndihej i lënduar shpirtërisht sapo përmendej emri i saj.

Emini arsyetoi të mos e pyeste Përparimin nëse dinte diçka paraprake rreth takimit, se cilët shokë pjesëmarrës do të takonin dhe si t’i shmangej diçkaje të pakëndshme, vendosi ta linte kohën në ecjen e saj të natyrshme. Pasi parkoi makinën e një tipi japonez të mirënjohur, ende me targa të huaja, priti të zbriste Përparimi, i cili, si të kishte ndonjë arsye, me siguri duke qenë i qartë se shoku prej 20 vjetësh larguar nuk do të kishte pasur mundësi të takonte ndonjërin prej tyre, mbase duhej të paraqitej natyrshëm si përherë dhe të ndihej lirshëm. Emini fillimisht u drejtua me hapa të shpejtë drejt grupit të shokëve të grumbulluar pranë portës së gjerë e të hapur tejpërtej, por në mënyrë të pavetëdijshme ndjeu se hapat po ngadalësoheshin në përputhje me pakësimin e distancës, derisa papritur nuk mundi të vazhdonte më tej, pikërisht në momentin kur përcaktoi mes të tjerësh konstruktin e Fluturës, koka e së cilës, falë gjatësisë, dilte paksa më sipër se personat e tjerë përreth. Një moment i ëndërruar, por tepër i vështirë në jetën reale, favorizuar edhe nga ambienti rrëzëllitës prej ndriçimit të llambadarëve të shumtë që në mënyrë të papritur sikur i krijuan një ndjesi të përkuljes me respekt para tij, duke i uruar mirëpritje. Një situatë e veçantë emocionale për të të cilën e përballoi falë çasteve të afrimit të disa shokëve para hyrjes në sallonin me prezantim modern, pa lënë pas vetes edhe pjesën mbretërore të mobilimit.

Të gjithë ishin të gëzuar dhe të emocionuar, përqafoheshin me shokë apo shoqe, buzëqeshnin, flisnin, sërish përqafoheshin. Sa më shumë shokë po takonte Emini, duke iu bashkuar grupit, në të njëjtën kohë dukej se po u drejtonte një kërkesë të pazëshme për ta ndihmuar sadopak, me një lehtësim të mundshëm nga barra e emocioneve në rritje. Mjedisi miqësor përreth përfaqësohej me shtrëngime të duarve, përqafime të sinqerta mbushur me ndjenjë malli të natyrshëm për shokun e dikurshëm, por në pamundësi takimi prej shumë vitesh dhe se kur e mësuan shprehën habi, mbasi ai kishte jetuar e punuar në një tjetër kontinent, i vetmi midis ish-gjimnazistëve. Dikush në momentin e përqafimit afrohej dhe mbante prekur shtrëngueshëm ballin me Eminin, pa folur asnjë fjalë apo ndonjë puthje e lehtë në të dyja faqet, sepse i largonte mjekra e ashpër dhe e dendur që i përshkonte përmes. Gjithçka po ndodhte natyrshëm midis shokësh, njëherazi ishte një ndihmëse e çmuar në ato momente, se ai përpiqej të mos përqendronte shikimin drejt Fluturës, e cila, nga ana e saj, nuk po mundej ta fshihte ngazëllimin që e kishte zaptuar. Çdo gjë rrezatonte miqësi, kënaqësi të sinqertë për një takim miqësor të munguar në aq vite, si një nga ligjet themelore të shoqërisë së natyrshme njerëzore.

Emini shpejt u ndërgjegjësua se ishte ndër të paktët ish-gjimnazistë që kishin jetuar larg, shumë larg, dhe po kuptonte që një pjesë e tyre nuk i kishin shkëputur lidhjet miqesore. Ulur midis shokësh, në njërën nga tavolinat pranë dritareve, ndihej disi mirë, por e kuptonte se nuk kishte arritur nivelin më të lartë të lumturisë së takimit, gjë që do ta plotësonte Flutura kur ta kishte para syve duke e shtrënguar në krahët e tij. E pranonte në mënyrë absolute se brenda zemrës së tij, pozicioni i Fluturës ishte i konsoliduar dhe se në shpirtin e tij, për 25 vjet të tëra, asnjë femër tjetër nuk kish mundur të ishte qoftë dhe një vizitore e përkohshme…

Pse po vonohej e nuk po merrte guximin të vinte e para ta ftonte në vallëzim, si dikur, si atëherë kur Emini e pagëzoi me emrin e ri, “kërcimtarja”? E ndiente veten të pazotin të hidhte hapin e parë në atë drejtim. Po sikur të mos mundej deri tek tavolina në fund të sallës ku Flutura ishte ulur mes shoqeve? Dukej se dhe ajo nuk ndihej shumë e qetë. Nën tingujt e muzikës dhe brenda një mjedisi të ngrohtë e miqësor, Eminin e brente stërmundimi që ende nuk po gjente forcën e duhur të ngrihej e të vallëzonte si të tjerët.

Momenti i një lumturie përrallore e përfshiu të gjithin kur Flutura, dy hapa larg tij, e qeshur si përherë, bëri një përkulje të lehtë të trupit para, nënkuptuese e ftesës për vallëzim, dhe Emini pothuajse pati një çast dobësie për të kërkuar mbështetjen në krahun e djathtë të saj. Në tërësi, ajo prezantonte në mënyrë të përkryer vetveten. Çuditërisht, ndjesitë e shumta pozitive, si të ishin në garë me njëra-tjetrën, nuk po i largoheshin. Ato u grumbulluan dhe epiqendra mbeti Flutura. Muzika klasike zëvendësohej me ato të kohës, depërtonte lirshëm brenda shpirtit të tij, duke e shumëfishuar vlerën e kohës që kalonte pa u ndier. Të gjithë u sistemuan përreth tavolinave të gjera, ku shkëlqimi i enëve mbi to përputhej me ndriçimet e llambadarëve. Në ato çaste, Emini po kthjellohej dalëngadalë; e kthente kokën rrotull me delikatesë të mësonte se ku qe ulur Flutura. Shoqet pranë saj sepse i prezantonin pamje të zbehta, por shpejt mundi të kujt