
Kënga e baltës
Nga Fatmir Terziu
Një gjurmë e ngurtësuar, e cila ka ndjekur lotët të mbijnë,
mijëra zemra të rrahin mbi gurë,
erëra të shkulin rrënjë,
të fryjnë,
stuhi mbi shtrojera rrufesh e mallkimesh,
këmba ecën, mbjell lirinë,
syri ndjek zogjtë të shkëpusin fatet e tyre,
nga vijnë,
ku ecin me kaq dëshirë të panjohur,
dhe milingonat mësyjnë. Ngrejnë kështjellat e tyre,
mungojnë të korrat,
ushqehen me lotët e syve.
Fluturakët kanë parë rënien e pendëve
dhe shkatërrimin e foleve,
zvaranikët me nofkat në strofkat e vezëve,
lakuriqët në orët e vona,
fuqinë e dhëmbëve të mprehta,
kanë pëshpëritur me heshtjen,
vargjet si heshtjet kanë mbetur intime,
të shtrenjta,
me ritme dhe maja rime,
të përzgjidhte balta refrenet e shenjta.
Me çekiç, mistri, plumçe, mastar, spango të gjatë,
i ulur në një gur të ftohtë, me damarët e syve të shtypur,
ngul mbi baltë refrenin e fundit,
dhe lutet për qiellin me yje,
rreth hapësirës jo-euklidiane, amebës dhe pseudopodisë së saj,
rreth bulëzave të gjata të dremitjeve,
nuk është i varfër,
është më i pasur se mushti i miteve,
ka dhimbje për vatër,
fle gjumin e zgjuar të natës,
e sytë i mbeten hapur i bëhen katër,
kur gatuan këngën e baltës.
E kush mund ta ndjejë kaq pastër?
në udhën e gjatë ku agimi pikturon ngjyra të ndezura,
nën mbetjen e qosheve të gdhendura të portave të thyera,
ku balta mbledh dhe i bën bashkë,
gurë dhe shkrepa të pabindur moteve,
në një memorje të tillë epike,
të lashtë,
ustai i Gollobordës pos hopeve,
me baltë bën mjaltë.