top of page

Këngëtari Grek


Liri Bele

Tregimi- Këngëtari Grek" Për mendimin tim, ngjashmëria midis njerëzve, kur rastis ta konstatoj, mbetet një enigma, së cilës nuk mund t’i jap as më të paktin shpjegim. Fjala është për rastin kur shoh para syve dikë drejtpërdrejt apo indirekt. Në moment më del nga kujtesa dhe shfaqet pamja e një tjetër personi të njohur nga afër ose jo, por me një ngjashmëri gati të paimagjinueshme midis të dyve, ndonëse nuk kanë as më të hollën lidhje gjaku, nuk njihen midis tyre (më saktë, nuk kanë shkëmbyer asnjë vështrim) dhe, gjëja më e çuditshme e jo më pak e rëndësishme, është fakti se jetojnë në vende larg njëri-tjetrit e, ndonjëherë, jo në të njëjtën periudhë kohe. Mund të përmend dhjetëra raste, por ia vlen të përshkruaj më të veçantin. Sa herë shihja në televizor këngëtarin e mirënjohur Pasxalis Terzis në koncertet e shumta të organizuara apo në programin kompjuterik “You Tube”, me buzëqeshje vështroja fytyrën e tim shoqi, ku vërtetoj një ngjashmëri të dukshme e të këndshme, por, në pamundësi ta shpjegoj. Nga ana tjetër, jam plotësisht e sigurt për mungesën e çdolloj lidhjeje gjaku midis të dyve.





Episodet e përmendura kanë në brendësi këto argumente: Episodi i parë: Leonidha, bashkë me dy shokë, bën një udhëtim drejt Athinës. Sigurisht, pas një rruge të gjatë dhe të lodhshme, e kishte të nevojshme një ndalesë të shkurtër në ato ditë të nxehta gushti, thjesht për një pije freskuese. Qëndruan diku në një lokal buzë rrugës. Brenda tij u zuri syri të ishin ulur në një tjetër tavolinë tre djem të rinj, duke biseduar midis tyre, por vëmendje tërhiqte kthimi i shpeshtë i kokës në drejtim të vendit ku Leonidha me shokët po çlodheshin. Në një moment, njëri prej djemve u ngrit në këmbë dhe me hapa të ngadalshëm afrohet lehtësisht i buzëqeshur, përshëndet me një lëvizje të kokës, qëndron një moment pa folur dhe pastaj me një shikim të përqendruar, fillon të flasë greqisht rrjedhshëm, por pamja e fytyrës dhe intonacioni i zërit paksa drithërues, dëshmonin për gjendjen emocionale që përjetonte në ato çaste. Leonidha nuk e njeh gjuhën e fqinjve tanë, asnjë fjalë të vetme. Për këtë arsye, u kthye shpejt drejt njërit prej bashkudhëtarëve që e fliste lirshëm greqishten, sepse rrugën midis dy shteteve tona e kishte të përsëritur, paçka se problemet e jetës personale e kishin sjellë të jetonte familjarisht disa kohë në njërin nga ishujt e shumtë të Greqisë). Leonidha donte të kuptonte se çfarë donte të dinte djaloshi prej tij dhe pse pikërisht kishte përzgjedhur të bisedonte vetëm me Leonidhën, pa u hedhur të tjerëve asnjë vështrim. Në kohën kur dëgjoi të flitej në gjuhën shqipe, i riu heshti papritur. E pashpjegueshme! Pse duhej të vepronte kështu? Askush nuk e ndali. Çfarë donte të mësonte prej Leonidhës? Sa kohë që qëndronte ulur me dy bashkëmoshatarët e tij, djaloshi ishte i qeshur, ndërsa pak më vonë, teksa po afrohej te Leonidha dhe dy shqiptarëve të tjerë, u bë i heshtur dhe dukej paksa i ndruajtur. Sapo dëgjoi fjalët e para në gjuhën shqipe, sikundër më ka treguar im shoq, djaloshi u step, pastaj, si të ishte kujtuar për diçka, kishte nisur të fliste në gjuhën tonë me çiltërsi: Doja të të përshëndesja e të shtrëngoja dorën! Ti më shëmbëlleve si këngëtari i njohur Pasxalis Terzis dhe unë po i gëzohesha mundësisë së njohjes me të, sepse më pëlqen shumë zëri i tij, mjeshtëria e të kënduarit. Është i preferuari im. Jam emigrant prej vitesh. Kam qenë i apasionuar pas muzikës, e ndjek kudo që të ndodhem, edhe pse koha ndonjëherë na kufizon mundësitë… U prezantuan së bashku, duke vijuar një bisedë të çliruar… Këtë na e ka rrëfyer pas kthimit nga Greqia im shoq. Ishte diçka e këndshme natyrisht ngjashmëria me këngëtarin e mirënjohur grek.


Episodi i dytë, në praninë time ndodhi në kabinetin e punës, kësaj radhe me një fotografi ku jemi së bashku me familjen, një vit më vonë në fshatin Boboshticë, po në muajin gusht. Në dhomën ku ishte vendosur aparati i ekokardiogramës, më priste një pacient moshatar (ishte i rekomanduar për ekzaminim ekografik të zemrës), i shoqëruar nga i biri. Ndërsa i sëmuri u shtri në shtratin e vizitës, djali qëndronte në këmbë pranë të atit, në fund të shtratit, në një pozicion që korrespondonte të ishte përballë Eko-s dhe njëkohësisht mbas shpinës sime. Kaluan disa minuta. Qetësisht po kryeja ekzaminimin, kur, papritur, dëgjova zërin e djalit pas meje: E pabesueshme! Oh! Ja mjeshtri Paskalis! Ky as një shikim të vetëm nuk më hodhi pas koncertit në Selanik, teksa e kam pritur me orë të gjata. Shiko, shiko, me ty paska dhe një fotografi! Kjo qenka për t’u çuditur! Keni dalë në një vend fantastik, mes luleve… E ku ndodhet ky kopshti i mrekullueshëm? Ty, pse nuk ta kundërshtoi kërkesën e njohjes apo ngaqë je mjeke ti dhe di ta prezantosh veten ndryshe nga ne të tjerët? Më vjen shumë keq, kur shoh si diferencohen njerëzit, sepse duhet të jemi të barabartë… Në çast ktheva kokën mbrapa dhe pyeta jo pa qëllim se kujt po i drejtohej në atë mënyrë (në murin përballë meje, rreth gjysmë metri lartësi mbi aparatin e Eko-s, kishim vendosur në një kornizë një foto ku kisha dalë me Leonidhën). E kisha të qartë plotësisht se për kë po aludonte, prandaj ia dhashë shpejt përgjigjen: Në këtë foto, jam së bashku me burrin tim. Sa për këngëtarin e famshëm grek që ti mendon se po e sheh në atë foto, unë nuk e kam takuar asnjëherë dhe as e kam parë nga afër, as në koncertet e tij nuk kam pasur mundësi të kem qenë. E dëgjoj me ëndje se është njëri prej të përzgjedhurve të mi. Përgjigjja e tij ishte sa gazmore, aq dhe naive: Të lutem, pranoje të vërtetën! Unë e di mirë se për cilin po bisedojmë. Do të doja të dija, thjesht për të shuar kureshtjen, si ia mbushe mendjen atij këngëtari me famë botërore. S’je e detyruar të tregosh, nuk dua të të shqetësoj, të më falësh, por sesi e ndjeva veten duke e parë këngëtarin në këtë fotografi. Një shqiptari nuk denjon as t’i shtrëngojë dorën, ndërsa me tjetrën... Ishte e kotë të vazhdoja bisedën. Djaloshi pothuajse kishte bindje absolute përsa po diskutonte. Në moment, rikujtova episodin e ngjashëm, atë të mëparshmin qëi kishte ndodhur Leonidhës në Greqi. Kjo më bëri që ta justifikoja djaloshin, sigurisht pa i shprehur mendimet, për më tepër para meje kisha pacientin dhe duhet të vazhdoja punën e mjekut.

47 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page