top of page

KËNGA S’KA PRONAR






Lexova me vemëndje të madhe fjalën e hapjes të Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” Nderi i Kombit të mbajtur në çeljen e “Simpoziu-mit për polifoninë labe” në sallën UNESCO të Muzeut Historik Tiranë më datën 25 mars 2023. Zakonisht fjala e hapjes në aktivitete të tilla është ceremoniale, duke u lënë referuesve të drejtën dhe detyrën të ngrenë problemet e të sugjerojnë zgjidhjen, por në këtë rast fjala e çeljes ishte tepër orientuese për drejtimin që duhej të mirnin diskutimet dhe sidomos nxitëse për goditjen e personave të shënjuar, të cilët: “janë vënë në shërbim të huajve, edhe pse me një kosto jo të vogël për identitetin kombëtar”. Sipas kryetarit të kësaj shoqate personat e vënë në shërbim të të huajve, pra armiqtë e brendshëm, agjentët as më pak dhe as më shumë janë një “pseudoakademik dhe shpura e tyre me interesa të fshehta komerciale”. Fjalë të “mëdha” për një simpozium shoqate, fjalë klishe të një kohe të shkuar, që tingëllojnë tepër arkaike në kohën e sotme.

Megjithë atë klisheja arkaike e fjalës së çeljes është e keqja më e vogël, kur shohim se kemi të bëjmë me një tip pleniumi të IV të KQ të PPSH që zbulon grupe armiqësore në art dhe kulturë. Për ti rënë tamam në gjurmë këtij “agjenti” të zbuluar dhe të demaskuar në simpozium po ju jap disa fakte të tjera “kompromentuese” për ‘të që i kanë shpëtuar çaush-“zbuluesit”. Ai më rezulton edhe autor i monografisë “Himni Kombëtar Shqiptar” i vetmi studim shterues në këtë fushë, është mbledhës dhe autor i librit “Këngët partizane, Trashëgimia shpirtërore e Luftës Antifashiste Nac.Çl”, është autori i “Enciklopedisë së Polifonisë me iso” (shqip-anglisht), botim i realizuar me mbështetjen e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes fondit të Ambasadorit Amerikan për trashëgiminë, është autor i monografisë së vetme për kompozitorin më të madh shqiptar Çesk Zadeja, autori i operas “Skënderbeu kryezot” te tekst të Fan Nolit. Doni më, mbani shënim: ai ka bërë që në Akropol opër herë të parë dhe të fundit (deri më sot) të kumbojë gjuha e bukur shqipe në operan e kompozuar prej tij :Eumenides” me përkthim të Ismail Kadaresë. Paska bërë “hatara” ky agjent, super agjent, ky poli agjent. Shyqyr që “dumbaba” na ka lënë ca çaushë nëpër këmbë se do na kishte marrë ...Europa me kohë.


I-Arsyeja e organizimit të këtij simpoziumi është pse kënga jonë vënçe u shpall nga UNESCO si kryevepër shpirtërore e njerëzimit: [“Albanian folk iso-poliphony” a Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në shqip do të thotë: “Polifonia popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit” dhe në përdorimin e përditshëm quhet “iso-polifoni”duke nënkuptuar këngën vënçe, shumëzërrëshe, polifonike me iso dhe variantet e gjithë trevave ku lëëvrohet kjo këngë si Himara, Çamëria, Labëria, Skrapari, Zagoria Lunxhëria, Myzeqeja, Gramshi etj. dhe ky miratim është bërë pa marrë miratimin e shoqatës Labëria, pse : “ai që i vë vulën është komuniteti lab”. Se çfarë vule do vejë komuniteti lab në UNESCO akoma nuk e kam kuptuar, por di që UNESCO e shpalli këngën tonë polifonike me iso “mbretëreshë” shpirtërore e njerëzimit dhe i vuri mbi krye një kurorë të artë, këta këmbngulin të heqin kurorën dhe ti vënë në kokë qylafin lab.


II- Oratori për të bindur dëgjuesit për të “drejtën e vulës” labe, bën një shëtitje në historinë e origjinës së Labërisë: “Në kohën para Krishtit, një popull i quajtur “Labeat”.. përmëndet për herë të parë nga Tit Livi, gjatë luftës së tretë iliro-romake”dhe se ky fis ilir është origjina e popullatës labe. I këtij mendimi është edhe albanologu Baroni Nopca-s, emri i labëve lidhet me emrin e fisit ilir të Labeatet-ve –Lacus Labeatis që banonte afër Liqenit të Shkodrës.

Mirëpo nqse do ecim sipas këtij orientimi historik të kryetarit të shoqatës “Labëria” do shohim se: Fisi ilir i Labeatëve në luftën e tretë iliro-romake në vitin 168 p.e.s. në drejtimin e mbretit Gent u mund nga ushtria romake dhe mbreti Gent u kap rob. Labeatët që i shpëtuan romakëve erdhën në vendin që sot quhet Labëri, (atëherë quhej Himarë) pas vitit 168 p.e.s., por ligjëruesi nuk na thotë që këngën vënçe e sollën me vete nga Shkodra, madje ai shpjegon se: “Polifonia ka lindur si nevojë jetësore kulturore në malet e Labërisë, për të shoqëruar gëzimet, hidhërimet dhe ceremonitë familjare në shekuj”. Sipas kësaj thënieje lindja e këngës labe është periudha pas vitit 168 p.e.s., mirëpo Profesori Aleksandër Peçi në fjalën e tij në këtë simpozium theksoi se: “Që të arrijë këtë perfeksion që ka sot kjo marëdhënia e 4 zërave nuk mjaftojnë 1000 vjet, por duhen disa mijvjecarë, e pse jo, mund të jetë pellazgjia fillesa e polifonisë”. Personalisht unë afrohem me fjalën e profesorit për kohën që i është dashur këngës vënçe, polifonisë (me iso) për tu formuar e përsosur dhe kurrsesi nuk mjafton koha që nga viti 168 p.e.s. edhe sikur lebërit ta fillonin jetën në “malet e Labërisë” me këngë vënçe. Unë e kërkoj fillesën e këngës në fund të matriarkatit dhe në këtë drejtim jam më afër me Profesor Peçin.

Gjithmon sipas fjalës së kryetarit, labeatët erdhën pas vitit 168 p.e.s., por “haron” të thotë se në këto vise ishin himariotët kaonë e më në jug banonin Thesprotët dhe në juglindje mollosët, prania e të cilëve është dokumentuar dhe mijra vjet më parë, por gjithsesi le të vijojmë udhëtimin historik që na afron fjalimi.

Labeatët e ikur nga lufta iliro-romake erdhën në një trevë ku banonte një popullatë të kulturuar, ku kënga vënçe ishte niveli më i epërrm i kulturës orale të kohës dhe kishin si kryeqytet fetar Dodonën (të cilën e shkatëroi Pal Emili në vitin 167 p.e.s.) dhe siç shkruan Çabej: “Labëria hyri si pykë në Toskëri dhe ndau në mes një njësi të hershme”. (Çabej Ε., 1994, Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes, Tiranë,fq.49.). Do ta “shmanguim” akademikun Shaban Sinanit që këmbngul se “Labëria ngushtoi kufijtë gjeografikë të Himarës jo më parë se shekulli XVIII”. (Akademia e shkencave e Shqipërisë, 2004, Himara në shekuj, Tiranë, fq.327.), sepse ka gjasa që edhe ai të jetë “agjent” i vënë në shërbim të të huajve për qëllimet e tij komerciale?


III- Vijojmë të lexojmë Çabej (shpresoj të mos jetë “agjent”) kur thotë se: “Toskeria është toka që janë ruajtur më mirë meloditë e moçme të vendit” dhe shton se: “këngët e Veriut janë këngë solo, simbol i shtëpisë së vetmuar, i ekzistencës së izoluar dhe i karakterit individualist të njeriut të malit, – të Toskërisë janë këngë polifone, korale”. (Çabej Ε., Po aty, fq.47), “Përshtypja që del prej këngës labe është malli i ashpër dhe shpirti heroik…. Se epike është fryma e këtij fisi, këngët më të dashura të tyre janë këngë trimash…” (Çabej Ε., Po aty, fq.49).

Të sqarohemi, kënga vençe, polifonike me iso, iso-polifonike, shumë-zërrëshe etj. është një e vetme dhe ato që quhen këngë himariote, labe, çame, zagoriote, lunxhiote, myzeqare, skrapariote, gramshiote etj. janë thjeshtë variante të kësaj kënge, janë degë të pemës së këngës vënçe shqiptare. Është kënga shqiptare vënçe, polifonike me iso (etj.) që është tipike, vetëm shqiptare, pasi popujt e botës kanë polifoni në kuptimin e këngës me shumë zërra, por kënga shqipe është polifoni me iso. Është pikërisht zërri “iso” që e dallon dhe e specifikon këngën tonë. Brenda saj kjo këngë ka disa variante që përfaqsojnë karakteristikat më të veçanta të krahinave përkatëse, duke qënë njëkohësisht në identitet shqiptare. P.sh. kënga himariote, çame etj. ka si “trung” faktin që është art gojor shqiptar me tipar kolektivitetin dhe anonimatin, në këto këngë nuk evidentohet individi, ato vlerësohen si grup.

Te kënga labe evidentohet marrësi i cili “këndon” një strofë të tërë para se të hyjë grupi në këngë dhe kjo është një “trashëgimi” e të kënduarit solo në veri.

Lebërit erdhën nën trevën e himarës, u përshtatën ambinetit ku mikpritja himariote, miqësitë, krushqitë, aleancat kundër të njëjtit armik krijuan një klimë të ngrohtë për këtë përshtatje. Këtu u njohën edhe me këngën polifonike me iso, e ndryshme nga kënga e tyre solo, u pëlqeu dhe e mësuan. Ëdhe në këtë rast merita është e grave, ishin ato të parat që, në praninë e nuseve me origjinë himariote mësuan ritin vajtimor kolektiv dhe përjetuan logatjen, si fazë shndrimi e ligjërimit në këngë. A e kini vënë re që burat lebër nuk dinë të vajtojnë? E pra, burat himariotë vajtonin, zakon që jeton akoma edhe sot në disa fshatra të thella të Himarës.

Në qoftë se do më lejoni të bëj krahasime mes stileve të varianteve do ju thoshja se: Vija melodike e ëmbël e variantit himariot, çam etj. është jo vetëm si përshtatje e temës por si nivel i epërrm arti, i përpunuar në shekuj.Variantet himariote, çame, lunxhiote etj janë lëndinë dashurie, varianti labe është fushë beteje, është krismë pushke në ndërsa varianti himariot, çam etj është pëshpërimë dashurie. Varianti lab na mëson si të vdesim, varianti himariot, çam etj na mëson si të jetojmë. Këto dallime thelbësore na tregojnë se kënga labe është dega më e re e këngës vënçe shqiptare, është varianti më i ri i këngës polifonike me iso. Kjo shpjegohet me kohën e pakët në kontakt me ‘të, por edhe për faktin se popullata toske e mori këtë këngë qysh nga vajtimi me ligje dhe e shndroi në këngë si Krishti që shndroi ujin në verë.

IV-Jam plotësisht dakort me shprehjet se: “polifoninë (e ka fjalën për këngën vënçe. Shën. im. T.M.) nuk e polli as sirenat greke e as Homeri”. As kisha bizantine, do shtoja unë sepse ajo ka vetëm rreth 1700 vjet që ka lindur, ndërkohë që kënga jonë vënçe ka moshë disa mijra vjeçarë. Duke qënë dakort me këto dy pohime nuk shoh arsye të pranoj pohimin se: “Pra kënga labe ose labërishte është gjeneza e polifonisë (këngës vënçe)”pasi kjo deklaratë jo vetëm që nuk ka asnjë bazë shkencore dhe historike, por synon mënjanimin dhe zhvlerësimin e varianteve të zonës të Toskërisë, madje duke lënë të kuptohet se ato variante gjasme janë “bija” të këngës labe. Pretendim shumë i madh që nuk e mban dot varianti lab as estetikisht dhe as shkencërisht. Ky pretendim synon privatizimin e këngës vënçe, polifonike me iso si një pronë private e trashëgueshme, por kënga nuk ka pronar.

Ne vlerësuam që varianti lab është një degë e pemës së këngës, por nuk është trungu dhe aq më pak rrënja e pemës, varianti lab është një gur diamanti i kurorës së këngës sonë vënçe, por ai nuk është vetë kurora, kurora është kënga “Polifonike shqiptare me iso”. Diamanti është një vlerë, por kurora është një simbol që përmbledh disa vlera, por edhe pa disa nga këto vlera ajo gjithsesi mbetet kurorë. Vlerë më vete është dhe varianti himariot, lunxhiot, çam, zagoriot, gjirokastrit, skrapariot, mallakastriot, myzeqar, varianti i Gramshit etj. Vlerë janë dhe variantet e arvanitasve, e Zarës në Kroaci, e arbëreshëve, e Ladorishtit etj. Dhe ju siguroj unë se asnjeri nga këta variante nuk e ka origjinën nga varianti lab.

.


V-Shprehja:“Barinjtë (labë shën.imi. T.M), duke qenë të veçuar me bagëti në stane, pa njerëz për rreth, ju ka lindur nevoja të shprehin gëzimet dhe hidhërimet” jo vetëm që nuk është një përfundim studimesh, por më shumë ngjan me një deklaratë impulsive, veçse kjo deklaratë ka dy rreziqe, e para: mohon origjinën e këngës nga ligjërimi mortor, origjinë që përligj strukturën njëjtë të këngës grupin vajtimor (ku te kjo e fundit mungon vetëm zërri i prerësit, pse askush nuk guxon të presë në mes vajtimin), madje edhe funksionimi i këtyre zërrave është i njëjtë. Edhe përkimi i personave të zërrat e vajtimit dhe të këngës është gjithashtu rastësor, gjë që të shpie te parimi i anonimatit, krahas kolektivitetit. Profilizimi i zërrave të këngës u bë shumë më von ndërsa në vajtim nuk kemi “profilizim” sepse vajtoret nuk janë “profesioniste” pavarësisht aftësive të larta të disa prej tyre.

Vija melodike e këngës ka origjinë nga ligjërimi mortor dhe kjo duket te logatja (edhe te logatja e Zeqo Hoxhës së Kallaratit), pse vajtimi duke kaluar nëpër”urën” e logatjes ka dalur në bregun e këngës.

- e dyta të kjo tezë mohon kontributin e nënave dhe motrave nëpër shekuj, shpirti i të cilave ishte laboratori krijues i shndrimit të vajit në këngë.

Unë ju them se kënga ka ardhur te koha jonë duke lundruar si një anie nëpër një oqean lotësh të nënave e motrave shqiptare, madje akoma edhe sot ky laborator funksionin me këtë makineri të stërlashtë. Dëgjoi si vajtojnë nënat himariote,çame etj. nëpër morte, si i sjellin fjalët e ndritëshme si lumi kur sjell copëza floriri, vurja veshin vijës “melodike” të vajtimit dhe do pyesësh veten si nuk shëmben malet, se burat nuk e durojnë dot. Shihe grupin e vajtoreve dhe “rolet” e secilës prej tyre në vaj, a nuk të ngjajnë me rolin e zërrave të këngës. Kur flitet për origjinën e këngës flitet për shpirtin që çahet në copa, jo për thelat e mishit të pjekur që këputin barinjtë e “vetmuar”. Po nuk e dini jua them unë, edhe vajtimi edhe kënga te shqiptarët kanë tipar kolektivitetin dhe anonimatin. Të gjitha gratë vajtojnë e rrënkojnë, sigurisht që vajtoreve më me përvojë u lihet gjithmon radha e nderit por ato quhen thjesht “gratë që vajtojnë” dhe jo grupi i filan vajtoreje. Edhe grupet e këngës quhen grupi i filan fshati dhe jo grupi i filan këngëtari.


VI-Shprehje të tipit: “Enigma e këtij emërtimi qëndron se ku fle lepuri dhe pse është gjetur ky emërtim”?! Akoma filma me diversantë shikoni ju? Akoma kërkoni “armiqtë e brendshëm të partisë e të Popullit në letërsi, art e kulturë” për të organizuar pleniume të IV të K.Q. të PPSH?



Sarandë, më Prill 2023







27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page