top of page

Justina Aliaj: Merdanët nuk tradhtojnë kurrë!

  • Aug 2
  • 2 min read

 

(Arkiva „Fjala e Lirë – Londër - 02 Gusht 2009)

 (...nga një intervistë që Justina Aliaj i dha Faruk Myrtajt)


Justina Aliaj tregon:

 

Atë ditë që do të vinte Enver Hoxha në Teatrin "Migjeni", mua më njoftuan të mos shkoja në punë atë ditë. As që më bëri përshtypje (e lumturuar që nuk gjendesha në rrethet e tmerrshme të ferrit ku ndodhej miku im, Sherif Merdani). Sherifi do të ngelë për mua personifikimi i besës, i ndershmërisë, i shpirtit të bukur. Kurrë nuk e harroj, një ditë pas dite. Po punoja në Teatrin "Migjeni". Më vijnë në dhomën time dhe më lajmërojnë që dikush më kërkon. Dola. Nuk njoha askënd. Një djalë m’u afrua.

- "Ndonjë simpatizant…", thashë me vete, disi pa qejf, sepse isha futur në botën time të rolit. (Është krejt e natyrshme të ndodhë ngandonjëherë kështu.) Numëroj deri në 10 dhe ndryshoj gjendjen time reale, bëhem "e mirësjellshme" dhe i jap radhën që të flasë.

- "Kam ardhur vetëm që ti të shikosh këtë orë!" (Më tregon një orë të madhe që kishte vënë në dorë.) Thashë me vete: ndonjë i çmendur! Unë e bëra veten sikur asgjë nuk ishte që nuk shkonte dhe i thashë: "Shumë e bukur, e gëzofsh!" (Me vete mendoja si do t’i rrëshqas ëmbël e ëmbël këtij të çmenduri.) Pasi ai hedh një vështrim rreth e qark, më vështron drejt në sy e me zë të ulët më pyet: "A e njeh këtë orë?" Nuk fola (i çmenduri po më bezdiste). E pyes: "A është kineze?" Imagjino, Faruk, kur pak më përpara i thashë "e bukur", ha ha ha... (nuk më pëlqejnë orët kineze).

"Kjo është ora e Sherifit Merdanit. Unë jam djali i xhaxhait të Sherifit...", më tha djaloshi. U drodha, nuk e besova (së pari, në kokën time: provokimi, kurthi, ligësia e sistemit, terrori në shpirt). Ç’të bëja? Numëroj deri në 10 dhe, duke e vështruar drejt në sy, i them: "Si është Sherifi?" Më përgjigjet: "Si të jetë vallë?"

"Oh, e di...", i përgjigjem, "n.q.s. do të kesh mundësi ta takosh, bëji të falat e mia, të lutem."

E preka orën e Sherifit.

"Mos ki frikë", më tha me një buzëqeshje të hidhur, "se nuk jam i futur. Merdanët nuk tradhtojnë kurrë!"

Dhe iku, u tret, si të mos kishte qenë kurrë aty. Jo atë ditë që nuk munda të punoj, por ditë me radhë më shfaqej miku im, e unë sikur e ndiqja me sy nëpër rrethet që përshkonte ai.

 

(...nga një intervistë që Justina Aliaj i dha Faruk Myrtajt.)

1 Comment


Faruk Myrtaj
Aug 02

Po, Fatmir, eshte nje nga bisedat me te tejdukshme me dike prej asaj kohe. Justina e Fjales eshte po aq e vecante si e Zerit, aq me shume teksa mberrinim (ne 2009-en) kishin kaluar gati Dyzete vjet prej stines se fillimviteve '70. Çeljen e Parakoheshme te Bajameve mashtruara te "Erdh' Pranvera" qe nje Merdanas si duke kenduar pershpirteroi se "...nuk e besova...!" Te Dyzetat e nje njeriu te vetem jane trishtim i madh, teksa i duhet te lere skenen apo pasionin dhe te niset galerave te mundimit te gjate. Kalojne te Dyzete vjetet e nje populli te tere dhe vjen nje tjeter Pranvere Iluzive... Si te besoj njeriu? Ke te besoj? Ku ta daloje dot nje ore zviceriane nga nje…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page