Nga Petrit Malushi
Romani “Duhet të më harrosh”, i Bedri Alimehmetit, joshje dhe shpagim tradhëtie bashkëshortore
Bedri Alimehmeti është një autor që nuk e resht krijimtarinë e tij. Serisë së botimeve, ai së fundi i shtoi romanin “Duhet të më harrosh”, mundësuar nga shtëpia botuese “ada”. Redaktor është Petrit Malushi, ndërsa korrektor letrar Çelik Petriti. Pas botimeve të suksesëshme në prozë me novelën “Venusi Perandorak”, vëllimet me tregime “Natë Madrilene”, “Një mbrëmje të bar Capriccio” dhe “Tregimet e Tironës” edhe këtë herë ka qëndruar në mjedisin kryeqytetas. Por ky autor ka botuar gjithashtu shumë vëllime me vjersha, libra për personalitete të shquara të sportit kryeqytetas dhe libra me vlera historike, për të cilët kanë shkruar shumë shkrimtarë të afirmuar me nota pozitive. Romani i sapodalë për lexuesin, “Duhet të më harrosh”, është roman psikologjik që vërtit e përplas botën e brendëshme, joshjet, tundimet dhe tradhëtitë bashkëshortore. Rrëfimtari është në vetën e parë. Koha historike është e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ndërsa koha e brendshme shtrihet në fraksione të ndryshme brenda ditë-natës, në sinkron të plotë me situatat e përzgjedhura. Hapësira e shtrirjes për zhvillimin e ngjarjeve është në mjedise të ndryshme të Tiranës dhe në qytetin e Durrësit. Bedri Alimehmeti në këtë roman e thyen rendin kronologjik të ngjarjeve. Me botën e brendshme psikologjike të rrëfimtares kryesore dhe subkoshiencën e saj e fut lexuesin në hullinë se në çast do të ndodhë diçka apo do të ndërmerret një veprim, por menjëherë kalon në linjë dytësore; personazhi rrëfen çfarë i ka treguar një shoqe apo një shok për një situatë indetike si kjo që ajo po përjeton në të tashmen, e pas kësaj kthehet përsëri në jetën e rrëfimtares kryesore. Kështu luan bukur me anë të digresionit për të dhënë sa më shumë ngjarje, për të përfshirë sa më shumë personazhe, argumente dhe kundërargumente me përshkrime të hollësishme e intimitete pa fund. Jeta e një çifti Në qendër të romanit është jeta e një çift kryeqytetas. Rrëfimtarja është pa emër, dikush që mund të jetë çdokush. Vetrrëfimin ajo e bën si larje mëkati për tradhtinë e saj, por ama në fund, pasi ka shijuar gjithçka dhe e ka mbyllyr atë kapitull, gjoja për të harruar atë që kishte ndodhur. Pas shtatë vite martese, tek bashkëshortja lindin vegimet e para për të provuar edhe rolin e dashnores së dikujt tjetër, të cilat nuk i shqiten më. Pas kësaj ajo fokusohet vetëm në atë drejtim. Hedh hapa të kujdeshëm, shfrytëzon çdo situatë rastësore apo të kalkuluar vetë, për të shijuar të gjitha kënaqësitë apo epshet që i lindin në mendje. Ia del të luajë bukur rol të dyfishtë si bashkëshorte dhe si dashnore, pa prishur balancat në asnjë anë për të fshehur tradhëtinë. Parë më në thellësi, autori ka zhbiruar një pjesë nga jeta e shoqërisë kryeqytetase, që fshihej nën fasadën zbukuruese të shtrirë prej pushtetit. Këtë arrin ta realizojë nëpërmjet personazheve kryesorë dhe dytësorë ligjërimeve, dialogëve dhe monologëve të tyre, meditimeve, veprimeve, sjelljeve, veshjeve, përjetimeve, dëshirave, pasioneve, niveleve shoqërore, vendeve të punës etj. Kontaktet me mjedise dhe personazhe të tilla japin efektin e tyre mbi rrëfimtaren, e bëjnë më të vendosur për të ecur vetëm përpara. Por çdo rrugë e nisur ka edhe fund. E në fund të asaj rruge bashkëshortja-dashnore gjendet përballë një fakti-traum që nuk mund të zhbëjë më asgjë. Ai vjen si shpagim dhe hakmarrje për tradhëtinë e saj. Tundimet e para për tradhëti Çifti bashkë me dy djemtë e vegjël atë verë do t’i kalonin pushimet në plazhin e Durrësit. Pikërisht gjatë këtij udhëtimi gruaja e re “sulmohet” nga mendime se sikur rasti ta sillte të dashuronte edhe një mashkull tjetër, ç’mund të përjetonte ? Në këtë linjë nisin e mbarojnë ngjarjet e këtij romani. Që në fillim rrëfimtarja shprehet për lexuesin : “Atë vit me shumë mundime kishim arritur të siguronim një kabinë prej dërrase në sektorin “Iliria”…Kishin kaluar shtatë vite me tim shoq…natyrisht kishim patur zënka të çastit, zemërata, qejfmbetje…por jo deri në tradhëti…faktikisht unë nuk isha betuar solemnisht…si pa u ndjerë gjithnjë e më shumë diçka po më sëmbonte. … në këtë drejtim do të kenë ndikuar mjaftë gjëra, sidomos nga ç’thuhej nëpër ambientet ku punonim, apo në lidhjet shoqërore e të miqësisë…Efektshmëria e tyre, edhe pse injektohej si me pikatore pakuptuar linte gjurmë që me kohë rriteshin” (fq.7-8). Pas këtij prologu zhvillimi është i mbushur me hapat e mëtejshëm pa kthim. Gjatë udhëtimit Tiranë-Durrës, për të shkuar me pushime, asaj i vjen ndër mend se si një ditë : “…teksa po ecnim në trotuarin e mesit të bulevardit, befas shoqja ime mikeshë u ndal për të takuar një person që e dallova kush ishte…futbollist i njohur në Tiranë…i lakmueshëm nga vajzat…për shumë nga lidhjet e tij flitej jo pak… unë e kam pasur atë, e kam pasur të dashur tre vite, fliste e gëzuar…I kemi dhuruar njeri-tjetrit çaste të mrekullueshëm… po ti nuk ke pasur të tjerë para se të lidheshe me tët shoq ? … unë kam pasur edhe të tjerë…ajo tejet entuziaste rrëfente edhe intimitete me elemente erotike…ti mos e merr jetën bardhezi…Si kujton ti, yt shoq veç teje nuk pasur, apo nuk ka femër tjetër në jetën e tij ?...” Më tej rrëfimtarja pranon se pas kësaj bisede me shoqen duhet t’i ketë ndodhur cimbisja e parë drejt joshjes, që tashmë jo pak e ngacmonte në brendësi të qënies. “Ashtu qe vërtet. Nuk kam përse ta fsheh” (fq.12). Ecje para pa kthim Autori nuk ia vonon rastin e vënies në provë, të pabetuarës për tradhëti. “Kabina jonë kishte rastisur e anës dhe fqinjët qëlluan bashkëmoshatarë me ne…kishin një vajzë pesë vjeçe…kur i dhashë dorën të shoqit, vështrimi hetimongulmues i tij më gozhdoi në vend… ndieja ëmbëlsinë e rrëshqitëse të dorës së tij nëpër pëllëmbë…në brendësi të subkoshiencës m’u rishfaq ideja intriguese që po më mundonte…grishjen për ta bërë fakt të kryer realizimin në të parin rast që do më krijohej…” Ç’ka përjetoi ajo e përforcon edhe me rrëfimin e një tjetër shoqeje : ”…kur u shtriva për të fjetur m’u kujtua historia e një studiueseje bashkëpunëtore e jashtme në institutin ku punoj…nuk kam qenë në Tiranë më tha një mëngjes. Mbrëmë isha në Durrës. Kam kaluar një natë pasionante me të dashurin…është afro dhjetë vite më i ri se unë, ka mbi dy vite që është emëruar në institutin tonë…në një prej netëve me të kaluam nga gjimnazi “Sami Frashëri”. Edhe pse në krah të tij m’u kujtua lidhja e parë me një shokun tim të klasës, bredhjet me të nëpër ato rrugica…Mbrëmë qeshë në Durrës sepse i dashuri ishte tre muaj për specializim në Paris dhe sapo ishte kthyer… për mua edhe ti nëse dëshiron intimitetin e shpirtit e të trupit tënd që deri tani e ke privuar …realizoje”. Dhe rrëfimtarja nuk pret më, nis menjëherë aventurën e saj. “Të nesërmen të parët për në plazh u bënë gati fqinjët…kur hoqa fustanin ndieva nxehtësinë e shikimit të fqinjit…i buzëqesha ëmbël…me bisht të syrit ndiqja fqinjin që nuk m’i ndante sytë… qe fillimi i tjetërsimit tim në gjendje të dyfishtë, njëkohësisht si bashkëshorte e përsosur, por edhe dashnore…” Realizimi i ëndërrës, bashkëshorte dhe dashnore “…Një mbrëmje kur po kthehesha nga çezma me dy kova në duar, te pishat u përballa me të, në një errësirë të këndshme vetëm për vetëm e ballë për ballë me nëri tjetrin…puthjet tona qenë të pafundme e marramendëse…më ngjeshi fort pas trungut të një pishe dhe ma ngriti deri në bel fundin e fustanit veror...edhe nesër në det… kur të futesh do jem duke të pritur…dallgëzimi ritmik i ujit na ngjeshte më shuëm me njëri-tjetrin… si ishte e mundur ta kisha privuar veten kaq kohë nga ky kontakt në det ?!” Çdo hap i mëtejshëm i rrëfimtares paraprihet nga tjetër rrëfim prej ndonjë shoqeje të saj në situata të tilla si ato që e presin atë. “Në mbrëmje vonë pasi vumë fëmijët në gjumë, zëri i ëmbël i gruas së tij sikur më solli në vete…si thua bëjmë një shëtitje nga bregu…ajo fliste…e sheh atë bjonden… vite më parë me të ka qenë i mpleksur një i dashuri im, të cilit nuk ia fala pabesinë që më bëri…në dashuri unë hakmerrem duke shkuar me shokun e ngushtë të të dashurit që më tradhëton…dhe kjo ndodhi me një shokun e tij piktor… pas kësaj u njoha me një djalë shumë të mirë…kaluam mrekulli ishim pranë fejesës por një xhaxha i tij u dënua…më pas kam patur dy njohje të tjera kalimtare… derisa u njoha më këtë që kam tani…” Romanca vazhdon Pushimet mbaruan, por jo aventura e nisur e rrëfimtares. Në kryeqytet, pas kthimit ajo e kishte më të lehtë vazhdimësinë. “…nuk ishte e thënë që mungesa e tij të mungonte shumë… Një paradite plot diell u përballëm krejt papritur…morëm autobuzin…tek stacioni i fundit lamë pas zonën periferike të kryeqytetit…hoqa fundin blu, bluzën e bardhë me tantella dhe i vara në degët e pemës, këmishën e najlontë ma hoqi vet…” Fundi shpagues ”…Mbas disa kohësh, një ditë im shoq më tha se do të nisej me shërbim…dhe atë ditë si herët e tjera, me të dashurin do ta kalonim te shtëpia e tij…kishim mbi një orë shtrirë mbi lakuriqësitë tona…befas dëgjuam kërcitjen e çelësit në bravën e derës…si vetëtimë rrëmbeva teshat dhe u gjenda në ballkon duke u mbuluar me dy thasë qymyri…nëpër një hapësirë arrita të dalloja siluetën e të shoqes…sa s’më pushoi zemra kur ajo erdhi në ballkon dhe ia bëri dikujt me dorë…nuk më pikasi…u ndjeva e poshtëruar… duhet të më harrosh po i thosha të dashurit kur po largohesha…brenda meje kishte ndodhur përmbysje…duke ecur u futa në një lokal për një kafe…një shoqe më ftoi te tavolina e saj dhe … më tregoi se sapo ishte ndarë nga një shoqe, e cila e kishte qerasur sepse kishte shpëtuar pa e kapur burri me dashnorin në shtëpi…fat që ajo në fillim kishte shkuar vetëm dhe kishte gjetur të shoqin…me mjeshtëri kishte dalë në ballkon dhe i kishte dhënë shenjë të dashurit për të shkuar në vend tjetër… o zot, dashnori i saj kishte qenë burri im…ndërsa unë shkoja më burrin e saj, ajo shkonte me burrin tim…pangopshmëria për të joshur një mashkull më kishin verbuar…ndjehesha krejtësisht e topitur…ç’nuk do të jepja për të harruar gjithçka…”
Comments