Nga Fatmir Terziu
Rrugës për në Librazhd, në rrugëtimin e vjetër, gjendet një pikë e vogël gjeografike, që tashmë duhet të ketë humbur pas braktisjes së madhe të lëvizjes sonë, duke u përvjedhur errozioneve në brazda me rrudha të pashërueshme për shkak të dërgimit të vazhdueshëm të të gjallëve dhe të vdekurve të saj. Një - përtej kufijve të saj. Të tjerët - përtej jetës.
Vendi duket si një filxhan jeshil i gdhendur në fundin me bar të malit, si një thesar i tejmbushur që i ka kthyer në pluhur sekretet e çmuara të së shkuarës. Aty mund të jesh i pranishëm - një pjesë kalimtare e peizazhit - deri në momentin e nisjes për diku tjetër, drejt Lunikut, Fushë Studnës, Borovës, Ostrenit të Madh, tashmë në asfalt. Në anën tjetër rruga përgjatë Shkumbinit ende prek këtë anë dhe ende të shpie si dikur në Qafë Thanë, pasi në anën tjetër një tunel i gjatë shpon malin dhe krijon hapësirën e Korrodorit të Tetë, ku edhe nga kjo diçka lartësohet vërtetë, e diçka shkon pa u kuptuar duke u tret. Pastaj diku janë barërat e këqija që fshijnë me lagështi të hidhur kalueshmërinë e momentit dhe duke u kthyer prapa, ekzistuesi e ndjen veten të zhdukur.
E parëndësishme dhe e rastësishme. Si një gërvishtje e animuar në fytyrën e Përjetësisë. Shumë e përkohshme për vëmendjen hyjnore. Vendin e quajnë Shkalla e Lunikut, dhe njerëzit jo më si dikur nuk i shmangen më rrezikut, se rruga është e asfaltuar dhe e zgjeruar, sepse dikur aty ku nuk mund t’i hiqje apo t’i shtoje asgjë Krijimit të ngurtë, mbetej edhe kufiri i vdekjes. Një rrip tradhtar midis gëzimeve dhe hidhërimeve të kota të dikujt dhe mosnjohjes së paqartë të vizitorëve dhe sidomos të të huajve tashmë është lënë pas. Dhe ne zbrezim pas ngjitjes sërrish në asfalt.
Dhe pse duhet të jetë kështu?
“Sepse”, thonë në brokadat e praruara të kujtesës sime të udhëtimeve kur isha mësues në Ostren të Madh, tri kohët e kapërcyeshme që i takova te Fusha e Studnës me shata e kosha në duar, ende mahnisnin në telajn e një pikture të vendosur në një nga vilat turistike të zonës. Diku ka tiktake të tjera. Ora e huaj, pra. Jo lokale. Kështu kohëra si kohëra kanë harruar pushtimet e huaja, dhe kohërat, sikurse ata të pikturës historike në anën tjetër vazhdonin të mblidheshin për një përrallë atje. Për të shkëmbyer skajet e tyre. Të mos ndërhyjmë shumë që dikush të mos gjymtohet..., që historia të mos përsëritet, por dhe të mos harrohet.
Kështu më udhëzuan atëherë. Dhe u tërhoqa zvarrë pas kësaj mpirjeje. Përmes kilometrave që kam ecur dhe porteve ku u ankorova. Përmes dashurive dhe urrejtjeve. Përmes ëndrrave dhe njohurive. Përmes vetes. Dhe përmes të tjerëve. Para syve të botës indiferente, telajoja e zverdhur më ndoqi, dhe më dogji me sprovat e saj në kornizat e urtësisë së detyruar, pa të cilën është e pamundur të gjesh më në fund veten dhe të kujtosh.
Unë erdha në vete pas vitesh. Në një zyrë të mërzitshme. Mbi kolonat e një raporti me gjuhë të huaj dhe të paqartë. Vetëm duke u larguar. Nuk ka kthim. Një e ardhme pa kujtim të së shkuarës. Një dhuratë të cilës nuk mund t'i hiqet apo shtohet asgjë. Dhe pastaj shikova sytë e ngrirë rreth meje. Dhe pyeta nëse dikush këtu do ta vazhdonte këtë shkrim, këtë traditë, këtë hulumtim, këtë zgjim, këtë përfundim bosh? Sepse nuk është shkrimi im, por i tyre është - pa barërat e Përjetësisë sime - vetëm shenja në një shkretëtirë letre, të vizatuara në një tavolinë. Fillon me një fund. Dhe përfundon me një fund. Dhe në mes është hiçi i mungesës sime. Ngaqë jam diku tjetër në shpirt dhe në Zot, e detyroj veten të mbulohem me shkrime që nuk janë vetëm të miat, por të traditës që mbahet ende zgjuar, të kohës që duhet rikujtuar.... E kështu i bëj shenjë vetes, fshij sytë dhe makina lëshon shenjëzat e saj të zeza në asfalt. Ai vazhdn të ecë, të ngjitet drejt shtëpisë së tij, atje lart, nga Librazhdi vetë dy kilometra larg…
***
Haxhi Balliu, mësues, gazetar dhe drejtues i Shoqatës AKS Librazhd, është një figurë intelektuale dhe qytetare mjaft e njohur, në një zonë të tillë ku polifonia, gegëria dhe toskëria, mbajnë gjallë një lidhje të tërthortë historike dhe kulturore, kjo duke ditur se Lumi Shkumbin, ku shtrihet vendlindja e tij është kufiri midis dy dialekteve. Kështu ky intelektual i përkushtuar është i tillë, me përkushtim, me angazhimin e tij kulturologjik-bashkëjetues, sikurse qyteti i Librazhdit, ku bashkëjetojnë kulturat, edhe pse sikurse dihet pra, Shkumbini ndan kështu tërë hapësirën shqiptare iso-polifonike përkatëisht në Toskë dhe Gegë. Haxhi Balliu është një nga intelektualët më aktivë, por dhe më modestë në kohëhapësirën e tij, krijuese, angazhuese, kulturologjike, evidentuese, vlerëdhënëse, angazhuese dhe qasëse të vlerës së trashëguar, asaj vlere që humbet kohë pas kohe, asaj vlere që shuhet nga zvogëlimi tradicional i dasmës, këngës, valles, efektij global-kulturor, por që ai me Shoqatën AKS Librazhd tenton ta mbajë gjallë.
Haxhi Balliu, e ka rizgjuar traditën muzikore, folklorike, tradicionale me angazhimin e tij vlerëdhënës e intelektual duke aktivizuar mjeshtrat më të mirë të fyellit dhe melodive baritore, talenti i të cilëve do të zbulohej rastësisht dhe evidentohej nga Shoqata AKS, në Festivalin e “Polifonisë së Luginës së Shkumbinit”, por dhe në arenën globale, në një festival në Bursa të Turqisë, në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut, apo dhe në mesin e arbëreshëve në Itali e gjetkë, ku edhe janë shpërblyer me medalje, të cilat i kanë prekur në kohën e demokracisë. Po ashtu me angazhimin dhe përkushtimin e tij në krye të kësaj shoqate Vallet e Librazhdit kanë ushtuar me timbrin dhe koregrafinë e tyre të bukur e të veçantë edhe në Kalabri.
Haxhi Balliu njihet dhe si gazetar dhe botues i një organi lokal që për disa vite shërbeu mjaft mirë dhe denjësisht në informim, zgjim tradite dhe vlere. Ai ka qenë bashkëpunëtor në disa media me karakter Kombëtar e më gjerë. Si i tillë në Librazhd ai ka ndërtuar me vlerën dhe përkuhstimin e tij intelektual atë që pakkush mund ta bënte, por që i duhet dhe i mbetet një qyteti të tillë të vogël, por me vlera të padiskutueshme kulturologjike dhe tradicionale. Emrin e tij e gjen në disa artikuj sportivë, kulturorë, informues dhe historikë, e gjen në hulumtim, në kërkim të vlerës së harruar e traditës së nëpërkëmbur, e kështu ai mbetet si një pishtar i gjallë që vazhdon të bëjë dritë e të kërkoj dritë në errësirat e kohërave.
E kështu pa penë në duar, me një mall njerëzisht të përjetuar, mbajmë ende duart të shtrënguar, ashtu të qetë, të ndjeshëm e të përmalluar. Duke fiksuar kështu me një ndjesi njerëzore, atë që mbetet jo thjesht në memorje.
Librazhd, Tetor 2024
Comments